Kronika

Ja 133 dëshmitarët e “Bandës së Tritolit”

largea_shperthim-makine-tritol-300x2131393709247Prokuroria i dorëzon Gjykatës së Krimeve të Rënda listën e dëshmitarëve që do të provojnë krimet e Julian Sinanajt dhe 6 të pandehurve të tjerë. Dëshmitarë edhe familjarë të gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi, si dhe familjarë të viktimave dhe atentateve me tritol

 



Për të provuar krimet e Julian Sinanajt dhe 6 të pandehurve të tjerë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dorëzuar Gjykatës një listë me 133 dëshmitarë të pyetur gjatë hetimeve mbi krimet apo episode të caktuara, të rrëfyera nga i akuzuari si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj dhe bashkëpunëtori i tij, Ndriçim Gjokona.

Në listën e dëshmitarëve janë politikanë e biznesmenë, si dhe familjarë të viktimave, apo persona që kanë dijeni për krimet e “Bandës së Tritolit. Sipas burimeve të prokurorisë mësohet se lisa nis me familjarë dhe të afërm të Julian Sinanajt, të cilët do të rrëfejnë jetën që ka bërë në Shqipëri 31-vjeçari, ndaj të cilit janë ngritur një sërë akuzash të rënda.

Mes dëshmitarëve që do të pyeten në gjykatë janë edhe familjarë të dy viktimave që dyshohet se janë vrarë nga Sinanaj: Sokol Veizi dhe Agron Çela. Të dyja këto krime janë pranuar nga i akuzuari si vrasës me pagesë, i cili ka rrëfyer me detaje dy vrasjet, për të cilat thotë se është paguar nga Erion Mëhilli, një tjetër bashkë i pandehur në procesin që pritet të nisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Po ashtu në listën e dëshmitarëve janë edhe politikanë dhe biznesmenë, të cilët kanë qenë objekt i atentateve të Sinanajt, por fatmirësisht plani i tij nuk është vënë në zbatim.

Mësohet se në listën e personave që do të pyeten para gjykatës janë Ardian Kollozi, banesa e të cilit u dëmtua nga shpërthimi i një sasie eksplozivi. Banesa e kreut të Partisë Demokratike për Vlorën u bë objektiv i një shpërthimi me eksploziv, ngjarje e cila sipas prokurorisë është porositur nga Erjon Mëhillaj.

Kjo ngjarje edhe pse është pranuar në disa dëshmi prej Julian Sinanajt, në deklarimet që ai ka dhënë përpara prokurorëve në Tetor të këtij viti, ka mohuar kryerjen e këtij krimi duke thënë se ngjarjen e kishte mësuar nga televizori.

Në cilësinë e dëshmitarit akuza pritet të pyesë përpara gjykatës edhe deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Shkëlqim Selami, i cili është banor i të njëjtit pallat ku jeton edhe Ardian Kollozi, banesa e të cilit sipas prokurorisë ka qenë objektiv i atentatit me tritol. Më pas në listën prej 133 dëshmitarësh, organi i akuzës ka përfshirë edhe ish-prefektin e Vlorës, Besnik Dervishi, pasi në automjetin e tij u gjet një sasi e konsiderueshme eksplozivi, bombë e cila pranohet se është përgatitur nga Julian Sinanaj.

Motivet e këtij krimi nuk janë sqaruar ende nga organi i akuzës, por në dëshminë e tij Sinanaj thotë se bomba me celular është porositur nga Marjon Mitro, një biznesmen në qytetin e Vlorës, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në pritje të gjykimit. Ortaku i tij në biznes, i përfshirë në dëshminë e Sinanajt si një nga personat që kishte dijeni për një tjetër vrasjes të porositur nga Mitro, gjithashtu është pjesë e listës së dëshmitarëve që do të thirren në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Po ashtu prokuroria thotë se në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarje apo episode të caktuara, janë edhe disa biznesmenë, dy prej të cilëve ishin objektiv i Sinanajt, pasi ai ishte paguar për vrasjen e tyre. Në dëshminë e tij, Julian Sinanaj thotë se ka marrë si shpërblim një dyqan në qytetin e Vlorës nga Marjon Mitro për vrasjen e shtetasit J. M, një biznesmen me banim në qytetin e Vlorës.

Kjo vrasje nuk është realizuar prej tij, pasi ai ka patur frikë se mos ishte një kurth i ngritur nga Erjon Mëhilli, i cili sipas dëshmisë së Sinanajt i kishte ende borxh shpërblimin e premtuar për vrasjen e Sokol Veizit, ngjarje kjo e ndodhur në gusht të vitit 2012 në qytetin e Orikumit.

Në listën e dëshmitarëve të prokurorisë nuk mungon as biznesmeni i gazit, Pirro Bare, i cili ishte objektiv i Sinanajt, pasi u pagua 50 mijë euro nga rivali në biznes i Bares, Ilir Karçini, aktualisht i arrestuar. Por pavarësisht listës së gjatë të dëshmitarëve, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka thirrur përpara gjykatës një sërë emrash të përmendur nga bashkëpunëtor i drejtësisë, Ndriçim Gjokona dhe i penduari, Julian Sinanaj, si persona që kishin dijeni për disa prej krimeve të kryera nga i ashtuquajturi vrasës me pagesë.

Dëshmitarë edhe të afërm të Skerdilajd Konomit

Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, edhe pse konsiderohet ende e pazbardhur nga Prokuroria dhe vijon të hetohet, pritet të jetë pjesë e procesit që do të nisë pas pak ditësh ndaj të akuzuarve si pjesë e “Bandës së Tritolit”.

Dy prej të penduarve, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona kanë dëshmuar se Erjon Mëhilli iu ka treguar autorët e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Në deklarimet që ata kanë dhënë në prokurori, ndër të tjera kanë folur edhe për vrasjen me eksploziv që ndodhi në qendër të qytetit të Vlorës.

Ata kanë deklaruar se vrasja është porositur nga Durrësi për shkak të konfliktit të pronave që familja e gjyqtarit kishte për tokat në Gjirin e Lalzit dhe Hamallaj. Edhe pse kjo ngjarje konsiderohet ende e pazbardhur, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të thërrasë si dëshmitarë të afërm të gjyqtarit të vrarë.

  1. Ardian Kollozi
  2. Shkëlqim Selami
  3. Besnik Dervishi
  4. Pirro Bare

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas