Editorial

Librat falas, një ide e keqe që Rama e “vodhi” pa nevojë nga opozita

Nga Ervis Iljazaj

Në një debat gjatë fushatës presidenciale amerikane në vitin 2016 midis Berrni Sanders dhe Hilari Klinton, kjo e fundit u shpreh se, “Nuk do të lejojë kurrë që fëmijët e Donald Tramp ta bëjnë arsimin falas”, duke kritikuar kështu idenë e Sanders të arsimit falas.



Në këtë mënyrë, Hilari Klinton, ishte kundër asaj ideje për faktin se, është joefikase dhe mbi të gjitha e pandershme që, një njeri i pasur si Tramp apo çdo person tjetër që ka mundësi, të kryejë arsimin pa pagesë. Aq më tepër kur, të kesh një arsim cilësor, në radhë të parë do të thotë të kesh mundësi të gjenerosh para për të, të cilat është e pamundur të dalin nga buxheti i një shteti, dhe, këtu po flasim për një buxhet si ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në ditët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, po trumbeton me të madhe garantimin e librave falas deri në klasën e pestë për fëmijët shqiptarë. Për hir të së vërtetës, kjo është një ide e opozitës e fushatës elektorale. Një ide e keqe, që Edi Rama e ka marrë në mënyrë të panevojshme. Është një ide elektorale kuptohet, por që është kundra interesit dhe zhvillimit të Shqipërisë, apo reformave që kërkon vendi për të patur një arsim cilësor.

Në pamje të parë duket një ide e pakundërshtueshme. E kush do të ishte kundra garantimit të librave falas për fëmijët!?

Mirëpo, diskutimi është më i gjerë se sa efekti në opinion publik që jep “dhurata” e qeverisë për fëmijët shqiptarë.

Në radhë të parë, librat nuk janë falas. Ato do të mbulohen nga buxheti i shtetit, pra nga taksat tona, për pothuajse 190.000 fëmijë.

Në radhë të dytë, askush nuk është kundra idesë që familjet që nuk kanë mundësi të marrin për fëmijët libra falas.

Çështja është se, përse ato familje që kanë të ardhura të larta nuk i paguajnë këta libra?

Nuk besojë se, familje që gëzojnë të ardhura financiare të larta në Shqipëri, dhe nga ato ka shumë, do të kishin problem të paguanin një shumë, që për hir të vërtetës nuk rrënon buxhetin e tyre familjar. Në këtë mënyrë, jo vetëm që nuk do të prekej buxheti i shtetit, por, përkundrazi, pagesa e librave nga familjet me të ardhura të larta në Shqipëri, do të gjeneronte të ardhura edhe për ata fëmijë që nuk munden t’i paguajnë ato.

Problemi i kësaj zgjidhjeje, “falas për të gjithë”, është se, ajo është një zgjidhje e shpejtë, komode dhe populiste për çdo qeveri. Mirëpo, nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i mendësisë puniste së politikës shqiptare.

Hipokrizia e politikës shqiptare dhe mendësisë puniste të trashëguar nga regjimi i kaluar kalon çdo limit. Për faktin se, një pjesë e shoqërisë nuk mundet të paguajë shërbimet, atëherë, vendoset që e gjithë shoqëria t’i marri këto shërbime falas, edhe pasunarët shqiptarë. Duke bërë në këtë mënyrë, që shërbimet shqiptare, përfshi këtu dhe arsimin, të jenë të niveleve të ulëta, për shkak të mungesës të fondeve që ato kërkojnë për të qenë konkurruese dhe cilësore. Cilësi që buxheti i vobektë i shtetit shqiptar nuk mund ta garantojë.

Në shoqëritë kapitaliste të zhvilluara, ku cilësia e arsimit, mirëqenia dhe ekonomia janë në nivele të larta, ka një princip bazë. Është principi se, çdo sektor i ekonomisë apo i shërbimeve, siç është rasti i arsimit, duhet të vetëfinancohet.

Për një arsye shumë të thjeshtë. Në këtë mënyrë shmanget arbitrariteti i qeverisë me paratë e qytetarëve dhe përdorimin e tyre vetëm për interesa elektoralë, klientelistë e populistë. Duke garantuar në këtë mënyrë lirinë e njerëzve nga pushteti politik dhe idenë e kapitalizmit. Qeveria ka për detyrë vetëm të garantojë këto parime, dhe jo të vendosë në mënyrë arbitrarë se çfarë bën me taksat tona.

Në Shqipëri ekziston totalisht një filozofi tjetër. Ne jemi gjithmonë në pritje të një politikani profet, që do të na zgjidhë hallet tona. Do të na japë libra falas, arsimin falas, shëndetësinë falas, e çdo gjë tjetër që në mënyrë propagandistike kërkon të luajë me emocionet popullore vetëm për arsye të pushtetit të tyre.

Dhe këtë gjë, politika shqiptare e di fare mirë. E di fare mirë se ne, presim gjithmonë zgjidhje nga shteti. Në këtë mënyrë ata marrin më shumë kompetencat për paratë dhe jetët tona. Duke marrë më shumë kompetenca, marrin më shumë pushtet, dhe, sa më shumë pushtet aq më shumë abuzim dhe korrupsion me të, korrupsion ekonomik e politik, në dëm të lirive tona dhe zhvillimit të Shqipërisë, duke e varfëruar atë çdo ditë e më shumë.

Kështu që, “librat falas për të gjithë”, dhe filozofia që ka ajo nga mbrapa, nuk është gjë tjetër, veçse shenjë e varfërisë që vetë shteti krijon. A mund të luftojë varfërinë shteti, kur është shkaktari kryesor i saj!?

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas