Sport

Ligji që i ul taksat kumarit; Me koncesion do paguajnë 40 % më pak tatime

Skandali i lojërave të fatit merr përmasa të tjera. Top Channel publikon dokumentet zyrtare që tregojnë se taksat mbi kompanitë basteve sportive do të ulet me 40 për qind shumë shpejt, jo me një ligj të ri, por falë një ligji të votuar në shkurt të vitit 2015, i cili i fillon efektet pikërisht tani.

Më konkretisht në vitin 2015, Kuvendi miratoi një ligj të ri për lojërat e fatit. Për shkak se qeveria kishte programuar që monitorimin e lojërave të fatit ta jepte me koncesion, në ligj u përfshinë dy nene për detyrimet tatimore mbi bizneset e kumarit. Neni I parë është ai 72, që do të vepronte nga data e miratimit të ligjit deri sa të hynte në zbatim koncesioni i mbikëqyrjes. Ndërsa neni i dytë është neni 52, i cili hyn në fuqi automatikisht sapo nis të zbatohet koncesioni I mbikëqyrjes.

Por cilat janë ndryshimet?



Në nenin 72, i cili është aktualisht në veprim, kompanitë e basteve tatohen 25 për qind mbi të ardhurën bruto, pra diferencën mes shumës që kompania arkëton nga lojtarët dhe fitimin që u kthen mbrapsht atyre. Por në nenin 52, i cili hyn në fuqi shumë shpejt, taksa për kompanitë e basteve bëhet nga 25 për qind e të ardhurës bruto në 15 për qind e të ardhurës bruto.

Por pse ky efekt hyn në fuqi tani?
Shkaku është koncesioni i lojërave të fatit. Sipas ligjit të miratuar në vitin 2015, sapo kompania koncesionare të jetë gati teknikisht për të përfshirë në mbikëqyrjen online kompanitë e basteve, atëherë taksa e tyre ulet automatikisht sepse hyn në veprim neni 52.

Koncesioni i mbikëqyrjes është miratuar një vit më parë dhe tani ka filluar të zbatohet gradualisht. Top Channel ka mësuar se deri më tani janë përfshirë 7 kompani kumari në sistemin e mbikëqyrjes online, por ende jo baste.

Kompanitë e basteve pritet të hyjnë shumë shpejt, dhe nga momenti që hyjnë do të gëzojnë ulje me 40 për qind të barrës fiskale, falë një amendamenti të propozuar nga dy deputetë në minutën e fundit kur u miratua ligji i vitit 2015, Robert Bitri i LSI dhe Esmeralda Shkjau e Partisë Socialiste. Ishte ky amendament që e uli taksën e basteve nga 25 deri në 15 për qind.

Kjo është hera e dytë që ligji i vitit 2015 ul taksat për kompanitë e kumarit. Njëherë kur e ktheu taksimin e tyre nga xhiroja tek e ardhura bruto, në vitin 2015 dhe një herë tjetër tani që ul tatimin e të ardhurës bruto nga 25 në 15 për qind duke ju falur kompanive të kumarit minimalisht 30 milionë euro në vit.  / TCH

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas