Dikur

Kur Mehmet Shehu përballej me Hamit Matjanin

Nga Auron Tare

Plot 65 vite të shkuara si sot u dha vendimi për Gjyqin e famshëm që Qeveria Komuniste bëri kundër grupit të dërguar nga amerikanët nën pseudonimin “Apple” apo i njohur si Grupi i Hamit Matjanit.



Në fakt me deklasifikimin e arkivave amerikane mund të themi se Matjani ishte një pjesëtar jo shumë i rëndësishëm në këtë operacion dhe drejtuesit e vërtetë ishin oficerët e Zogut, Zenel Shehu dhe me vonë Halil Branica, të dërguar nga ai personalisht për drejtimin e një rebelimi antikomunist.

Ky grup i rekrutuar nga radhët e njerëzve më të besuar të Zogut, i cili qëndronte në Egjipt dhe kishte filluar një bashkëpunim me operacionet klandestine të amerikanëve për një “kundër revolucion të mundshëm në Shqipëri” u trajnua dhe u përgatit në fshehtësi të madhe nga amerikanët në stacionin e tyre në Kifisia, Athinë.

Për vite me radhë një operacion shumë sekret, por mjaft i përfolur në qarqet profesioniste të inteligjencës vuri përballë njeri-tjetrit dy fuqitë më të rëndësishme të spiunazhit botëror.

Amerikanët e CIA-s dhe KGB sovjetike, e cila ishte këshilltari i fshehtë i Sigurimit.

Por duket se ishte  Kundërzbulimi shqiptar, i cili me një profesionalizëm të dukshëm udhëhoqi një operacion kundër CIA-s amerikane duke shkaktuar kthesën e rëndësishme në vazhdimësinë e këtyre operacioneve. Ashtu si në një loje shahu ku kundërshtarët planifikojnë lëvizjet e ardhshme, ky Operacion mbajti të mbërthyer në këtë lojë nervash të gjithë oficerët e angazhuar në të për gati 16 muaj nga dita kur grupi i Zenel Shehut u tradhtua nga njerëzit e tij dhe u kap nga grupi special i Sigurimit.

Tashmë me deklasifikimin e arkivave amerikane dëshmi shumë interesante dalin mbi këtë operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili për nga mënyra e ekzekutimit dhe profesionalizmi i treguar nga oficerët shqiptarë të kundërzbulimit kanë marrë vlerësimin në heshtje nga kundërshtarët e tyre, amerikanët. Operacioni ‘Apple Team” ishte kthesa e rëndësishme e përfshirjes amerikane në operacionet klandestine shqiptare, pasi grupi i përbërë nga agjentë të kalibrit të lartë, të pa përfshirë në bashkëpunim me italianët apo gjermanët gjatë Luftës dhe me mbështetje amerikane konsiderohej si mundësia më e madhe për krijimin e trazirave në Veriun shqiptar me shpresën e një rebelimi dhe rrëzimin e qeverisë Hoxha.

Nëse ky operacion do të ishte i suksesshëm do të kishim modelin e parë të rrëzimit të një qeverie komuniste nëpërmjet operacioneve klandestine. Për këtë arsye duket se edhe sovjetikët mobilizuan personel të rëndësishëm për të këshilluar shqiptaret në infiltrimin e këtij operacioni.

Nga arkivat del se Gjenerali sovjetik, Dmitri Kurbatov ishte këshilltari i parë në këtë operacion dhe duket se kanë marrë pjesë aktive në Radiolojën e njohur si “Liqeni i Vajkalit”.

Ndërkohë Grupi Apple i drejtuar nga nën Koloneli George Mason, më vonë shefi i stacionit te CIA-s në Holandë dhe në Uashington, nga Koloneli Yasetvich për 16 muaj me radhë furnizoi nga ajri grupin e kontrolluar nga Sigurimi shqiptar i cili eliminoi çdo rrjet rezistence në Veri si dhe mundi të kapte gjallë Hamit Matjanin, një personazh tejet i famshëm për rezistencën e tij anti-komuniste.

Hamit Matjani majtas

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

65-vjet më vonë historia duhet ta kujtojë këtë përpjekje të rëndësishme të kampeve opozitare ideologjike por me pasoja për historinë e Shqipërisë. Grupi Apple duhej kujtuar si një grup njerëzish idealistë, besnikë të traditës së ndjekjes së prijësit por  fatkeqë, të cilët të larguar prej kohësh nga Shqipëria nuk e kuptonin ndryshimin e madh që i kishte ndodhur shoqërisë shqiptare.

Të futur në lojë nga Zogu me besimin e verbër tek prijësi, ata u angazhuan në këtë Operacion të rrezikshëm, por sipas dokumenteve, me t’u kapur nga Sigurimi bashkëpunuan me të ndoshta të zhgënjyer nga fati i keq. Tahir Preçi, radisti i grupit një antikomunist i vendosur, i cili me besnikëri i qëndroi detyrës duke u përpjekur të njoftojë amerikanët për radiolojën dhe si përfundim humbi jetën.

Amerikanët që drejtuan operacionin, që me pa mundësinë profesionale që treguan morën në qafë të tjerë njerëz të cilët u hodhën me parashutë apo u infiltruan me kërkesën e Sigurimit.

George Mason i cili pagëzoi edhe grupin me emrin e koduar “Apple”, i cili u nda nga jeta vetëm disa vite më parë, në shënimet e tij pranon dështimin e madh të operacionit që drejtonte. Aq të zemëruar ishin amerikanët me këtë dështim saqë në dokumentit e deklasifikuara shikohenqartë edhe tentativat për të eliminuar fizikisht çdo kënd që mund të kishte dekonspiruar këtë operacion.

Zenel Shehu, i cili bashkëpunoi me Sigurimin, u pushkatua pa asnjë mëdyshje së bashku me shokët e tij duke dërguar një mesazh të qartë të egërsisë së regjimit për këdo që i kërcënonte pushtetin. Zogu vdiq në mërgim i survejuar nga Sigurimi i Shtetit.

Majtas Peter Mangelli, shqiptaro amerikani Komandant i Kompanisë 4000 një kompani e krijuar nga CIA për Operacione Klandestine në Shqipëri.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ndërkohë nga Grupi Special dy drejtuesit kryesorë të Radiolojës, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, vite mëvonë u pushkatuan edhe si agjentë amerikanë. Anëtarët e tjerë te grupit special të Sigurimit dikush vdiq në vetmi i zhgënjyer thellësisht nga regjimi për të cilin kishin kontribuar aq shume. Një nga Oficerët e rinj të këtij grupi, Pilo Shanto, i cili botoi edhe një libërth shumë interesant për Operacionin e kaloi pensionin në qetësi të plotë në rrethinat e Uashingtonit, jo shumë larg selisë së CIA-s, betejat me të cilën ai i kishte kushtuar pjesën më të madhe të jetës.

Deri me sot nuk ka asnjë dëshmi mbi fatin e Gjeneralit sovjetik Dmitri Kurbatov. Ndoshta arkivat ruse mund të sjellin më shumë dritë mbi rolin sovjetik në këtë ngjarje.

Operacioni Apple Team apo Liqeni i Vajkalit  është një dëshmi historike shumë interesante e betejës politike të pasluftës  që duhet njohur dhe studiuar më shumë për të kuptuar më qartë dinamikën e asaj kohe. Jo në llogore ideologjike, por si një dëshmi e rëndësishme historike e pjesëmarrjes së Shqipërisë në majat më të larta të operacioneve klandestine dhe rëndësisë që Shqipëria kishte në atë kohë për politiken globale.

Më poshtë disa nga pseudonimet e Grupit Apple

1) Airtight, 2) BNPutlog,

3) BE: Domino, 4) Airëise, ORECertain, 6) Airometer.

The guide Airmail.

Zenel Shehu, Halil Branica, Tahir Prenci, Gani Malushi, Hamit Matjani

Në foton kryesore: Ministri i Brendshëm i asaj kohe Gjeneral Mehmet Shehu, i cili sipas amerikaneve e kishte drejtuar personalisht të gjithë Operacionin “Liqeni i Vajkalit”.

***

Të pamëshirshmit

Xhevdet Shehu

Në vijim të debatit që është hapur kohët e fundit për viktimat e ish-regjimit komunist, sidomos për të pushkatuarit me dhe pa gjyq, po i rikthehemi edhe njëherë faktit të njohur të operacion anglo-amerikan në vitet 1949-54 për të rrëzuar me forca paramilitare regjimin komunist të Enver Hoxhës. Shkak për këtë rikthim u bë shkrimi që na solli dje studiuesi Auron Tare, cili mbështetur të dhëna të reja që ka zbuluar në arkivat amerikane të CIA-s, jep detaje të panjohura derimë tani për këtë operacion.

Për dekada me radhë kjo është trumbetuar si një triumf i madh i regjimit të Tiranës ndaj imperializmit amerikan. Për këtë përplasje është shkruar shumë mbi të famshmen ‘Radiolojë” të Sigurimit të Shtetit, janë xhiruar filma, janë botuar libra. U duk se kapakun e vuri një libër i Nicholas Bethel, i cili në vitin 1984 pohoi se operacionin për përmbysjen e regjimit të Hoxhës nga amerikanët e tradhtoi agjenti i shumëfishtë Kim Filbi. Faktet e reja që kanë dalë dhe vazhdojnë të shfaqen nga dokumentet e deklasifikuara të shërbimeve sekrete nuk është e vështirë të kuptohet se ky ishte një banditizëm politik kundër një vendi sovran, ndaj edhe dështoi.

Ideator atij operacioni ka qenë pikërisht Ahmet Zogu, ish-mbreti që braktisi atdheun në ditën e parë të pushtimit fashist, në atë kohë azilant në Egjipt. Ndërsa pjesëtarë të këtyre forcave paramilitare kanë qenë ballisto-zogistë, të arratisur në prag të çlirimit për t’i shpëtuar ndëshkimit nga pushteti i kundërshtarëve të tyre komunistë. Ata u rekrutuan nga anglo-amerikanët që sponsorizuan dhe drejtonin operacionin në distancë.

Të rekrutuarit u desantuan në Shqipëri nga toka, deti dhe ajri për disa vite me radhë. Për shkak të një organizimi të fortë nga ish-Sigurimi i Shtetit, nën drejtimin e Mehmet Shehut,në atë kohë ministër i Brendshëm, dhe Kadri Hazbiut, por edhe të Hekuran Pobratit, Asim Alikos, Mark Dodanit e të tjerë që vepronin në terren, ky operacion dështoi plotësisht. Triumfuesit e asaj kohe u shpallën heronj. Nga ish-të përndjekurit e sotëm ata janë antiheronj dhe pretendohet se në këtë operacion kanë humbur jetën mbi një mijë vetë me dhe pa gjyq dhe për këtë akuzohet regjimi i asaj kohe. Kjo është një çështje tejet e komplikuar, sidomos sot, midis heronjve dhe antiheronjve. Hajdeni ta sqarojmë!

Në të vërtetë, para katër vjetësh është botuar një libër i hollësishëm për këtë operacion, me autor Albert Lulushin dhe me titullin “Operation Valuable Fiend” (që në shqip mund të përkthehet “Operacioni ‘Kundërshtari i dobishëm’”). Në atë libër jepen të dhëna shumë interesante dhe të detajuara të operacionit që nuk i kemi ditur më parë, pasi janë sipas optikës amerikane. Në atë kohë i kam marrë një intervistë ekskluzive për ‘DITA’-n autorit Lulushi, i cili ndër të tjera shpjegoi:

“Në 22 qershor 1949, CIA aprovoi dhe vuri në zbatim operacionin shqiptar me emrin e koduar BGFIEND, objektivi final i të cilit ishte përmbysja e qeverisë Hoxha. Ky ishte operacioni i parë para-ushtarak në historinë e CIA-s, aktivitetet e së cilës deri në atë kohë ishin kufizuar vetëm në mbledhjen dhe analizën e informative për qeverinë amerikane. Për gati një vit mbeti operacioni më i rëndësishëm para-ushtarak që agjencia përndoqi. Nga mesi i 1950-s, për një sërë arsyesh që shpjegohen në librin tim, CIA e braktisi objektivin final të operacionit – pra përmbysjen e regjimit komunist, sido që vazhdoi luftën në frontin psikologjik, ekonomik, të propagandës, dhe të zbulimit.

Përmbysja e qeverisë komuniste erdhi sërish në plan të parë në fillimin e 1953-shit, kur CIA hartoi planin për një grusht shteti në Shqipëri, që do të fillonte në 1 korrik 1954, detajet e të cilit përshkruhen në librin tim. Ky plan nuk u aprovua sepse në atë kohë CIA po ndërmerrte operacione të ngjashme në Iran e Guatemala, të cilat në atë kohë rezultuan shumë më të suksesshme se operacionet kundër Shqipërisë. Ndryshimet gjeopolitike që solli ardhja e Hrushovit në fuqi, të kombinuara me humbjet e agjentëve të kapur ose ekzekutuar nga Sigurimi, sollën braktisjen e aktiviteteve kundër Shqipërisë në 1954, dhe eliminimin e plotë të operacionit të CIA-s në fund të vitit 1959.”

Pranimi i Shqipërisë në OKB në vitin 1955 ka qenë një faktor vendimtar dhe shpëtimtar për Shqipërinë, por edhe për regjimin e asaj kohe. Ndërsa konkluzioni më i rëndësishëm që CIA dhe Departamenti i Shtetit nxorën në atë kohë si pasojë e përvojës shqiptare ishte se ishte e pamundur të përmbysej një qeveri komuniste në orbitën e Moskës me metoda para-ushtarake.

Sidoqoftë, për dekada me radhë kjo është trumbetuar si një triumf i madh i regjimit të Tiranës ndaj imperializmit amerikan. Për këtë përplasje është shkruar shumë mbi të famshmen ‘Radiolojë” të Sigurimit të Shtetit, janë xhiruar filma, janë botuar libra. U duk se kapakun e vuri një libër i Nicholas Bethel, i cili në vitin 1984 pohoi se operacionin për përmbysjen e regjimit të Hoxhës nga amerikanët e tradhtoi agjenti i shumëfishtë Kim Filbi. Pavarësisht rolit të Filbit në këtë proces, edhe pas më shumë se gjashtë dekadash, operacioni ngjall interes për shumë arsye. Një ndër arsyet që Albert Lulushi thekson në librin e tij për dështimin e këtij operacioni të madh ishte aftësia e Sigurimit shqiptar të Shtetit për të depërtuar në radhët e kundërshtarëve, ndoshta edhe në Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë.”

Përderisa anglo-amerikanët e pranojnë dështimin (madje është kërkuar edhe ndjesë para disa vitesh nga kryeministri anglez Toni Bler) nuk kemi pse t’u varim dekorata dhe t’i lëvdojmë dhe t’i konsiderojmë martirë të demokracisë ata shqiptarë që u përdorën si mish për top nga të huajt kundër vendit të tyre. Ata ose u vranë në përballjen direkte me forcat ushtarake të vendit, ose u kapën të gjallë dhe pas gjyqeve të zhvilluara, u ekzekutuan dënimet, shumica e të cilëve ishin dënime kapitale. Kështu ndodhi me bandën e Zenel Shehut, Hamit Matjanit etj. Është bërë një mbledhje e Byrosë Politike në atë kohë dhe është diskutuar për dënimet e rënda që u dhanë ndaj këtyre diversantëve.

Hamit Matjani, për shembull u dënua me varje në litar dhe të qëndronte për disa ditë i varur në qendër të Lushnjës. Enver Hoxha sugjeroi që mund t’i lehtësohej dënimi, për shembull të pushkatohej ose të mos qëndronte aq gjatë i varur në qendër të Lushnjës. Mirëpo, Mehmet Shehu, argumentoi se ai dënim ishte i merituar, mbështetur në krimet që kishte bërë Matjani si gjatë luftës, ashtu dhe kur erdhi si diversant. Mirë, tha Enveri, le të zbatohet ajo që është vendosur në gjyq.

Dënimet ishin shumë të rrepta deri në ekstrem. Me optikën e kohës së sotme demokratike, kur është hequr edhe dënimi me vdekje, ato janë krejtësisht të papranueshme. Sidomos Mehmet Shehu, i cili më vonë do të bëhej edhe Kryeministër i vendit dhe do ta pësonte edhe vetë nga nga ai sistem që bashkë me Enverin ndërtoi, ka qenë skajshmërisht i pamëshirshëm me ballisto-zogistët dhe me diversantët, sikurse është dëshmuar shumë herë në tregimet për atë kohë. Kryetari aktual i Ballit Kombëtar, zoti Adriatik Alimadhi, më ka pohuar gjatë një interviste në ‘DITA’ se Mehmeti i tridhte ballistët që të mos shtoheshin…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mirëpo shtrohet një pyetje fare e thjeshtë: Si do të vepronin Hamit Matjani dhe ballisto-zogistët po qe se do të kishte fituar kauza e atyre që erdhën si diversantë këtu? Çfarë do të bënin Hamit Matjani me shokë me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, dhe sidomos me Enver Hoxhën dhe me gjithë ish-partizanët komunistë po të merrnin pushtetin?

A do të bënin ndonjë gjyq apo do i vrisnin në vend sapo t’u dilnin përpara? Faktet nga koha e luftës dhe të viteve që pasuan, por edhe ca vite kur ata ishin në pushtet pas vitit 1990,  flasin se nuk do të ishin aspak më të mëshirshëm me kundërshtarët e tyre.  Mbase do t’i digjnin të gjallë, para se të merrnin vendim për t’i futur në burg. Ky është thjesht një supozim. Këto janë histori të së kaluarës. Por meqë u hap kjo temë, le të diskutojmë dhe t’i japim gjithsekujt atë që i takon./DITA/

 

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas