Op Ed

Kufijtë e statistikave zyrtare: çfarë nuk na thonë numrat?

Nga Lulzim Hoxha

Në këtë sezon veror, statistikat zyrtare u kthyen në objektin qendror të vëmendjes së opinionit publik veçanërisht në dy raste. Në rastin e parë, duke parë trendin e emigracionit të shqiptarëve gjatë viteve të fundit, nëpërmjet shifrave statistikore u ndërtua një parashikim sipas të cilit, brenda vitit 2040 popullsia e Shqipërisë do të pakësohej me 250 mijë banorë. Ndërkohë që në rastin e dytë, i cili provokoi akoma më tepër debat, sipas statistikave rreth 1 milion shqiptarë mbi moshën 25-vjeçare nuk kishin lexuar asnjë libër gjatë vitit 2018. Me fjalë të tjera, ajo çka po na thuhet përmes numrave është se disa nga shqetësimet më emergjente të shoqërisë tonë momentalisht lidhen me emigracionin dhe të palexuarit (analfabetizmin funksional, do thoshte një tjetër statistikë e kryer pak vite më parë).



Mirëpo nëse shifrat nuk janë veçse një sistem shenjash që synojnë përshkrimin e një gjendjeje të përkohshme apo të kufizuar në kohë, cili është mediumi që i jep kuptim këtij sistemi shenjash? Duke shkuar më tej: në emër të kujt janë duke u përgjigjur këto shenja me gjendjen përkatëse që po na përshkruajnë?

Përgjigjja e zakonshme e kësaj pyetjeje do të ishte: këto shifra po na flasin në emër të shoqërisë. Konkretisht, asaj pjese të shoqërisë që ka lexuar sadopak lajme për të kuptuar se pjesa tjetër e shoqërisë nuk lexon fare. Por nëse kjo është e vërtetë, rrjedhimisht shqetësimi që janë duke ngritur këto statistika duhet të ishte shqetësimi i shoqërisë, e në këtë kuptim shoqëria do i kishte konceptuar si problematike këto shifra dhe do fillonte të merrte masa për këto probleme, meqenëse thamë se roli i statistikave është evidentimi i një apo disa tipareve që shoqëria i konsideron si shqetësim.

Në fakt, po të shohim rastin e emigracionit, për shoqërinë tonë duket se perceptohet si zgjidhje më tepër sesa si shqetësim. Në rastin e shifrës së dytë, pra për 1 milion të palexuarit, nëse ky shqetësim do të perceptohej nga “këta njerëz problematikë” për shoqërinë, sigurisht që shifra nuk do të ishte kaq e lartë. Sipas këtij këndvështrimi, duket se përpara se problemet e shoqërisë të bëhen të numërueshme në nivel shifrash, paraprakisht ato janë normalizuar nga vetë shoqëria si pjesë integrale e saj duke mos u parë si shqetësim.

Ngjashmërisht, për hir të ilustrimit, nëse shifrat e statistikave do të deklaronin rritjen e përqindjes së grave të përdhunuara, ky shqetësim sigurisht që nuk do t’u drejtohej grave të përdhunuara, por atyre që ende nuk janë përdhunuar, në mënyrë që të bëjnë kujdes nga përdhunuesit potencialë.

Mirëpo në një shoqëri ku përdhunimi i grave nuk shihet si shqetësim, por si zgjidhje për shfryrjen e epshit, këto shifra jo vetëm që nuk do flisnin në emër të perceptimit të shoqërisë, por nuk do ishin në gjendje as të përshkruanin realitetin që synojnë të përfaqësojnë. Në këtë kuptim, shifra e të palexuarve për 2018-n apo ikja e shqiptarëve nga vendi jo vetëm që nuk janë më shqetësime TË shoqërisë, por – çka është më e rëndë – ato konfirmojnë në nivel sasior disa probleme të cilat në shoqërinë tonë janë normalizuar paraprakisht përmes ligjërimit deri në atë pikë sa nuk konsiderohen më probleme.

Kësisoj statistikat mbi shoqërinë dhe ligjërimi i shoqërisë për veten, jo vetëm që u flasin të vërtetave të ndryshme, por shpeshherë edhe të kundërta. Në rastin tonë, statistikat paraqesin disa tipare të një pjese të shoqërisë si diçka që duhet korrigjuar, kur në fakt problemi qëndron te mënyra se si efektet e të palexuarit (jo vetëm të sivjetshmit, por edhe ata tradicionalët) kanë fituar aq shumë realitet saqë po t’u referohemi ligjërimit të shoqërisë, në masën dërrmuese janë ata që lexojnë të cilët duhen korrigjuar./Mapo.al/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas