Aktualitet

Largimi i 300 punonjësve, Bashkia: Administrata ishte e fryrë

Largimi nga puna i 300 punonjësve në ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës ka ardhur pasi administrata e këtij institucioni ishte e fryrë, ndërkohë që për të njëjtën punë janë paguar edhe dy punonjës njëkohësisht. Për këtë arsye, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës nëpërmjet një vendimi të këshillit bashkiak kanë bërë një riorganizim të ndërmarrjeve të varësisë, për të shmangur mbivendosjet. Pas protestës së bërë për dy ditë radhazi nga punonjësit e shkarkuar, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku ka shpjeguar dje arsyet e largimit të tyre nga puna. “Ne kemi deklaruar me kohë që administrata e Bashkisë së Tiranës ka qenë e fryrë, por pas analizës së kujdesshme që u bë, pas analizës së funksioneve që kryente çdo ndërmarrje, duke pasur parasysh se për të njëjtin pozicion pune paguheshin dy persona, duke qenë se ne paguanim edhe firmën e pastrimit, edhe punonjësit e Ndërmarrjes Nr.1 për të njëjtin funksion, atëherë u pa e nevojshme që të evitoheshin këto mbivendosje”, – deklaroi Tabaku. Zv/kryetarja e Bashkisë sqaroi se ristrukturimi i Ndërmarrjes së Shërbimit Funeral është bërë, pasi funksionet e pastrim-gjelbërimit të të gjithë territorit të Tiranës, përfshirë edhe hapësirat e varrezave duhet të kryhen nga Ndërmarrja Nr.1, e cila ka pikërisht funksion pastrim-gjelbërimin. Sipas saj, një situatë e tillë paraqitet edhe me shërbimin e pastrimit, ku Bashkia e Tiranës ka të kontraktuara 5 firma që pastrojnë qytetin e Tiranës, ndërkohë që në të njëjtën kohë dhe për të njëjtin funksion paguheshin edhe një numër i konsiderueshëm punonjësish në Ndërmarrjen Nr.1. “Ristrukturimi ka prekur Ndërmarrjen Nr.1, që merret me pastrimin dhe gjelbërimin; Ndërmarrjen Nr.2 që kujdeset për mirëmbajtjen e rrugëve dhe ndriçimin; Ndërmarrjen Nr.3, e cila merret me mirëmbajtjen e shkollave, si dhe Ndërmarrjen e Shërbimit Funeral. Në total janë reduktuar 300 vende pune. Me këtë ristrukturim synohet një shërbim më i mirë ndaj qytetarëve, sikundër është reduktuar fondi i pagave me 4% në vitin në vijim dhe këto fonde adresohen për investime”, – deklaroi Tabaku. Nënkryetarja e Bashkisë shpjegoi se vendimi për ristrukturimin e ndërmarrjeve është marrë nga këshilli bashkiak në mbledhjen e tij të parë, që ishte në muajin tetor. Sipas saj, punonjësit janë njoftuar sipas afateve ligjore, 10 ditë pas marrjes së vendimit të këshillit bashkiak, ndërkohë që tani vendimi ka filluar të zbatohet. Lidhur me masat që do të marrë Bashkia për punonjësit që tashmë janë të papunë, Tabaku ka bërë të ditur se po shikohet mundësia që ata të paktën të kenë një pagë prej dy muajsh, siç e lejon edhe kontrata e tyre. Ndërkohë që në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, këta punonjës janë të regjistruar në listën e punëkërkuesve për qytetin e Tiranës dhe Bashkia së bashku me sektorin privat do të shikojnë mundësitë për punësimin e tyre.

 



 

Sektorët ku janë bërë shkurtimet

Ndërmarrja e Shërbimeve Funerale

Ndërmarrja Nr.1, e pastrimit dhe gjelbërimit

Ndërmarrja Nr.2, e mirëmbajtjes së rrugëve dhe ndriçimit

Ndërmarrja Nr.3, e mirëmbajtjes së shkollave

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas