Bota

Kush është Ivan Savvidis, oligarku rus që po investon në zemër të Ballkanit

Në disa media greke ka zënë vend një artikull i botuar në portalin e diasporës greke në Shtetet e Bashkuara “National Herald”, mbi sipërmarrësin greko-rus Ivan Savvidis, i cili paraqitet si përfaqësues i një lloji të ri të oligarkut në Greqi, të importuar nga Rusia.

Nëse karakteristika e oligarkut tradicional grek është gjithsesi orientimi i tij pro-Perëndimor, Ivan Savvidis është një risi, “the unknown face”. Pasuria e tij është e bërë jashtë Greqisë, të cilën po e investon me hapa tepër të shpejtë në Selanik dhe zonën përreth tij, pra në hyrje të Ballkanit, aty ku interesat amerikane dhe ruse po përplasen. Politikisht, Savvidis ka hyrë në përplasje me Partinë e Demokracisë së Re[1] dhe mbështet hapur Kryeministrin Tsipras, të cilin e krahason pozitivisht me Vladimir Putin (të cilin e ka mik të besuar).



“Për një numër të madh të grekëve, veçanërisht në Greqinë veriore, Ivan Savvidi përfaqëson një “shpëtimtar” modern ekonomik që ofron me bujari para dhe vende pune në periudhë krize, para për të cilat askush nuk e di origjinën e tyre. Për Perëndimin, e sidomos për Shtetet e Bashkuara, biznesmeni i ardhur nga Rusia dhe shfaqja e tij e shpejtë si protagonist i çështjeve të biznesit, përfaqësojnë dorën e gjatë të Vladimir Putinit në rajon dhe shembullin më të shquar të oligarkisë së re në Greqi, të ardhur nga post-skena sovjetike, mbështetës si “aksioner me 50%” i qeverisë Tsipra dhe një të ngjashëm me të nuk e kemi parë më parë”, komenton gazeta The American Interest.

Ivan Savvidis zotëron tashmë asete të konsidereshme në veri të Greqisë, në zonën e Selanikut, të blera pas krizës ekonomike në vend. Që prej 8 vjetësh ai ka blerë dhe aktualisht ka në zotërim një konglomerat duhani, hotelin luksoz Makedonia në Selanik, skuadrën e futbollit PAOK të Selanikut, resorte turistike, një stacion televiziv kombëtar, një kompani ambalazhimi uji, tre gazeta, magazina industriale dhe më së fundi Portin e Selanikut. Në procesin e privatizimit të portit të Selanikut, në qershor 2017 doli fituese konsorciumi Deutsche Invest Equity Partners GmbH (gjermane), CMA CGM Terminal Link (franceze) dhe Belterra Investments Ltd (e kontrolluar nga Ivan Savvidis), i cili ka 67% të aksioneve të autoritetit portual. Fituesi i tenderit u konfirmua në fund të dhjetorit 2017.

Ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt, ka kritikuar zëshëm përzgjedhjen e fituesit të tenderit për portin e Selanikut, duke u shprehur gjatë Konferencës vjetore të Dhomës së Tregtisë Amerikane-Greke me 5.12.2017 se: “Kemi parë vështirësitë që has privatizimi në Greqi, si ai në portin e Selanikut, ku është e paqartë se kush janë investitorët privatë dhe nga vijnë paratë e tyre”.

Blerja e Portit të Selanikut nga ky konsorcium me lidhje të dyshimta me Kremlinin, shihet si një përpjekje për të penguar aksesin e flotës së NATO-s në brendësi të Ballkanit, aty ku tashmë po përplasen sferat e influencës ruse dhe amerikane.

Në një Opinion të Ambasadorit amerikan për gazetën Kathimerini, botuar në 10 janar 2018, theksohet përsëri mes rreshtash: “Për vitin 2018 mbeten ende pengesa në fushën e privatizimeve dhe reformave ekonomike, të cilat duhen kapërcyer. Investitorët e huaj, veçanërisht ata nga Shtetet e Bashkuara, kërkojnë siguri dhe vonesat në projektet kyçe të privatizimit, si dhe ndryshimet e shpeshta të regjimit të taksave dhe atij rregullator, rrezikojnë të largojnë kapitalin e huaj…”. Artikujt mbi dritë-hijet e biznesmenit Ivan Savvidis[2] janë bërë retweet nga Ambasadori amerikan në llogarinë e tij në Twitter.

Deklaratat e Ambasadorit amerikan vijnë në dritën e interesave amerikane për investim në Portin e Aleksandropulit, i cili është në lindje të Selanikut dhe pranë kufirit të Greqisë me Turqinë. Megjithëse është një port i vogël me një fraksion të volumit të trafikut që kalon nga porti i Selanikut, porti i Aleksandropoulit ndodhet pranë rrugëve të gazsjellësve (psh. TAP), si dhe një terminali të LNG që pritet të ndërtohet pak milje më larg në det.

Artikulli mbyllet me pyetjen se cdo të ndodhë nëse pas zgjedhjeve të reja Syriza humbet qeverisjen. “Disa spekullojnë se Demokracia e Re do të jetë e detyruar të lëvizë kundër Savvidis, çka do të përbëjë një test – mbase një mundësi – për Mitsotakis të tregojë se nuk është një teknokrat i dobët, siç quhet edhe nga disa brenda partisë së tij. Të tjerë thonë se kapitali i Savvidis është shumë i madh dhe tepër i nevojshëm në Greqinë e dëmtuar nga kriza. Në këto kushte, Demokracia e Re do të jetë e detyruar të merret vesh me të, ashtu si me të gjithë oligarkët e tjerë”.

[1] Savvidis e ka paralajmëruar Kyriako Mitsotakis se ai nuk do të bëhet kurrë Kryeministër.
[2] https://www.the-american-interest.com/2018/01/05/new-greek-oligarchy/; dhe
http://www.kathimerini.gr/942188/article/epikairothta/politikh/the-american-interest-h-nea-oligarxia-ths-elladas?platform=hootsuite

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas