Mapo Letrare

Libër që lëviz mendimin

Bona fide_31 KORRIK_final(Mbi librin e Prof. Dr. Fatos Tarifës Bona fide)

Nga Dr. Moikom Zeqo



 

Fatos Tarifa është sociologu më i shquar shqiptar. Ai është jo vetëm themeluesi i sociologjisë moderne në Shqipëri, por edhe autori që i ka dhënë sociologjisë shqiptare dimensione bashkëkohore, brenda e jashtë vendit. Kjo është substanca e jetës së tij diturake e qytetare. Autor i mbi dyzet librave, Tarifa ka krijuar opusin e tij, një seri hulumtimesh, analizash dhe sintezash shkencore. Gjatë njëzet viteve të fundit, Fatos Tarifa ka artikuluar arritjet sociologjike, në rrafshin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, sipas një tipologjie sinkretike dhe brendapërshkruese. Më shumë se çdo studiues tjetër shqiptar në fushën e shkencave sociale, Tarifa është autori që një pjesë të studimeve të tij (libra dhe artikuj) i ka botuar jashtë vendit, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, shumë prej të cilave në revista nga më prestigjiozet dhe, po kështu, ai është sociologu shqiptar i cituar më shumë nga studiuesit e huaj.

Ky profil shkencor i spikatur i Prof. Tarifës është edhe substancë e një reflektimi të gjerë kulturologjik. Por Fatos Tarifa është edhe një protagonist i rëndësishëm i mediave dhe i shtypit, duke i dhënë rëndësi sui generis asaj që mund ta quaja publicistikë shkencore, kaq shumë e munguar në Shqipëri. Publicistika shkencore është, përgjithësisht, elitare, sepse operon përmes një aparati konceptesh dhe idesh të huazuara nga disiplina të ndryshme shkencore. Jo kushdo që merret me publicistikë e zotëron, ose di ta përdorë këtë aparat konceptual të ndërlikuar dhe kaq të rëndësishëm. Tarifa e zotëron atë mjeshtërisht dhe ndihet tërësisht i sigurt në përdorimin e tij. Kjo përbën një atribut dhe një përparësi të rëndësishme të tij.

Unë e njoh nga afër, prej shumë vitesh, krijimtarinë e pasur e të dendur të këtij autori. E njoh mirë amplitudën e kësaj krijimtarie. Tarifa nuk është një dijetar dogmatik kabineti, por një dijetar i socializuar vazhdimisht në mjediset sociale, në të cilat ai ka jetuar e punuar, brenda e jashtë vendit. Ai është shembulli i një intelektuali publik, i angazhuar në problemet e mëdha të shoqërisë së tij. Kjo përbën një prej tipareve kryesore të tij, si individ, dhe një prej thelbeve të jetës, të interesave e të krijimtarisë së tij të gjerë intelektuale. Një rrethanë e tillë bën që shtrati i publicistikës së Fatos Tarifës të strukturohet edhe si polemikë.

Asnjë shoqëri nuk mund të bëjë pa mendimin polemik—e theksoj, pa mendimin e vërtetë polemik. Titulli i librit që mbani në dorë nga ky autor, Bona fide, është shpalosja e një parimi. “Bona fide”, në latinisht do të thotë: me qëllim të mirë (me qëllim të ndershëm); e kundërta është “Male fide”, domethënë, me qëllim të keq. Ky parim i ndershmërisë intelektuale është substancial për artikulimin e çdo polemike të saktë. Seneka, në librin e tij Epistulae morales ad Lucilium (Letra morali Lucilit), shkruante: “Bona illa sunt vera, quae ratio dat, solida ac sempiterna, quae cadere non possunt, nec descrescere quidem nec minui” (“Të mira të njëmendta janë ato që dalin nga arsyeja, ato janë të qëndrueshme e të amshueshme, nuk mund të bien e të zvogëlohen”.

Asnjë polemikë nuk duhet absolutizuar, por polemika është e pazëvendësueshme në përpjekjet për kërkimin e së vërtetës. Fatos Tarifa, siç dëshmohet qartë edhe në këtë libër, është në këtë hulli intelektuale—i ditur, kurajoz e guximtar.

Në kulturën shqiptare polemika ka qenë historikisht pak e zhvilluar. Megjithatë, shembujt e polemistëve të shquar nuk mungojnë. Barleti zhvilloi një polemikë kryesisht historike, ndërsa Bogdani një polemikë filozofike e teologjike. Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, De Rada, Skiroi, Pashko Vasa, Naimi, Samiu, Shahin Kolonja dhe, mbi të gjithë, Noli e Konica, lanë shembuj të shkëlqyer të një krijimtarie polemike, për argumentimin dhe mbrojtjen e interesave dhe të të drejtave historike, kombëtare e kulturore të popullit shqiptar. Po kështu, në vitet 1930, polemika u bë një tipar i spikatur i publicistikës shqiptare, e mbështetur në koncepte europiane. Të gjitha këto raste përbëjnë një traditë të vyer, e cila duhet njohur, vlerësuar e rivlerësuar nga studiuesit e letërsisë, nga sociologët e kulturologët tanë.

Në ditët tona, liria e mendimit dhe e shprehjes krijojnë mundësi të gjera dhe kufij të hapur për lëvrimin e polemikës në letërsi, në kulturë e në shkencë. Megjithatë, polemikat që shohim të zhvillohen në shtypin shqiptar shpeshherë janë të kontaminuara politikisht, të mbushura me subjektivizëm të skajshëm, me diletantizëm dhe mediokritet. Kjo kitsch-polemikë shpeshherë e helmon atmosferën intelektuale e sociale të vendit dhe ndikon negativisht në sferën publike. Por edhe polemikat pozitive e konstruktive nuk mungojnë, dhe Fatos Tarifa, me krijimtarinë e tij të gjerë dhe me këtë libër, ofron një shembull të spikatur në këtë drejtim. Polemika e tij mbështetet jo vetëm në parimin etik të respektit ndaj Tjetrit, por edhe zhvillohet në optikën e mendimit kritik racional, duke kërkuar të mbështetet në argumentin më të fortë dhe empirikisht të bazuar.

Në librin Bona fide të bie në sy logjika argumentative e Tarifës dhe fakti—që rrallëherë e gjejmë tek autorë të tjerë shqiptarë—se pikëpamjet e tij mbështeten në njohuri të gjera, nga fusha të ndryshme të dijes dhe nga burime të shumta, klasike, por, shumë herë, edhe të ditëve të fundit. Kjo veçanësi dhe kultura e referimit të saktë janë ndër tiparet më të spikatura të krijimtarisë shkencore dhe të polemikës publicistike të Fatos Tarifës.

Polemikat e Tarifës me një numër autorësh e intelektualësh të njohur shqiptarë janë një ballafaqim korrekt idesh të ndryshme, ose të kundërta, për çështje të rëndësishme të historisë e të kulturës, të arsimit të lartë, të sigurisë kombëtare e të politikës së jashtme të vendit tonë etj. Ato janë të zhveshura nga mllefet provinciale, madje, në shumicën e rasteve, ato përbëjnë një shembull të krijimtarisë intelektuale e polemike kozmopolite.

Në sociologji ekziston teoria e opinioneve, e zhvilluar në Francë në vitet 1940, nga Jean Stoetzel. Kjo teori lidhet me polemikën sociale dhe ka të bëjë me përmbajtjen e besimeve e të opinioneve të njerëzve për probleme të përgjithshme, ose konkrete të aktualitetit politik, ekonomik e social. Përmes saj, sociologjia bën të mundur studimin empirik të opinioneve që shprehin njerëzit për çështje të caktuara e në rrethana të caktuara dhe krahasimin mes tyre. Kjo teori më erdhi ndër mend veçanërisht ndërsa lexoja, si pjesë e këtij vëllimi, esenë brilante të Tarifës, titulluar “‘Brahmanët’ metafizikë të medias shqiptare”. Në këtë ese, Tarifa ironizon një lloj specieje analistësh mediatikë “të kudogjendur” e “të gjithëditur”, që e kanë shndërruar rolin e analistit në një lloj “profesioni pa profesion”. Këta “brahmanë” shqiptarë të medias artikulojnë në boshllëk ide shterpë; ata merren jo me faktet, por tjerrin nga vetvetja “analiza” që janë shumë larg problemeve reale të shoqërisë dhe, për këtë arsye, ose nuk thonë asgjë të re, ose flasin për gjëra që janë common knowledge. Ata manifestojnë një padituri të çuditshme dhe një problem moral për shëndetin e jetës kulturore në vendin tonë.

Analizat dhe polemikat e Fatos Tarifës për probleme të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, për domosdoshmërinë e reformimit të arsimit të lartë në vendin tonë, për probleme të politikës së jashtme, si edhe për një varg çështjesh të karakterit sociologjik e kulturologjik, janë brenda lëmisë së tij dhe karakterizohen si nga gjerësia e thellësia e dijes së tij në këto fusha, ashtu edhe nga saktësia shkencore e trajtimit të tyre.

Por Tarifa polemizon jo vetëm me autorë shqiptarë; ai polemizon edhe me intelektualë shumë të njohur në Perëndim, si Francis Fukuyama dhe Fareed Zakaria, disa nga pikëpamjet e të cilëve i gjykon të pasakta, ose jo të drejta. Tri esetë e fundit, në të cilat Tarifa polemizon me këta dy autorë amerikanë, janë, për mendimin tim, ndoshta më të mirat dhe më dinjitozet në këtë vëllim.

Me këtë libër, Fatos Tarifa konstrukton figurën e polemistit intelektual të sotëm dhe të një intelektuali të zhveshur nga komplekset dhe klientelizmi. Ai është një zë krejt i veçantë dhe tejet i artikuluar në shkencën sociale dhe në publicistikën politike shqiptare. Jo çdokush mund të jetë dakord me të gjitha argumentet dhe arsyetimet e tij në shkrimet polemike që përmban ky vëllim, por kjo është një gjë e natyrshme dhe e nënkuptuar në vetë konceptin e polemikës, si mendim në lëvizje dhe në zhvillim të pandërprerë. Sepse polemika stimulon vetveten, pra polemikën, kundër çdo lloj plogështie, rutine e dogmatizmi. Polemika e vë dhe e mban në lëvizje mendimin racional kritik. Bona fide e bën thjeshtësisht dhe meritueshëm këtë gjë—pra e lëviz mendimin. Dhe kjo nuk është pak. Prandaj, esetë polemike që përmban ky libër do t’i quaja një dëshmi protagoniste dhe një lloj sociologjie lëvizëse.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas