Shëndeti

Kujdes! Sëmundja e sheqerit, diabeti prek 1 në 10 gra

Gratë janë përgjegjëse për mënyrën e ushqyerjes dhe zakonet e stilit të jetës së familjes, prandaj ato kanë mundësinë të nxisin apo drejtojnë familjen drejt zakoneve të një stili jete të shëndetshëm

Shumë komplikacione të sëmundjes së diabetit mund të kapen apo diagnostikohen në stadet e hershme të tyre nëpërmjet programeve të depistimit, të cilat bëjnë që këto komplikacione të trajtohen dhe të parandalohet rëndimi i tyre. Sa më herët që personi të diagnostikohet, aq më shpejt fillon edhe trajtimin, duke reduktuar rrezikun për komplikacione të rrezikshme dhe të kushtueshme. Një njeri me diabet tip 2 mund të jetojë për disa vite pa dhënë asnjë shenjë apo simptomë të sëmundjes, por gjatë kësaj periudhe niveli i lartë i sheqerit në gjak në mënyrë të heshtur e dëmton trupin e tij. Ndaj është një nevojë urgjente depistimi, diagnostikimi dhe dhënia e trajtimit të duhur njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti. Në këtë ditë do të nxirren në pah zgjidhjet e realizueshme dhe sa më kosto efektive të mundshme, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve me diabet tip 2 të padiagnostikuar dhe të atyre të cilët janë në rrezik për ta shfaqur diabetin më vonë.



Të dhëna

Aktualisht ka mbi 199 milionë gra që jetojnë me diabet. Ky total parashikohet të rritet në 313 milionë deri në vitin 2040. 2 në çdo 5 gra me diabet janë të moshës riprodhuese, numri i të cilave është mbi 60 milionë gra në mbarë botën. Diabeti është shkaktari i nëntë i vdekjes te gratë në nivel global (botëror) duke shkaktuar 2.1 milionë vdekje çdo vit. Femrat të cilat janë me diabet tip 2 janë 10 herë më të rrezikuara për të pasur sëmundje koronare të zemrës, krahasuar me femrat të cilat nuk janë me diabet. Femrat të cilat janë me diabet tip 1 kanë një rrezik në rritje për abort të hershëm ose për të patur fëmijë me keqformime.

Sëmundjet

Diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, verbërimit (humbjes së shikimit), insuficiencës renale dhe amputimeve të gjymtyrëve të poshtme. Më shumë se 1/3 e të gjithë njerëzve të cilët vuajnë nga diabeti tip 1 dhe tip 2, zhvillojnë disa forma dëmtimi në sy të cilat çojnë në humbje të shikimit. Këto komplikacione mund të parandalohen apo të vonohet shfaqja e tyre duke mbajtur nivelin e glukozës në gjak, presionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit në gjak sa më afër normës. Disa komplikacione mund të kapen në fazat e tyre të hershme nëpërmjet depistimit, duke mundësuar dhënien e trajtimit për parandalimin e rëndimit të mëtejshëm të tyre. Në këtë ditë i vihet theksi nevojës apo rëndësisë së përfshirjes së depistimit për komplikacionet nga diabeti në kujdesin shëndetësor për njerëzit të cilët vuajnë nga diabeti.

 

 

Të dhëna

1 në 7 shtatzëni shoqërohet me diabet gestational (diabeti që zhvillohet gjatë shtatzënisë).

Gjysma e grave të cilat kanë pasur një histori të diabetit gestional, zhvillojnë diabet të tipit 2 brenda 5-10 viteve që nga lindja.

Gjysma e të gjitha rasteve me hiperglicemi gjatë shtatzënisë ndodhin te gratë e moshës nën 30 vjeç.

Pjesa më e madhe e rasteve me hiperglicemi gjatë shtatzënisë ishte në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, ku aksesi për kujdesin amtar është i limituar.

Përafërsisht, deri 70% e rasteve me diabet tip 2 mund të parandalohen nëpërmjet adaptimit të një stili jete të shëndetshëm.

70% e vdekjeve të parakohshme tek adultët janë si pasojë e sjelljeve jo të shëndetshme të filluara gjatë adoleshencës.

Trajtimi

Strategjitë për parandalimin e diabetit tip 2 duhet të fokusohen në ushqyerjen dhe shëndetin e nënës, si dhe sjellje të tjera shëndetësore përpara dhe gjatë shtatzënisë. Po ashtu, edhe në ushqyerjen e foshnjave dhe në fëmijërinë e hershme.

Vizitat e kujdesit antenatal gjatë shtatzënisë duhet të përmirësohen nëpërmjet promocionit shëndetësor te gratë e reja, zbulimit të hershëm të diabetit, dhe diabetit gestacional në veçanti.

Depistimi për diabet dhe për diabet gestational duhet të përfshihet në shërbimet dhe ndërhyrjet e tjera ekzistuese për shëndetin e nënës, në nivel të kujdesit shëndetësor parësor, për të siguruar një zbulim sa më të hershëm të diabetit, për një kujdes më të mirë për gratë, si dhe për të ulur vdekshmërinë e nënave.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor duhet të trajnohen për identifikimin, trajtimin, menaxhimin dhe ndjekjen e diabetit gjatë shtatzënisë.

Gratë dhe vajzat janë aktoret kryesore në adaptimin apo përshtatjen e një stili jete të shëndetshëm për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e brezave të ardhshëm.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas