Mapo Letrare

Kullën nuk e mbulon dot thesi me mashtrime

kulla-168x300Nga Naum Mara

 



Diçka e ka bërë të thyejë më në fund heshtjen, zv. Kryeministrin shqiptar Niko Peleshi, rreth problemit të Kullës Vrojtuese të Korçës. Është njeriu që ka mbi vete përgjegjësinë e vendimmarrjes për këtë projekt edhe pse mundohet t’ia “faturojë“ zëvendësuesit të tij, kryetarit të sotëm të bashkisë. Nuk denjoi t’i përgjigjej një letre të hapur të 7 arkitektëve korçarë (midis të cilëve dhe unë), që banojnë në Amerikën e Veriut, në të cilën shprehej kundërshtimi jonë për natyrën e projektit dhe i kërkohej ndërhyrja e tij për ta përmirësuar.

Kam parë dhjetëra fotografi të Kullës në përfundim të ndërtimit dhe mendimi i im mbetet i pandryshuar: Kulla është një shembull i keq i Arkitekturës Brutaliste.

Duket, që një dyshim i tillë e ka përfshirë edhe vetë Peleshin, i cili mundohet të zbutë efektin negativ, që ka në qendër të Korçës Kulla dhe të paraqesë në favor të saj argumente jo profesionalë si shterpësia intelektuale, qyteti i gjeneratës tjetër, sekuenca jonë në dokumentarin historik apo prangat e nostalgjisë melankolike e të tjera si këto.

I gjithë ky tym hidhet për të mbuluar problemin e vërtetë, që është: A i duhej Korçës kjo Kullë dhe a e sjell vërtet Kulla, qytetin me traditë në shekullin e XXI?

Zv. Kryeministri Peleshi në shkrimin e para pak ditëve në gazetën “Tema” thotë, që u zgjodh ndërhyrja transformuese e sheshit. Ndërhyrjet transformuese të një kompleksi urbano-arkitekturor të formuar janë gjithnjë më të kushtueshmet ndaj përgjithësisht realizohen në kohën e bumeve ekonomike të qyteteve. Por në rastin e Korçës, jo vetëm u zgjodh në një moment krize, por edhe u pranua zgjidhja më e keqe e mundshme. Ndërtimi i një objekti të Arkitekturës Brutaliste, shembujt e së cilës janë kritikuar ashpër në gjithë botën e përparuar pas ndërtimit. Për më tepër ajo rrymë e arkitekturës ka 40 vjet, që ka perënduar.

Zv. Kryeministri Peleshi i përgjigjet shkarazi edhe ngritjes së shqetësimit tone (jo letrës sonë) duke sajuar një mashtrim të ri për publikun shqiptar, se ne, që jetojmë larg e kemi “shumë të fortë dëshirën për ta gjetur të pandryshuar qytetin e lindjes sa herë e viziton” ose kërkojmë që “korçarët që jetojnë e punojnë aty, …të jenërojtarë të qytetit të vjetër”

Jo zoti Peleshi! Kjo nuk është aspak e vërtetë!

Ne duam, që qyteti të modernizohet gjithnjë e më shumë, të dalë edhe jashtë hapësirave të ngushta të sotme, për tu bërë një nga qytetet më interesante dhe më modernë të Ballkanit, ashtu si ka qenë në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Ne kërkuam, që objekti edhe pse në një hapësirë të vogël të ishte në frymën e arkitekturës të viteve të fundit. Kërkuam nga ju dhe nga autorët të ristrukturohej, të ndërhyhej në volumet dhe të përdoreshin në të materiale të lehta, që do i rrisnin transparencën dhe vizualisht do e bënin më të pranueshëm. Sigurisht, që nuk mund të kishte përgjigje nga ju, sepse ju mungonin fondet për të ndërtuar një objekt bashkëkohor.

Në vazhdën e tymit për të justifikuar Kullën, zv.kryeministri përmend edhe debatet e bëra në Parisin e kohës së Kullës Eifel apo dhe të sivjetshmet rreth Kullës Trekëndore. Krahasime të tilla nuk qëndrojnë jo vetëm për faktin se situatat urbane janë krejtësisht të ndryshme dhe gjithashtu nuk mund të trajtohen njëlloj vendbanimet shumëmilionëshe me ato prej disa dhjetëra mijë banorësh, por Kulla Eifel dhe Kulla Trekëndore i kanë paraprirë kohës në konceptim dhe material, ndërsa kjo e Korçës, për fat të keq, i përket një rryme të fillimit të viteve ’70.

Tani, që po përfundon ndërtimi, Kulla nuk mund të mbulohet me asgjë, sado bukur të tirret thesi me mashtrime i zv.kryeministrit Peleshi.

I vetmi urim i imi, është, që në një kohë të një gjallërimi ekonomik të Korçës, autoritetet në bashkëpunim me profesionistët që jetojnë në Korçë, të marrin një vendim të ri për transformimin e sheshit, që do kërkojë në mos shembjen, por ristrukturimin rrënjësor të Kullës Vrojtuese.

 

*Autori është arkitekt me prejardhje nga Korça dhe jeton në Kanada.

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas