Arkiva 2

Lazarati “s’është vetëm çështje policie” thotë ministri, por a ka plan?!

Ministri i Brendshëm nuk ishte dakord dje, por pak shqiptarë do ta besojnë që policia ka ndonjë fije kontrolli mbi atë hqdefaultqë ndodh në Lazarat. Madje më shumë se kaq, sa herë kjo e fundit ka tentuar të vendosë kontroll apo marrë nën kontroll zonën është përballur me kundërshtim të hapur deri edhe me armë, ndërsa jo pak herë operacionet e policisë janë shoqëruar me “hakmarrje” kundër Gjirokastrës apo fshatrave në ultësirë, ku banorët ankohen për breshëritë prej Lazaratit që godasin çatitë e shtëpive.

Ministri i Brendshëm sidoqoftë thotë se “…nuk njeh zonë ku nuk ushtrohet autoriteti i shtetit dhe autoriteti policor”. Përballë kësaj, “Deutsche Welle” apo televizioni francez ‘M6’ sollën pamje jo të rralla, deri edhe të punëtorëve të hashashit ndërsa bënin gati bimën për shitje dhe paketonin atë. Media shqiptare nga ana tjetër ka përcjellë më shumë se një herë pamje edhe të fëmijëve që shkonin për të punuar në Lazarat. Në shumë vite, e vetmja gjë që ka bërë policia ka qenë një tentativë, duket e dështuar, për të bllokuar punëtorët e hashashit apo bllokuar ujin dhe plehun me postblloqe në të dalë të Gjirokastrës. Në të gjitha këto raste kundërpërgjigje kanë qenë të shtënat me armë nga zona mbi qytet. Hera e fundit është ajo e 13 gushtit, ku pas bllokimit të makinave dhe disa punëtorëve, një 26-vjeçare u plagos në Gjirokastër nga të shtënat prej fshatit.



Shumë njerëz do të thonë, a ka polici në fshat?! Në një nga herët që e vizituam dikur më 2004, pasi nga fshati u qëllua me armë kundër një helikopteri italian monitorues, në fshat kishte dy punonjës të policisë. Të dy, krejtësisht të qetë surbnin kafe prej tarracës së lokalit dhe poshtë tyre ndodheshin oborret e hashashit. Nuk ishte nevoja as të shkonin më larg sesa të dilnin nga kafeneja për të bërë punën e tyre, por duket, ishin dakordësuar me situatën.

Nuk dihet nëse sot ka ndonjë punonjës policie në fshatin e shumëpërfolur. Ndërkohë, 8 vite të qeverisjes së PD-së, e cila më herët kishte mbrojtur publikisht me deklarata zonën si të persekutuar prej policisë, asnjë tentativë për vënien nën kontroll apo ndalimin e mbjelljes së hashashit nuk funksionoi. Madje edhe vetë vizitat e funksionarëve të lartë, përfshi edhe ministra të Brendshëm, nuk kanë qenë të frytshme përtej deklaratave se gjithçka ishte nën kontroll, madje edhe dilnin prej andej me premtimin se banorët u kishin dhënë llafin që nuk do të mbillnin më hashash. Për të mos thënë që vizitat kryheshin dhe kishin në sfond oborret me narkotikë.

Por, a është Lazarati njolla e zezë? Banorët e fshatit ankohen prej kohësh për mungesë mundësish të tjera fitimi dhe po ashtu edhe për faktin se nuk janë të vetmit që kultivojnë hashash dhe se nuk kanë pse të jenë të vetmit të shënuar me gisht. Nga ana tjetër, fakti që gjithçka në fshat ndodh haptazi dhe jo fshehur mes pyjeve, duket i bën ata më të cenueshëm. Ministri i Brendshëm tentoi dje ta ndante fshatin në dy pjesë; në ata që e shkelin ligjin dhe ata që nuk e shkelin atë. “Unë përpiqem të besoj se bëjmë një gabim kolektiv kur Lazaratin e konsiderojmë një fenomen të paprekshëm në bllok, madje unë besoj se edhe ata që na dëgjojnë sot në Lazarat e ndjejnë presionin e të damkosurit si fshat, si fenomen kriminal”, – tha Sajmir Tahiri duke iu përgjigjur pyetjes për atë që ndodhte me fshatin.

Nëse ka sot ndonjë plan për të ndryshuar faktin dhe fshatin e përfolur është ende e paqartë, ministri nga ana e tij tha se ndërhyrja do të vijë shumë shpejt. “Ata, që në Lazarat dhe nëpërmjet tij kryejnë veprimtari kriminale, do marrin atë që meritojnë në kohë rekord. Policia e Shtetit dhe unë jemi fare të vendosur për këtë. Qeveria është e vendosur për këtë, pasi nuk njeh asnjë zonë ku nuk ushtrohet autoriteti i shtetit dhe autoriteti policor. Kjo është e sigurt”, – tha Tahiri. Por plani për ta bërë këtë mbetet i paqartë. Ministri i Brendshëm pranoi ndërkohë se çështja është më e komplikuar se një ndërhyrje policore, duke kërkuar në njëfarë mënyre edhe të ndajë përgjegjësitë për atë që ndodh në zonën e Lazaratit, edhe pse nuk ka sqaruar me atë që nënkupton me pohimin se nuk kemi të bëjmë vetëm me një “çështje policore”. “Di t’ju them që nuk bëjmë mirë ta konsiderojmë vetëm çështje policore mbjelljen e narkotikëve, jo vetëm në Lazarat. Është një çështje shumë më shumë sesa kaq dhe ndërhyrja në zonën e Lazaratit e përreth duhet të jetë shumë më shumë sesa policore”, – tha Tahiri.

Ai gjithashtu kërkoi që fshati dhe banorët e tij të ndërgjegjësoheshin, pra në njëfarë mënyre të braktisnin mbjelljen e narkotikëve. Gjasat që kjo të ndodhë vetiu sidoqoftë janë mjaft të vogla. Thirrjet u ngjajnë shumë deklaratave të mëhershme të ministrave që merrnin “zotime” se në Lazarat nuk do të mbillej më hashash, apo operacioneve të policisë për të bllokuar cisternat me ujë dhe furgonët me punëtorë.

PasPara

1 koment

  1. Je i vogel o Saimir,nuk mund ta zgjidhesh kete pune>policia ve rregull kudo e jo demostrsts te dera e fshatit,Aty jane interesa deputetesh ,shoket tend qe eshte ZOR TI DENOSH.TE FALA LAZARATI !!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas