Kryesore, Mapo Letrare

Libri i ri i UET-PRESS: Kujtesa që dhemb e Klara Merlikës

Nga Eni Vasili*

*Pjesë nga libri “Zëra nga errësira” i gazetares së njohur Eni Vasili, publikim i UET-Press



Kisha lexuar në media për këtë grua dhe të tjera si ajo, me fat të ngjashëm që kanë kaluar jetën nëpër burgje e internime. Më ka intriguar një detaj i jetës së saj, dita e parë e internimit kur ajo ishte nisur me përparësen e shkollës për të vazhduar 45 vjet në internim. E ftova në studio për të folur për kalvarin e jetës së saj. Padyshim kishte shumë për të treguar, nga ato mundimet që shoqëria shqiptare ende nuk e di se kanë ngjarë dikur, gati në kufijtë e të pabesueshmes. Klara Merlika rrëfen mes lotësh pesë vitet në kampin e Tepelenës, atje ku tha se kishte parë me sytë e saj dhjetëra fëmijë, gra e të moshuar që largoheshin nga kjo botë të uritur. Rrëfeu shumë dhembje të jetës gjatë diktaturës, por pengu i saj ishte pamundësia për t’u shkolluar, sepse fëmijët e kundërshtarëve të regjimit komunist nuk e kishin këtë të drejtë. Më poshtë rrëfimi në “Studio e Hapur” në televizionin “News 24

Jeta juaj e tëra 45 vjet në internim. Është e vërtetë, kaq vite ka qenë internimi për ju?

Po, është e vërtetë. Në vitin 1992 kam dalë nga Gradishta e Lushnjës.

Si ia dolët të mbijetonit 45 vjet në internim? Ju quheni simbol i mbijetesës?

Dua të them diçka, njerëzit kur janë keq i kërkojnë vetes shumë llogari për të kaluar çdo vështirësi. Kam pasur një natyrë që të keqes nuk kam dashur t’i bie në gjumë kurrë. Kam dashur ta kaloj të keqen, jo t’i shtrohem. Shumë veta si unë që kanë mbijetuar në Tepelenë, pak nga ata kanë mundur të jenë gjallë. Atëherë unë isha 10 vjeçe e sot jam 84, ata që ishin më shumë janë harruar. Tepelena nuk ka qenë internim, por një luftë me gra e fëmijë, me njerëz të pafajshëm. Më morën nga shtëpia me rrobat që kisha veshur e më çuan në një vend tjetër sikur të më lëshonin në një fushë të madhe, kjo është e tmerrshme për njerëz që kanë punuar gjithë jetën për fëmijët e tyre.

Ne jemi internuar e gjithë familja Mirakaj në Shkodër. Kemi qenë 13 veta e na kanë lënë vetëm një batanije për të marrë, një tas, me të cilin hanim groshën e ushtarëve, e bukën e misrit e kemi ngjyer me kafshatat e misrit se nuk kishim as lugë me vete.

Ju jeni nisur në internim me përparëse shkolle apo jo? Si e kujtoni atë ditë?

Atë ditë kur kam ardhur nga shkolla kam gjetur njerëzit duke na marrë në shtëpi për në internim. Djali i xhaxhait tim, Simon Mirakaj, ishte dyjavësh, as dy javë s’i kishte mbushur. E ëma lante rrobat e veta si lehonë që ishte dhe fëmijën nuk e lanë t’i vinte as edhe një mbulesë, pasi kishte diell e duhet të merrte një mbulesë t’ia vendoste, por ata i thanë të mos prekte asgjë. Atëherë ka hequr përparësen që kishte përpara dhe ia ka vënë, duke i mbuluar fytyrën kur kemi dalë. Na futën në një shtëpi private që ishte përballë me shtëpinë e Gjon Markagjonit. Aty kemi qenë shumë familje, por nuk ua kujtoj emrin të gjithëve.

Na mbajtën një muaj aty. Një ditë erdhi një oficer e i tha gjyshes sime: “Nënë e di që i ke djemtë e poshtër?”. Ajo iu përgjigj: “Djemtë e mi janë kundërshtarët tuaj jo të poshtër. As janë të poshtër as kanë qenë të poshtër e as nuk bëhen të poshtër. Janë kundërshtarë politikë, po ju çfarë jeni”, u tha. “Unë kurrgjë nuk kam dashur të marr vetëm rrobat e vdekjes, pasi kur plakemi ne marrim me vete rrobat e vdekjes dhe i kam bërë gati ato rroba, pasi jam 70 vjeçe”, u ka thënë, “po ju nuk më keni lënë me marr as rrobat që do bie në varr”. Atëherë ai oficeri qëlloi i arsyeshëm dhe i tha një ushtari: “Merr një nga këto gratë e merri rrobat e vdekjes!”.

Le të qëndrojmë pak tek internimi. Ju keni qenë 10 vjeçe kur ndodhi dhe arratisja e babait tuaj, i cili u bë shkak për internimin apo jo? Si e kujtoni atë moment, kur e keni parë fytyrën e babait tuaj për herë të fundit?

Për herë të fundit e kam parë që vëllai im afrohej dhe i thoshte: “Më merr o babi”. Më kujtohet zëri i nënës, e cila i tha: “Merre dhe njëherë këtë djalë o burrë”, sikur ta dinte se s’do ta prekte më me dorë. Nuk kujtoj shumë. Babai ka qenë tregtar. Ne e kemi vuajtur shumë dashurinë e babait. Ishte shumë i zoti për punë. Ishte gjithnjë larg shtëpisë me punë. Ngaqë i binte pas punëve shumë nuk kishte mundësi me e gëzuar as familja. Më kujtohet kur vinte i thoshim: “Po vjen Pashuku, po vjen Pashuku” e unë gjithnjë i dilja përpara. Sa herë kthehej sillte diçka. Por asnjëherë nuk merrja diçka prej tij pa e pyetur në i kishte sjellë dhe Lajdes, vajzës së hallës. “Ah, lum baba për ty që s’merr kurrë gjë pa thënë a u ke sjell të tjerëve”, më thoshte.

 

Po më pas keni pasur lajme prej tij?

Jo, s’kemi pasur lajme, sepse ata ishin të arratisur në mal e s’kishim mundësi nga t’i merrnim. Por kur u vra në vitin 1946 ne na liruan 5-6 muaj në janar në mes të dimrit, sa unë kur kam zbritur në Pukë nga një makinë gjeologjie kisha ngrirë fare dhe isha pa ndjenja. Unë e nëna dhe një batanije që kishim e kishim vendosur në mes të prisnim erën për fëmijët dhe mua më kapte më shumë i ftohti. Më kanë zbritur pa ndjenja. Madje kam djegur këmbën duke u ngrohur në një mangall prushi. Kur jam çuar në këmbë më janë marrë mendtë dhe kam rënë me këmbë në prush.

Le të flasim për internimin tuaj në Berat …

Përshëndes familjet tregtare të Beratit që na kanë ndihmuar, duke na thënë merrni çfarë keni për të marrë se janë duke na i marrë komunistët. “Nëse ndonjëherë keni mundësi me na i paguar, mirë, ndryshe s’ka problem më mirë ju se komunistët.”

Ju gjithnjë jeni shprehur se familjet beratase ju kanë ndihmuar. Kujtoni ndonjë ngjarje të veçantë?

Salepët ishin në kala, se ne kemi shëtitur lagje më lagje. Të gjitha lagjet na kanë ndihmuar. Kur ishim në kala Salepët na çonin një fëmijë e na thoshin: “Na sillni një enë ta mbushim me qumësht për fëmijët”.

Te shtëpia e pashait ishin tregtarë që kishin djathë, ullinj e ata na kanë ndihmuar shumë. Në Magalem u jepnin fëmijëve bukën e misrit me djathë, na thërrisnin edhe ne e na jepnin një copë bukë me djathë. Pas Beratit na çuan në Tepelenë pas shumë peripecive.

Po kthehem edhe njëherë te pjesa kur na u vra babai e u liruam. Ne kemi pasur tokën tonë, ku kishin bërë një shtëpi për komunën. Aty jetonte kryetari i komunës dhe një xhandar. Shtëpinë e kishin bërë prej druri e na liruan një dhomë. Mbollëm tokën dhe kur u bë për t’i marrë prodhimet, na internuan sërish. Na futën si në burg, isha 12 vjeçe e më vjen keq të them se na përdorën për të ngrënë njëri-tjetrin. Mua më thirrën e më propozuan për të punuar me Sigurimin, por s’e kam pranuar një gjë të tillë. Edhe pse isha e vogël u kam thënë këtë gjë mos ma kërkoni. Më propozuan që të bëhesha arsimtare duke qenë se kisha mbaruar dhe 7-vjeçaren …

Këto propozime ua kanë bërë të gjithë të internuarve?

 

Nuk e di, se askush nuk tregonte se kishin frikë.

Nga Puka në Berat, e nga Berati në Tepelenë?

Nga Tepelena na kanë çuar dhe në vende të tjera, na kanë çuar disa kohë të punojmë në fermën e Lushnjës …

Unë dua të ndalem te Tepelena, nuk e di në ju i keni dëgjuar debatet e historianëve apo njerëzve të ndryshëm publikë mbi kampin e Tepelenës …

Mua më vjen shumë keq që këta njerëz akoma nuk janë ngopur me vuajtjet tona. Këta njerëz më duken pa mish e pa shpirt. Që të ngrihesh e të flasësh ashtu siç ka folur Pëllumb Xhufi mua më duket shumë ulje për të. Një njeri me shkollë duhet të ketë një butësi zemre që ta shohë realitetin ashtu siç është, por të gënjejë, unë nuk mund ta fus në kallëpin e njerëzve me shpirt.

A mund të jetë e vërtetë që ndonjëri nga ju e ka ekzagjeruar situatën?

Nuk e di për të tjerët, por unë kam dëshmitarë shokë e shoqe që kanë qenë në kamp me mua. Do t’u lutesha për një gjë që, nëse unë kam gënjyer të më dalin e të më thonë se unë do t’u përgjigjem. Unë nuk gënjej.

Çfarë ishte Tepelena atëherë?

Tepelena ishte kamp shfarosjeje. Fillimisht ne e kemi nisur në Turan. Ai ishte me kazermat e ushtarëve italianë. Nusen e xhaxhait tim për ta poshtëruar se kishte qenë grua ministri e kanë çuar te banja e kazermës duke i thënë: “Këtë pastroje se këtu do të rrish ti”. Ajo pastroi banjën dhe gjeti disa kartonë, i ka shtroi si mbulesë dhe aty ka jetuar. Turani ka qenë i tmerrshëm, pasi nuk kishte as mjek. Fëmijëve u ra disa herë dizenteria. Kanë vdekur brenda 48 orëve mbi 20 fëmijë nga dizenteria. Madje një grua që e quanin Cuklina kishte 12 fëmijë, mes të cilëve dhe dy binjake. I humbi fëmijët e parë më pas dhe një nga vajzat binjake. I kujtoj ende sot si dy fëmijë shumë të bukur. Më pas kam dëgjuar që ajo u arratis në Jugosllavi bashkë me dy vajzat.

Ju pse thoni që ishte një kamp shfarosjeje Tepelena?

Ne aty hanim bukë thatë. Kur kemi shkuar në kazermat e Velicornit aty vunë kazanë me gjellë, por në Turan nuk kishte, vetëm bukën merrnim. Kur kemi shkuar në kazermë aty nisëm të marrim gjellë kazani. Fëmijët që ishin të vegjël merrnin vetëm 400 gramë bukë, ata që punonin kishin 600 gramë. Më pas na shfrytëzonin për të mbajtur dru nga malet e Turanit, e i zbrisnim për t’i stivosur …

Mbani mend emra fëmijësh në Turan që kanë humbur jetën, ose në Tepelenë …?

Jo, nuk mbaj mend.

Uria ishte një nga shijet më të hidhura në Turan, në Tepelenë?

Ishin gjashtë kazerma plot e përplot me njerëz e kishin vend vetëm 45 centimetra për njeri. Kazermat ishin marinarë me shtretër poshtë. Gjella e kazanit ishte e tmerrshme, ne kemi ngrënë grosh me miza, me krimba … Të betohem nuk kishte një kokërr grosh që të mos kishte miza. E hanim se ndryshe do të vdisnim. Një shkodran që ishte me ne në kamp bënte humor e thoshte: “Hajeni se është grosh e mirë e mos u ndini!”.

Sa zgjati e gjitha kjo?

Kampi i Tepelenës u prish kur erdhëm në Lushnjë më 1954-n.

Një nga faktet që historianët e quajnë kampin e Tepelenës më të mirë se të tjerët është se fëmijët shkonin në shkollë. Është e vërtetë?

Po, fëmijët shkonin në shkollë. Ne kishim disa jastëkë që i kishim marrë në Berat me lesh. Nxirrnim lesh nga jastëkët e bënim tuta me i shit për të blerë miellin, që bënin majanë ato zonjat e kënaqeshin fëmijët … Vëllain tim e ka parë polici duke u kthyer nga shkolla që kishte blerë miell. Juve mund t’ju duket çudi, por është e vërtetë, e kanë lidhur në betonin e çezmës me shpinë nga çezma, e kur nisi errësira ai bërtiste pasi piklat e ujit i kujtonin përrallat e shtrigave që u tregonim fëmijëve. Ne ishim pas telave, ndërsa ai bërtiste: “O nëna po vjen shtriga, është duke më marrë!”. Unë, nëna ime, motra i thoshim: “Mos ki frikë se janë stërpikat e ujit që marrin dritë nga drita e elektrikut. Nuk janë shtriga …” Vetëm kur i ra të fikët që i ra koka djalit e kanë larguar nga aty.

Më pas i hoqën të drejtën për të shkuar në shkollë. Vetëm kur shkoi në Lushnjë e nisi shkollën sërish, pasi i thoshin se “ke gërvishtur sytë e Qemal Stafës në libër”.

Cila ishte dita më e trishtuar për ju në kampin e Tepelenës?

Puna ishte e trishtueshme se nuk kishin takat njerëzit të punonin dhe punën duhej ta bënin. Burrat dimrit punonin në lumin e Bënçës. Mbaj mend një burrë që ngriu nga të ftohtit dhe e fusnin në kazan me ujë të ngrohtë e pastaj të ftohtë deri sa e sollën në vete, aq ftohtë ishte …

Kush është dita më e dhembshme që ju kujtohet?

Dita më e dhembshme se të tjerat ishte kur kishte gjashtë javë gjyshja që na kishte vdekur e na lajmëruan të hiqnim rrobat aty ku ishin mbrapa kazermave për t’i çuar tek ura e Bënçës. Diku aty hapëm varrezat. Ne vetëm disa dryna i vendosëm poshtë e disa dryna sipër kur i hodhëm dheun, as arkivol asgjë. E nëse nuk do të kishte rrobat e leshit që e kapën burrat dhe e hoqën duke e vendosur në barelë nuk kishte mundësi që të rrinte trupi pas gjashtë javëve. Kjo ishte shumë e dhembshme. Kur erdhëm nga shkolla dhe gjetëm gjyshen e vdekur na erdhi shumë keq, por më e dhembshmja ishte kur e kemi hequr nga varri dhe e kemi çuar për së dyti në varr, e na lajmëruan sërish ta hiqnim edhe që andej duke e çuar në fund të kazermave ku derdhej Bënça. Aty lumi i ka marrë të gjitha varrezat dhe gjyshen … Kur ishte duke vdekur gjyshja u tha nuseve: “Mos i mallkoni djemtë se s’kanë dashur t’ju bëjnë keq. Po politika kështu erdhi, ishte fati juaj që të vuani prej tyre”. “Jo, nënë, u thanë ato, mos ki merak.” “Amanet tha nëse ka mundësi eshtrat e mia m’i çoni në vendin tim, mos m’i lini në Tepelenë.” Ne nuk patëm mundësi ta shihnim më varrin e saj. Jo vetëm varrin e gjyshes sime, por janë shumë varreza që kanë humbur.

Një gruaje i kishte vdekur djali. I doli lirimi, por nuk kishte mjete të kthehej dhe ngeli gati dy muaj në kamp që të gjente mjet të nisej. Një ditë prej dite vajti i gjeti eshtrat e fëmijës dhe i mbajti dy muaj poshtë jastëkut.

Në Tepelenë aq uri kishin njerëzit saqë sa hynin në derën e kazermës ajo kishte mbaruar, nuk kishin asnjë kafshatë më. Nënat tona ishin shumë të rregullta e merrnin bukën dhe e ndanin në tri copa, në tri vakte. Shpeshherë vëllai im thoshte ma jepni racionin e darkës ta ha tani në drekë, se në darkë do të ulem do fle. Në darkë binte të flinte e s’e merrte gjumi se kishte uri e ne të tria prisnim pak nga racioni ynë i bukës e i thoshim: “Çohu Zef e ha pak bukë!”.

Ishte më e lehtë situata në Lushnjë dhe në Gradishtë?

Kur shkuam fillimisht vazhdoi edhe pak ajo gjella e kazanit, pastaj thanë se mund të punonim vetë e mund të ushqeheshim. Të them të drejtën situata ndryshoi shumë kur shkuam në Lushnjë, aty zhdukëm urinë, pasi Myzeqeja kishte grurë dhe e shitnim në pazar. Më kujtohet si tani kur blinim grurë e i bluanim te mullinjtë në Karbunarë dhe kur kemi bërë bukë vetë nuk di ta them lumturinë që kishim, se ishim duke u ngopur me bukë. Pastaj mblidhnim panxhar … asnjë lloj ëmbëlsire nuk më duket më e mirë se panxharët e zier. I zienim në mbrëmje, i linim në tepsi dhe kur vinim nga puna i hanim si me qenë gjëja më e mirë e botës.

Në Savër të Lushnjës humbët edhe mamanë tuaj?

Mamaja ime humbi jetën në Gradishtë në vitet ‘90, pak muaj pa pasur mundësi të shihte të birin, sepse vëllai im kur e morën ushtar iku nga Ksamili siç ishte e doli në Korfuz.

Si e kujtoni nënën tuaj?

Nënën time e kujtoj që ishte vetëm dhe unë jam kujdesur shumë. Ajo për mua ishte gjëja më e shtrenjtë. Nuk e kisha nënë, por shoqe dhe gjithnjë mundohesha t’i rrija afër. Nga Savra atë e çuan në Gjazë dhe aty shkoja shpesh e shihja nënën. Kur nuk po merrnim më haber nga vëllai shkova në gjendjen ushtarake dhe pyeta: “Si është e mundur që nuk kemi më haber nga vëllai …” Më pas më thanë se vëllai nuk ishte më ushtar. Ne mendonim se mos ishte në burg ose e kishin kapur, mendonim gjithçka të keqe, por asgjë nuk na thoshin. Pas shumë kohësh mësojmë nga një nusja e nipit tonë nga Kosova … Vëllai im quhej Zef Rrok Pjetër, i kishim vënë tre emra. Kushërira na shkroi letër duke na thënë të mos bëheshim merak pasi Rrok Pjetri ishte shumë mirë me shëndet dhe e kishte marrë xhaxhai i vet në Amerikë. Aty mësuam të vërtetën që vëllai kishte ikur, por si ka ikur e morëm vesh kur erdhi.

Në kampin e Gradishtës ju keni kaluar të gjithë rininë?

 

Unë jam fejuar në mars 1958. Nuk jemi martuar me dashuri. Vjehrra ime kishte mbetur vetëm, sepse nusja i punonte në fabrikën e tullave. Ne kemi qenë në kampin e tullave kur erdhi kampi i Tepelenës në Savër në Lushnjë. Një pjesë na sollën më përpara në Lushnjë, ndërsa një pjesë tjetër më vonë … Kur erdhi kampi i Tepelenës vjehrra ime mbeti vetëm në mes të rrugës, pasi askush nuk po e merrte në dhomë, atëherë nusja e xhaxhait tim shkon dhe i thotë të vinte te dhoma jonë. Ne ishim disa vajza që rrinim me nusen e xhaxhait dhe zumë shumë miqësi me vjehrrën time, i bënim hyzmet si vajza që ishim. Një ditë prej dite e takoj në Lushnjë, kisha dalë të bëja pazar. Asaj i kishte dalë djali (im shoq) nga burgu. Unë e përshëndes dhe ajo më thotë: “Jam me djalin që kam pasur në burg”. Krejt indiferente i dhashë dorën duke i thënë shyqyr që kishte dalë nga burgu! Ndërsa ai ma tregonte gjithmonë se “atë minutë që më ka prezantuar mamaja mendoja se këtë do ta marr grua”.

E mbani mend ditën e dasmës?

Nuk mund të quhet dasmë. Jemi mbledhur disa shoqe e kemi ngrënë diçka. Ditën që do të ikja nuk gjendej taksi … shkuam deri te stacioni i trenit në Gradishtë e aty na mori një taksi e Lushnjës. Kemi dalë me karrocë, por ajo mbeti në baltë. Kam veshur çizmet, kam përveshur fustanin, duke mbajtur përkrahu nusen e xhaxhait që ishte italiane, pasi thoshte “u mbytëm në baltë …”.

Ju u martuat në internim me të birin e Mustafa Merlikës e me këtë martesë ju duket se e rënduat edhe më shumë biografinë tuaj?

Të them të drejtën biografia jonë ishte e rënduar, pasi kur Mustafai ishte kryeministër, ministër të Brendshëm pati thirrur xhaxhain tim, si burrë me besë që ishte. Ai ka bërë një libër shumë të bukur që ka shkruar jetën e vet në të …

Na e rrëfeni pak gëzimin tuaj të parë?

Të them të drejtën të shtëpisë donin që të ishte djalë, unë thosha gjithmonë “vetëm të jetë fëmijë i shëndoshë”. Kur më thanë ke bërë një fëmijë shumë të bukur, unë e kuptova që ishte vajzë. Luta Zotin, që të mos ketë fatin tim, megjithatë vajza nuk pati shumë fat, pasi fëmija i parë që i lindi kishte një sëmundje që nuk e zhvillonte. E keqja shkon tek e keqja më duket, ndërsa e mira tek e mira.

Në vitet ‘80 a kishit shpresë që diktatura do të përmbysej vërtet ndonjëherë?

Jo, pasi diktatura që ka qenë në Shqipëri nuk ka qenë në asnjë vend të demokracive komuniste pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo çfarë është bërë në Shqipëri nuk është bërë në asnjë vend, mund të jetë bërë vetëm me holokaustin me hebrenjtë.

Në vitin ‘90 kur ra diktatura, ku ishit, si e morët vesh?

Unë isha në Gradishtë e të them të drejtën kurrë nuk na kishte përmendur vjehrra që kishin diçka tjetër veç një shtëpi në lagjen “Lazër Huta”. Këta kishin pasur dhe një pjesë toke në Varosh të Durrësit, por ajo s’e zinte kurrë në gojë, duke menduar se do të vdisnim pa lirinë. Një miku ynë që shkoi të merrte dokumentet e veta sheh emrin tonë, e më çoi fjalë që kisha një tapi në Durrës …

Kush ju tha që internimi mbaroi?

Të gjithë donim të dilnin nga kampi pastaj … Unë kam ikur më 1992-shin nga Gradishta, pasi isha vetëm me burrin, vajzën e kisha të martuar në Shkodër. Shtëpia ishte e zënë me njerëzit që kishte futur qeveria, pasi shtëpinë e vjehrrës sime e ka marrë Spiro Moisiu.

Pas 45 viteve në internim, kur ju vijnë në mendje xhelatët, ata që kanë përfaqësuar dhunën … çfarë ju vjen në mendje?

Ishte sistemi që i zgjidhte njerëzit që urdhrat të zbatoheshin edhe më keq sesa jepeshin. Njerëz pa mish e shpirt …

Kujtoni ndonjë nga xhelatët?

Në Tepelenë kanë qenë shumë, por ai që ka qenë i tmerrshëm ka qenë kapter Selfo … Ai gjuante me shkelma … më kujtohet një Shega Frashëri, e cila nuk ishte mirë nga gjendja shëndetësore e nuk donte të shkonte në mal dhe nguli këmbë që nuk shkonte se nuk mundte. E varën shpatullash me tela për tri ditë deri sa i ra të fikët …

Çfarë është bërë me kapter Selfon pas viteve ‘90?

Nuk bëhet asgjë për ne, pasi gjithçka sot në dorë e kanë fëmijët e tyre. Ne jemi gati si më parë. Jemi të vdekur në këmbë. Unë kam shkuar fëmijë në kamp e kam dalë gjyshja e tre fëmijëve dhe ende nuk kam marrë asnjë shpërblim për internimin që kam punuar që në moshën 14-vjeçare.

Nëse do të kishit mundësi të bënit shkollë të lartë, çfarë do bëheshit?

 

Kur isha e vogël mendoja të vazhdoja shkollën, por isha shumë e lidhur me artin, muzikën dhe e vetmja gjë që më ka mbajtur gjallë është muzika, sepse kam qenë shumë e ndjeshme. Sot e kësaj dite kur është ndonjë makinë dhe ka ndonjë kasetë të bukur kam qejf ta hap dhe ta dëgjoj. Dikur ka qenë një program muzike me përshëndetje. Unë bëja çdo punë me shpejt që kur të vinte ai programi të dëgjoja muzikën.

 

Si është jeta juaj sot?

 

Sot jam shumë e kënaqur që në familjen e burrit duhem prej të gjithëve. Jam vetëm, por nuk më lënë vetëm, pasi nipi im Eugjeni më merr, më pret biletat dhe shkoj e vizitoj shpesh. Udhëtoj, shkoj në Gjermani, Itali, kthehem sërish këtu në Tiranë ku jam vetëm. Vetmia nuk më pëlqen, pasi jam tip që më pëlqen komunikimi.

 

Çfarë do t’u thoshe të rinjve shqiptarë që nuk e njohin shumë diktaturën?

 

Do u thosha që diktatura është gjëja më e keqe, pasi nuk je i lirë kurrë.

Pengu më i madh që ke sot?

Një nga akuzat që i është bërë vjehrrit tim dhe xhaxhait është se jemi shitur tek italianët. Kjo nuk është e vërtetë. I vetmi bashkëpunim i tyre me italianët ka qenë për bashkimin e trojeve shqiptare në kohën kur ka qenë kryeministër vjehrri im. Tirana ka qenë kryeqyteti i gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës.

Pra më shumë se 45 vite internim ju dhemb fakti që ju kanë quajtur tradhtarë?

Po.

PasPara

1 koment

  1. JETA E TE GJITHVE KA QENE E VESHTIRE SE KOHERAT E VITEVE KANE NJE HISTORI TE NDRYSHME JETET QE KANE KALU LIBRAT KUSH KA HORIZONT LEXUES KUPTON SHREHJET E DHIMBJES DHE GEZI MET QE MUND TE BEJNE JETEN TE VESHTIRE .PERIPECIRA JANE ME TE NDRYSHME ZHVILLIMI NJERZOR PERSERI I VESHTIRE .KUR PRINDERIT TE RRISIN VETE EDHE PA BUKE MUND TE RRINE ,RENDESI KA NGROHTESIA PRINDERORE . ,JETA TEK CDO KUSH KA LIRIN PER ME KUJTU SADO PAK NGJARJET E KALUME .VITET KALOJNE DHE FJALET TE KENDSHME APO TE PAKENDSHME JANE HISTORIT E KOHERVE . CDO BUKURI QIELLORE VERZULLUESE NJERIU GJITHMON GJEN NGROHTESINE E VITEVE QOFSHIN SADO PAK TE HIDHURA JETA PER TE GJITHE KANE PASUR VESHTERESIT E TIJ .SPEKTE .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas