Aktualitet, Rajoni

Lojë fjalësh në vend të lojë luftash

vucic2Askush nuk mund të thotë nëse ka diçka pozitive pas takimit në Beograd, duket se palët në vend të afroheshin janë larguar më shumë, por pakkush ka pritur ndonjë ndryshim më të madh

Nga Vladimir Karaj



 

 

Asgjë e re mes Serbisë dhe Shqipërisë. Inatet ballkanike janë po aty. Ka edhe një ditë për të parë se si do të shkojë vizita e pas 68 vjetëve e një kryeministri shqiptar në Beograd, por nuk duket se ajo mund të prodhojë ndonjë ndryshim të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve, në fakt pakkush e priste të kishte ndonjë zhvillim më të madh se kaq. Tri marrëveshjet që u nënshkruan edhe pse teknikisht të dobishme, nuk duken aq të rëndësishme sa qëndrimet për politikën. E thënë kjo, gjasat që palët të vazhdojnë të negociojnë me dhëmbët shtrënguar për të fituar financim në projekte të përbashkëta të Brukselit mbeten jo të vogla.

“Provokimi”

Nën rreshtat e tensionuar që palët shkëmbyen për Kosovën live në konferencën për shtyp u bë një ftesë publike për Vuçiç në Tiranë madje edhe me prapashtesën për të thënë atë që mendon për Kosovën (megjithëse Rama ndjente keqardhje për këtë). Një ftesë që duket se u pranua nga ky i fundit po me ton të tensionuar: “Edhe në Tiranë do të them që Kosova e Metohija janë Serbi”, tha ai. Jo zyrtarisht konfirmohet se pas drekës zyrtare palët do të hanë bashkë edhe një darkë jozyrtare ndoshta për të sqaruar atë që nuk u sqarua dot deri në konferencën për shtyp e cila duhet thënë nuk ishte fort jashtë pritshmërive. Kryeministri mikpritës kërceu si gjel aty ku i digjte më shumë dhe replikoi ashpër, ndërsa Rama u përgjigj me të njëjtën gjuhë, por nga një pozitë më komode e ftoi të luanin basketboll ku ata të dy të vishnin fanella të ndryshme dhe madje i thirri në emër “Aleksandër”.

Duhet thënë Edi Rama nuk tha asgjë që nuk është e vërtetë për pjesën më të madhe të botës dhe de fakto edhe për vetë Serbinë, e cila prej muajsh është ulur në bisedime me Kosovën në një marrëdhënie reciprociteti ku palët praktikisht njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura. Ish- kryeministri serb, tani ministër i Jashtëm, Ivica Daçiç është një nga ata që e kanë pranuar këtë: “Serbia praktikisht e ka humbur sovranitetin mbi Kosovën”, në një situatë më ndryshe nga ajo e djeshmja ku ky qëndrim u lexua si provokim.

Provokim?! Provokim do të kishte qenë nëse Edi Rama do të kishte këmbëngulur në Beograd se shqiptarët kanë të drejtë të vetëvendosin dhe se kjo mund të thotë edhe një bashkim të Shqipërisë me Kosovën. Përkundrazi Rama për B92 tha se “Shqipëria e Madhe” ishte një mit” dhe se nuk mund të gjendej asnjë zyrtarë i lartë shqiptarë që të kishte këtë aspiratë. Por dita ishte mjaft e ngarkuar me retorikë mes dëshirës për të treguar zell për bashkëpunim që do të binte në sy për mirë në Bruksel dhe nga ana tjetër përplasjeve pa pikëtakim në çështje të mëdha. Kjo e dyta sigurisht ishte më e zhurmshme e shoqëruar me fjalët: “provokacija”, të famshme tashmë që prej ndeshjes së ndërprerë të futbollit mes dy vendeve.

Reagimet

Në Tiranë e lexuan qëndrimin e Ramës si një fitore. Një pjesë e lexuan edhe si krenari, qëndrim dinjitoz. Andi Bushati, që nuk i ka kursyer kritikat dhe akuzat ndaj Ramës, e quajti qëndrimin e djeshëm një fitore. “Edi Rama e ka fituar sot 3 me 0 ndeshjen përballë homologut të tij Vuçiç”, shkruante Bushati që ka parë te qëndrimi i Ramës atë të një shtetari dinjitoz, madje edhe një “një lideri perëndimor dhe kozmopolit, që nuk ka frikë t’i thotë të vërtetat dhe që di të jetë mirëkuptues ndaj atyre që mendojnë ndryshe”.

Ish-kryeministri Sali Berisha, megjithëse e filloi ditën duke sulmuar në Facebook vizitën, nxori në mbrëmje një qëndrim ku dënoi palën serbe për qëndrim jo të denjë dhe cilësoi se Rama kishte bërë vetëm një gabim sepse i ishte përmbajtur asaj që kishin rënë dakord zyrat e protokollit në deklaratën për Kosovën. Në fakt Berisha u detyrua të tërhiqej në njëfarë mase nga qëndrimet e mëparshme më të ashpra ndaj Ramës, më shumë kjo edhe për shkak të asaj që po thuhej në rrjetin e tij social ku një shumicë përkrahën qëndrimin e Ramës. Berisha këmbënguli nga ana tjetër që e gjitha ka qenë një marrëveshje dhe se Rama duhej të kishte qenë më i ashpër.  Zyrtarisht opozita nuk pati dje një qëndrim ndaj vizitës edhe pse kjo zuri hapësirën kryesore në mediat në të dy vendet. Kritikë të tjerë të Ramës e panë përplasjen në Beograd si një përpjekje për të fituar pikë të humbura në Tiranë dhe punët e brendshme. Një gjë që pritej faktikisht. Deputetë të shumicës dhe madje ministra e shpërndanë fjalën e Ramës që mori rekord pëlqimesh në Facebook në pak orë si shenjë të “krenarisë kombëtare, të dinjitetit”. Në Kosovë po ashtu qëndrimet ishin pozitive. Rexhep Qosja, i njohur për afrinë me Ramën, shkoi deri aty sa theksoi se Rama u konfirmua si lider i rajonit. Zyrtarisht Prishtina nuk ka reaguar ndaj asaj që ndodhi në Beograd dhe qëndrimi i saj është ende i paqartë. Në Serbi nga ana tjetër, e gjitha është parë si një provokim. Tabloidët serbë sulmuan dje Ramën me gjithë arsenalin që kanë përdorur ndër vite mediat dhe politikanët kundërshtarë në Tiranë. Dikush edhe mund të jetë bërë pishman për ndonjë nga publikimet që ka bërë dhe që u gjend në faqen e parë të “Kurir”. Dukshëm ajo që presin të dyja palët është reagimi nga Brukseli, ndërsa media e ka parë takimin si një paqe e shkurtër, nota do të vijë nga diplomacia ndërkombëtare.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas