KMR

Kush është shkaku i gënjeshtrës dhe si mund të çlirohemi prej saj?

Gënjeshtra pavarësisht se i ka “këmbët e shkurtra” dhe “hundën e gjatë”, domethënë nuk shkon gjatë edhe nuk do mbetet pa u zbuluar, përsëri njerëzit e përdorin dhe nuk heqin dorë prej saj.

Gënjeshtra shprehet me fjalë,me shkrim,me qëndrim, por edhe me veprime. Njerëzit gënjejnë sepse duan t’i shmangen një turpërimi, qortimi apo një ndëshkimi, apo për shaka. Kur gënjeshtra bëhet zakon  atëherë ajo kthehet në pasion të papërmbajtur edhe individi shëndrohet në një gënjeshtar, mashtrues patologjik.



Jetojmë në një kohë kur pavarësisht moshës edhe statusit pothuajse të gjithë njerëzit gënjejnë, si fëmijët-prindërit, prindërit-fëmijët, partnerët dhe bashkëshortët, po ashtu vëllezërit, miqtë, shokët njëri-tjetrin, etj. Gënjeshtra përdoret nga të të gjithë shtresat e statusit shoqëror, që nga pushtetari më i lartë deri tek qytetari më i thjeshtë, po ashtu në çdo fushë të shoqërisë. Kemi gënjeshtra politike, ekonomike, historike madje edhe religjoze.E gjithë kjo kakofoni të jep idenë se gënjeshtra është mëse e natyrshme edhe pa atë nuk mund të bëjmë përpara si shoqëri njerëzore.

Dr. Leonard Sakse, Ph.D. një ekspert i poligrafisë dhe profesor i psikologjisë në Universitetin Brandeis, thotë: “Gënjeshtra ka qenë prej kohësh një pjesë e jetës së përditëshme, nuk kemi mundur të kalojmë ditën pa u mashtruar.”

Bella DePaulo, Ph.D. psikologe në Universitetin e Virxhinias, konfirmon pohimin e Nietzçes se: “gënjeshtra është një kusht i jetës”. Në vitin 1996, De Paulo dhe kolegët e saj morën në studim 147 njerëz  të moshës  nga 18 deri 71 vjeç dhe mbajtën në  një ditar  të gjitha gënjeshtrat që ata i thanë gjatë një jave. Eksperimenti tregoi se shumica e atyre njerëzve, gënjyen një herë ose dy herë në ditë edhe më shumë,më shpesh seç mund të hapnin figoriferin edhe të lanin dhëmbët.

Gënjeshtra me të gjithë shumëllojshmërinë e saj është e dëmshme në radhë të parë për atë që gënjen, ashtu siç thotë  fjala e urtë: “ Dëshmitari  gënjeshtar nuk do të mbetet pa qortim dhe ai që gënjen nuk do t’i iki dënimit”( Fjalët e urta19: 3). Qortimi është në radhë të parë në aspektin psikologjik dhe moral, domethënë, vrasje ndëgjegje,ose turpërimi, përçmimi, apo veçimi nga shoqëria, por edhe një dënim penal nga kodi i të drejtës civile, në rastin kur gënjeshtari dëmton integritetin, jetën e të tjerëve, ose cënon shoqërinë.

Sipas studimeve gënjeshtra dëmton shëndetin fizik edhe mendor të atij që gënjen, sepse nga frika e vazhdueshme se mos i zbulohet gënjeshtra, ai është në gjendje të vazhdueshme stresi, me dhimbje koke, gjendje ankthi, pagjumësi që kthehet në lodhje mendore deri në neoroz. Kur gënjeshtra bëhet e pamenaxhueshme atëhere ajo bëhet një problem mendor patologjik. Gënjeshtra patologjike e quajtur edhe mitomania, është një sjellje e vazhdueshme e gënjeshtrave, ose një gjendje mendore e pandreqshme. Mitomania mund të jetë e pranishme në problemet mendore siç janë ç’regullimit e personalitet, çregullimi bipolar, apo skizofrenia. Disa psikiatër dallojnë të sëmurët mendor nga gënjeshtarët patologjike, ndërsa të tjerë i konsiderojnë të barazvlefshëm. Ajo u përshkrua për herë të parë në literaturën mjekësore në 1891 nga Anton Delbrueck. Gënjeshtrat patologjike janë faktori një, në Listën e Kontrollit të Psikopatisë (PCL).

Megjithëse ne si shoqëri e civilizuar përpiqemi të jemi të edukuar edhe të orientuar moralisht, për të mos gënjyer duke u mësuar se gënjeshtra është e keqe dhe se gjithmonë është më mirë të thuash të vërtetën, përsëri në përgjithësi shoqëria e inkurajon dhe madje shpërblen gënjeshtrën ose mashtrimin. Njerëzit e suksesshëm sot në shumicën e rasteve janë ata që gënjejnë më tepër se të tjerët, madje me paturpësi. Gënjeshtra është bërë pjesë përbërëse e disa  profesioneve si: e tregtarit, avokatit, gazetarit dhe sidomos i politikanit.Pavarësisht se politika quhet: “arti i së mundshmes” nga politikani gënjeshtar kthehet “në artin e gënjeshtrës”.Politikani gënjeshtar ka sukses në fushatën elektorale, sepse  në shoqërinë ku gënjeshtra është pasion i justifikuar, publiku zakonisht nuk dëshiron të dëgjojë të vërtetën, por dëshiron të dëgjojnë atë që duan të dëgjojnë, një gënjeshtër të stërholluar, ashtu si thuhet:“më gënje se më vjen mirë”.

Shoqëria njerëzore sado po emancipohet përsëri nuk po çlirohet dot nga gënjeshtra, përkundrazi fenomeni i gënjeshtrës është gjithnjë në rritje edhe kjo gjendje kondrandiktore vërteton fjalët profetike të apostull Pavlit për njerëzit e kohës së fundit: “Por njerëzit e këqinj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq duke gënjyer edhe duke u gënjyer vetë”( 2 Timotheut 3-13)”. Kjo profetësi tregon se njerëzit do të jepen kaq shumë mbas gënjeshtrës,sa do t’i besojnë edhe vetë gënjeshtrat e tyre. Mund të themi se sot kemi një brez gënjeshtar patologjikisht të pashërueshëm. Shkrimi i Shenjtë na thotë se gënjeshtra do të rritet në mënyrë progresive si ajo,ekonomike,politike,historike,kulturore dhe religjoze dhe do të vij një kohë që do të bëhet mbisunduese dhe globale, në kohën e antikrishtit i cili do gënjejë pothuaj të gjithë njerëzit, që do ta besojnë dhe adhurojnë si njeriu-perëndi. Ai pritet të shfaqet pak para ardhjes së dytë të Zoti Jisu Krisht në botë : “Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij.Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekullish të rreme,dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar.” (2 Thesal 2:8-10)

Kush është shkaku i gënjeshtrës?

Çdo gjë në këtë botë si edhe në aspektin psikologjik funksionon sipas parimit shkak- pasojë. Edhe gënjeshtra si një problem psikologjik e ka shkakun e saj. Shumë njerëz të shquar përgjat shekujve si filozof, moralist, fetar, artist, psikolog, shkencëtar janë shprehur për gënjeshtrën, por asnjëri prej tyre nuk na jep qartë shkakun e gënjeshtrës. Shkakun e gënjeshtrës ka zbuluar vetëm Jisu Krishti i Biri Perëndisë –Biri I Njeriut, i cili tha për vetveten:“Unë jam e vërteta” (Joani 14:6). Jisu Krishti shkakun e gënjeshtrës e gjen tek djalli. Ai i drejtohet me këto fjalë qortuese atyre që kundërshtonin të vërtetën e Tij dhe ngjiteshin mbas gënjeshtrave :”Ju jeni nga djalli, që është ati juaj dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj,ai është njeri vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën,sepse në të nuk të vërtetë.Kur thotë gënjeshtra,flet nga vetë vetja,sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës”  (Jaoni 18:44)

Sipas Shkrimit të Shenjtë engjëll Eusfori i cili më vonë u quajt djalli (gënjeshtari) nga vetëpëlqimi e krijoj në fillim gënjeshtrën brenda vetes, duke besuar: “se ishte i barabartë me Perëndinë”. Ai gënjeu edhe disa engjëj të tjerë të cilët u kthyen në demon (engjëj të rënë) sepse i besuan djallit që i gënjeu: “do t’ju çoj në horizonte më të larta shpirtërore, se nga ato që u ka vendosur Perëndia ”. Së fundi djalli gënjeu edhe çiftin e parë njerëzor Adamin –Eva në kopshtin e Edenit: “se ata do të bëheshin perëndi duke ngrënë frutin e ndaluar nga pema e të mirës dhe të së keqes”. (Zanafilla, kapitulli: 3)

Kur çifti i parë e pranoj gënjeshtrën, atëhere kjo energji negative e djallit u injektua brenda psiqikës së  njeriut,që në embrion e tij, ashtu  si psalmisti thotë: “ Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtar kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.” (Psal 58:3-4)

Sipas doktrinës së krishterë njeriu gënjen se lind mëkatar,ai sapo mëson të flasë nxitet nga brenda të gënjejë dhe sa më shumë rritet aq më shumë gënjen. Këtë fakt e vërtetojnë edhe eksperimente të bërë nga psikologët, që cilët vërtetojnë se tek fëmijët nga mosha 2 deri në 7-8 vjec, ka një rritje progresive të gënjeshtrës deri në 100%.Kjo tendencë në rritje për gënjeshtrën tek fëmijët për disa psikolog nuk është aspak shqetësuese dhe se  prindërit nuk duhen të shqetësohen sepse sipas tyre; “gënjeshtrat tek fëmijët janë tregues të aritjeve dhe aftësive sociale për vetveten, ose për të lexuar mendjen e tjetrit”.

Madje për psikologët disa gënjeshtra të quajtura “të bardha” shikohen si të dobishme për të rregualluar mardhëniet midis njerëzve, si psh ato që thuhen në çift. Ata mbështeten tek ky kostatim edhe tek pyetja që bëri filozofi gjerman Emanuel Kannti (1724 -1804): “Cfarë do të bënit, nëse dikush që është duke vrapuar pranë jush me një armë në dorë, ju pyet nëse ka kaluar dikush më parë dhe çfarë drejtimi ka marë? Po të them të vërtetën kjo mund të rezultojë në vdekje ose plagosje të rëndë, kurse gënjeshtra mund ta shpëtoj jetë, dhëmbshuria duhet të fitojë ndaj ndershmërisë”.

Duhet të pranojmë se pyetja e Kantit pë ta justifikuar gënjeshtrën është një rast relativ edhe jo absolut. Kjo pyetje e Kantit na bën të mendojmë se e vërteta duhet thënë me dallim,aq sa ajo nuk dëmton jetën e tjetrit,ashtu si dhe Krishti porositi nxënësit e tij kur i dërgoi dy e nga dy për t’ju thënë të vërtetën njerëzve :“Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.”(Mateu 10:16 ).

Por mençuria për të thënë të vërtetën me dallim ose nevoja e një gënjeshtre “të bardhë” në raste të veçanta,për të shpëtuar jetën e tjetrit , nuk e justifikon aspak zakonin e gënjeshtërs që ka si thelb mashtrimin ndaj tjetrit dhe për më tepër ka si shkak dhe krijues djallin, i cili zakonin e gënjeshtrave të  “bardha”, të padëmbshme, do ta shfrytëzojë dhe shpejt do t’i bëjë të zeza dhe të dëmshme.

Si mund të çlirohemi nga gënjeshtra?

Që të largohet gënjeshtra me gjithë pasojat e saj duhet të largohet shkaku i saj, domethënë djalli. Njeriu që lind dhe rritet mëkatar i vetëm nuk mund ta bëjë këtë gjë,por me ndihmën Perëndisë nëpërmjet Jisu Krishtit të Birit të Perëndisë, po, sepse: “Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.”(1 Joanit 3:8 ).

Pamundësinë tragjike të njeriut për tu liruar vetë nga gënjeshtra dhe ç`do mëkat tjetër që ndodhet brenda psiqikës së tij injektuar nga djalli,na e shpjegon sinqerisht dhe shumë qartë apostull Pavli: “Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s`jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua. Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua. Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia. Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes? I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë”.(Romakëve kap 7 :20-25)

Jisu Krishti zbriti nga qielli dhe si Perëndi-Njeri e mundi djallin (gënjeshtarin) në teritorin e tij në botën e mëkatit, duke u thënë  gjithmonë të vërtetën njerëzve dhe duke vdekur vullnetarisht në kryq, për të shlyer mëkatet e tyre, një ndër to edhe gënjeshtrat. Ai që bashkohet me Krishtin me anën e besimit nëpërmjet Misterit të  Pagëzimit:“Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur”(Galatasve 3:27), i falen mëkatet dhe fryma gënjeshtare e djallit që banon brenda tij largohet. Ai besimtar që kërkon të pagëzohet në Kishën Orthodhokse pyetet në lirinë e tij: “E mohon satanan e gjithë adhurimin dhe veprat e tij” i kthyer nga perëndimi simboli i erësirës përgjigjet: “e mohoj” dhe pastaj i kthyer nga lindja simbol i dritës, pyetet përsëri “e beson Jisu Krishtin si Zot dhe Perëndi” dhe përgjigjet: “e besoj dhe i falem si Zot edhe Perëndi”. I sapo pagëzuari në Krishtin, nëpërmjet Misterit të Mirosjes mbushet me Shpirtin e Krishtit, me fuqinë për të thënë të vërtetën, ashtu si Krishti u tha apostujve :”E kur të vijë Ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë”( Joani :1-13)

Prandaj apostull Pavli i çliruar nga pasioni i gënjeshtrës  u thotë besimtarëve më Krishtin: “Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t`i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njeri me tjetrin.”(Efesianve 4:25)

Ata besimtar që mbas pagëzimit tundohen nga fryma gënjeshtare edhe përsëri u rrëzuan në gënjeshtrën për shkak të dobësis së tyre, duhet të lirohen sa më shpejt nga e keqja e saj nëpërmjet Misterin të Pendim –Rrëfimit,ashtu si apostull Joani thotë:” Po ti rrëfejmë mëkatet tona,Ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi,…Kemi një avokat tek Ati,Jisu Krishtin të drejtin .“( 1 Joanit: 1;9- 2 ;1)

Kurse apostull Pjetri iu thotë njerëzve: “ kush do të dojë jetën edhe të shohë ditë të mira, le të ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga e folura me mashtrime”(Pjetri 1: 3-10)

Në të kundërtën ai njeri që do mbetet në rethin vicioz të vesit të gënjeshtrës dhe nuk dëshiron të çlirohet me ndihmën e Krishtit, i cili thotë: “sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.”(Joani 15:5) , jo vetëm nuk do të përfitojë prej gënjeshtrës , por në të kundërtën shpejt do të dëmtohet prej saj, si psikologjikisht me vrasje  ndërgjegje, sëmundje mendore, përçmim dhe veçim nga shoqëria, ose ndjekje penale, por mbi të gjitha do të ketë mbi vetë zëmërimin e Perëndisë, që thotë: Mos gënje”(Eksodi 20:16)  sepse : “Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin.”(Proverbat 12:22)

Në qoftë se dikush nuk do ta largojë gënjeshtrën dhe do të mbetet i bashkuar me atë deri në fundin e jetës, atëhere mbas vdekjes me shpirt edhe mbas ngjalljes të vdekurve edhe me trup do të përfundoj në vendin e dënimit të përjetëshëm, ku do hidhet djalli “ati i gënjeshtrës” dhe antikrishti si na thuhet tek  Zbulesa: “Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve.”(Zbulesa 20:10)“ “Kurse ….dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.” (Zbulesa 21:8)

Nga Miron Çako; përgjegjësi i Zyrës Katekizmit pranë Kryepiskopatës KOASH Tiranë

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas