Editorial

Liria e shtypit – Humbja e vetëkuptueshmërisë

Nga Jens Thurau

Është bërë ndërkohë në Gjermani pothuajse një rutinë, që saksonët të nënçmohen si populli i së shkuarës dhe me orientim të djathtë. Padyshim një klishe trashanike kjo. Por në disa aspekte ata ia vështirësojnë situatën landit të tyre shtet.



Aty shkoi një ekip xhirimi i kanalit të dytë televiziv të Gjermanisë, ZDF, për të raportuar rreth vizitës së kancelares para një jave në Drezden. Gazetarët bëjnë punën e tyre dhe filmojnë një demonstratë të lëvizjes së djathtë Pegida kundër Angela Merkelit.

Nga radhët e demonstruesve gazetarët i fyejnë (“shtypi i mashtrimeve”), e kjo nuk i shqetëson aspak policët që qëndrojnë aty pranë. Por më pas policët aktivizohen. Kundër gazetarëve.

Një demonstrues me zë të lartë u kërkon nëpunësve të policisë që të ndërhyjnë kundër punonjësve të ZDF-së. E kjo më pas kështu ndodh.

Nëpunësit nuk kanë gjë tjetër më të mirë për të bërë veçse të kontrollojnë dokumentet e gazetarëve – plot 45 minuta zgjati kjo.

“Vetëm policët kanë mbajtur qëndrim serioz”

Më tej: kryeministri i landit Kretschmer, si edhe kancelarja nxitojnë të deklarojnë, se vetëm policia ka mbajtur qëndrim serioz në këtë lojë. E vetëm një javë pas këtij pengimi evident të punës së lirisë së shtypit qeveria e landit komunikon në mënyrë lapidare, se demonstruesi që ka ngacmuar gazetarët është – mbahuni fort: një punonjës i zyrës së kriminalistikës së landit, por sërish ky lajm nuk është për t’u habitur.

Ndërkohë që në Saksoni e diku tjetër në Gjermani vetëkuptueshmëria e demokracisë rrezikshëmrisht po devijon, kjo në fakt nuk përbën më lajm. E më e keqja është që nuk ka asnjë masë mbrojtëse nga pala zyrtare. Gazetarët janë armiq, e jo garantues të një të drejte themelore – kështu mendon Pegida, e me sa duket kështu mendon edhe kryeministri.

Kur ai thotë, se vetëm policia ka vepruar me “seriozitet”, me këtë nënkupton pra që ekipi i ZDF-së nuk ka qenë serioz. Në materialin filmik të kolegëve në fakt shihet, se si gazetarët kërcënohen hapur prej pjesëmarrësve të tjerë në demonstratë. Për këtë nuk ka asnjë koment nga qeveria e landit.

Natyrisht Kretschmer dhe kolegët e tij veprojnë të nxitur thjeshtë nga frika. Në zgjedhjet për Bundestagun vjeshtën e kaluar, partia populiste e djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) në Saksoni doli më e fortë se partia kristiandemokrate në pushtet. Vitin e ardhshëm në Saksoni do të ketë zgjedhje për qeverinë e landit – do të jetë shumë e vështirë që të krijohet një qeveri e re kundër AfD-së. Ekstremizmi i djathtë, ksenofobia dhe botëkuptimi antidemokratik janë të përhapura shumë në të gjitha shtresat e popullsisë. E me sa po duket edhe nëpër autoritetet e landit.

Kush e mbështet shtypin?

Edhe në Republikën Federale gazetarët me mundim gjejnë mbështetje. Të paktën ministrja e Drejtësisë, socialdemokratja Katarina Barley i cilësoi ngjarjet në Drezden si “shqetësuese”. Ndërsa policia në Saksoni këto ditë do të takohet me të dërguarit e ZDF-së, për t’i sqaruar gjërat. Gjiithçka mirë e bukur deri këtu. Por kjo për gazetarët nuk sjell gjë, në një kohë që rast të tilla si në Drezden po shtohen gjithnjë e më shumë.

Që raportimi i lirë dhe i papenguar është një tipar thelbësor i demokracisë – kjo vetëkuptueshmëri u ka humbur shumë vetëve. Te qytetarët e indinjuar që i turren shtypit, por edhe te shumë të tjerë që janë përgjegjës në autoritetet e vendit, në ministri e në polici.

E kjo tani për tani kështu do të mbetet, derisa masa e heshtur në Gjermani, për të cilën me optimizëm mund të mendosh, se e vlerëson lart raportimin e lirë, më në fund të ngrejë zërin dhe t’ua mbyllë gojën atyre që i kundërvihen shtypit të lirë. Ose edhe kancelarja mund ta bëjë këtë. Por (për fat të keq) tani për tani ende nuk pritet të ndodhë një gjë e tillë./DW/Mapo.al/

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas