Mapo Letrare

“Librat për të cilët them: mos vdeksha pa i botuar!”

jerinaINTERVISTA E BOTUESIT- Jerina Zaloshnja-Tirana Times

Tirana Times është një nga ato ente botuese që nuk të zhgënjen kurrë: nuk janë masivë, por elitarë po. Kanë tituj të ngrohtë si buka dhe të fortë si diell korriku. Gjithashtu, një librari të tyren të sajdisur me shije, që është në të njëjtën kohë kafeteri dhe bibliotekë… 



 

Cili është libri ose librat që ka në proces botimi TIRANA TIMES?

Kemi disa libra të mirë në proces: “Nuk ia vlen të durosh” nga Walter Siti, autor bashkëkohor italian, “Çdo zemër njerëzore” nga William Boyd, autor anglez,” Ribashkimi” nga Fred Uhlman, letërsi skoceze. Kemi një libër nga autorja spanjolle Clara Shancez dhe një autor bashkëkohor gjerman.

A ka TIRANA TIMES politikat e veta të botimit, në kuptimin e prirjeve për këtë apo atë lloj literature, dhe cilat janë ato?

Po, natyrisht. Ne botojmë libra e autorë që së pari i pëlqejmë vetë. Ky është si të thuash një rregulli ynë pa përjashtim. Librat me ese, romanet filozofike nga autorë të huaj kanë qenë dhe do të vazhdojmë të jenë të preferuarit tanë. Do të përmendja shpejt e shpejt trilogjinë nga Becket, mandej përmbledhjen eseistike “Çaste filozofike” nga Derrida.

Por “Tirana Times” ka edhe një kolanë tjetër që na ka sjellë shumë kënaqësi, të letërsisë vendase, ku besoj se kemi sjellë kontribute të spikatura. Sa për  ilustrim do të përmend romanin “Udhëtari” të Sabri Godos, “Mjegulla” e Teodor Laços, një përmbledhje të shkëlqyer me poezi të Preç Zogajt, dy-tri romane shumë të mira të shkrimtarit Valter File dhe disa autorë të tjerë.

Cili është ai libër apo ai lloj libri që si lexuese ju fal kënaqësi, por si botuese ju mërzit shumë?

Becket më ka falur një kënaqësi të thellë, deri në shqetësim do të thosha, me të tre romanet, në veçanti ”E paemërtueshmja”. Aty kam parë sesi fraza mund të nisë në krye të faqes, të përfundojë në fund të saj, dhe prapë të jetë e pangatërruar. Por, po këtu kam parë dhe rimarrje e përsëritje, lënie përgjysmë të mendimit, të gjitha këto si pjesë e stilit të Becket, gjë që, përballë një lexuesi të përgjithshëm, e vë botuesin në një lloj vështirësie. Sepse lexuesi i përgjithshëm, në një moment mund të pyesë se si botojnë këta këto libra të përkthyer keq.

Por nuk është kështu. Disa autorë kanë nevojë për lexuesin e përvetshëm. Becket është një nga këta.

A ka një treg të librit në Shqipëri dhe, a është i deformuar, apo ka dritëhijet e veta si çdo treg?

Po, është e qartë që ka një treg të librit gjithnjë e më në rritje. I jemi kthyer librit, megjithë vështirësitë e pasigurinë. Ky është një lajm shumë i mirë. Por, besoj, tregu i librit është aq i deformuar sa ç’janë edhe vlerat e shoqërisë.

Cili është libri më i suksesshëm që ka botuar TIRANA TIMES?

Unë jam e fiksuar pas autorit të sipërpërmendur, pra mbas Becket-it. Por ky, si edhe një përmbledhje me tregime “Engjëlli im” nga shkrimtari kubanez Rosales… janë suksese shumë personale.

Janë të tjerë titujt që kanë patur shitje.

Cili është libri për të cilin jeni penduar që e keni botuar?

“Jeta dhe kohët e penisit,” një libër aq shumë interesant mbi sjelljen seksuale, një shpjegim dhe një narracion shumë i rëndësishëm. Libri ka fituar një çmim prestigjioz ndërkombëtar dhe ka brenda çdo gjë, përveç vulgaritetit. Nuk jemi penduar që e botuam, por që e botuam me këtë titull. Njerëzit ende paskan turp të dinë haptas mbi atë se çfarë janë.

Cili është ai libër që nuk mund të rrini pa e botuar, jeni matur, por për njëmijë arsye (ndoshta financiare) nuk e keni bërë ende?

Eh.. shpresoj fort ti vijë dita dy të superpreferuarve të mi, portugezit Fernando Pessoa me “Libri i shqetësimit” dhe eseistit të shkëlqyer rumun Emil Cioran me “I papërshtatshmi ndër ne”. Po ka dhe të tjerë. Nuk kemi mundur ti botojmë deri më sot, por duke iu përgjigjur pyetjes tuaj, këto janë rasti kur ti i thua vetes: mos vdeksha pa i botuar.

Gara letërsi e huaj/letërsi shqipe duket se është fituar nga e para. Pse shqiptarët vazhdojnë të parapëlqejnë autorët e huaj?

Këtë nuk do ta quaja një gabim. Letërsia shqipe është si një pikë e vogël në oqeanin e përbotshëm të letrave. Për shumë arsye letërsia e huaj e ka të fituar garën. Shkrimtarët e huaj janë më të shumtë, të panjohur, të shumëllojshëm dhe shpesh më të mirë ose shumë më të mirë. Është në natyrën e njeriut të rendë drejt të panjohurës, të zgjedhë më të mirën. Aq më tepër lexuesit e shoqërive që kanë vuajtur izolimin, siç është lexuesi ynë.

Nëse një libër i botuar prej jush do kthehej në bestseller, a do të ish’ një lajm i mirë?

Po patjetër, do të ishte një lajm shumë i mirë. Kështu do të siguronim mundësinë për të botuar ata të dy autorët që përmenda më sipër..

Na thoni përshtypjen tuaj për Panairet e Librit që zhvillohen në Shqipëri?  

Janë padyshim një ngjarje e shënuar për Tiranën. Panairet më ngjajnë të çmuara, ashtu si ballot në hotel Dajti, në vitet e para të komunizmit. Qyteti ynë duket më i bukur në nëntor dhe seç ka një sharm që nuk di ta shpjegoj. Njoh plot njerëz që jetojnë jashtë Shqipërisë që lënë takim me Tiranën, pikërisht në ditët e Panairit të librit, pikërisht për lezetllikun e kryeqytetit në këto ditë. Jo të gjithë vizitorët kanë mundësinë të blejnë çdo titull të ri, por së paku kanë mundësi të përditësohen, shfletojnë, të ndjekin ndonjë bisedë. Tek e fundit të kalojnë ca kohë ndër libra sesa ndër politikanë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas