Kryesore, Politika

Lulzim Basha rrëfehet për opozitën, bandat në qeveri dhe ‘gangsterët e Ballkanit’

Kreu i opozitës Lulzim Basha ishte mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin ‘FAKT’ në SYRI.net.

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se opozita e ka gati strategjinë saj për nxjerrjen e vendit nga kjo krizë e thellë.



Sipas Bashës, Shqipëria sot qeveriset nga bandat dhe Edi Rama nuk është më kryeministër.

Gjatë intervistës së tij përballë gazetarit Çim Peka, drejtuesi i opozitës shqiptare foli dhe për debatin e kufijve të Kosovës dhe për ‘gangsterët politikë’ në Prishtinë dhe në Tiranë.

 

MË POSHTË INTERVISTA E PLOTË E LULZIM BASHËS

Çim Peka: Përshëndetje! Jemi rikthyer sërish në sezonin e ri, këtu në Syri.net. për të filluar me emisionin ‘Fakt’, kam të ftuar të parë të këtij sezoni, kryetarin e opozitës, z. Lulzim Basha. Z. Basha mirëmbrëma.

Lulzim Basha: Faleminderit!

Peka: Kënaqësi dhe faleminderit që jeni sërish për hapjen e sezonit. Unë po e filloj me takimin që keni patur para dy ditësh në Shkodër. Z. Basha, jeni shprehur ‘Të çlirojmë Shqipërinë nga krimi’, pyetja është konkrete. Do e çlironi qeverinë nga krimi? Apo do e çlironi Shqipërinë nga qeveria?

Basha: Të dyja shkojnë dorë më dorë. Qeveria është e kapur nga krimi, Edi Rama bashkëqeveris  me kriminelët. T’i japësh fund bashkëqeverisjes së krimit, të çlirosh qeverinë nga krimi, do të thotë, të çlirosh Shqipërinë nga gjysma e bandës. Banda është ndarë përgjysmë. Njëra gjysmë terrorizon Shkodrën, Elbasanin, Durrësin, Tiranën, Fierin, Vlorën, Korçën, gjysma tjetër është në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, ashtu si krimi dhe qeveria janë bërë një dhe të pandarë, ashtu edhe pastrimi i qeverisjes nga krimi, do të thotë, pastrim i Shqipërisë nga një qeveri e bërë njësh me krimin.

Peka: Si do e pastroni?

Basha: Kjo nuk është një pyetje që i drejtohet një individi, një partie politike apo thjesht dhe vetëm opozitës, mjetet dhe mënyrat e opozitës, janë ato politike. Por forca më e madhe e opozitës, forca më e madhe e ndryshimit është mobilizimi qytetar, që pa dyshim ky do të jetë një kombinim i aksionit politik të opozitës, partive politike të opozitës, me të gjithë faktorët e tjerë shoqërorë, me të gjithë qytetarët shqiptarë, që janë ata që ndjejnë pasojat e drejtpërdrejta të bashkëqeverisjes me krimin. Dhe këto pasoja nuk kufizohen thjesht dhe vetëm në gjendjen e sigurisë, në shkolla, në rrugë, në lagje, në rrethimin e zonave të tëra të qyteteve tona, nga bandat kriminale, që i kanë bërë zonat të pakalueshme për qytetarët, në humbjen e jetëve të pafajshme, në rrëmbimin, deri edhe të fëmijëve nga bandat kriminale. Pra, në aspektin e sigurisë, bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin sjell një faturë të drejtpërdrejt në tavolinat e shqiptarëve, në shkollimin e fëmijëve të tyre, në shëndetësinë e shqiptarëve, sepse me bashkëqeverisjen me krimin, Edi Rama, dhe ministrat e tij të lidhur me krimin, dhe eksponentët e tjerë të lidhur me krimin, si; Fatmir Xhafa, Taulant Balla dhe ushtarët e krimit, ushtarët e bandave si; Jurges Çyrbja, bëjnë të mundur grabitjen dhe zhvatjen e taksave të shqiptarëve, taksave që në vend se të shkojnë për të bërë rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale, për të rritur pensionet, për të ofruar shërbim më të mirë shëndetësor, përfundojnë si PPP, tendera e koncesione dhe kontrata korruptive, të cilat përfitohen nga një grusht njerëzish të lidhur me krimin dhe një grusht oligarkësh. Pra, krimi ka një faturë ekonomike, ka një faturë sociale dhe natyrisht ka një faturë të tmerrshme psikologjike dhe sigurie, humbje jetësh për qytetarët e pafajshëm shqiptarë.

Peka: Z. Basha. Është një term i përdorur shpesh nga opozita se Edi Rama bashkëqeveris me krimin. Megjithatë javën e fundit keni patur konkrete. U shpërngulët, edhe në Shkodër para dy ditësh. Është situata më e rëndë, apo po afron vjeshta dhe opozita ka një strategji për të sensibilizuar më shumë opinionin.

Basha: Po pyesni shkodranët. Çoni edhe ju gazetar në Shkodër dhe mediat e tjera të cilat i bëjnë fresk qeverisë nga mëngjesi në darkë, nga ekranet dhe portalet e tyre, dhe që kanë mjete financiare më shumë se sa ju, çojini gazetarët dhe pyesni shkodranët se si ndihen. Ne prandaj ishim aty sepse nuk i besojmë asnjë filtri më, në veçanti filtrave mediatikë, të cilat si më çdo autokraci të kapur nga interesa kriminale dhe oligarkike, i shërbejnë  qeverisjes. Por pot ë shkosh tek njerëzit dhe të pyesësh njerëzit, do të shikosh se situate nuk është thjesht dhe vetëm ajo që ne mundohemi ta shprehim ne me fjalë. Është shumë më keq se aq. Se në fund të fundit, deputetët, politikanët, për vetë natyrën publike të punës së tyre, gëzojnë benifitet e një imuniteti të vërtetë apo të perceptuar. Por qytetarët vazhdojnë të mbeten nën terror në Shkodër. Nën terrorin e bandave të cilat jo vetëm nuk e ndjejnë peshën e ligjit, por që kanë vënë përfund ligjin, kanë vënë përfund policinë. Dhe kjo, për një arsye të thjeshtë. Çfarë e bën diferencën midis gjendjes sonë në Shkodër, dhe gjendjen para 5 apo 10 vjetësh. Bandat e dinë që policia është e demoralizuar. Që drejtuesit e lartë të policisë, oficerët dhe policët e thjeshtë janë të demoralizuar. Përse? Sepse në krye të policisë, në krye të Ministrisë së Brendshme, janë familjarë të kriminelëve të dënuar për krim të organizuar. Nëse për Ministër të Brendshëm, kalojmë nga një Ministër të Brendshëm që e bënte drogën me kushërinj, Saimir Tahiri, tek një Ministër i Brendshëm që e bën drogën me të vëllain e tij, nëse numri dy i PS-së, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë në pushtet, që është edhe kryetari i Grupit Parlamentar  pranon publikisht se ka miqësi me një të dënuar për trafik dhe krim të organizuar në Itali, 21 vite burg, njëkohësisht pjesëtar i një prej bandave më famëkeqe të historisë së Shqipërisë, bandës së Lushnjës, Edmond Bego dhe mediat vazhdojnë ta etiketojnë si biznesmeni Bego i cili ka marrë 14 milionë euro tendera në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Ligj i cili në nenin 45 e bën fare të qartë, që një i dënuar për krim të organizuar, nuk mund të marrë pjesë në tendera publikë. Por ky ka marrë pjesë në tendera publikë, ky i ka fituar këto tendera publikë sikundër ka marrë nga shteti, liçensa, kontrata, për të mos përmendur vetëkontraktimet, vetëm e vetëm sepse ky është mik i Taulant Ballës. Tani t’ju them legjislacionin për gjyqtarë  dhe prokurorë dhe që quhet legjislacioni i vetingut, dhe në ligjin për policinë, ky fakt do të mjaftonte e do të tepronte, që polici i thjeshtë apo oficeri i lartë i policisë, gjyqtari apo prokurori të shkarkoheshin, të largoheshin nga puna. Ky është kriteri që vetingu parashikon, si për policinë, ashtu për gjyqtarët dhe prokurorët. Çështje tjetër se si po zbatohet. Ndërsa Taulant Balla nuk e ka për gjë të pranojë miqësinë me një nga figurat kryesore të krimit të organizuar në Shqipëri. Pra, çështja është fare e thjeshtë. Edi Rama po bashkëqeveris me krimin dhe kjo nuk është akuzë. Këto janë fakte për ata që duan të dëgjojnë, për ata që kanë sy të shohin dhe mendje të analizojnë. Këto nuk janë akuza, as të opozitës, as të ndonjë gazetari. Këto janë fakte, që Edi Rama po bashkëqeveris me krimin dhe ne e dimë fare mirë se përse ndodh kjo. Me Bajrat në Shkodër, me Lul Berishët e Emiliano Shullazët, me Habilajt, me Balilajt, Edi Rama bëri pakte zgjedhore. Më ndihmoni të marr vota me paratë tuaja të pista dhe me forcën e bandave tuaja dhe pas kësaj u hapi dyert e pushtetit. Pra, për pushtetin e tij, Edi Rama bëri pakt me krimin dhe sot, jua thash, nuk kuptohet se ku fillon shteti dhe ku mbaron krimi. Banda është ndarë në gjysmë. Gjysma qeveris rrugët, qytetet, fshatrat e Shqipërisë, malet dhe bregdetin shqiptar dhe përbëjnë problem gjigant në Europë, siç është bërë krimi i organizuar shqiptar, gjysma tjetër është në Këshillin e Ministrave dhe në Parlament. Vetëm se ka diçka, ka një zhvillim shumë shqetësues. Nxjerrja e Shkodrës tërësisht jashtë ligjit nga bandat, pra vënia e një ndër pesë qytetet më të mëdha të Shqipërisë, nën kontrollin e bandave, tregon një përshkallëzim në marrëdhënien mes krimit të organizuar dhe qeverisë së Edi Ramës. Dhe ky përshkallëzim është se tani Edi Rama, nuk ka fuqinë, përveçse në letër të diktojë, është krimi që dikton. Pra ai është një kryeministër në letër, Fatmir Xhafa është një Ministër i Brendshëm në letër dhe ligjin e bën krimi i organizuar. Me dy fjalë, Edi Rama ia ka dorëzuar Shqipërinë krimit, përse? Që vetë të merret me jetën e tij luksoze, me udhëtimet e tij me charter, vetë të shpenzojë të gjithë kohën e vetë për të grabitur të gjithë buxhetin e shtetit, për të grabitur pasuritë publike dhe për t’iu përkushtuar stilit luksoz të jetës, ndërkohë që shqiptarët vuajnë pamundësinë, papunësinë, varfërinë që shtohet dhe i japin përgjigjen me një emigracion masiv siç nuk e kemi parë që në vitet 90-93.

Peka: Z.Basha. E spostuat opozitën Shkodër për të marrë informacion pa filtër siç u shprehët, apo edhe për t’i dhënë zemër qytetarëve mbi situatën në të cilën ndodhet Shkodra?

Basha: Të dyja pa dyshim.

Peka: Nga disa media u raportua se nuk kishte qytetarë që të pritën, apo të takuan përveç grupit opozitar.

Basha: Si nuk kishte qytetarë?

Peka: As në sallë dhe as në rrugë. Nga e morët informacionin?

Basha: Në sallë kishte një mbledhje të grupit të opozitës, natyrisht që në Shkodër në takuam edhe qytetarë edhe përfaqësues politikë, këto janë marrëzi. Nuk e di ku e keni parë apo e keni lexuar, por janë marrëzirat e freskoreve të qeverisë. Gjendja në Shkodër është shumë e rëndë. Aty duhej të ishte kryeministri. Kryeministri kishte zgjedhur të fshihej pas Taulant Ballës dhe Fatmir Xhafës, sepse siç e thash sot kryeministrin e kemi vetëm në letër. Kryeministër janë Bajrët, janë bandat, kryeministër në Shqipëri janë krimi i organizuar. Dhe Shqipëria nuk e përballon dot këtë gjendje. Kjo gjendje duhet të marrë fund një orë e më parë.

Peka: Z. Basha, situata është e tillë, dakord. Ka një konstatim që një pjesë e mirë e opinionit publik ose i analistëve kryesorë e marrin të mirëqenë pretendimin e opozitës. Megjithatë dje gazetari Andi Bushati…

Basha: Jo, jo, them që nuk është pretendim i opozitës por janë fakte dhe realitete sepse opozita e ka denoncuar prej pesë vitesh. Mund të na akuzosh se kemi qenë të parakohshëm, por s’mund të na akuzosh se s’kemi thënë të vërtetën prej ditës së parë.  Dhe s’kemi paralajmëruar se Shqipëria po rrëshqiste drejt gjendjes ku është sot dhe do të rrëshqasë edhe më keq nëse ne nuk ngrihemi t’i vëmë fre’ bashkëqeverisjes me krimin dhe të ndajmë qeverisjen nga krimi.

Peka: Z.Basha, dje gazetari Andi Bushati menjëherë pas takimit në Shkodër kishte një analizë ku thoshte ‘konstatimet e opozitës janë korrekte, por hapi i ndërmarrë prej saj është gjysmak. Është një hap sa për të përfituar lajmin e ditës, gjë që e fitoi sipas tij, por në rast se situata është e tillë dhe kjo opozitë vazhdon dhe merr pjesë në parlament dhe ka një pjesëmarrje të kushtëzuar, hapi është gjysmak’. Ka një pjesë analistësh të cilët prej kohësh ju thërrasin të dilni jashtë sistemit, për aq kohë sa Edi Rama qeveris me bandat, çfarë e pengon këtë opozitë t’i prishë sistemin Edi Ramës?

Basha: E para e punës, të dalësh jashtë sistemit, të prishësh sistemin janë shprehje të gazetarëve që nuk bredhin në terren, nuk shohin gjendjen nga afër, unë i ftoj të shohin gjendjen nga afër dhe pastaj i ftoj ata dhe çdo faktor tjetër shoqëror të bëhen pjesë e hartimit të zgjidhjes dhe zbatimit të zgjidhjes. Po të ishte zgjidhja me një të rënë të lapsit, apo me një shkrim, apo me një editorial të jesh i sigurt që nuk ka faktor më të interesuar se sa opozita, se sa opozita, se sa kryetari i opozitës. Asnjë gazetar nuk mund të jetë më i interesuar se unë, për t’i dhënë fund në rrugën më të shkurtër kësaj gjendje. Por, për fat të keq e vërteta është e hidhur dhe pak ndryshe. Nuk ka një përgjigje të thjeshtë dhe të prerë. Sfidat nëpër të cilat duhet të kalojë shoqëria, betejat që na presin përpara janë të shumta dhe të vështira. Beteja që nisën për dekriminalizimin ishte një betejë e vështirë. Për gjashtë muaj opozita u angazhua në një bojkot parlamentar derisa më në fund pati në vëmendjen e duhur ndërkombëtare e cila çoi drejt marrëveshjes dhe prapë u desh një vit tjetër që marrëveshja të përkthehej në ligj dhe gjashtë muaj të tjerë që ligji të zbatohej. Falë këtij ligji shumë persona me rekorde penale që ishin në legjislaturën e kaluar, nuk janë në këtë legjislaturë në Kuvendin e Shqipërisë, por fitorja nuk është në anën e shoqërisë, nuk është në anën e së mirës. Përse? Sepse njeriu që bashkëqeveris me krimin, ka zëvendësuar personat me rekordet penale në Kuvend me dy marrëdhënie të reja me krimin. Me të dërguarit e krimit, siç është Jurges Çyrbja që është i emëruari i Bandës së Lul Berishës në Kuvendin e Shqipërisë, siç kemi atë numrin 6 që as emir nuk i dihet, që është i emëruari i Bandës së Avdylëve të Shijakut, në lidtën e Durrësit. Po marr Durrësin si shembull, por në çdo listë nga Shkodra deri në Vlorë, ka deputetë në çdo listë fituese të PS-së qark për qark ka deputetë të cilët nuk përfaqësojnë as militantët, as anëtarët, as simpatizantët e PS-së, por bandat e krimit të organizuar me të cilët Edi Rama ka lidhur pakt. Dhe lidhja e dytë është ajo e promovimit në detyrë dhe në poste kyçe të shtetit dhe qeverisë të personave që po kështu mbrojnë dhe përfaqësojnë interesa kriminale. Siç është Fatmir Xhafa, i cili jo thjesht dhe vetëm për marrëdhënien që ka me të vëllain e dënuar për drogë dhe subjekt i Ligjit Antimafia që e bën edhe vetë Fatmir Xhafën subjekt të Ligjit Antimafia, por edhe për një sërë hapash të tjerë që ka hedhur edhe si Kryetar i Komisionit të Ligjeve në raport me sektorë kyç, siç është ai i ‘Lojërave të Fatit’, dëshmohet siç e kemi dëshmuar me fakte dhe prova se i shërben interesave të krimit të organizuar, pra është në konflikt interesi edhe në detyrën e deputetit, imagjinoni më, me detyrën e Ministrit të Brendshëm. Apo Taulant Balla i Toyota Yaris i cili është rasti më flagrant, në kufijtë e groteskut,  nuk e ka për gjë të pohojë publikisht dhe para mediave që ai ka një miqësi personale. Çfarë e lidh Taulant Ballën me Edmond Begon, anëtarin e Bandës së Lushnjes…

Peka: Jeni në intervistën e parë pas ‘Toyota Yaris’ së famshme. Z. Basha, e paralajmëruat dy ditë përpara se ajo të kapej, në Kuvendin e Shqipërisë. Jeni akuzuar se keni dekonspiruar operacionin.

Basha: Mashtrim!

Peka: Nga e morët informacionin?

Basha: S’kam ndërmend ta ndaj me ju, nga e mora informacionin, por mund t;ju them që Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi partnerë më të besueshëm se qeveria për një numër të madh faktorësh, duke përfshirë këtu edhe faktorë ndërkombëtarë.

Peka: Në rastin konkret është faktor ndërkombëtar?

Basha: Në vetë natyrën e çështjeve do të ishte joserioze, përveçse pot ë isha gazetar, që unë s’jam, jam kryetari i opozitës, dhe pretendenti për kryeministër dhe ish-Ministër i Brendshëm dhe ish-Ministër i Jashtëm kështu që nuk kam ndërmend të hyj në këto detaje sado interesante të jenë për emisionin.

Peka: Por bëtë publike një fakt për një operacion i cili ishte në vazhdim z.Basha?

Basha: Absolutisht jo! Operacioni ishte në dështim dhe ishte pikërisht bërja publike e faktit me koordinim të plotë me ata faktorë pa të cilët Shqipëria do të ishte edhe më zi se ç’është sot dhe me ndihmën e të cilëve do të ngrihemi bashkë me qytetarët shqiptarë që këta të paktën të detyrohen ta kapin dy ditë më vonë.

Peka: Kjo dëshmi e shpëtoi operacionin?

Basha: Absolutisht kjo dëshmi apo ky paralajmërim ishte pjesë e një skenari alarmesh të vëna në lëvizje nga këta faktorë, të cilët kur panë mungesë totale reagime iu drejtuan sigurisës së fundit së një vendi që është opozita e vendit.

Peka: Pra, nuk keni këtë shqetësimin se keni qenë dekonspirues me partnerët? Sepse kjo është akuza që bëhet ndaj jush z.Basha.

Basha: Mos u merrni me akuzat e Taulant Ballës. Si mund të merreni me akuzat e një njeriu i cili pranon publikisht miqësinë me një të dënuar të bandës së Lushnjës. Ky njeri nuk do të jetë më subjekt, as referencë, vendi i tij nuk është as në Parlamentin e Shqipërisë, as në politikë, por është para drejtësisë. Prandaj të mos bëhemi pjesë e banalizimit të së keqes duke ikur nga thelbi i çështjes. Ky është thelbi i çështjes, ky është problemi në vend dhe ky problem kërkon një zgjidhje e cila siç ju thash nuk mund të burojë as me një sentencë, as një editorial. E rëndësishme është kjo, dhe këtë ia kërkoj çdo gazetari pavarësisht nëse është në ditën e parë apo të saj të punës, nëse ka 30 vjet më gjatë se shumica e politikanëve që shkruajnë editoriale, të mos censurojnë lajmet e rëndësishme. Gunther Krichbaum dha një intervistë ditën e hënë në gazetën ‘Panorama’ dhe një çështje shumë e rëndësishme është ajo e relativizimit të qëndrimit ndaj Fatmir Xhafës. Mediat shqiptare, shumica dërrmuese e mediave shqiptare kanë fshehur apo kanë relativizuar qëndrimet gjermane në raport me Fatmir Xhafën. Para dy muajsh e gjysëm nënkryetari i grupit Parlamentar CDU/CSU, faktikisht numri katër i hirearkisë kristiandemokrate pas kancelares Merkel e tha qartë se Fatmir Xhafa nuk mund të qëndrojë në detyrë. U përsërit kjo nga Thorsten Frei, dhe u pyet kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane Gunther Krichbaum nëse këto ishin qëndrime personale, këtë të hënë deklaroi qartë se qëndrimi për Fatmir Xhafën është i grupit parlamentar CDU/CSU. Asnjë media nuk e jep, asnjë, edhe ato që shquhen për një sens kritik apo objektiv ndaj kësaj maxhorance. Pra, kjo është një detyrë themelore  e medias dhe e shtypit. Natyrisht detyrat e një gazetari, sikundër e çdo qytetari të lirë shkojnë përtej detyrave të tjera profesionale. Por lutja e parë që kam duke i respektuar maksimalisht për mendimet dhe opinionet e tyre edhe për dëshirën për tu përfshirë në strategjinë opozitare, për të cilën i ftoj të jenë pjesë aktive, jo thjesht pasive dhe këshilluese nga larg, por detyra e parë është të mos censurojnë të vërtetën. Vetëm e vërteta do të na shpëtojë.

Peka: Z.Basha ka patur audiopërgjime për vëllanë e ministrit Xhafaj, pas rastit të ‘Toyota Yaris’, pas disa përgjigjeve apo paralajmërimeve me nëntekst, ka një farë pritshmërie se opozita ka mjaft skandale të ministrave të qeverisë ‘Rama’ të cilat mund t’i përdor por nuk po i përdor. A ka PD fakte të cilat mund të zhysin politikisht apo penalisht ministra të veçantë të qeverisë ‘Rama’? Sepse zakonisht përdorni 4-5 emra ministrash, nuk shpërndaheni më shumë, a janë të njëjtit?

Basha: E para e punës në qoftë se ka skandale, janë skandale të qeverisë dhe jo të opozitës. A ka dijeni opozita?!

Peka: Sigurisht për skandalet e qeverisë po flas?

Basha: Faktet, pretendimet depozitohen tek ne në mënyrë të përditshme nga të dëmtuarit, nga gazetarë vendas dhe të huaj, por edhe nga burime të tjera serioze dhe institucionale dhe s’e kam fjalën këtu për brenda vendit apo të lidhura me strukturat shqiptare. Pse? Sepse çështja e krimit të organizuar shqiptar që bashkëqeveris me Edi Ramën tashmë është një problem europian, nuk është thjesht një problem i Shqipërisë, është një problem edhe i Italisë, edhe i Greqisë, edhe i Britanisë, edhe i Gjermanisë, edhe i Holandës dhe i vendeve të tjera të BE dhe i SHBA-ve. Për një kohë të gjatë këto vende kanë besuar, kanë shpresuar në të ashtuquajturën reformë në drejtësi, këto probleme të paktën të fillonin të adresoheshin. Por fakti është që krimi i organizuar është forcuar, aktiviteti kriminal po arrin majat dhe qeveria jo vetëm nuk e lufton por është tërësisht në bashkëpronësi dhe në bashkëqeverisje me krimin. Bashkëqeverisja e Edi Ramës sot me krimin është problemi numër një i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Prandaj edhe ne  e kemi evidentuar si problemin e parë dhe kemi parashtruar zgjidhjen e këtij problemi si emergjencën kombëtare, kjo është detyra e opozitës, ky është prioriteti i opozitës. Skandalet që provojnë se Fatmir Xhafaj është subjekt i ligjit të Antimafias dhe duhet të hetohet për mbështetjen që i ka dhënë vëllait, pashait të drogës në Vlorë; skandali se Saimir Tahiri ishte koka e trafikut të kanabisit iu deshën përgjimet e Antimafias të vërtetohej dhe të pranohej si i vërtetë nga opinioni publik dhe nga vetë maxhoranca, dhe prapë sot bredh i lirë; skandali i Jugen Çyrbes, përgjimet janë të Prokurorisë, nuk janë të gazetarëve që i thotë anëtarit të bandës së Emiliano Shullazit, i drejtohet atij në terma ortakërie sepse janë ortakë dhe skandali i Taulant Ballës, jo thjesht dhe vetëm ai i ‘Toyota Yaris’ por ky tani, mjaftojnë dhe teprojnë për një shoqëri të civilizuar për të rrëzuar jo një por 5 qeveri. Por këtu nuk është çështja se sa skandale ka dhe sa prej tyre janë denoncuar dhe sa do të denoncohen. Çështja është çfarë zgjidhje do t’i japim ne problemi akut që kemi dhe si do të mundemi si shoqëri të parandalojmë që kushdo, cilado qeveri ta zëvendësojë këtë bashkëqeverisje me krimin të mos ketë mundësi të degjenerojë në këtë gjendje të tillë. Dhe për këtë na duhen një ndryshim i thellë politik, na duhet një ndryshim i thellë kushtetues, na duhet një përqasje e re që nga forma, mënyra e organizimit të partive politike, financimi i fushatave dhe të tjera aspekte të rëndësishme ku lind bashkëpunimi midis politikës dhe krimit.

Peka: Ndryshime kushtetues të paktën me këtë maxhorancë nuk bëni dot.

Basha: Unë po them se çfarë është e nevojshme, pastaj rrugët për të shkuar aty janë të pafundme, njësoj si rrugët e Zotit dhe njësoj si vullneti i qytetarëve. Kur kanë vullnet për të larguar tiraninë, qoftë kjo tirani ideologjike, apo tirani e krimit, pastaj rrugët janë të pafundme.

Peka: Cili do të jetë raporti i opozitës me Parlamentin?

Basha: Raporti i opozitës me Parlamentin do të jetë raporti që pamundëson fasadizimin e një parlamenti, e një qeverie të marrë peng nga krimi. Që do të thotë se as ligje nuk mund të bëjmë, as normalitet nuk mund të kemi sa kohë që në Parlament dhe në qeveri ulen njerëz tashmë të faktuar si njerëz të lidhur me krimin, nga Fatmir Xhafa te Taulant Balla, te Jurgis Çyrbja me shokë.

Peka: Z. Basha në takimin e pardjeshëm në Shkodër a ka patur zëra nga përfaqësues të ndryshëm të opozitës se në rast mosveprimi nga qeveria, t’u bëhet thirrje qytetarëve për vetë armatosje?

Basha: Jo!

Peka: A e shikoni si opsion?

Basha: Sigurisht që jo! Sepse kjo në vetvete do t’i jepte fund politikës. Duhet të kuptojë diçka, ne ekzistojmë si parti politike, Partia Demokratike ekziston për t’i dhënë qytetarëve një zgjidhje politike, për të dhënë një alternativë, një shpresë, për t’i dhënë mundësinë që të kalojmë një bashkëqeverisje me krimin te një qeveri e cila në vend që të bëjë pakt me krimin e shtypë.

Peka: Si do të mundni krimin në politikë z.Basha?

Basha: Ne nuk kemi punë me krimin në politikë se ne nuk kemi as polici, as xhandarmëri tonën, por ne kemi punë me qeverinë që është gjysma e bandës. Ne me bandat luftë nuk bëjmë dot, por me qeverinë që mbështet bandat po, luftë politike deri në rrëzimin e saj dhe zëvendësimin e saj me një qeveri  e cila ka vullnetin, planin dhe vendosmërinë për të rivendosur rendin publik, për të çliruar Shqipërinë nga zgjedha e krimit të organizuar dhe për t’i dhënë Shqipërisë një cikël normal sigurie, rendi dhe zhvillimi ekonomik. Jo luftë me bandat, por luftë me qeverinë që mbështet bandat. Sepse siç e thash partia politike nuk është detashmen ushtarak, nuk është polici alternative, nuk ka forcë paramilitare. Por luftë politike me qeverinë për ta zëvendësuar bashkëqeverisjen me krimin me një qeveri që e lufton, që ndëshkon dhe nuk e mbron e bashkëpunon me krimin.

Peka: Çfarë do të bëjë opozita në vjeshtë z.Basha?

Basha: Opozita do të vazhdojë që të bëjë prej ditës së parë në opozitë me Edi Ramën kryeministër, të vendosë prioritetin e duhur. Kur e kemi thënë ditën e parë apo herën e parë kur nisën problemet, kur u evidentuan problemet e lidhjeve kriminale të Edi Ramës shumëkush e mori për luftë politike, tipike shqiptare, tipike ballkanike. Faktet dhe koha treguan që nuk ishte e tillë, që opozita, që Partia Demokratike dhe unë nuk i shërbyem interesit tonë politik, madje mund ta kemi dëmtuar interesin elektoral, në kuptimin e ngushtë të fjalës, por qëndruam lartë për interesin kombëtar. Si qëndrimi jonë për dekriminalizimin, si qëndrimi jonë për dekanabizimin, si lufta jonë kundër drogës dhe parave të pista të drogës që bëhet sot në mënyrën më të shpejtë përmes PPP-ve korruptive dhe koncesioneve; janë kauza të drejta të opozitës për shqiptarët. Pra, në këtë kuptim ne do të vazhdojmë fuqimisht aksionin tonë me një platformë të shpallur dhe publike, çlirimin e Shqipërisë nga krimi, çlirimin e drejtësisë nga kapja e qeverisë të lidhur me krimin dhe adresimin e krizës ekonomike dhe problemet e mprehta që kjo sjell për shqiptarët. Këto janë tre prioritetet tona.

Peka: Z. Basha sapo shprehët se ne do të bëjmë atë që kemi bërë prej ditë së parë si opozitë me Edi Ramën si kryeministër, çfarë do të thotë se edhe Edi Rama do të  bëjë që ditën e parë me ju si opozitë kur është zgjedhur kryeministër…

Basha: Ky është një konkluzion metafizik. Sepse kjo nuk është dita e parë e qeverisjes së Edi Ramës, do të thotë që koha na ka dhënë të drejtë….

Peka: Do të qeverisë i pa shqetësuar? Opozita nuk është vetëm kauzë dhe konstatim, është edhe aksion. Cili është aksioni?

Basha: Aksioni i opozitës do të jetë i ndërthurur në të gjitha rrafshet. E para e punës duhet thënë edhe një herë se Edi Rama nuk është në ditën e parë të qeverisjes dhe sot nuk ka shqiptarë, nuk ka qytetarë që nuk e kupton e pjesë e arrogancës, e shpërfilljes, e talljes me problemet e tyre, të fateve të tyre dhe të fëmijëve vjen sepse Edi Rama nuk e ka lidhur fatin me ta. Kur vjen në pushtet me kriminelët nuk të bëhet vonë për njerëzit e thjeshtë; pjesa tjetër është propagandë, është bojatisje por edhe asaj i ka dalë boja. i ka dalë boja sepse njerëzit janë velur, siç velesh edhe nga gjëja më e ëmbël, velesh edhe nga gjëja bajate. Kështu që bajatizmi dhe propaganda kur na del një herë si babagjyshi i Vitit të Ri dhe një herë si bamirës, etj, etj. Ndërkohë që ka shfaqje apo mosshfaqje shtazarake siç ishte ajo e Selenicës, tregojnë që kemi të bëjmë me një person i cili ka humbur çdo ndjesi për vendin, është shkëputur komplet nga realiteti ku jetojnë qytetarët e këtij vendi. Dhe kështu ndodh sepse dhjetëra herë në vit është në çarter duke udhëtuar për një ekspozitë luksi, për një ndeshje luksoze që kushton sa ndihma ekonomike për një qytet të vogël, etj, etj. Pra, kjo është e vërteta dhe kjo e vërtetë e pajis jo vetëm opozitën, por të gjithë qytetarët me një instrument. Tani e dimë që faktet, argumentet e drejta dhe të vërteta janë në krahun tonë dhe me këto në krahun tonë ne duhet të bëjmë betejën e duhur për të larguar këtë qeveri. Sepse pa largimin e kësaj qeverie, pa i dhënë fund bashkëqeverisjes me krimin vendi nuk do të ketë të ardhme. Sa kohë që kemi një kryeministër të lidhur me krimin, sa kohë të kemi një ministër të Brendshëm të lidhur me krimin, sa kohë të kemi një eksponent të maxhornacës të lidhur me krimin, Shqipëria do të jetë në mëshirën e bandave. Aksioni do të jetë shumë planesh; do të jetë aksion politik, pjesë e aksionit është edhe kjo bisedë për të sqaruar ju dhe përmes jush të gjithë ata që na ndjekin, natyrisht do të ketë edhe forma të organizimit qytetar dhe të protestave qytetare. Dhe për këtë arsye Partia Demokratike dhe aleatët tanë kanë ngritur një grup të përbashkët  pune i cili brenda një jave, brenda dhjetë ditëve do të parashtrojë platformën politike për arritjen e objektivit numër një; që është t’i japim fund bashkëqeverisjes me krimin, të çlirojmë qeverisjen nga krimi. Dhe për zbatimin e kësaj platforme do të mobilizohet e gjithë gama e aksionit politik dhe qytetar që është në dispozicion  të një opozite në çdo vend, duke përfshirë natyrisht edhe protestat masive.

Peka: Megjithëse futemi në zonën e vjeshtës ku janë paralajmëruar protesta, deri tani nuk kemi një datë të saktë. Megjithatë, bashkë me sezonin e opozitës së vjeshtës zoti Basha, kur them opozitës së vjeshtës duket edhe pak simbolikë: një opozitë e ngelur për vjeshtë në objektivin e saj për të rrëzuar Edi Ramën, po afrojnë edhe zgjedhjet lokale me Edi Ramën kryeministër. Këtu dua përgjigje po se jo. Do të futeni në zgjedhjet lokale apo jo?

Basha: Shiko, pjesë e problemit është se disa prej marrëdhënieve të tyre të ngushta financiare me qeverinë, ku ju përjashtoj ju dhe disa të tjerë për arsye që nuk dua tu paragjykoj, i bëni gjyqin opozitës në vend që ti bëni gjyqin qeverisë. Opozita është në detyrën e saj. Opozita ka bërë protesta dhe do të bëjë protesta. Do të ofrojë alternativë, do të përgatitet për të konkurruar dhe për të fituar zgjedhjet. Opozita ka përcaktuar prioritetin e saj më madhor që është: Ti japë fund bashkëqeverisjes me krimin dhe kjo nënkupton gjëra të qarta dhe konkrete. Për momentin nënkupton largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafës, Taulant Ballës, Jurges Çyrbjes, të cilët me minimumin e standardeve të vettingut sot nuk do të jenë më as deputetë, por duhet të jenë nën hetim. Sigurisht, ky do të ishte fakti në se nuk do të kishim një prokurori të kapur nga qeveria dhe kjo është arsyeja, pse reforma në drejtësi ka këtu ku është. Sepse është kapur prokuroria. Sepse procesi i vettingut ka kaluar gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, por me mbrojtje politike nga Edi Rama, të cilët bëhen gati ti kthejnë favorin. Dhe sepse si asnjë vend tjetër në planet, jemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Këto janë problemet konkrete për të cilat opozita ka bërë paralajmërimet, denoncimet dhe po paraqet alternativën e saj. Ky është aksioni politik.

Peka: Xhafa, Balla, Çyrbja…

Basha: Dhe vetë koka e Meduzës, që është vetë Edi Rama, arkitekti i këtij sistemi dhe sot peng i këtij sistemi. Kryeministri në letër, i cili kohën e tij tashmë nuk e kalon me qeverisjen e shqiptarëve, por duke iu dedikuar luksit të tij personal, stilit të jetës së tij prej sheiku, udhëtimeve me charter dhe ekspozitave të pikturës. Sepse qeverisjen ia ka deleguar bandave dhe krimit të organizuar dhe një grushti oligarkësh.

Peka: Do pranoni të bëhen zgjedhjet lokale me Edi Ramën kryeministër?

Basha: Synimi ynë është i qartë dhe prerë: Ti japim fund bashkëqeverisjes me krimin të Edi Ramës. Largimin e kësaj qeverie dhe ti japim njerëzve një zgjidhje politike e cila kalon jo vetëm e thjeshtë përmes zgjedhjeve lokale, por përmes shprehjes së vullnetit të shqiptarëve me zgjedhje të lira e të ndershme, për të pasur një parlament të pastruar nga krimi dhe një qeveri që përfaqëson votën e qytetarëve.

Peka: Do futeni në zgjedhjet lokale me këtë hartë dhe me Edi Ramën kryeministër?

Basha: Zgjedhjet lokale janë pas 10 muajsh. Ne nisim sot përgatitjet për tu futur dhe për të fituar zgjedhjet lokale, me zgjedhje të lira dhe të ndershme…

Peka: Pra nuk ka bojkot…?

Basha: … dhe me një qeveri të çliruar nga krimi. Këto janë objektivat tona politikë.

Peka: Në të kundërt?

Basha: Unë besoj që këto dhjetë muaj do të shihemi prapë apo jo? Fjalën e fundit e do sot se çfarë do ndodhë pas dhjetë muajsh?

Peka: A është bojkoti i zgjedhjeve lokale alternativë zoti Basha?

Basha: Në tryezën tonë të opsioneve, gjithçka politike është alternativë. Por, në momentin që po më pyesni, Partia Demokratike me aleatët, po përgatiten fuqishëm që të konkurrojnë dhe të fitojnë zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme të mbikëqyrura nga një qeverisje e çliruar nga krimi.

Peka: Para katër viteve, ajo që ra në sy tek opozita, ishte caktimi i kandidatëve për kryetar bashkie në limitet e afateve kohore, çfarë në fakt duket se i penalizoi kandidatët…

Basha: Disa prej tyre. Por asgjë nuk do ti penalizojë më shumë se sa shitblerja e votës..

Peka: Sigurisht, por gjithsesi, a ka zënë mend opozita? A keni një strategji kësaj radhe që kandidatët të jenë të përcaktuar kohë më parë dhe të kenë mundësi të punojnë në zonat e tyre?

Basha: Në kontrast me pyetjen e mëparshme, po. Përgatitjet do të nisin shumë më përpara. Përgatitjet do të jenë serioze. Që do të thotë bashkë me procesin e riorganizimit të brendshëm të Partisë Demokratike, do të nisë edhe procesi i konsultimit për kandidatët dhe anëtarët e këshillave bashkiakë dhe për kryebashkiakë. Do të nisim konsultimet me anëtarësinë e PD, me qytetarët dhe ky është një proces që do të ecë paralel me kauzat e tjera, betejat e tjera politike, ku siç ju thashë parësore dhe kryesore është çlirimi i Shqipërisë nga bashkëqeverisja me krimin.

Peka: LSI e ka bërë të qartë se do të jetë në koalicion zgjedhor me Partinë Demokratike, në mos gaboj edhe nga PD kam lexuar të njëjtin qëndrim. Në media po qarkullojnë disa emra. Dashamir Shehi nuk e ka përgënjeshtruar, nuk e ka refuzuar kandidaturën, por ka thënë është herët ose me kismet… Ka qarkulluar emri i Jorida Tabakut, i Klajda Gjoshës.  A ka Lulzim Basha të kristalizuar në kokën e tij një emër për Tiranën?

Basha: Është totalisht e parakohshme, mendoj aspak e vlefshme në këtë moment të hedhim në media emra ndërkohë që kemi shpallur një proces. Dhe që procesi të jetë serioz duhet që qytetarët, anëtarët e PD, faktorët e tjerë, të dëgjohen para se të merren vendimet të cilat do të respektojnë dhe do të përfaqësojnë konsensusin dhe unitetin rreth emrave në çdo bashki, natyrisht edhe për anëtarët e këshillave bashkiakë. Por, siç ju thashë në këtë aspekt, jemi realisht të parakohshëm. Procesi do të nisë dhe një gjë ju garantoj, që të paktën në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, Partia Demokratike do të jetë gati shumë më herët seç ka qenë në ndonjë palë zgjedhje të tjera në historinë e saj.

Peka: Zoti Basha, dy javët e fundit të çadrës PD u gjend para një kryqëzate të faktorit ndërkombëtar, apo presioni siç edhe vet jeni shprehur, për tu futur me çdo kusht për tu future në zgjedhje. A i ka rikuperuar Partia Demokratike raportet me aleatët e saj ndërkombëtar?

Basha: Partia Demokratike ka raporte të shkëlqyera me aleatët ndërkombëtar. Çështjet janë ato, diskursin racional, diskutimin, debatin racional perëndimor, kjo nuk është çështje inatesh midis partive apo të individëve. Një çështje merret dhe debatohet në të dyja anët. Secila palë ka konsideratat e veta dhe në politikë natyrisht interesat e veta. Në rastin e çadrës mbizotëroi interesi për stabilitet i partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe Partia Demokratike dhe unë morën përgjegjësinë që ti përgjigjeshim këtij interesi duke mos e çuar vendit drejt saj ku do të shkonte në mënyrë të paevitueshme, përplasjes civile. Sot, ne para këtyre partnerëve, jemi në gjendje të demonstrojmë me fakte se zgjedhjet e vitit të kaluar prodhuan një qeveri edhe më problematike. Sepse siç thashë, kaluam nga një ministër i brendshëm që e bënte trafikun e drogës me kushërinjtë, tek një ministër i brendshëm që e bën drogën më vëllanë. Kaluam nga një apo dy banda që bënin ligjin, në sundimin e gjithë qyteteve të Shqipërisë apo të gjithë Shqipërisë nga bandit dhe krimi i organizuar. Kaluam nga 70 në 80 përqind të shqiptarëve që duan të largohen nga vendi. Nga 40 në 50 biznese që mbyllen në ditë. Kemi arritur sot në shifrën, meqë është dhe fillimi i vitit të ri shkollor, 144 mijë student dhe nxënës që kanë braktisur shkollat. Sot kam marrë një informacion që po verifikohet, se vetëm në Elbasan dhe në Fier janë mbyllur afro 30 shkolla. Pse? Sepse nxënësit dhe studentët po braktisin shkollat, një pjesë prej tyre po largohen nga Shqipëria. Pra në 1 vit e disa muaj, partnerët po e shohin se me Edi Ramën kryeministër pas zgjedhjeve tepër problematike, ku Bashkimi Europian konstatoi se 20 përqind e shqiptarëve pranuan se e kishin shitur votën dhe a mund të bëhet fjalë për parlament e qeveri legjitime? Sot Shqipëria, në raport me interesat e tyre po flas tani jo më interesat e shqiptarëve, eksporton më shumë krim, eksporton më shumë drogë dhe çon më shumë emigrant të paligjshëm sesa një vit më përpara. Pra, natyrisht që në këtë këndvështrim i cili është i bazuar mbi fakte dhe jo mbi opinione, është e drejtë të thuhet se një numër i madh partnerësh ndërkombëtar po reflektojnë dhe po thonë: Po Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, çadra, kishin të drejtë. Se vazhdimësia e Edi Ramës kryeministër, përmes lejimit të manipulimit të procesit zgjedhor të qershorit 2017-të, ka sjellë më shumë dëme për Shqipërinë, më shumë andralla për BE-në dhe SHBA-në.

Peka: Megjithatë që nga viti 1997-të e deri më sot, faktori ndërkombëtar i ka dhënë prioritet stabilitetit përballë demokracisë. Që të gjithë besoj e pranojmë se para një viti fitoi stabiliteti por humbi demokracia.

Basha: Absolutisht!

Peka: Kur do të jetë opozita e gatshme ti bëjë ballë çdo lloj presioni, qoftë edhe faktorit ndërkombëtar, tezës së stabilitetit mbi demokracinë? A do të vendosë demokracinë mbi stabilitetin?

Basha: Kjo në radhë të parë është një sfidë për gjithë Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, pasi opozita është e qartë dhe unë jam i qartë. Natyrisht përgjegjësitë që opozita ka, shkojnë përtej radhëve të opozitës. Në qoftë se opozita fjala vjen, do të kishte vendosur mos’hyrjen në zgjedhje vitin e kaluar, kjo do të prekte shumë më shumë njerëz, sepse unë jam i bindur se kjo do të çonte në një përplasje me pasoja afatgjata për vendin. Unë besoj se një bashkim i madh i qytetarëve, tani që çështjet janë kaq të thjeshta dhe të lehta për tu kuptuar, jo thjeshtë në arsyetim, por në tavolinat e tyre, në xhepat e tyre. Në fjalët që thonë në shtëpitë e tyre dhe kur dalin në kafene. Një bashkim i madh i shqiptarëve do të çonte në ndryshimin që të gjithë duan, pa patur një kosto disproporcionale. Pra që do të thotë, ky regjim mund të them se është një regjim i falimentuar dhe mjafton një qëndresë e vendosur e qytetarëve shqiptarë dhe një opozitë e vendosur dhe e qartë në objektivat e saj, që kryeministri në letër dhe qeveria e tij në letër ti lënë vendin nga një bashkëqeverisje me krimin, nga një sundim i krimit në qytetet e rrugët e Shqipërisë, një qeverie që zbaton ligjin, shtyp krimin dhe organizon zgjedhje të lira e të ndershme. Tani mund të ju them dhe të ju garantoj se opozita e ka këtë vendosmëri e ka këtë qartësi.

Peka: Opozita e ka këtë qartësi, por nuk mund të flasim për vendosmëri Zoti Basha. Për qartësi dakord, në deklarata keni qenë i qartë. A më jepni dot një rast, një shembull kur regjimet që vijnë nga bashkëqeverisjet krim-politikë, janë larguar pa përplasje civile?

Basha: Po, mund të ju jap shumë shembuj të tillë, jo vetëm regjimet krim-politikë, por edhe regjimet kanë rënë kur populli është bashkuar, është ngritur deri sa ka marrë atë që i takon atij si Sovran i fateve të veta. Por këtu nuk jemi për të dhënë shembuj, se nuk jemi as në leksion historie as në muze, këtu jemi për të ndarë vizionin tim si kryetar i opozitës dhe të vetë opozitës. Unë po ju them se kemi qartësinë dhe vendosmërinë, sepse ne e dimë se pa fituar këtë betejë, asnjë betejë tjetër nuk mund të fitohet. As beteja ekonomike, me ekonominë në rrënim, as beteja me Shqipërinë që po plaket e po zbrazet dita-ditës. As beteja normalisht për sigurinë dhe as beteja për drejtësinë që ndëshkon dhe nuk mbron kriminelët dhe politikanët e korruptuar dhe i kthen pronat pronarëve. Asnjë nga këto beteja nuk do të fitohet sa kohë që vendi qeveriset, bashkëqeveriset nga krimi. Prandaj, prioriteti numër një është ti japim fund bashkëqeverisjes me krimin. Ky është një prioritet i qartë, pa ekuivoke. Është një objektiv i vendosur nga opozita në funksion të të cilit do të jetë i gjithë aksioni politik i opozitës, në raport me institucionet apo ‘quasi’ institucionet, se çfarë institucionesh janë ata ku ka Fatmir Xhafë, Taulant Ballë e Jurges Çyrbje me shokë, por edhe në raport me qytetarët, sheshet dhe rrugët e protestës.

Peka: Kur?

Basha: Kur, do ta merrni vesh shumë shpejt!

Peka: Sepse ka kohë? Shtatori i famshëm erdhi zoti Basha…

Basha: Pse është i famshëm shtatori?

Peka: Ka pasur një pritshmëri të madhe..

Basha: Po tetori është i famshëm? Po nëntori është i famshëm? Këto janë, jo nga ana juaj, por nga ana e atyre që paguhen nga qeveria, janë instrumenti për ta kthyer gjithë vëmendjen  tek detajet dhe për ti bërë gjyqin opozitës, gjyqin e kungulleshkave. Shtator-tetor, javën e parë apo javën e dytë. Në fakt gjyqi do bërë çdo ditë qeverisë së lidhur me krimin. Opozita është në detyrën e saj, asnjëherë kur ka shpallur aksion politik, nuk ju ka lënë në baltë. Sa herë kemi shpallur aksion, kemi shpallur ditën apo ditët e protestave, kemi patur aksion. Pra, për këtë opozita i ka dhënë provat. Nuk ka nevojë të riprodhoni në mendjen tuaj gjyqin ndaj opozitës, le ti bëjmë gjyqin ditë për ditë qeverisë. Opozita është në detyrën e saj, është në detyrën e saj denoncuese, është në detyrën e saj përballëse. Është në detyrën e saj të një alternativë të besueshme për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Sa herë më keni ftuar kam ardhur, mos keni maninë ti themi të gjitha, të themi edhe çfarë do bëjmë pas 5 vitesh në intervistën tonë të parë për këtë sezon. Pra, le të mos ta themi fjalën tonë të fundit, të parën. Kemi një qeveri e cila është tërësisht e falimentuar, kemi një bashkëqeverisje me krimin dhe ndërkohë që ditë përditë plasin, skandalet normalizohen, i kërkohet hesap opozitës. Opozita është tërësisht në detyrën e saj dhe detyra e saj është interesi publik, është interesi i njerëzve, të cilët nuk i braktisim, të cilët nuk do ti lëmë vetëm, por që do ti udhëheqim drejt një ndryshimi, sepse kështu nuk mund të vazhdojmë më.

Peka: Kur do jetë seanca e parë që do të merrni pjesë në Kuvend?

Basha: Të njëjtën përgjigje si për pyetjen e kaluar: Nuk ka pikë rëndësie se kur do të jetë kjo seancë dhe nëse do të ketë një seancë të tillë. Rëndësi ka që opozita është e vendosur në atë që ka shpallur. Objektivi i saj është ti japim fund bashkëqeverisjes me krimin, pa të cilën asgjë tjetër nuk do të ecë përpara në vendin tonë.

Peka: Ka një grup pune opozita që po harton se çfarë do të bëjë?

Basha: Po.

Peka: Të gjitha partitë e opozitës?

Basha: Po, për të gjitha partitë. Dy partitë kryesore dhe natyrisht konsultime dhe me aleatët.

Peka: Zoti Basha keni paralajmëruar një rezolutë në Kuvend për çështjen e kufirit të Kosovës. Kosova është një shtet, Shqipëria një shtet tjetër. Në fakt kjo sigurisht qartëson qëndrimin e opozitës shqiptare dhe njeh pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. Por gjithsesi duket edhe pak si provokim. Pse ky hap i Partisë Demokratike?

Basha: Partia Demokratike po pret zhvillimet nga Kuvendi i Kosovës dhe nuk do t’u paraprijë këtyre zhvillimeve. Padyshim që ne do të mbështesim fuqimisht forcat politike në Kosovë në qëndrimin e tyre të drejtë për mos ndryshimin e kufijve, për ruajtjen e forcës unitare të qeverisjes në Republikën e Kosovës dhe për orientimin europian dhe euroatlantik, pra për kryerjen e reformave që do ta bëjnë Kosovën anëtare të NATO-s dhe anëtare të Bashkimit Evropian. Besoj se mbështetja e këtyre objektivave është minimum për Partinë Demokratike, si një parti që interesin e saj kombëtar e ka yllin e saj polar.

Peka: Zoti Basha, tashmë akuzat e presidentit Thaçi ndaj ish-presidentit Berisha janë të njohura. Edhe qëndrimet e zotit Berisha në raport me Kosovën-jo me zotin Thaçi-janë të njohura.

A ka një koment Lulzim Basha mbi këtë?

Basha: Mbi çfarë?

Peka: Mbi akuzat e Hashim Thaçit ndaj Sali Berishës?

Basha: Komentin tim e kam bërë aty ku duhet. Ajo që ka rëndësi për momentin është të fokusojmë të gjitha energjitë pozitive për t’ju kundërvënë një skeme anti-NATO e anti-BE, të vënë në lëvizje prej shumë vitesh. Unë vetë jam ballafaquar me këtë skemë në tetorin e vitit 2010, në një samit ndërkombëtar, nga drejtues të lartë të qeverisë serbe të atëhershme ku isha Ministër i Brendshëm dhe kisha vetëm një vit që isha larguar nga pozicioni i Ministrit të Jashtëm dhe natyrisht që kam bërë detyrën time në raport edhe me lidershipin Kosovar, të gjithë faktorët politikë të Kosovës, lidershipin Kosovar të asaj kohe, dhe faktorin ndërkombëtar, aleatët tanë strategjikë, nga Uashingtoni në Bruksel, në Berlin dhe në Londër. Pra për mua këtu nuk ka asnjë surprizë, është një skenar i vjetër i cili synon të shkatërrojë perspektivën evropiane të Ballkanit. Perspektiva evropiane e Ballkanit do të thotë që kufijtë të mos kenë pikë rëndësie për sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve. Të jesh anëtar i Bashkimit Evropian do të thotë të lëvizësh pa kontroll dokumentesh identifikimi…

Peka: Është një skenar serb apo një skenar ndërkombëtar?

Basha: Jo, është pa pikë dyshimi, në kontekstin ballkanik është një skenar serb, siç ju thashë. Unë vetë jam ballafaquar me këtë skenar në tetor të vitit 2010.

Peka: Autorësinë e ka marrë presidenti Thaçi…

Basha: Nuk dua të komentoj për këtë çështje këtu në studio. Pikëpamjet e mia i kam bërë të ditura aty ku duhet t’i bëj të ditura dhe nuk mendoj se kjo i vlen debatit kombëtar. Debatit kombëtar i vlen qartësia e gjithë faktorit kombëtar, duke nisur natyrisht nga faktori politik i Kosovës. Dhe këtu nuk ka asnjë pikë dyshimi se ata që rihapin çështjen e kufijve të Ballkanit, duan të mbyllin çështjen e anëtarësimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian, dhe të sabotojnë NATO-n, krahun e saj jugor në Europën Juglindore. Dhe të arrijnë përmes Ballkanit interesat e tyre gjeostrategjike dhe të rrisin sferat e tyre të influencës.

Peka: Për shkak të viteve të gjata të punës të kaluara në Kosovë, si pjesë e stafit ndërkombëtar, ndoshta jeni politikani shqiptar apo ndër liderët politikë të Shqipërisë që e njihni më mirë Kosovën. Jashtë këtij konteksti, pra riskimi që ka anëtarësimi në NATO dhe në BE, a ka vend për korrektim kufijsh në Kosovë?

Basha: Ç’do të thotë korrektim kufijsh në Kosovë?

Peka: Është një term që përdor presidenti Thaçi.

Basha: Ka demarkim, ka proces demarkimi kufijsh. Aty ku ka paqartësi, pra nëse kufiri bie tek molla apo tek gështenja, ka demarkim të kufirit. Ky është një proces teknik, ndërsa korrektimi i kufijve është një shprehje të cilën unë nuk e kuptoj.

Peka: Presidenti Thaçi është shprehur qartë që…

Basha: Nuk kam ndërmend të komentoj publikisht këtu asnjë deklaratë…

Peka: A keni punuar në Mitrovicë zoti Basha?

Basha: Gjashtë muaj.

Peka: Në Mitrovicën veriore?

Basha: Në Mitrovicën e veriut, mëngjes për mëngjes, shoqëruar nga autoblindat, dhe pothuajse dy herë në javë të rrethuar nga paramilitarët serbë.

Peka: E mendoni si pjesë-jo vetëm fizike-por administrative, funksionale për Kosovën? Sepse ka një pretendim të një pjese të mirë të klasës politike në Kosovë, se veriu është e pamundshme të administrohet nga Kosova.

Basha: Mendimi im është që territori i Kosovës është një dhe i pandarë. Natyrisht sfida ka, disa prej tyre edhe si rezultat i dobësive të faktorin ndërkombëtar, por edhe i dobësive të institucioneve të Kosovës, po me vullnet nuk ka sfidë që nuk kapërcehet dhe territori i Kosovës duhet të administrohet si një i vetëm. Kur flas për formën unitare të qeverisjes kam parasysh për një republikë unitare me institucione unitare. Paketa Ahtisaari është fare e qartë në këtë drejtim dhe kjo paketë është kompromisi historik që ka çuar në pavarësimin e Kosovës dhe në stabilizimin e Ballkanit. Pavarësisht se disa gangsterë sot në Ballkan pretendojnë se janë ata që e sollën paqen apo janë ata që e garantojnë paqen, duke përfshirë disa gangsterë në Tiranë, një që flet sikur Ballkani ka qenë në luftë derisa ata erdhën në pushtet, por në fakt Ballkani u paqtua me pavarësimin e Kosovës.

Peka: Këta ‘disa gangsterë’ janë vetëm në Tiranë e në Serbi apo ka edhe në Kosovë?

Basha: Të mos merremi me çështje sensacionale…

Peka: Sepse shikoj se për gangsterin e Tiranës flisni lehtësisht, kurse për gangsterët e Kosovës hezitoni zoti Basha.

Basha: Tani unë kam një kod në raport me të gjitha forcat politike dhe institucionet jashtë republikës së Shqipërisë, që është një kod i trashëguar i Partisë Demokratike.

Peka: Po në qoftë se ka gangsterë në Serbi, ka gangsterë në Tiranë, sigurisht që ka gangsterë edhe në Kosovë zoti Basha…

Basha: Kjo nuk është çështja. Çështja është që ne nuk duhet t’i largohemi në asnjë çast strukturës së përgatitur me shumë mund dhe sakrificë, së bashku me aleatët tanë strategjikë, që është Kosova e pavarur, në kufijtë e saj ekzistues, dhe insistimi i faktorit politik shqiptar kudo në Ballkan, në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Republikën e Maqedonisë, ku askujt nuk mund t’i shkojë në mendje se vota kundër emrit ‘Maqedonia e Veriut’ – nga faktori shqiptar po them – është votë pro atyre që kanë kundërshtuar dhe kundërshtojnë interesat themelore, jetike njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve. Pra të votosh kundër anëtarësimit në NATO, të votosh në referendumin e 30 shtatorit kundër emrit ‘Maqedonia e Veriut’ që është marrëveshja që do t’i hapë rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, do të thotë të votosh për ata që kanë mbështetur me fjalë, me vepra dhe me helikopterë, masakrimin e shqiptarëve në Maqedoni.

Peka: Zoti Basha, për ta mbyllur, a ka arritur opozita shqiptare të sigurojë një qasje të re të Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj Shqipërisë?

Basha: Kjo është një punë e vazhdueshme dhe e përditshme, jo vetëm në raport me Departamentin e Shtetit, por edhe në raport me të gjitha kancelaritë perëndimore. Sfida në botën e sotme, siç ju e dini fare mirë, jo vetëm në politikë është sfida e marrjes së informacionit të duhur, informacionit të saktë dhe mos rënia pre e informacioneve të gabuara, informacioneve të rreme, ‘fake neës’ apo ‘fake facts’. Natyrisht në këtë sfidë, opozita është e disavantazhuar, sepse qeveria, edhe një qeveri e ndershme, ka më shumë mjete sesa një opozitë. Por këtu s’kemi të bëjmë me një qeveri të ndershme, kemi të bëjmë me një manipulator, një mjeshtër manipulimi si Edi Rama. Mendoj se në qoftë se do të mbahet mend për disa gjëra në histori, do të jetë edhe kjo, qenia e tij mjeshtër i manipulimit, që ka ndërtuar një makineri propagandistike shumë të shtrenjtë. Sepse ai është në gjendje ta paguajë, sepse vlera e parave të drogës, vlera e parave të korrupsionit është pothuajse zero, xhepat e tij janë shumë të thellë. Në këtë makineri propagandistike përfshihen firma lobimi, përfshihen gazetarë, përfshihen politikanë, përfshihen diplomatë… Por mendoj se edhe këtu ka arritur në një pikë të ngopjes, vjen një moment, ku sado i mirë të jetë sapuni, nuk e shet dot për djathë. Dhe shifrat, faktet, që sot nuk janë thjesht dhe vetëm të opozitës, por të agjencive të ligjzbatimit në Berlin, në Uashington, në Londër, në Romë e kudo tjetër, tregojnë se Edi Rama është një kryeministër i falimentuar, falë të cilit sot Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përballen me më shumë drogë, me më shumë krim dhe me më shumë emigracion të paligjshëm.

Peka: Me këtë që më thatë, po kuptoj se opozita po pret ngopjen zoti Basha.

Basha: Jo, nëqoftëse thoni këtë, s’keni kuptuar asgjë.

Peka: Sepse ndoshta s’ju kemi besuar, por prej vitesh, në qoftë se ka pasur lider apo udhëheqës që nuk ka bërë inflacion kërcënimesh, keni qenë ju, por me idenë që Edi Rama e ndihmon opozitën me qeverisjen e tij, për të qenë më aktive dhe për të ardhur sa më shpejt në pushtet. A mendoni se ngopja në keqqeverisje e sjell lehtësisht opozitën në pushtet?

Basha: Edhe kjo është një tezë anti opozitë, e përpunuar nga ata të cilët e dinë që mënyra e vetme për të mbrojtur qeverinë është të sulmosh opozitën. Opozita ka qenë aktive si rrallë ndonjë opozitë në Ballkan. Hapni arkivin tuaj dhe do të shikoni se ndërthurja e aksionit tonë politik dhe shumëllojshmëria e aksionit tonë politik në këto vite flet vetë, nuk ka nevojë ta komentoj unë. Është opozita që ka mbajtur protestën më të gjatë në Evropë, 90 ditë e 90 net, është opozita që ka organizuar protestat më të mëdha, është opozita që ka bërë mobilizimin më kapilar, qytet më qytet, duke përfshirë edhe qershorin e kaluar, kur në pseudoturin e vet, Edi Rama mundohej të tregonte atë që nuk ekziston dhe bënte propagandë, por qytetarët e zhveshën nga propaganda, nga Elbasani në Fier, nga Durrësi në Korçë, e në Shkodër e kudo tjetër. Pra opozita ka qenë jashtëzakonisht aktive dhe është e interesuar që ora e bashkëqeverisjes me krimin të mbarojë një sekondë e më parë.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas