Kryesore, Rajoni

Kufiri i Kosovës, 80 deputetë rezolutë kundër Thaçit, pro tij vetem PDK dhe Lista Serbe

Një rezolutë, që kërkon t’ia ndalojë presidentit Hashim Thaçi të flasë me Aleksandar Vuçiqin për ndryshimin e kufijve të Kosovës, pritet ta votojnë rreth 80 deputetë shqiptarë në Kuvendin e Kosovës. Rezolutën e kërkuar nga opozita e mbështet partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt. Kundër saj dhe pro Thaçit është vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe.

“Gazeta Express” mëson se, opozita ka siguruar mbi 70 vota të deputetëve shqiptarë, që do ta votojnë rezolutën në seancën e jashtëzakonshme të 4 shtatorit, tri ditë para se presidenti Thaçi të takohet me homologun e tij serb, Vuçiq, në Bruksel.



Opozita planifikon të nxjerrë një rezolutë, e cila e ka pikë të vetme: duhet të konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm, dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj ka thënë sot në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë, se kjo pikë e rezolutës së opozitës e ka edhe votën e tij.

“Nëse është vetëm një pikë në rezolutë, që mos me ndryshu kufijtë e territori, e ka votën time sot e nesër e në çdo kohë”, tha të martën Haradinaj.

Kësisoj, tri partitë opozitare, që kanë së bashku 58 deputetë, dhe AAK, që ka 12 deputetë, priten të votojnë pro. Qëndrim të njëjtë ka edhe Nisma Socialdemokrate, që ka 8 deputetë.

Rezoluta që po kërkohet të miratohet nga tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, ka marrë edhe përkrahjen e Nismës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë sot për Gazetën Express se përkrahin formalizimin e “vijave të kuqe”, që ka presidenti Thaçi, derisa drejton bisedimet me Serbinë. Prandaj, sipas Sherifit, arrihet me një rezolutë të tillë, që tregon qartë se cilat janë kompetencat e Presidentit dhe për çfarë nuk mund të flasë ai në Bruksel.

Ndersa kreu i tanishëm i PDK’së, Kadri Veseli, nuk ka një qëndrim të qartë rreth ndryshimit të kufijve. Edhe më tutje gjendet në mes mbrojtjes së Thaçit dhe mbrotjes së integritetit territorial.

Rreth rezolutës, shefi i Grupit Parlametar të PDK’së, Memli Kransiqi, ka thënë sot për Express se nuk është forma e duhur me të cilën opozita mund të dëshmojë qëndrimin e saj rreth negociatave me Serbinë.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial nuk mbrohet me seanca te jashtëzakonshme e me rezoluta për konsum politik ditor”, ka thënë Krasniqi.

Në mbështyetje të Thaçit është edhe Lista Serbe. Siç mëson “Express”, opozita nuk e ka përkrahjen e përfaqësuesve serbë në Kuvend.

Nisma e opozitës që para datës 7 shtator, të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit në lidhje me dialogun që Kosova po zhvillon me Serbinë, po mbështetet nga një pjesë e shoqërisë civile, e cila përcjell nga afër punën e institucioneve.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës që të trajtojë çështjen e negociatave me Serbinë dhe sidomos paralajmërimet për korrigjimin e kufirit.

Rrjedhimisht, Kuvendit i kërkohet të ketë një rol më aktiv në procesin final të negociatave me Serbinë që pritet të zhvillohet nëpër raunde të caktuara në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, Kuvendi duhet të hartojë platformën për dialog dhe të autorizojë ekipin negociator, duke e mbajtur atë përgjegjës për procesin.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se ky institut e mbështetë nismën e ndërmarrë nga opozita për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se si KDI fton të gjitha partitë politike parlamentare të mobilizohen për të mbledhë nënshkrimet e nevojshme për të thirrur sa më shpejt këtë seancë.

“Së fundi kemi bërë një thirrje drejtuar Kuvendit që të ketë një seancë të jashtëzakonshme, për shkak se pamë që një gjë e tillë nuk është në agjendën e Kuvendit dhe nuk po flitet për një çështje të tillë që partitë parlamentare të nxjerrin një rezolutë, e cila do të shërbente si platformë për dialog, dhe tani kur presidenti Thaçi i cili në kokë të vet është duke zhvilluar gjithë këtë proces të dialogut dhe flet për shkëmbim të territoreve”, tha Krasniqi.

“Tash më shumë se asnjëherë më parë, Kuvendi duhet ta thërrasë këtë seancë të jashtëzakonshme dhe të ndalojë këtë praktikë të presidentit, e cila në thelb është kundërkushtetuese që të bëjë dialog me një shtet tjetër për kufij”, theksoi ai.

Sipas tij, i vetmi institucion që duhet të aktivizohet sa më parë është Kuvendi i Kosovës, pasi që ky institucion edhe i ka të gjitha mundësitë për veprim.

Debatet publike të organizuara në këtë frymë nga shoqëria civile, jashtë Kuvendit, nuk mund të kenë ndikimin e duhur, thotë Krasniqi.

“Një problem kryesor që qëndron në gjithë ketë proces është mungesa e transparencës dhe nuk ka shumë informata për publikun se çka realisht është duke u diskutuar në procesin e dialogut në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Edhe drejtoresha e organizatës ‘Fol’, Mexhide Demolli-Nimani, tha për Radion Evropa e Lirë, se ideja e fundit e presidenti Thaçi, por edhe i gjithë procesi i bisedimeve politike mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë më transparent si për qytetarët, po ashtu edhe për Kuvendin dhe mekanizmat e tjerë shtetërorë.

Ajo thotë se tashmë për fazën e fundit të dialogut, Kosova do të duhej ta kishte platformën e vet.

“Mendoj se edhe shoqëria civile mund të bëjë më shumë në këtë drejtim, sepse në njëfarë mënyre ky është edhe roli i saj që të informojë qytetarët rreth asaj që po ndodhë në gjithë këtë proces. Deputetët, çka është pak për t’u habitur, ata nuk po i ndërpresin pushimet e tyre dhe të thërrasin seancë dhe të kërkojnë llogari në Kuvend, aty ku edhe dihet të kërkohet llogaria nga presidenti për idenë e tij për korrigjimin e kufirit. Prandaj, unë mendoj se deputetët pa dallim partie, do të duhej të ishin më aktivë në këtë proces dhe të kërkohet llogari”, tha Demolli-Nimani.

Subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë tashmë nismën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme para datës 7 shtator, kur pritet të mbahet takimi i radhës ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Kjo nismë, është thënë se e ka edhe mbështetjen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Partia Socialdemokrate.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se “në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush”, ka thënë Hoti duke shtuar se në ditët në vijim për ketë çështje do të kërkojmë mbështetjen edhe të grupeve të tjera parlamentare, si dhe të shoqërisë civile.

“Ne të bashkërendojmë veprimet në Kuvend për të penguar vënien në pikëpyetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga Presidenti i vendit”,- ka thënë Hoti./REL/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas