Kryesore

Linjat urbane, Bashkia: Nuk ka rritje të çmimit të biletës


Rritja e çmimit të biletave dhe aboneve për transportin urban në kryeqytet ka krijuar një përplasje midis Bashkisë së Tiranës dhe operatorëve. Ndërsa këta të fundit paralajmërojnë se duke filluar nga data 1 shkurt një biletë urbani do të kushtojë 50 ose 70 lekë, Bashkia e Tiranës deklaron se asnjë operator që operon në linjat urbane të qytetit të Tiranës nuk mund të ndryshojë çmimin e biletës në mënyrë të njëanshme, në të kundërt do të ndërhyhet te licencat. Nëpërmjet një reagimi zyrtar Bashkia e Tiranës bën me dije se për linjat urbane të qytetit të Tiranës nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë rritje të çmimit të biletës në mënyrë arbitrare. “Ditët e fundit kanë vazhduar në media spekulimet lidhur me çmimin e biletës për linjat urbane të qytetit të Tiranës. Bashkia e Tiranës bën me dije se për linjat urbane të qytetit të Tiranës nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë rritje të çmimit të biletës në mënyrë arbitrare. Asnjë operator që operon në linjat urbane të qytetit të Tiranës nuk mund të ndryshojë çmimin e biletës në mënyrë të njëanshme. Çdo vendim i tillë do të çojë në marrjen e masave penalizuese deri në anulimin e kontratës së operatorit”, – deklaroi dje zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha. Para se të vinte ky reagim nga Bashkia, përfaqësuesit e shoqërive të transportit urban thanë se është duke u bërë studimi në lidhje me koston e transportit publik, nga ku do të merret edhe vendimi se sa do të rritet çmimi i biletës. Në fakt, studimi i kostove ishte një kërkesë e ngritur nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, para se të merrej vendimi për çmimet, por me kusht që ai të realizohej nga ekspertë të pavarur dhe jo nga këto shoqata. Përpos këtij fakti, edhe pse shoqatat e transportit urban kanë bërë publike kërkesat e tyre për rritjen e çmimit të biletës dhe aboneve, ato nuk kanë dërguar ende një kërkesë zyrtare në Bashkinë e Tiranës për këtë çështje. Shoqatat e linjave urbane në kryeqytet kërkojnë që të dyfishohet çmimi i biletës dhe aboneve. Sipas kërkesës së bërë publike nga përfaqësuesit e tyre, çmimi i biletës në çdo linjë urbane duhet të shkojë deri në 70 lekë, nga 30 që është aktualisht. Ndërkohë që udhëtarët që përdorin abonetë do të përballen me një rritje dyfish të çmimit të saj, nga 1200 lekë në 2400 lekë. Po kështu, propozohet që të dyfishohet edhe çmimi i aboneve që përdoren vetëm për një linjë, nga 800 lekë në 1600 lekë, dhe ato për studentët nga 600 në 1200 lekë. Rritja më e fundit e biletës së transportit urban u bë katër vjet më parë, në maj të vitit 2008 me 10 lekë, duke e çuar nga 20 në 30 lekë.

 



 

Propozimet

70 lekë çmimi i biletës në çdo linjë urbane

1 200 çmimi i abonesë për studentët

1 600 çmimi i abonesë për një linjë

2 400 çmimi i abonesë së përgjithshme

PasPara

1 koment

  1. Bashkia ka bere gjene me te mire me kete reagim. Urgjentisht te behet studimi me eksperte te pavarur i kostove. Linja urbane e Unazes eshte linja me skandaloze qe operon ne kryeqytet, ajo s'ka nevoje ta paralajmerosh por duhet ta pezullosh nga sherbimi. Te vendoset nje standard per te gjitha linjat, te kene te njejtin tip mjeti. C'jane ata autobuze te unazes me hapesira te thyera nga brenda ku te shtremberohet shtylla kurrizore??? Ne cdo qytet ne europe transporti urban ka disa standarte. Perse keta nuk vendosin standarde si shoqate por jane ne shoqate kur rritin cmimin??????????? SOS ketyre idiotesive

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas