Kryesore

Kush doli i fituar nga letra e KE për Ligjin e Teatrit?

Qeveria duket se do të bëjë një tërheqje nga ligji për Teatrin Kombëtar, duke parashikuar hapjen e një gare për ndërtimin e tij dhe zhvillimin urban të zonës. Të paktën, kështu bën të njohur letra që Komisioni Europian u ka dërguar autoriteteve në përfundim të vlerësimit të Ligjit të posaçëm të propozuar nga qeveria, i cili hasi në kundërshtime të forta publike dhe u kthye pas nga presidenti Ilir Meta. Tani mbetet për të parë se çfarë procedure do të ndiqet.

Letra e KE



Në letrën që Komisioni Europian iu dërgon autoriteteve shqiptare theksohet se “ligji i posaçëm i miratuar, i cili ka paraparë një përzgjedhje të një kontraktori pa një tender të hapur, ngriti shqetësime lidhur me respektimin e parimit të sipërpërmendur të mosdiskriminimit dhe të parimeve të tjera të prokurimit publik të BE, p.sh. trajtim të barabartë, dhe konkurrencë të hapur”. Në letër, ndonëse shkruhet se “nuk mund të konstatohet asnjë shkelje e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, në këtë fazë” theksohet se “shërbimet e Komisionit, inkurajojnë autoritetet shqiptare që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”. Është pikërisht vijimi i tekstit që zbulon se ndërkohë qeveria shqiptare duket se ka premtuar të bëjë një ndryshim në ligj. “Shërbimet e Komisionit mirëpresin angazhimin e autoriteteve shqiptare për të ndryshuar Ligjin e Posaçëm me qëllim të futjes së një thirrjeje të hapur për zbatimin e projektit të zhvillimit të Teatrit Kombëtar, ku çdo palë private mund të paraqesë një propozim për projektin”. Nëse shumica do të bëjë një ndryshim në ligj, atëherë do të duhet të votojë pro dekretit të presidentit Meta, për kthimin pas në parlament të tekstit aktual dhe të paraqesë më pas ligjin e ri me ndryshimet që do të lejojnë një garë të hapur për këtë projekt në zemër të kryeqytetit.

Tabaku: KE rrëzoi ligjin Rama-Fusha

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se letra e KE-së për çështjen e Teatrit “rrëzoi ligjin Rama-Fusha”. “Siç shihet në letër, thuhet qartë se qeveria dhe bashkia kanë shkelur procedurat e prokurimit të hapur”, u shpreh Tabaku. “KE nuk është institucion gjykues për saktësinë e ligjit, për këtë është përgjegjëse Gjykata Kushtetuese, që mbahet e bllokuar nga mazhoranca për të bërë ligje si ky”, shtoi Tabaku.

Veliaj: Lajm i shkëlqyer

“Një lajm të shkëlqyer” e quajti kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj letrën e Komisionit Europian. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Veliaj thekson se Bashkimi Europian ka konfirmuar faktin që ligji për Teatrin nuk e shkel MSA-në. Ndaj, shprehet Veliaj, tani që pengesat kanë rënë, duhet t’i hapet rrugë zhvillimit të Tiranës. “Lajm i shkëlqyer Letra e KE për Teatrin e Ri! Kush kërkoi përgjigje nga BE, tani e ka dhe s’duhet ta pengojë progresin! Teksa ligji nuk shkel MSA, kemi shansin ta bëjmë dhe më të mirë akoma! Tani që pengesat ranë, le të bashkohemi dhe të ecim përpara! #TiranaNukNdalet”, shkruan Veliaj.

PasPara

1 koment

  1. Akoma pas 27 vjetesh “mapo” ngre pyetjen “kush doli i fituar”! Saliu thote PD dhe PS thote “ne”! Keshtu ka qene gjithmone! Gjithmone me salenkriminel! Keshtu ka qene gjithmone me median e shitur dhe mediokre!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas