Kryesore, Op Ed

Inkurajim dhe vigjilencë

Letërkëmbimi Mapo-Danas

Nga Zoran Panoviç



I dashur Mustafa,

Tetor 2013. Në përvjetorin e themelimit të Partisë Përparimtare serbe (e formuar në vitin 2008), Vuçiçi nënvizoi se kjo parti lindi si nevojë që Serbia të mbijetojë, dhe si objektiv vendosi: se deri në vitin 2020, do të bëhemi anëtarë të BE-së.

Po të lëmë mënjanë vetëpërmbajtjen e Makronit, Samiti i BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që sapo përfundoi, rinovoi së paku njëfarë shprese se Serbia gjithsesi mund të hyjë në BE në vitin 2025, kjo sipas agjendës së Sofjes. Gjë për të cilën një pjesë e mirë e opinionit publik në Serbi e tejlodhur dhe e ngërthyer nga cinizmi mendon se deri atëherë Europa që do të na pranojë në gjirin e saj nuk do të jetë kjo e sotmja. Më shkruan se një cinizëm të tillë ka edhe në Shqipëri kur vjen puna për integrimin tuaj europian. Por te ne ai nuk është edhe aq “imperativ”.

Nuk e di nëse e ndjek garimin për “Këngën e Eurovizionit”? Këtë vit ai përfundoi direkt para Samitit të Sofjes, ka këtu diçka simbolike. Unë, i dashur Mustafa kam pas qenë eurofanatik në kohën kur Toto Kutunjo me këngën e tij “Insieme”- këngë për Europën e Bashkuar, pati fituar festivalin në vitin 1990 në Zagreb. Sot, pas të gjithave, madje edhe pas këtij “inkurajimit” (jam alergjik ndaj kësaj fraze të lëmuar të burokracisë brukseliane) të Sofjes, të spërkatur me vetëpërmbajtje (lidhja gjithsesi nuk është anëtarësim), euroskepticizmi është çështje mirësjelljeje për gjeneratën time. Këtë e dimë edhe pa atë thirrjen e Makronit sipas së cilës BE-ja duhet më parë të shqyrtohet dhe të rikonstruktohet. Ose që të jemi disi më optimistë- procesi është më i rëndësishëm se vetë anëtarësimi. Nga ana tjetër, këtu në Serbi, pakkush e koncepton integrimin europian dhe çështjen e Kosovës, si sfidë e gjeneratës, koha ikën dhe njerëzit po plaken me integrimin europian dhe çështjen e Kosovës në gojë.

Ky “inkurajimi” krahas cinizmit burokratik që mban në vetvete, së paku sjell pak ngushëllim, megjithëse për sa i përket anëtarësimit në BE të entitetit të Ballkanit Perëndimor, fjala përfshirje do të më dukej si më e përshtatshmja.

Oh, Mustafa, sa absurde janë gjërat nganjëherë. A e di se ne kemi pas qenë “të inkurajuar” edhe në vitin e largët 2003, në Samitin e famshëm të Selanikut kur u tha qartë se do të vazhdojë politika e zgjerimit dhe se kjo atëbotë nuk kishte të bënte me formatin e tanishëm të Johanes Hanit, i cili Serbinë e lavdëron se lojtar kyç për stabilitetin në rajon. Do t’ju ishte dukur surreale sikur dikush në Selanik atëbotë do t’u kishte thënë se ylli i asaj kohe Toni Bleri (një prej atyre që na bombarduan) një dekadë e kusur më vonë do të këshillojë Aleksandër Vuçiç dhe do të futë sistemin e “delivery unit” në qeverinë serbe. Nga Selaniku deri në Sofje, vetëm Kroacia arriti që këtë inkurajim të sendërtojë në anëtarësim në BE. Ka te ne një fjalë të urtë: “Në Selanik simitja kushton një dinar, por për të shkuar deri në Selanik duhen 100 simite”. Sofja, që nga Selaniku, një dekadë e gjysmë më vonë, bëhet “ndjellës i ri”.

E çuditshme dhe surreale do të dukej në vitin 2003 në Selanik fakti se radikali i zjarrtë sheshelist Aleksandër Vuçiçi në vitin 2017, do të bëhej President i Serbisë, njëlloj sikurse sot duket surreale dhe absurde që Zoran Zhivkoviçi në vitin 2003 ishte kryeministër i Serbisë, Zhivkoviçi ishte një drejtues i shkëlqyer i Partisë demokratike të Xhinxhiçit në vitin 1990 në Nish dhe ndihmoi shumë për rrëzimin e Millosheviçit. Sot ai është një deputet axhil në parlamentin serb, por koalicioni që i përkiste në zgjedhjet e fundit lokale për qytetin e Beogradit, nuk e kaloi censusin.

Zhivkoviçi në Selanik (atëbotë ishte njëfarë kryeministri teknik, pas vrasjes së Xhinxhiçit), madje shpresonte se ndoshta në vitin 2007 mund të ishim në BE (!?), ndërsa ministri i Financave Bozhidar Gjeliçi (të cilin Xhinxhiçi e pati sjellë nga jashtë) shpresonte se anëtarësimin në BE do ta firmosnim simbolikisht në festën kombëtare serbe – Vidovdan (Dita e Shën Vidit), në vitin 2014, pas njëqind vitesh që nga 1914 koha kur në Sarajevë ndodhi atentati i Gavrillo Principit dhe në këtë mënyrë simbolikisht do të pajtoheshim me Europën duke u bërë pjesë e saj. Në Vidovdan (28 qershor) të kujtoj, pati ndodhur edhe ai beteja mitike e Kosovës mes serbëve dhe turqve, e cila është vendi nyje i identitetit kombëtar serb.

Në vitin 2003, për sa i përket “inkurajimit”, përmendej edhe “paketa”, sipas së cilës Serbia dhe Kroacia do të hynin së bashku në BE, madje kryeministri i atëhershëm kroat Ivo Sanader me demek pati qetësuar opinionin publik kroat në kuptimin se më mirë të mos hyjmë fare në BE sesa të hyjmë në paketë me Serbinë. Megjithatë, sot Sanaderi konsiderohet udhëheqësi kroat më korrekt ndaj serbëve të atjeshëm që nga viti 1990 e deri tani. Nuk do mend, atëbotë Kroacia, për shkak të integrimit të saj në BE duhej të tregonte fytyrën e saj të bukur.

Pra, Serbia në BE është e humbur për dy gjenerata të cilat luftuan për të dhe tani kanë përfunduar në letargji. Sofja ishte një pohim i kësaj.

Europa pret nga Serbia “cooperation and verification”, bërjen e shtetit ligjor, dhe “transformime shoqërore”, dhe jo vetëm përmbushje formale të detyrimeve nga kapitujt e hapur, por edhe “track record”.

Kur shohim retorikën e përditshme antiperëndimore në hapësirën publike serbe, dhe paralajmërimet se Perëndimi në çdo moment mund të bëjë ndonjë gjë për “destabilizimin” e Serbisë, dhe se shpëtimi mund të vijë vetëm nga armët ruse, në këtë presion të përgjithshëm të konfuzionit, qytetari i mesëm serb shtron pyetjen se, në politikën europiane të Vuçiçit ka shajni po aq sa edhe vizitat masive të Panairit të librit në Beograd krijojnë shajninë e lexueshmërisë. Kjo përshtypje përforcohet kur Vuçiçi, te Putini apo tek Erdogani, por edhe nga ana tjetër në Sofje, dhe në mbledhje të tilla të ngjashme, bën figurën e liderit europian, i cili është i vetëdijshëm se vetëm Kosova është problemi i së ardhmes tonë të lumtur.

Në këtë politikë të “çarshisë nga të gjitha anët” (frazë popullore me premisa të turqizmit) ka energji dhe shkathtësi. Megjithëse opozita serbe shpreson se në çdo moment të fuqishmit e botës do të mënjanojnë Vuçiçin “sepse nuk ka bërë atë që ka premtuar”, apo edhe se do ta largojnë sepse ka bërë atë që ka premtuar e për këtë “nuk u hyn më në punë”. Kjo tingëllon disi fëminore. Entropia është gjendja e opozitës serbe. Synimi për të shkuar në gjendjen e një parregullsie më të madhe.

Ndoshta edhe ti e kë vënë re se Gardijani për Vuçiçin (edhe për Orbanin, në paketë) ka shkruar se është “kameleon” i aftë. Megjithëse Vuçiçi dhe Orbani nuk janë tamam “vëllezër siamezë”. Vuçiçi nuk ka fobi nga emigrantët dhe Serbinë e përjeton si “pararojè e Europës”. Edhe në aspektin e marrëdhënieve solide me familjen Soros. Megjithëse tabloidët e tij sulmues nuk janë të tillë. Gjë që përbën njëfarë kontradikte të regjimit. Në “tryezën ideologjike” të Vuçiçit, askush në Serbi nuk do të jetë i uritur, me kushtin që të mbështesë regjimin. Kjo quhet “demokraci me kontratë”.

Nga ana tjetër, ja edhe një koincidencë, për herë të parë, para disa vitesh në Sofje, pata dëgjuar formulimin se politika e Vuçiçit “është variacioni sharonian (Ariel Sharon, Kryeministër izrealit) i mënyrës sesi nacionalisti zgjidh problemet”. Ky krahasimi me Sharonin, nëse e ka dëgjuar, Vuçiçit me siguri që i ka bërë përshtypje. Opozita në Serbi kurrsesi nuk po e kupton se në luftën kundër Vuçiçit obsesiv nevojitet me urgjencë një populist centralist. Dhe që të jetë mjaftueshëm karizmatik. Për hir të së vërtetës nuk është e lehtë të gjendet një i tillë. As të projektohet.

E çfarë është tjetër Makroni veçse një populist centrist?

Para disa ditëve, Vuçiçi, për një media gjermane, pohoi i shqetësuar se pret një dallgë tjetër të nacionalizimit në Serbi nëse nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme për Kosovën. Një dallgë provë nacionalizmi Vuçiçi tashmë e ka ndezur në mënyrë që të mund ta fikte përgjithmonë. Dhe të tregojë se cila është alternativa e pushtetit të tij, nëse do të ketë frustrime rreth zgjidhjes për Kosovën. Edhe kjo është pjesë e dinakërisë politike. Por edhe shëtitja e vazhdueshme nëpër teh të thikës. Vuçiçi, për “Rajnishen Postin” gjerman ka theksuar gatishmërinë për kompromis në rastin e Kosovës dhe ka shtuar se do të dëshironte që bashkatdhëtarët e tij “të kujtojnë mirë” fjalët e shkrimtarit Boriallv Pekiç: “duani tokën e fëmijëve tuaj dhe jo atë të paragjyshërve tuaj”.

Pekiçi ishte një “nacionalist demokrat” dhe një prej rinovuesve të Partisë demokrate. Vuçiçi i ngriti atij në Beograd një përmendore dhe për këtë, opozitarët e tij janë të mendimit se ai, pa pikë turpi madje edhe me pak dashakeqësi, uzurpoi trashëgiminë politike që nuk është e tij. Në po të njëjtën mënyrë po i ngre në Beograd një monument Xhinxhiçit. Demokratët kanë vetëm një problem, nuk i ngritën këto monumente në kohën që ata ishin në pushtet. Pekiçi ishte një antikomunist i madh dhe e pati drejtuar gishtin te fjala më e dashur e komunistëve: “vigjilencë”, e cila, sikurse mendonte ai, i pati ndihmuar ata të qëndrojnë aq gjatë në pushtet. Vuçiçi ka pikërisht këtë: vigjilencën!

Nëse Serbia nuk pati fuqi të hynte “në paketë” me Kroacinë sikurse spekulohej atëbotë në Selanik, do të ishte tragjikë që të luante bixhoz për “paketën” e Sofjes së bashku me Malin e Zi.

Bojko Borisovi dhe zyrtarët bullgarë duken sikur janë në sintoni me librin kult të bashkatdhetares së tyre Marija Todorova “Ballkani imagjinar”, nga e cili konkludohet se vendet ballkanike nuk duhet të pranojnë stereotipet mbi “ballkanizimin” si gjendje e lashtë e barbarisë, por për Ballkanin si pjesë e Europës, e cila në shumë pjesë të saj, ka patur më shumë shkatërrime dhe vrasje, sesa në Ballkan.

Shumë serbë, i dashur Mustafa, ende nuk mund ta kuptojnë se Europa u ka ardhur pas shpine. Fakti që Sofja ka metro shumë veta e kuptuan vetëm kur për të, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në Beograd, folën Vuçiçi dhe Kryetari i tij i Bashkisë Sinisha Mali.

PasPara

1 koment

  1. Thelbi, berthama qe definon jo vetem pranimin e Serbise ne Europe eshte Kosova. Kosova nuk ka qene kurre e gjysherve te tuaj dhe as nuk mund te jete e femijve te tuaj. Eshte tamam “Inkujarim dhe vigjelence“ po sipas mendesise se fantaksur, fanatike e nacionaliste serbe. Une nuk mund ta kuptoj kete dialog llogore qe akoma nuk percepton realitetin dhe jo me te jesh largpames per te pare perspektiven. Nuk ka me te vertet kuptim ky lloj dialogu, formulimi, prezantimi e komunikimi kur ai nuk ngrihet jo vetem mbi fakte po dhe nga ndricimi i kohes ne te cilen jetojme. Ky lloj shkrimi jo qe nuk ben per serbi dhe as nuk mund te flitet per ne shqiperi. Shkrim i keq, kulturalisht je prane shkrime te Mustafajit-vashdoni dialogun…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas