Editorial

Largohen Lu dhe Vlahutin, a do të kemi më shumë sovranitet?

Nga Ervis Iljazaj

Kanë përfunduar misionin e tyre diplomatik në Shqipëri, Ambasadorja e BE-së Vlahutin dhe ai amerikan Donald Lu. Pa dyshim që, të dy ambasadorët gjatë misionin të tyre, kanë qenë në qendër të opinionin politik dhe publik shqiptar. Kjo ka ndodh për shkak të protagonizmit të tyre dhe për shkak të momentit politik që është ndodhur Shqipëria gjatë qëndrimit të tyre këtu. Shpeshherë janë diskutuar, janë kritikuar apo lavdëruar për qëndrimet që kanë mbajtur. Fakt është se, protagonizmi i tyre ka qenë jo normal për një diplomat të huaj. Të gjithë kujtojmë qëndrimet e ambasadores se BE-së, por sidomos të atij amerikan, për çështje të ndryshme. Qëndrime të qarta dhe të drejtpërdrejta, ndonjëherë edhe me emra, siç ishte ai i djeshmi i Donald Lu për Balilin. Të gjitha këto qëndrime mund të jenë të diskutueshme, por çështja kryesore është që, askush nuk mund të fshehë që ndërkombëtarët kanë ende një ndikim të madh në politikën shqiptare, dhe do vazhdojnë të kenë edhe pas largimin të dy ambasadorëve shumë të diskutuar.



Që nga momenti i ndryshimit të regjimeve, ndërkombëtarët kanë patur një rol thelbësor në politikën e vendit, dhe kanë shërbyer si fanar ndriçues në të gjitha proceset e tranzicionit politik. Të gjithë mendonim se, sa më shumë do të kalonte koha, Shqipëria do të ishte e aftë të vetëqeverisej dhe të bëhej sovrane në vendimmarrjet e saj politike të rëndësishme, ndërkohë që, e kundërta ndodhi. Roli i ndërkombëtarëve përgjatë gjithë tranzicionit dhe deri më sot , jo vetëm që nuk u reduktua, por vazhdoi të ishte po i njëjtë.

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, politika shqiptare do të vazhdojë të ndikohet edhe më shumë në të ardhmen nga ndërkombëtarët për disa arsye.

Së pari, rëndësia e zërit të ndërkombëtarëve ka ardhur si pasojë e besimit të ulët që ekziston ndaj politikës shqiptare nga ana e qytetarëve. Në këtë kuptim, ndërkombëtarët kanë luajtur rolin e një arbitri sa herë që politika ka qenë në konfliktualitet, dhe kjo është një gjendje përballë së cilës ndodhemi shpesh.

Së dyti, të gjitha proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë, kanë bërë që sovraniteti i saj të lëshohet gjithmonë e më shumë në favor të vendimmarrjes ndërkombëtare. Cedimi i sovranitetit është një gjë që tashmë e kemi të sanksionuar në Kushtetutë, dhe jemi të detyruar ta zbatojmë. Vendimmarrja politike, gjithmonë e më shumë, ka kaluar nga kombëtare në ndërkombëtare.

Së treti, në lojën gjeopolitike që zhvillohet në arenën ndërkombëtare nga fuqitë e mëdha botërore, ku Ballkani është një pjesë e rëndësishme e saj, vende të vogla si Shqipëria e kanë pothuajse të pashmangshme ndikimin e politikës së saj nga njëra apo tjetra fuqi. Ky nuk është një fat që po pëson vendi ynë, por një proces që po ndodh me të gjitha shtetet e tjera që kanë pak rëndësi në arenën ndërkombëtare. Gjeopolitika po luhet vetëm në pak pole të forta, ndërsa vendet e tjera, thjesht duhet të ndjekin drejtimin e përshtatshëm për to. Nëse vende të tjera më të rëndësishme dhe më të fuqishme, e kanë të vështirë të shpëtojnë nga ndikimi i fuqive të mëdha ndërkombëtare, atëherë, ne nuk mund të bëjmë përjashtim.

Për të gjitha këto arsye, të gjitha diskutimet mbi rolin e ndërkombëtarëve në politikën tonë të brendshme, janë thjesht një tension i panevojshëm. Sa më parë ta pranojmë rolin e rëndësishëm që ato do të vazhdojnë të kenë, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Mjafton që të zgjedhim krahun e duhur, që deri më tani duket se është plotësisht properëndimor.

PasPara

2 komente

  1. Periudha që kaluam ka qënë më zhgënjyesja që mund të mendohet. U krijua përshtypja se diplomatët mbyllën të dy sytë dhe veshët njëkohësisht, bash si dikush që ndodhet në vendin e krimit dhe nuk pranon të dëshmojë nga frika, nga korruptimi apo ndonjë arsye tjetër që logjika nuk e pranon. Njerëzit e këqinj dhe budallenjtë , në përgjithësi, kanë nevojë të jenë nën kontroll, nën vëxhgim e monitorim të përhershëm, pavarësisht nga rangu, pasuria, apo fama që kanë fituar si heronj të së keqes. Një njeri normal, sadopak i ndershëm, nuk do të dëshironte që të tjerêt që vinë pas tyre të ishin më indiferentë, më liberalë , duke i lejuar këta tanë të harboheshin pa kurrfarê freni. Kjo do të ishte më fatale se ajo që ka ndodhur në këto 4 – 5 vitet e fundit. Le të shpresojmë që ambassdorët që vinë së shpejti të mos pajtohen me të keqen, të kapen peshqit e mëdhenj, që s’ u kapën kurrë. Krimi, droga dhe korrupsioni të marrin goditjen fatale, sepse përveç vendit tonë ka leverdi edhe Evropa e bota në përgjithësi. Boll kemi eksportuar krime nepër botë. Dështimi i fundi, pas qindra të tjerëve, ishte moshapja e negociatave. Kjo ishte edhe ndihmesa e ambasadorëve, qëndrimi i tyre prej sehirxhinjve.

  2. Une mendoj se para se gjithash , jane vete mediat shqiptare ne pergjithesi qe ju mungon Sovraniteti i te Menduarit ne menyre te pavarur .
    Mungesa e pavaresise se medias sidomos asaj vizive , per pasoje , ka mundesuar qe edhe opinioni publik te jete ne teresi i varur nga politika e nderkombetareve .
    Mungesa e sovranitetit duket se edhe ne gazetari , vjen si rezultat i paaftesise se gazetareve per t’u perballur me te verteten edhe ne aspektin e politikes se dites me te huajt . Edhe keta te fundit qe vijne ne vendin tone si ” specialiste te zot ” , pergjithesisht dalin Kallp e me te dobet se politikanet dhe gazetaret vendas .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas