Sociale

Kulla e betonit në Divjakë, Bashkia tregon lejen. Ambientalistët: Si gozhda e Nastradinit

Laguna e Karavastasë është më e madhja në Shqipëri dhe nga më të mëdhatë e Ballkanit.

Veçanti është prania e pelikanit kaçurrel. Që nga muaji shkurt nisi ndërtimi i një kulle 35 metra të lartë. Ajo është pjesë e një projekti që përfshin pastrimin e kanaleve të lagunës.



Kulla do të jetë gati në fund të këtij muaji, ndërsa kanali i ujit 5100 metra i gjatë do të kthehet në vijë të lundrueshme me 5 varka me motor elektrik që nuk shkaktojnë ndotje akustike. Në pasarelën e drurit, pjesë e projektit prej 623 mijë euro shëtisin vetëm dy turistë gjermanë.

“Natyra është shumë e bukur dhe njerëzit miqësor. Kërkuam një rrugë për në ishull, por ishte e vështirë. Ndonjëherë është e vështirë të gjesh një rrugë në Shqipëri”,- thonë turistët.

Shefi i urbanistikës në bashkinë e Divjakës thotë se për zbatimin e projektit janë ndjekur gjithë procedurat ligjore.

“Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura kanë miratuar projektin”,- shprehet shefi i urbanistikes, Llazar Vodo.

Vendi ku ngrihet kulla është e përcaktuar si zonë për institucione në shërbim të parkut.

“Nëse respekton gjithë procedurat ligjore, mendoj që nuk është e ndaluar të ndërtosh edhe në park, pasi edhe zona urbane e Divjakës është pjesë e parkut”,- shprehet Vodo.

23 kilometra është vija bregdetare e Divjakës dhe përmes kullës arrin të vrojtohet pjesa më e madhe e saj.

“Ne i kemi marrë parasysh gjithë sugjerimet e ambientalistëve dhe kemi arritur në një gjuhë të përbashkët”,- thotë shefi i urbanistikës.

Por nuk është i këtij mendimi ambientalisti Lavdosh Ferruni.

“Nga ambientalistët ka patur kundërshtime të forta, por fatkeqësisht nuk u morën në konsideratë”, thotë ambientalisti Lavdosh Ferruni.

Ferruni thotë se e shumta që mund të bëhej është një kullë druri, jashtë parkut kombëtar.

“Është si gozhda e Nastradinit. Nesër mund të ngrihet një kullë tjetër, një pallat, një hotel me zakonisht me zhvillim kuptohet betonizim. Një binom i shëmtuar që funksionon në këtë vend”,- thotë Ferruni.

Sipas ambientalistit, në park kombëtar turizmi duhet të jetë i kontrolluar.

“Edhe për qëllime studimore, ushtarake për të kaluar bagëtitë për të mbledhur bimë medicinale, duhet marrë leje”,- shprehet ambientalisti.

Ambientalisti thotë se është tentuar të ndërtohet resort, por reagimi qytetar i ka frenuar investitorët. 380 mijë turistë e vizituan Divjakën një vit më parë, nga këta 27 mijë të huaj./TCH/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas