Një 24-vjeçar tronditi mbarë opinionin publik një ditë më parë kur vrau 8 të afërm të tij në Selenicë të Vlorës.
Menjëherë u përhap lajmi se ai kishte probleme mendore a thua se kjo do shpjegonte gjithçka.
Më herët një person u ekzekutua në Shkodër duke e çuar numrin e viktimave në Shqipërinë e vogël në 9 brenda një dite.
Ka shumë gjëra të rënda në këtë situatë, por justifikimi nga ana e shtetit është më i rëndi.
Kur vret dikush si Ridvan Zykaj, thuhet se fajin e kanë problemet mendore; kur ekzekutohet dikush si Fatbardh Lici, thuhet se nuk u bë nami se kriminelët po zhdukin njëri-tjetrin; kur ndodh një krim në familje, thuhet se po rrënohet shoqëria; kur vdesin në aksident, fajësohet shoferi ose këmbësori; kur mbushet vendi me drogë quhet investim; kur vetëvriten, thuhet se u ka rënë dielli në kokë; kur nuk kapen trafikantët e fuqishë, thuhet se kjo ndodh edhe në vendet perëndimore.
Vetëm shteti nuk merr përgjegjësi. Asnjë dorëheqje. Asnjë reflektim. Sikur jemi në gjendje natyrale ku njerëzit vdesin e vriten si të duan.