Editorial

Llogaridhënia përfundoi ashtu siç pritej, pa asnjë bilanc

Nga Ervis Iljazaj

Kryeministri Rama ka përfunduar turin e llogaridhënies së qeverisë në Korçë. Siç pritej, llogaridhënia e kësaj qeverie përfundoi pa asnjë bilanc. Në fakt, një mënyrë e tillë, pa asnjë kuptim politik dhe pa asnjë lloj efikasiteti në përmirësimin e qeverisjes do të përfundonte në mënyrë të tillë për çdo qeveri të mundshme.



Sepse turi i llogaridhënies i zhvilluar në këtë mënyrë, nuk është gjë tjetër përveçse një fushatë e vazhdueshme, e një politike që nuk ndërton por reklamon në çdo kohë. Ideja e fushatës së vazhdueshme, është një ide që gjithmonë e më shumë po shoqëron politikën e sotme. Në këtë mënyrë politika, sidomos nga një Kryeministër që komunikimin e ka mjetin më të rëndësishëm të tij, nevoja për komunikim të vazhdueshëm është jetike.

Përveçse ndonjë shkarkimi drejtori të administratës publike, apo zgjidhje të ndonjë halli procedurash për ndonjë qytetar, llogaridhënia e qeverisë nuk zgjidh asnjë nga problemet që vërtet shqetësojnë . Në këtë kuptim, ajo është thjesht një mjet propagandistik për shumë arsye.

E para, çfarë llogarie mund të japë një qeveri, e cila nuk ka as një vit që ka fituar zgjedhjet? Çfarë politikash kaq të rëndësishme mund të ndërmarrë një qeveri brenda një viti për të cilat mund të japë llogari?

Po të shtosh këtu kontekstin politik në të cilin është gjendur Shqipëria në vitin e fundit, atëherë, e kupton fare lehtë që, Qeveria Rama dy nuk e ka filluar mandatin e saj ende. Sepse, para se të japë llogari, një qeveri duhet të qeverisë. Ndërsa, sot që flasim, pothuajse një vit nga fitimi i zgjedhjeve me mandat personal, Edi Rama, nuk ka filluar ta ushtrojë atë. Llogaridhënia, bëhet në momentin e duhur dhe për iniciativa ekonomike, të politikave sociale apo të jashtme të vendit, dhe jo për ditët se kur merret një certifikatë në gjendjen civile, apo për denoncimet publike për punonjës të administratës.

Për cilat nga këto politika po jep llogari qeveria në këtë moment ?!

Në këtë kuptim llogaridhënia e qeverisë , është thjesht një zyrë ankesash, që nuk i shërbejnë askujt, ose më saktë shërbejnë për show-n politik të radhës.

Së dyti, edhe nëse do të ishte një instrument që funksiononte dhe do të zgjidhte vërtet problematikat e qytetarëve, nuk është mënyra e duhur. Nuk është mënyra e duhur sepse bazohet te vullneti i një personi, që në këtë rast është Kryeministri. Ndërsa administrata publike ka nevojë për ngritjen e një sistemi efikas që të durojë gjatë. Sepse me gjithë vullnetin e mirë të Kryeministrit, Shqipëria në të ardhmen mund të ketë një të tillë që s’e ka këtë vullnet. Çfarë do të bëjmë në këtë rast?!! Kështu që, është mirë që zgjidhjet e problemeve të mos varen nga vullnete personale, por nga ndërtimi i një administrate efikase në sistem.

Së treti, zgjidhjet e halleve të qytetarëve në këtë mënyrë, ndërtojë kultin e individit, shumë të rrezikshëm për një demokraci. Takimet personale të Kryeministrit, që zgjidhjen për marrjen e një hipoteke apo të një certifikate, krijojnë idenë se problemet në këtë vend i zgjidh një person, dëshira dhe vullneti i mirë i tij. Në fakt, kjo është një nga tiparet nga të cilat një demokraci vuan dhe mbaron. Shqyrtimet e problemeve dhe zgjidhja e tyre, duhet të bëhen nga ndërtimi i një sistemi që nuk varet nga tekat e Kryeministrit të radhës. Për këtë po, vullneti i Kryeministrit është i rëndësishëm dhe i mirëpritur. Të reformojë nëpërmjet reformave administratën publike. Mirëpo, deri më tani, reforma e vetme që po krijon Kryeministri nëpërmjet llogaridhënies, është raporti direkt me popullin, ku nuk ekzistojnë struktura të ndërmjetme. Jo vetëm kaq, por ato shpesh shihen si armike që prishin këtë raport. Kjo gjë, na sjell në mendje tiparin kryesor të autokracive.

PasPara

2 komente

  1. Shkrim shume I mire por perseri duket sikur nuk I eshte bere asnje redaktim. Disa fjali nuk jane fare te qarta, pavaresisht se kuptimi mund te nxirret nese dikush e vret mendjen.

  2. ka mor si nuk ka loogaridhenie,neve na pranoi evropa ne vitin 2020,5ama hapi negociatat iljazaj morri dekorat si ambasadoret tan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas