Kryesore, Mapo Format

Libri i UET-PRESS: Projekti për Kujtesën qëmton 7 dëshmi nga “Studio e Hapur”

Promovohet sot në Universitetin Europian të Tiranës libri i Eni Vasilit “Zëra nga errësira”, botim i UET Press

“Zëra nga errësira” quhet libri që do të promovohet sot në Universitetin Europian të Tiranës nën logon e UET Press, ku shtatë personazhe, disa pasardhës të familjeve të vjetra shqiptare dhe pjesa tjetër fillimisht kundërshtarë politikë të të parëve rrëfejnë ferrin e kampeve të internimit dhe burgjeve të regjimit komunist, ku kanë jetuar të gjithë për shumë vite.



Eugjen Merlika, Klara Merlika, Daut Gumeni, Maks Velo, Rrahman Parllaku, Bashkim Shehu, Simon Miraka dhe Gjon Rrethi vijnë në intervista që hedhin dritë mbi atë çfarë ka ndodhur me njeriun nën diktaturë. Këto rrëfime janë dhënë në emisionin “Studio e hapur” në Neës 24.

Nevila Nika në parathënien e librit shkruan se “çdo popull ka nevojë të dijë të kaluarën e tij, por në rastin e shqiptarëve kjo është një domosdoshmëri, për shkak se vitet e diktaturës komuniste kanë dëmtuar rëndë Kujtesën tonë historike duke e shtrembëruar atë për shkaqe ideologjike”.

Ndërsa gazetarja Eni Vasili, duke shpjeguar arsyet që e shtynë t’i kushtonte hapësirë të veçantë, në emision e më pas në libër, temës së përballjes me të shkuarën komuniste, thotë se “28 vjet prej kohës kur u rrëzua komunizmi në Shqipëri, ende nuk kemi një proces të përballjes me të shkuarën, ende nuk ka një proces të mirëfilltë të dekomunistizimit të shoqërisë sonë”. Vasili madje e sheh të qëllimshëm mungesën e katarsisit shoqëror kur gjykon se “Duket sikur ka një tendencë për t’i fshehur krimet e komunizmit, së paku duke heshtur për çfarë ka ndodhur në 45 vjet diktaturë”.

Kontributin e botimit “Zëra nga errësira”, Nevila Nika e sheh si një akt përkundër mungesës së theksuar të dokumenteve arkivore që dëshmojnë për këtë të kaluar. Sipas saj ky libër, edhe pse në dukje i thjeshtë, është një kontribut i vyer në rindërtimin e kësaj Kujtese, që po rrezikohet nga dita në ditë prej një erozioni të frikshëm. “Dëshmitë gojore, si në rastin e intervistave apo edhe dokumentarëve të personave të ndryshëm, shndërrohen në burime jashtëzakonisht të vyera për historianët, sociologët, antropologët, psikologët, politikanët, shkurt për secilin prej nesh”, shkruan ajo.

Dëshmitë

Ka 28 vite që në shtypin dhe publicistikën shqiptare botohen dëshmi, biografi apo dhe romane për komunizmin, por të gjithë pranojnë se jemi ende shumë larg standardit të seriozitetit dhe rëndësisë që ka në jetët tona ajo periudhë.

Në këtë kontekst ende të pasistemuar e pandriçuar, intervistat e realizuara prej Eni Vasilit, si dëshmi në vetë të parë e autentike, janë copëza historie të individëve, por mund t’i konsiderojmë fare bukur si pjesëza të një tabloje të madhe të historisë sonë kombëtare.

“Përzgjedhja e personazheve të intervistuar që Eni i ka bërë pjesë të këtij botimi mendoj se nuk ka qenë e rastësishme. Janë shtatë intervista, një zonjë e gjashtë zotërinj të vërtetë, thënë ndryshe me Z të madhe. Shtatë persona të ndryshëm si prejardhje familjare, krahine e përkatësie fetare: moshe, formimi e bindjesh. Kanë kaluar nëpër zyrat famëkeqe të Sigurimit të Shtetit e ato të hetuesive, ku edhe janë marrë në pyetje për “krimet që kishin kryer ndaj pushtetit popullor”, por tashmë përballë gazetares ndiejnë përgjegjësinë e rëndësisë për të dëshmuar të vërtetën e asaj çfarë ka ndodhur vite më parë me ta e bashkëvuajtësit e tyre”, shkruan Nevila Nika.

Historiania e njohur ka njohur personalisht disa prej këtyre personazheve dhe e kupton fare mirë se sa me vështirësi flasin për vuajtjet e poshtërimet me të cilat janë përballur pa asnjë shkak a motiv bindës në të kaluarën. “Por përballë gazetares Vasili ata nuk kanë ngurruar të tregojnë e të dëshmojnë me shumë fisnikëri e qytetari historitë e tyre personale”, përfundon Nika.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas