Mapo Format, Mapo Letrare

Lopa që bën macchiato, e sulmet e harresës në veprën e Surroit

Nga Alda Bardhyli

Në “Njëqind vjet vetmi” të Gabriel Garsia Markez, familja Buendia heton se ka filluar të harrojë emrat e gjërave të zakonshme që i përdor në përditshmëri. Kjo do të bënte që njëri prej tyre të shënonte çdo gjë në vendin e vet:tavolina, karrigia,ora, dera, muri…Në ahur shënoi bimët, kafshët…Pak nga pak duke studiuar mundësinë e pafund të harresës, iu bë e qartë që mund të vinte dita që mund të identifikoheshin gjërat për nga shënimi, por të mos mbahej mënd përdorshmëria e tyre. Atëherë u bë më eksplicit. Shenja që ia vari lopës në qafë ishte monstër shembullore e mënyrës me të cilën ishin të gatshëm të luftonin harresën banorët e Makondës: kjo është lopa, duhet mjelë çdo mëngjes që të prodhojë qumësht dhe qumështin duhet vluar për ta përzier me kafe për të bërë kafe me qumësht…



Veton Surroi zgjedh këtë pasazh nga shkrimtari i njohur kolumbian për të treguar se në rrëshqitjen e pashmangshme të kohës, ajo çfarë mund ta lëndojë më shumë një vend është harresa. Me një histori të ngritur nga “harta harresash” detyra e fjalëve vjen e rritet në presionin për të mos krijuar “harta” të reja. E për më shumë se dy dekada Veton Surroi ka arkivuar në stilin e tij historinë e një Kosove gjithnjë në trazim duke lënë në dhjetëra libra që ka shkruar gjatë kësaj periudhe, histori, ngjarje e njerëz që vijnë nga e shkuara dhe e tashmja.  E “Lopa e macchiatos”, (botimet Koha) libri i tij më i ri, vjen si vazhdim i kësaj filozofie të nisur herët prej tij për të ndërtuar skaletin e një kujtese, që të mos i ngjajmë Makondos. E jo më kot shënimet në këtë libër nisin nga Prizreni teksa ndodhet për të mbajtur një ligjëratë në Hamamin e madh të qytetit për kufijtë.

Jo shumë larg nga shtëpia e dajës së tij, vendit ku u vra axha, lagjja ku u përzu një popullatë që fliste gjuhën tjetër dhe një faltore e së Premtes së shenjtë që u ndërrua siç u ndërruan pushtetet. Skema ku ndodhet ia bën të lehtë të nis ligjëratën për kufijtë, por ai do ta nis me qenin… Më pas do të marrë me vete profesorin Irenaus Eilbl Eibesfeldt për shëtitje virtuale nëpër Prizren shëtitje që nis pikërisht nga shtëpia e dajës, ngjitur me Hamamin e Gazi Mehmed Pashës për të parë se si është shëndrruar historia e një qyteti që sundonte përmes kulturës, sesi është tjetërsuar kujtesa shpesh duke mbishtresuar një kulturë mbi tjetrën, ashtu si me Kishën e Shën Premtes…Prej 1999-tës ka pasur përpjekje për ta shkatërruar ndërsa gjatë mijëvjeçarit të kaluar ka pasur përpjekje për ta shëndrruar në faltore të besimeve të tjera.

Në 2004-trën donin ta shkatërronin për të ndaluar një rrjedhë historike që ka nisur në Bizant e ndoshta në kohë më të hershme edhe romake edhe ilire. Sepse në këtë vend gjithnjë është përpjekur të krijohet një kujtesë e re apo të sundohet kujtesa. E historitë që shpalosen në këtë libër përpiqen të tregojnë pafuqinë e një populli për të ruajtur civilizimin e tij të hershëm treguar përmes shenjave të kultit që janë kudo në Prizren, e nevojën e imponuar për të shpikur një kujtesë të re, një ide e rrezikshme e cila do ti kushtojë shumë qytetërimit tonë të së ardhmes. E analizën e këtij konfigurimi të ri ku po e çon historia e politika e së tashmes vendin, Surroi e jep përmes një galerie personazhesh që duket sikur kanë dalë nga veprat e Markezit për të treguar një Makondo të re, po aq të mistershme, veshur me një realizëm magjik që e bën eseistiken  e Surroit të ngjasojë me letërsi, pasi në fund i ndan vetëm një fije e hollë e artë kufirin mes eseistikes dhe letërsisë tek ai.

E nëse lexon historinë e Rahmijes, femrës së parë shqiptare që shkoi në shkollë në Universitetin e Bolonjës për farmaci, një vajzë që udhëtoi pa pasaportë e viza brenda Perandorisë së Viktorio Emanuelit II…ndjen se ajo është marrë nga Makondoja e largët, fshati më i bukur i letërsisë për të treguar emancipimin e hershëm të gruas në këto hapësira që sot identifikohen përmes fesë. Më pas në rrëfimin që kujtesën që po ikën, Surroi bën një rrugëtim për të treguar tablonë e re të një Kosove të padukshme që shumë pak e njohim, për të mbërritur në tema ku ai ka dominuar me mendimet e tij herët siç është identiteti, gjuha apo islamizmi.

Gjithë konteksti historik që ofrohet përpiqet të tregojë një nga rreziqet më të mëdha që i kanosen shoqërive shqiptare sot, si institucione të papërfunduara është islami politik i cili ka arritur të depërtojë te një numër shqiptarësh myslimanë. “Në Maqedoni autoritetet në komunizëm janë përpjekur me dhjetëvjetësha të forcojnë identitetin religjioz të shqiptarëve në dëm të atij kombëtar (duke favorizuar arsimin religjioz në dëm të atij kombëtar) rrymat vehabiste dhe salafiste kanë punuar, në kushtet e stagnimit të një riaranzhimi marrëdhëniesh demokratike në Maqedoni që veten ta paraqesin si alternativë.

Në Kosovë përballë një strukture të korruptuar politike dhe sociale, islamizmi është përpjekur po ashtu ta paraqesë veten si alternativë”, shkruan Surroi. Një nga pyetjet që ai shtron është se si ka mundur që nëpër derën e islamit të futet një ideologji, islamizmi? Një shpjegim vjen përmes pranisë shumëvjeçare të doktrinave islamikë nëpërmjet shoqatave të bamirësisë apo ndihmave për ngritjen e islamit në Maqedoni e Kosovë. Lufta e Sirisë tregoi nënshtrimin e bashkësive islame shqiptare. Mbi 300 shqiptarë vetëm nga Kosova morën pjesë në luftën e Sirisë me besimin se aty i ka dërguar Allahu si robërit e tij më të mirë…Për Surroin shqiptarët mund të lexohen si mikrokozmi i dëmeve të projektit të ISIS-it.

Analiza e islamit është një ndër analizat e mprehta në këtë temë bashkëkohore për shoqëritë e sotme jo vetëm shqiptare. Sepse asimilimin e kujtesës, ai e sheh dhe në presionin në rritje të asimilimit që çdo ditë e më shumë feja po arrin ti bëjë të rinjve nën hapësirat shqiptare, si një dogmë e cila mund të marrë përmasa të paparashikueshme për realitetin tonë.

Ndaj Makondoja e Surroit vjen e bëhet më surreale se ajo e Markezit,e sulmuar nga harresa, mbushur me histori kufijsh, rrënojash, të zhdukur lufte, letra paqeje e xhihadistë të rinj. Edhe pse sipas tij Makondo i sotëm i Ballkanit është shumë më dinamik se ai i Karaibeve të Markezit. Makondoja i sotëm i Ballkanit jeton me mitin e shekulit të XIX të luftës së Kosovës…

E në rrëfimin e tij eseistik të kësaj Makondoje Surroi e gjen zgjedhjen tek një marrëveshje e re mes Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje jo vetëm në traktate e institucione por dhe mallrash, idesh njerëzish, kujtimesh…Një marrëveshje paqeje që do të mund ti shpëtonte sulmeve të harresës, që nuk do të kishte nevojë për etiketa shënimesh siç ndodhi me lopën e banorëve të Makondos…/Mapo.al/

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas