Mapo Letrare

Leximtarët e letërsisë shqipe, një sfidë me librin dhe autorët

Nga Agim Baçi

Prej disa kohësh njihen si klubi “Leximtarët e letërsisë shqipe” dhe kanë vendosur të komunikojnë në një mënyrë origjinale me shkrimtarët – duke i shkruar letra për t’i treguar përjetimet gjatë leximit të librave të tyre.



Rozi që drejton edhe librarinë “Ikra”, Flogerta, Blerina, Liridoni, Bledi, Xheni, Arlinda, Marseli, Fatmira, Dita, Klajdi, Irma, janë vetëm disa prej atyre që mblidhen për të debatuar për librat e tyre dhe të miqve, si dhe të shkëmbejnë idetë e tyre përmes një faqeje që i kushtohet më së shumti promovimit të shkrimtarëve të rinj. Nuk ka qëndrime klishe mbi libra e lexuar njëkohësisht, por debat të hapur mbi leximin, duke arsyetuar pëlqimin apo mospëlqimin. Një komunikim i tillë është një rikthim i magjisë së leximit, e njëkohësisht edhe i fuqisë së pafundme të lexuesit.

Letrat që po sjellim sot janë letra drejtuar Agim Baçit për librin e tij “Letër Dylqinjës”, – një libër me 18 letra drejtuar personazheve të njohura të letërsisë botërore, si Don Kishoti, Ema Bovari, Ana Karenina, Tom Sojeri, Bruti, Odeisa, Konti i Monte Kristos, apo edhe autorëve si Shekspiri, Cvajg e Milan Kundera. Letrat drejt Baçit janë si një vazhdim i librit, por tashmë përmes këndvështrimeve të lexuesve.

****

E di që është vonë, ama e njoh edhe veten dhe e di “problemin” që dashurohem shume fort dhe shumë shpejt pas gjerave të bukura dhe atyre që më bëjnë të ndjehem mirë! Nuk pres dot deri nesër, se ndryshe nuk do të fle dot duke menduar disa përshtypje mbi “Letër Dylqinjës”. Ndaj, duke qenë se sapo e mbarova do e them që tani, që pastaj të fle e qetë!

Një stil i embël oneginian që në çdo moment më rikujtonte…”Po marr guximin t’ju shkruaj…”, dhe ndjehesha pak Tatjanë në çdo letër! Dikush tha që është libër që zgjat pak, po jo! Eshtë libër që zgjat shume në fakt! Libër që të bën të bësh një listë të librave që akoma nuk ke lexuar, apo të atyre që duhet të rilexosh bazuar në letrat që marrim si përgjigje. Një stil që mua më erdhi si letërsi ruse, ndoshta sepse në librat e shkrimtarëve rusë komunikimi mes personazheve shumë shpesh bëhet me letra, po edhe në përzgjedhje më erdhi si i tillë! Duket qe autori është romantik më shumë se absurd dhe nuk mund të ishte ndryshe kjo perzgjedhje. (e di qe po guxoj shumë, ama po flas vetëm me ndjesi )!

Kush nuk e ka lexuar akoma duhet ta lexojë! Une u përlota me Tom Sojerin! Pa e ditur as vete mendja ime paska dashur t’ia bëjë këto pyetje! E di që u zgjata, e di edhe që kam shumë më shumë për të thënë akoma! Edhe diçka të fundit… nga sot e tutje në fund të çdo libri do shkruaj një letër e nisa që sot në fakt…

 

Tiranë, më 8 korrik, 2018

I dashur Agim!
I lexova me një frymë të gjitha letrat që kishe shkruar, e duke vrapuar kërkoja përgjigje nëpër rreshta! Nuk e di nëse të ka ndodhur të këndosh ndonjëherë ndërkohe që shkruaje, sepse unë gjatë gjithë kohës, dëgjoja muzikë ndër rreshta! Mund edhe të them se i këndoja në kokë të gjitha fjalët.
Sa shumë personazhe kemi brenda vetes, dhe çdo ditë ndjehem ashtu, si ata! Kam qarë me ta, kam qeshur, kam ndaluar e për orë me radhë nuk kam mundur të marr një pergjigje…a jam edhe unë ashtu? A e urreva sepse kam frikë mos e mbart atë ndjesi, apo e desha sepse bëri atë që kisha frike të bëja unë? A jemi edhe ne të huaj kaq shumë me veten tonë? Kaq shumë të ndryshueshëm e të mistershëm ndaj vetes? A nuk janë brenda nesh të gjitha personazhet që duam e ata që urrejmë? A i shtypim cdo ditë brenda vetes të gjithë, që të jemi si të gjithë? A është normale që justifikoja veten në çdo përgjigje të letrave? Ka shume pyetje mes rreshtave që këndoheshin në pak orë që buzeqesha, që u trishtova, që u gjenda, apo edhe u emocionova me shumë mall (Tom Sojerin, kuptova që e dashurokam akoma, njëlloj si atëherë kur e doja pa ditur se çfarë ishte dashuria)!
Nuk dua asnjë përgjigje, akoma nuk jam gati të pranoj gjithë të vërtetat!

Ama e shkrova këtë letër, të të falenderoj që veç të tjerave, për një moment, veç personazheve, të imagjinoja edhe shkrimtarët, ata që buzëqeshnin sot për mua, duke kapur penën apo dorën e fëmijëve të tyre letrare!

Faleminderit Agim,

Sinqerisht Blerina!

 

Më la edhe mua pa gjumë ky libër. Nuk e di për ju por e zorshme të harrohet lehtë, libër si kajmak do thoja

E dashur Dylqinjë!

Unë që po iu shkruaj jam një njeri që jetoj në kohën e jo-lexuesve. Unë nuk jetoj në planetin e ndjenjave siç shkronjësi ynë ju quan
“Planeti ndjenjave të Don Kishotit ‘.
S’më duket fort e besueshme si na e paraqet shkronjësi këtej nga anët tona, pasi erdhe tepër vonë tek ne…
Unë jetoj në kohën e një dukjeje të madhe e të një bujë të madhe, të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, ku ne njihemi me njëri-tjetrin si ndjekës, follwers si e thonë sot nga anët tona, Po ju? Ju keni ndjekës vetëm kalorësin tuaj, Sançon dhe Agimin. Ju nuk ju njoh dhe as ju nuk do të më njihni! Nuk kam fuqinë të merrem gjatë me ty zonjë!
Mbase kjo letër sa një libër, do ishte më mirë për ata që jetojnë duke lexuar se do t’i ndihmonte shumë për të mos e ndalur këtë rrugëtim. Nuk e di! Por di që Agimit ia bëre mirë që nuk iu përgjigje në letrën drejtuar ju. Nuk lexojnë më njerëzit këtej nga anët tona kaq gjatë dhe ne as do e merrnim mundimin për ta hapur atë letër. Kështu mendova dhe për ty, nuk iu përgjigje, si të ishe ndonjë nga ne ! Ndjesë nëse të paragjykoj! Shkronjësi ynë e di shumë mirë e s’ju ka bërë me dije se ne jetojmë në kohë krejt tjetër nga ju, krejt tjetër…
Në fakt duhet të të them se njerëzit në kohën tonë, nuk shkruajnë e as lexojnë asgjësend sepse nuk kanë kohë për të humbur për të tilla marrëzi.
Prandaj nëse më lejoni, t’ju ruaj nga ai, nëse do të të shkruajë sërish e ju do ndiheni ndoshta e bezdisur prej tij, që ta hiqni qafe aq shpejt siç rrotullohen mullinjtë e erës, ftoje për një selfie, së bashku me ju, me Don Kishotin e Sançon. Por ama mos u ndje e fyer nëse pak veta do ju njohin. Mos u çudit për ndjekësit që do ketë më shumë Sanço.
Ai patjetër duhet të na bëhet tallje e ditës, sepse në kohën tonë nëpër selfie, po ti shohësh me kujdes, librat dalin mbrapsht si Sanço…
Kështu kanë ardhur kohët, saqë edhe mullinjtë e erës të kohëve tuaja, ne i kemi në cover facebooku shoqëruar me ikona tallëse
E për t’i shpëtuar kësaj sindrome të këtij shekulli bën mirë ta nxisësh Don Kishotin, ta ftojë në duel shkronjësin tonë…
Të marrë fund njëhere e mirë njëra nga kohët ose juaja ose jona!
Tani po të lë shëndenë!
Paqe Dylqinjë!

**

Eh more Agim !

Mirë t’u bë! Po ç’tu desh a derëbardhë ai farë Sanço e ai farë Kishoti.
Unë jam një jo-lexues dhe jam në indinjatë të madhe me ju, që nuk më nisët kurrë një letër si të gjithë heronjve të tu ! Ta dija këtë histori ndoshta do e kurseja një status të tillë !
Mendoj se e kishe hak këtë duel!

Miqësisht nga Kumbarino fejsbukori.

***

Shkronjësit Agim!

Unë e lexova librin tuaj dhe ju jam mirënjohëse që më bëtë të ndjehem lexuese për letërsinë e bukur që zbulova në këtë “Letër Dylqinjës” .
Sigurisht duelin me Don Kishotin e humbët por jam e sigurt që e keni fituar me lexuesin.
Nuk dua të ndalem tek emocionet dhe nostalgjitë për disa personazhe të dashur fort e, vetëm di të them se më kishin munguar po kaq shumë. Një mall i bukur. Unë i kam takuar të gjithë personazhet ato kohë kur në qytetet e vogla rrallë vinin libra, njësoj siç unë shkoj shumë rrallë për pushime verore te gjyshi im në fshat. E vetmja shtëpi që kishte libra sa një qytet i tërë. E pata gjetur thesarin para Tom Sojerit atëherë…
dhe ky libër për mua është një biletë malli për t’u rikthyer tek shtëpia e tim gjyshi. E di që ky libër do jetë për bibliotekën time të vjetër si një thesar i ri që mungon në letërsinë tonë .

Pata fatin, pas një bisede me ju, të mësoja që paskeni shkruar një libër. Duke qenë se letërsia shqipe është e pa afirmuar sa duhet, duhej ta ndaja edhe me lexuesit e tjerë të klubit të lexuesve të letërsisë shqipe.

Kështu marrëzitë e tua dhe të personazheve në këtë libër nuk i lejova të më mrekullonin vetëm mua por edhe miqtë të cilët jam e bindur që do të mbeten pa fjale…e do të t’i kërkojnë si përgjigje nëpër letra të ngjashme, që do t’i shkruajnë në orën 4 a 5 të mëngjesit.

Paçi suksese në duelet tuaj letrare edhe jashtë Shqipërie gjithashtu!

Me duartrokitje 
Rozi Librari Ikra!

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas