Dikur

Kush i inkurajoi të prostituojnë?

korejaMë shumë se 120 ish- prostituta, që kanë punuar pranë një baze ushtarake amerikane në Korenë e Jugut, janë duke kërkuar kompensim në gjykatë nga qeveria koreane. Ato thonë se autoritetet e kanë lehtësuar në mënyrë aktive punën e tyre- dhe sistemi i ka lënë në varfëri, tani që janë të moshuara

Nga Stephen Evans, BBC



 

Gjithmonë kur ushtritë mblidhen nëpër garnizone, rreth tyre ngrihen kampe- qyteza.

Në Korenë e Jugut, ato arrijnë deri pranë mureve të bazave amerikane – natën, ato ndizen nga muzika dhe neonet, ditën, e marrin veten nga nata e mëparshme.

Tani ato janë skenë e një përplasje interesante ligjore.

Më shumë se 120 ish- prostituta, që janë të plakura dhe të varfra, kanë vendosur të padisin, jo autoritetet amerikane, por qeverinë e tyre, duke kërkuar kompensim në vlerën e 10 mijë dollarëve secila.

Argumenti i tyre është se qeveria e Koresë së Jugut e ka lehtësuar punën e tyre, në mënyrë që të mbante forcat amerikane të lumtura.

Në një qendër komunitare pranë bazës amerikane në Uijeongbu në Korenë e Jugut, një grup prej tyre mblidhet për të shpjeguar rastin.

“Ne punonim gjithë natën. Ajo që dua është që qeveria koreane të njohë që ky është një sistem që e kanë krijuar ata… si dhe kompensim”.

Argumenti i tyre nuk është që Koreja e Jugut i ka detyruar që të punojnë si prostituta- ky nuk është rasti i skllavërisë seksuale- por duke institucionalizuar një sistem të detyrueshëm dhe zyrtar të kontrollit të shëndetit të tyre seksual, ata janë bashkëpunëtorë dhe kanë lehtësuar një sistem, që i ka lënë tani në varfëri.

Po ashtu, ato thonë se atyre iu janë dhënë leksione në anglisht dhe kurse për ‘mirësjelljen perëndimore’.

Gratë, pa asnjë ndryshim, thonë se janë shtyrë në prostitucion, sepse ato ishin të varfra dhe jetonin në një vend shumë të varfër.

Ato aplikuan për punë të paspecifikuara dhe e gjetën veten në lokalet dhe shtëpitë publike, të kyçura në sistem.

“Në vitin 1971, shkova në një qendër punësimi dhe këshilltari më kërkoi që të ngrihem dhe të ulem. Më hodhi një sy dhe më premtoi një punë që do më siguronte një vend për të qëndruar dhe për të ngrënë, unë thjesht do punoja dhe të tjerat do më siguroheshin nga shefi im,” thotë një grua.

Ato po ashtu argumentojnë se pati një miratim të heshtur, për shkak se vendi kishte nevojë për valutë të huaj. Prostitutat përçmoheshin si njerëz, por dollarët që fitonin ishin të mirëpritur.

“Kishte gjithmonë një debat në lidhje me dollarët e fituar duke punuar në klube nate dhe se këto do të të bënin patriot. Ne fitonim shumë dollarë në kamp,” më tregon një grua.

Zëri i tyre ngrihet me zemërim dhe bie në trishtim kur ato tregojnë historitë e tyre.

“Pranova punën dhe shkova në një nga këto lokalet. Sapo mbërrita, ia mbatha vrapit. Por më kapi pronari i lokalit, i cili më shiti tek një tjetër lokal, ku pata edhe klientin e parë,” thotë njëra.

Por çështja e tyre është komplekse.

Është e vërtetë që qeveria e Koresë së Jugut ngriti klinika, por këto zëvendësuan rrjetin jozyrtar të mjekëve, disa prej tyre me kualifikim të dobët, që i certifikonin gratë si të lira nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Qeveria nuk po e komenton çështjen, por mund të argumentojë, kur të nisi gjyqi, që ngritja e klinikave nuk e lehtëson prostitucionin, por është një përpjekje për t’i mbrojtur gratë e përfshira.

Në vitet ’70 kishte një frikë në Korenë e Jugut se Uashingtoni mund të tërhiqte trupat.

“Mendoj se qeveria ka njëfarë faji pasi disa nga zyrtarët koreanë shkuan në vitet ’70 tek kampet dhe tentuan që të bindin gratë që të punon si prostituta për të bashkëpunuar me komandën ushtarake amerikane,” thotë Dr. Kathy Moon nga Instituti Brooking, që ka shkruar librin “Seks mes aleatëve”, një studim i rëndësishëm për prostitucionin dhe ushtrinë amerikane në Korenë e Jugut.

“Prioriteti ishte që komanda e ushtrisë amerikane të ishte e lumtur, në mënyrë që ata të qëndronin në Kore, pasi kishte kërcënime për tërheqjen e trupave amerikane”.

Prioriteti i klinikave, thotë Moon, ishte që të ruanin shëndetin e mirëqenien e trupave amerikane, jo të grave koreane.

Stafi ishte thjesht i interesuar për shëndetin seksual të femrave, nuk interesohej për sëmundjet e tjera.

Moon thekson me dhimbje se ndryshe nga prostitutat koreano- jugore të Luftës së Dytë Botërore, që ishin detyruar të bëheshin skllave seksi nga ushtria japoneze- shumë nga këto gra pranuan të prostituojnë, por me gjysëm zemre. Më pas ato ngecën aty.

“Pasi i hynin kësaj pune, nuk dilnin lehtësisht. Ato përdhunoheshin vazhdimisht- përdhunoheshin nga menaxheri,” thotë ajo.

Gjatë viteve, sjellja e ushtrisë amerikane ka ndryshuar. Tani ka një tolerancë zero ndaj ushtarakëve që përdorin prostitutat.

Patrullat e policisë ushtarake monitorojnë lagjet e dritave të kuqe dhe futen në lokale për të kapur shkelësit.

Prostitucioni është i paligjshëm në Korenë e Jugut që nga viti 2004- edhe pse askush nuk e dyshon që vazhdon akoma.

Natyra e tregtisë ka ndryshuar gjithashtu. Kur Koreja e Jugut ishte e varfër, gratë në këtë vend e shisnin seksin në baza. Por sot, tani që Koreja e Jugut është një shoqëri gjithnjë e më e pasur, janë kryesisht femrat nga Rusia dhe Filipinet që e bëjnë këtë punë.

Por kjo nuk e zvogëlon dhimbjen dhe ankthin e grave të moshaura, që tani përballen me një pleqëri të vështirë.

Jang Young-mi, që është në fund të 60 viteve, jeton në një dhomë, e vetme, me tre qen.

Ajo ka punuar në kamp për dy dekada dhe tani ka vetëm varfëri për të treguar.

“Ndoshta për shkak se kam jetuar për shumë kohë me ushtarët amerikanë, unë nuk mund të përshtatem më me koreanët,” thotë ajo.

“Pse jeta ime duhej të merrte këtë kthesë?”

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas