Editorial

Lëvizjet në Prokurori u bënë për t’u hapur rrugë hetimeve, dhe jo për t’i bllokuar ato

Nga Ervis Iljazaj

Shkarkimi i Besim Hajdarmataj nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda u thirr skandal, me idenë se, kjo lëvizje erdhi me qëllimin për të penguar hetimin e disa prej çështjeve më të rëndësishme penale që përfliten kohët e fundit, përfshi këtu edhe çështjen Tahiri.



Ndërkohë që, e kundërta është e vërtetë. Shkarkimi i Hajdarmataj me shumë mundësi është bërë pikërisht për vonesat e këtyre e hetimeve.

Puna e Prokurorisë së Krimeve të Rënda gjatë viteve të fundit, nuk është aspak një punë për t’u lavdëruar, përkundrazi. Me gjithë respektin si person për Hajdarmataj, është kjo prokurori që nuk ka hetuar dhe nuk ka prerë asnjë flet arresti për çështjet më delikate dhe të bujshme të drejtësisë shqiptare.

Nën hundën e kësaj prokurorie, vendi u kanabizua dhe nuk pati asnjë hetim për përgjegjësit. Hetimi ndaj Saimir Tahirit, është e qartë për të gjithë, që nuk erdhi si pasojë e punës së saj, por si pasojë e punës së prokurorisë italiane.

Në këtë kuptim, Prokuroria shqiptare me largimin e Hajdarmataj, nuk është se pësoi ndonjë humbje të madhe profesionale. Prandaj, e gjithë histeria që kapi një pjesë të opinionit publik, apo edhe të politikës, është një absurditet, a thua se nga Krimet e rënda po largohej Giovanni Falcone, dhe jo një prokuror i cili nuk mbahet mënd për asnjë hetim kundër luftës ndaj korrupsionit politik dhe krimit të organizuar.

Të gjithë ata që menduan se çështja Tahiri, me lëvizjet e fundit në Prokurori do të mbyllej, sot kanë para syve faktin se kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Përtej çdo konspiracioni për marrëveshje të Tahirit dhe Ramës, dhe të arrestit me shtëpi për Tahirin si objekt i kësaj marrëveshje, të cilat ngelen vetëm hamendësime deri më tani, asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte parë një Ministër të Republikës të arrestuar.

Në shtëpi apo në burg kjo pak rëndësi ka. Duhet të kuptojmë që, masa e arrestit me burg është masë ekstreme, dhe jepet vetëm nëse ekzistojnë disa kushte që nuk është vendi për t’i përmendur të gjitha këtu. Por, ajo që është e rëndësishme është fakti se, nuk duhet rënë pre e drejtësisë popullore, e cila kërkon politikanë në burg, por, të presim me durim zhvillimin e një procesi gjyqësor ku respektohet të gjitha të drejtat e njeriut, përfshi këtu edhe prezumimin e pafajësisë deri në vendimin përfundimtar në të tria shkallët e gjyqësorit.

E megjithatë, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka apeluar vendimin e Gjykatës dhe vazhdon të kërkojë arrest me burg për Tahirin. E gjitha kjo histori, tregon faktin se, çështja e Tahirit nuk u mbyll absolutisht me lëvizjet e fundit në prokurori, por përkundrazi.

Çështja e Tahirit, nuk është e vetmja çështje e rëndësishme e drejtësisë shqiptare dhe luftës kundër krimit të organizuar. Ka dhe shumë dosje të tjera, nga të cilat në ditët në vijim, do të ketë me shumë mundësi zhvillime dhe lajme që do të vijnë nga prokuroria. Prandaj, lëvizjet e fundit në Prokurori duhen parë në këtë optikë. Në optikën e përshpejtimit të hetimeve kundër luftës ndaj krimit. Hetime të cilat, rinin pezull në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Duhet ta pranojmë njëherë e përgjithmonë se, me gjithë përpjekjet për të ndalur luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit politik, ky është një proces i pakthyeshëm tashmë. Këtë gjë e kërkon SHBA, e kërkon BE dhe qytetarët shqiptarë.

PasPara

1 koment

  1. Atëherë , i bie që shkarkimi i disa prokurorëve dhe vonesat në arrestime janë bërë me urdhëra partie , bash si në kohën e Enverit, por duke mos harruar se këtu futen edhe nderkombëtarët që na monitorojnë plus gjermanët , francezët apo holandezët e të tjerê. Qeverria po bën të pamundurën që të kalojë lumin pa u lagur, por po del e do të dalë e baltosur dhe e dhjerë sikur ka dalë nga kazani apo makina e fekaleve. Çdo ditë fakte e skandale të reja. Tashmë, sado sylesh që të jetë njeriu shqiptar dhe jo vetëm ai, e ka kuptuar se kjo qeveri është e zhytur në kazanët e plehrave në çdo cep të Shqipërisë. Nuk e di sa do të vazhdojë kjo , por edhe nderkombëtarët e dinë mirë se këtu nuk qeveriset, nuk ka rend, nuk ka drejtësi as veting. Çdo gjë ka marrë të tatëpjetën drejt greminës, kaosit, mosfunksionimit të institucioneve dhe as perendia nuk ka mundësi të na ndihmojë derisa të zgjohemi , të ndergjegjsohemi, të fillojmë të mendojmë, të arsyetojmë, e të kuptojmë se si jemi katandisur me këtë lloj qeverisje të papërgjegjshme. Qeverria dhe partia siciliste kërkon qoftë edhe një provë të vetme që të bindet se dikush ka të drejtë për akuzat si p.sh: kanabizimi i Shqipërisë, gomonet që transportojnë drogë, avionët po ashtu, pistat për këta avionë, tonelatat e kapura,laboratorët, ikja e gjysmës së shefava e nëpunësve të policisë në drejtim të paditur, makina e ministrit që u jepet ose shitet bandave, Agroni i Xhafës, bisedat , tabulatet , videot e sa e sa të tjera, që duhet një roman voluminoz për t’i përshkruar. Qeverria bën sikur , ndersa ne bëjmë sehir nga lumturia që na ka mbërthyer prej drogave të buta dhe të forta,që na siguron qeveria, sepse na do shumë siç do edhe Shqipërinë(Shqipëriaqëduam.al) apo jo moreeeee!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas