KMR, Te Vecanta

Libri i fundit i Stephen Hawking: Nuk ka Zot dhe as jetë pas vdekjes, mos mbani iluzione të kota

“Zoti nuk ekziston, ka forma të tjera jete krahas asaj në Tokë dhe udhëtimi në kohë është i mundur”.

Këto janë disa nga përfundimet e shkencëtarit Stephen Hawking në librin që ai ka shkruar pak para vdekjes.



“Nuk ka një qenie të mbinatyrshme që ka krijuar universin dhe fatin tonë nuk e drejton askush.

Kjo më ka çuar mua në një përfundim të thellë: me shumë gjasa nuk ka Zot dhe as jetë pas vdekjes.

Mendoj se besimi te jeta e përtejme është thjesht dëshirë për të besuar se ka të tillë”, thuhet në librin e fizikanit.

Libri i Hawking “Përgjigje të shkurtra për pyetje të mëdha: Nuk ka Zot, universin nuk e drejton askush”, doli në treg të martën.

“Për shekuj me radhë, besohej se njerëzit me aftësi të kufizuara ishin të mallkuar nga Perëndia. Më pëlqen të mendoj se gjithçka mund të shpjegohet në një mënyrë tjetër, nëpërmjet ligjeve të natyrës”, thotë Hawking në libër.

Profesori 76-vjeçar i fizikës teorike në Universitetin e Kembrixhit ka vuajtur për shumë vite nga skleroza laterale e atrofizuar (SLA), e cila e la në karrige me rrota dhe i hoqi mundësinë për të folur përgjatë pjesës më të madhe të jetës.

Ai u nda nga jeta në mars të këtij viti, duke hedhur poshtë parashikimet që mjekët i bënë në moshën 21 vjeç kur diagnostikuan sëmundjen, e cila sipas tyre nuk i jepte jetë përtej moshës 25-vjeçare.

Libri i tij mbeti përgjysmë dhe kolegët e familjarët hapën arkivat e tij personale për ta përfunduar.

Në lidhje me ekzistencën e jashtëtokësorëve, Hawking është i qartë.

“Ka forma të tjera të jetës inteligjente. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrën sesi u përgjigjemi deri sa të jemi zhvilluar sa duhet”, thuhet në libër.

Ai është optimist edhe për udhëtimin në kohë.

“Kthimi mbrapa në kohë nuk përjashtohet në kushtet e njohurive që kemi sot. Brenda 100 viteve të ardhshme, njerëzit do të kenë mundësinë të udhëtojnë kudo në sistemin diellor”, parashikon ai.

Hawking thotë në libër se ndryshimet e fundit politike që kanë përfshirë sidomos Perëndimin, po i kthejnë njerëzit kundër ekspertëve.

“Me Brexit dhe Trump që tani po zhvillojnë politika të reja në lidhje me emigracionin dhe arsimin, po bëhemi dëshmitarë të një revolte globale kundër ekspertëve dhe kjo përfshin edhe shkencëtarët”, thotë ai.

Ndërsa për brezin e ri, Hawking parashikon një të ardhme që lidhet ngushtë me teknologjinë.

“Çfarë do të ndodhë me ata që janë tani në moshë të re? Unë mund të them me besim se e ardhmja e tyre do të varet më shumë nga shkenca dhe teknologjia sesa ajo e çdo brezi të mëparshëm”.

Për ta, në kapitullin e fundit, ai ka një këshillë: “Mbani mend, gjithmonë shikoni lart në drejtim të yjeve dhe jo poshtë të këmbët tuaja”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas