Kryesore, Op Ed

Kurrë të dielave: A keni dhe ju muajin mars?

Letërkëmbimi Mapo-Danas

Nga Zoran Panoviç



I dashur Mustafa,

Supozoj që e ke përcjellë provën e përgjithshme të luftës në Mitrovicën e Kosovës.

A e keni ju shqiptarët metaforën “plakat e marsit ose shkundadimrin”? Kjo metaforë te serbët e nënkupton stuhinë e borës në mars, nëpër të cilën gati është e pamundur të ecësh por e cila shumë shpejt kalon dhe vjen dielli sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Të kam treguar tashmë për vetëdijen konspirologjike në politikën serbe dhe në opinion publik. Pra, nuk është e vogël ajo pjesë e popullit dhe e opozitës e cila këtu konsideron se ngjarjet dramatike në Mitrovicën e Kosovës në fakt ishin “plakat e marsit”. Një lloj kurdisjeje për ndonjë farë arritjeje të ndonjë rezultati. Por, madje edhe ata të cilët mendojnë kështu janë të vetëdijshëm se si në hapësirat e ish-Jugosllavisë gjërat dalin jashtë kontrollit madje dhe kur janë ‘të kontrolluara’.

Përveç një numri të vogël të shpirtkëqijve, në Serbi ekziston konsensusi rreth përshtypjes se me shoqërimin me rojë të Marko Gjuriqit nëpër Prishtinë është nënçmuar shteti i Serbisë. Dallohen vetëm shkaqet e nënçmimit. Beogradi zyrtar e akuzon Prishtinën se me dhunë po përgjigjet ndaj ‘Politikës gandiane”, se po luan me luftë, se po e mashtron dhe po e saboton ‘Marrëveshjen e Brukselit’, kurse opozita serbe, jo pa dyfytyrësi, po e përdor rastin që të shpallë fiaskon e politikës së Vuçiqit ndaj Kosovës. Më shkrove se u frymëzove nga korrespondenca jonë dhe e quajte emisionit tënd TV në gjuhën serbe – ‘Provokacija’. E sheh se si këto ngjarje japin të drejtë. Edhe kur e ke qëllimin të provokosh stereotipat e urrejtjes dhe të keqkuptimit, arrijnë provokimet të cilat e konfirmojnë mospajtueshmërinë e narrativit dhe të politikave vepruese.

A ekziston në gjuhën shqipe thënia ‘mali kur gjelbëron’, e cila zakonisht në gjuhën serbe përdoret në kuptimin e paralajmërimit se do të ndodhë ndonjë bela (ky është turqizëm i Mustafës i përshtatur edhe në gjuhën serbe), sepse për shkak të kushteve më të mira për luftë pritet pranvera. Mos harro se lufta në Bosnjë filloi pikërisht atëherë kur malet u mbushën me gjelbërim – në prill të vitit 1992.

Prova e përgjithshme e luftës në Mitrovicën e Kosovës e aktualizoi termin ‘blitzkrieg’ – luftë e rrufeshme. Blickrigu shqiptar është mundësia se sa shpejt mund ta rimarrin veriun e Kosovës, kurse në tabloidet serbe të afërta me pushtetin pohohet se strategët e NATO-s e dinë që Ushtria e Serbisë për 48 orë mund ta marrë veriun e Kosovës dhe mjedisin me shumicë serbe në Krahinë. Madje në një rialiti TV të popullarizuar pjesëmarrësit gjatë atyre ditëve i veshën uniformat me maska të Ushtrisë së Serbisë. Natyrisht që Vladimir Vladimiroviç Putini është garancia e vetme e blickrigut serb, nëse do të ketë nevojë. Së paku kështu analistitët turbopatriotikë ia shpjegojnë opinionit epilogun e mundshëm të krizës nëse Prishtina dhe mentorët e saj perëndimorë nuk mbushen mend. Edhe pse në Serbi ekzistojnë krahët e së djathtës dhe të Kishës me ndikim të cilët nuk janë nën kontrollin e Vuçiqit, e të cilët konsiderojnë që nuk mund të ketë kompromis kur është fjala për territorin e Kosovës (‘vendi i shenjtë’), mejnstrimi patriotik dhe provuçiqevian edhe përkundër betimit bombastik e di se ‘urtësia e Vuçiqit’ ka të bëjë me kompromisin i cili do të thotë që Serbia të dalë nga agonia e Kosovës sadopak në mënyrë të ndershme, e cila është duke e përçarë me dekada.

Midis Vuçiqit dhe opozitës ekziston vetëm një relacion – gërditja e dyfishtë. Të mos them, të gjitha urat e dialogut janë rrënuar. Vuçiqi e ka shpallur opozitën se gati është kundër sistemit, subversive dhe shkatërruese, të cilës i intereson vetëm ‘arka të jetë plot’ të cilën pushteti i tij kinse e ka mbushur. Edhe pse thellësisht e shpartalluar në zgjedhje, ajo e ndjeu ‘qëndrimin e butë’ të Vuçiqit ndaj Kosovës, duke u kënaqur në mënyrë perverse derisa e shikon Vuçiqin në prush. Edhe pse cinizmi është pikë e rëndësishme e marrëdhënieve ndaj opozitës, Vuçiqi megjithatë nuk ia ofroi dikasterin e Kosovës në rikonstruksionin e mundshëm të qeverisë (për momentin është shtyrë për shkak të Kosovës), e që liderëve të opozitës t’u rekomandojë – ‘Ejani, mjeshtër, zgjidheni ju çështjen e Kosovës si dini’. Asgjë më të mençur se sa ‘konfliktin e ngrirë’ nuk do të mund të ofronte as opozita.

Edhe pse njëfarë ‘dialogu i brendshëm’ për Kosovën të cilin e inicioi Vuçiqi kurse e mbështeti Perëndimi, nuk ka marrëveshje strategjike (as që ka ekzistuar ndonjëherë) të aktorëve kryesorë politikë në Serbi lidhur me këtë temë. Thjesht, Vuçiqi dhe liderët e opozitës më nuk mund të ulen bashkë në një tryezë. Lëre më ‘tryezë të rrumbullakët’. Për asnjë çështje. Agjitropi i regjimit po kujdeset që ‘vetmia famoze e Vuçiqit’ të bëhet gati kategori metafizike.

Çështja është filozofike: A po përpiqet Vuçiqi që softuerin e Gjingjiqit ta instalojë në harduerin e Sheshelit, ose anasjelltas? Edhe pse, ne, Mustafë, këtu mund të vijmë në një situatë paradoksale – që nacionalisti dhe rusofili Shesheli, doajeni i Hagës, është kundërshtar i madh i hyrjes së Serbisë në BE dhe në NATO, e ka pasur skautizmin më të mirë evropian.

Koleg i dashur, a ekziston në historinë politike të Shqipërisë ndonjë muaj traumatik për ju siç është marsi për historinë serbe. Ja, tani edhe prova e përgjithshme e blickrigut në Mitrovicë e plotësoi kalendarin serb për muajin mars.

Mirë, problemet e marsit nuk janë vetëm serbe – endemike: Simbolika parësore është nga koha e Romës së Vjetër. Meqenëse u emërua diktator i përjetshëm filluan të përhapnin dyshime se Cezari kishte ndërmend që për interes personal ta suprimonte republikën dhe ta vendoste mbretërinë. Në ditën e Ideve të Marsit u takua Senati që t’ia lejonte përvetësimin e titullit më të lartë, por senatorët ishin republikanë të pakompromis dhe vendosën që pikërisht atë ditë ta vrisnin. Kur atë ditë e takoi profetin ai e paralajmëroi për vdekjen, por Cezari, kinse, duke buzëqeshur i tha: ‘Ja, Më arritën idetë…’, për çfarë ky iu përgjigj: ‘E saktë, por ende nuk kanë kaluar …’.

Të gjithë cezarët janë të vdekshëm, por Zoti romak Marsi sipas të cilit ky muaj e mori emrin është i pavdekshëm.

Për romantikët, marsi është muaj i lulëzimit dhe i dashurisë, muaji i zgjimit të natyrës dhe i hyrjes në një cikël të ri të pjellorisë. Derisa ishte dimri ai u përzie me erën e pranverës kështu që edhe koha ishte e ndryshueshme. Prandaj edhe emërtimi sllav ‘ozhujak’/mars/ nga emri lazhak/gënjeshtër, që është nxjerr nga folja lagati (gënjej).

Ata që janë alergjikë ndaj kroatëve duhet ta dinë se babai i shkrim leximit popullor serb Vuk Karaxhiqi dikur këtë muaj e quajti ‘ozhujak’ e që serbët ia ndryshuan emrin në fillim të shekullit të kaluar. Tani ozhujak në mënyrë ekskluzive përdoret vetëm për ‘muajin kroat’ , kurse birra më e popullarizuar kroate është pikërisht ‘ozhujsko’.

Demonstratat kundër hyrjes në Paktin e treshes u mbajtën më 27 mars të vitit 1941. Në mars u vra kryeministri Gjingjiq para ndërtesës së qeverisë, në mars vdiq Milosheviqi në Tribunalin e Hagës, filloi bombardimi i Serbisë nga ana e NATO-s, në mars të vitit 2004 ndodhi masakrimi i organizuar ndaj serbëve të Kosovës dhe ndaj trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë. Nëntë marsi – përpjekja e kundërrevolucionit tonë demokratik kur Serbia e pati shansin që në sfondin e Evropës Lindore ta rrëzonte komunizmin i cili me Milosheviqin u shndërrua në nacionalizëm burokratik të ferrit, i cili ndodhi në vitin 1991. Meqenëse mbështetet në Tetë Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Grave, Serbia, ja, mundi ta kishte ‘revolucionin e vet autentik të karafilave’. Tankset të cilat atëherë i nxori Milosheviqi në rrugët e Beogradit pastaj shkuan në Vukovar.

Në Beograd më 23 mars të vitit 1903 u mbajtën demonstratat kundër regjimit të mbretit Aleksandar Obrenoviqit të cilat e përshpejtuan rrotën e historisë në drejtim të ‘përmbysjes së Majit’ dhe masakrimit të Aleksandrit dhe të mbretëreshë Dragës.

Ja se si Njujork tajmsi (më 24 qershor të vitit 1903) e analizoi vrasjen e Aleksandar Obrenoviqit dhe të Draga Mashinit: “Në një zemërim të verbëruar vrasës që këta oficerë serbë i shndërroi në bisha të egra, i kaploi instinkti i trashëguar, edhe pse viktimat e trishtueshme të dhunës tashmë ishin të vdekura, nuk u kënaqën derisa trupat e tyre nuk i hodhën për dritare’. Serbia kishte imazh shumë të keq, dhe atëherë nuk ekzistonte Novak Gjokoviqi që ta përmirësonte këtë imazh. Por në vitin 1922 , kur mbreti Aleksandar Karagjorgjeviqi u martua me princeshë Marinë, të bijën e mbretit rumun Ferdinandit, korrespondenti i London tajmsit kështu shkroi: ‘Mund ta rikujtojmë këtë pallat ballkanik, të cilin para vetëm pesëmbëdhjetë vjetësh e bojkotuan të gjitha familjet mbretërore evropiane, kurse tani të gjithë e respektojnë, të vetëdijshëm për vuajtjet dhe nënçmimet e serbëve gjatë kohës së Luftës së Madhe, të përfunduara me ringjalljen triumfale të sllavëve të jugut’. Këtë e botoi London tajmsi më 9 qershor të vitit 1922. Ky ishte ndryshim i madh dhe shtrenjtë i paguar i imazhit.

Po ta rikujtoj se demonstratat e mëdha shqiptare në Kosovë filluan më 11 mars të vitit 1981. Siç thotë populli – ende Tito nuk qe ftohur në varr. Në Kosovë demonstratat i shuan njësitë speciale të policisë federale. Një numër i vogël e kupton Kosovën si krizë me të cilën u morën disa gjenerata. Nga kjo edhe njohuria për moszgjidhjen e saj të mundshme.

Dikur moti, që në kohën e hershme të Titos, një fshatar yni shkoi që ta kryente shërbimin ushtarak. Letrat të cilat ua dërgonte të afërmve të vet fillonin me: ‘Të dashurit e mi, po ju shkruaj ngadalë sepse e di që nuk dini të lexoni shpejt’. Nga kjo familje doli, është absurde, një etnolog i shkëlqyer i cili i ruajti disa nga ato letra të farefisit të vet.

Diçka të ngjashme po ndodh edhe me shkronjat e marrëveshjes serbo-shqiptare. Shpresoj jo edhe me këtë korrespondencën tonë modeste. Nuk ka sinkronizim të shkrimit dhe të leximit. Nuk e kemi të njëjtë kronopolitikën. Secili mendon që koha është duke punuar për të. Dhe, përsëri, të gjithë disi po nxitojnë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas