Kryesore, Mapo Letrare

“Kthimi” i Mbretit Zog në shtëpinë e tij

rama dhe henriGazetari Blendi Fevziu promovon në Pallatin e Brigadave librin biografi të “Ahmet Zogut”, botim i UET-Press, i cili ka thyer rekorde në shitje në disa javë

 



“Mbreti kthehet në shtëpi”! Fraza e përdorur në formën e një batute nga Henri Çili ishte me vend për mbrëmjen e 4 dhjetorit në Pallatin e Brigadave, i projektuar dhe ndërtuar nga Mbreti Ahmet Zogu I si Pallat Mbretëror, por që nuk u përdor asnjë ditë prej tij.

“Kthimi” i tij në këtë pallat u realizua pas 75 vitesh nga gazetari Blendi Fevziu, i cili jo pa qëllim kishte zgjedhur këtë vend për të promovuar biografinë e mbretit, një libër që është shitur me dhjetëra mijë kopje që në javët e para të daljes nga shtypi. Në një mënyrë simbolike fotoja e madhe e mbretit u ofronte mirëseardhjen në hyrje të portës madhështore, një mirëseardhje të cilën ai kishte ëndërruar ta bënte kur mbretëroi për 10 vite në Shqipëri.

Megjithëse gazetari Fevziu e përshkruan si një politikan të kompromiseve që dinte të merrej vesh me armiqtë politikë, Zogu kurrë nuk do ta kishte menduar që në emër të tij do të bashkoheshin në “shtëpinë” e vet të majtët e të djathtët, kundërshtarët politikë të Shqipërisë së sotme.

Dhe madje bashkë me ta do të ishte krejt natyrshëm dhe nipi i tij, që mban titullin Princi Leka, në krah të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama, kryetarit të opozitës, Lulzim Basha dhe ministrave e deputetëve të dy krahëve të politikës.

Në promovimin e organizuar nga UET-Press u vu re pjesëmarrja e politikanëve të djathtë e të majtë dhe krerëve të lartë të shtetit, ndërsa  ftohtësia mes krerëve të mazhorancës dhe opozitës u daravit mes gotave të shampanjës dhe bisedave të lirshme, dhe pse nuk u arrit ndonjë foto e një shtrëngimi duarsh mes Ramës e Bashës.

Pas një jave që u fol shumë për figurën e diktatorit Enver Hoxha, siç ndodh rëndom në çdo 29 nëntor, përfaqësuesit e së majtës, kryeministri Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, ia “lejuan” vetes të ishin të pranishëm në një aktivitet për Mbretin Zog edhe pse iu shmangën komenteve publike për figurën e tij.

“Pallati pa mbret”

“Kur kishte mbretëri nuk kishte një pallat mbretëror, ndërsa tani kemi një pallat pa mbret”. Ky paradoks sipas autorit Blendi Fevziu, e shoqëroi mbretin Zog gjithë jetën, i cili nuk jetoi asnjë ditë në këtë pallat dhe e mbylli jetën në një shtëpi me qira në emigracion.

Në fakt, mbrëmja e djeshme e cila i kushtohej një libri, ishte zgjedhur jo krejt rastësisht nga botuesi Henri Çili dhe autori Blendi Fevziu, që ta rikthente në vëmendje historinë e një Pallati që u nis për Mbretin dhe përfundoi duke mbajtur një emër komunist, Pallat i Brigadave.

Çili propozoi që ndërtesa t’i ‘kthehej’ në njëfarë mënyre mbretit duke marrë emrin“Pallati i Mbretit”, për të cilin ajo u ndërtua. Ndërsa autori i librit “Ahmet Zogu”, Fevziu iu bëri apel atyre që kanë mundësi financiare të kontribuojnë që Pallati të mos lihet në këtë gjendje, por të restaurohet dhe të hapet për publikun. Për ta mundësuar një hapje të tillë, Fevziu i ftoi të pranishmit që të vizitonin dhomat e projektuara për të jetuar familja mbretërore në katin e dytë mbi “Dhomën e Fronit” ose siç u quajt më vonë “Salla Skënderbe” ku zhvillohej pritja.

Pallati është projektuar nga arkitektë italianë, të cilët fillimisht i propozuan Zogut dy vende për ndërtimin e tij. Ata, sipas Fevziut, kishin parë si vende të përshtatshme Kodrat e Linzës dhe kodrat e Saukut, ku dhe u ndërtua. Mbreti zgjodhi ta ndërtonte në Sauk, sepse në kodrat e Linzës vinin gjithmonë kryengritësit drejt Tiranës nga shkalla e Tujanit, ndërsa Sauku ishte një vend nga ku qeveria në pushtet mund të ikte për në Elbasan për t’u mbrojtur në rast kryengritjeje. Por në fakt mbreti nuk e mori kurrë me mend se para se të ndërtohej pallati do të detyrohej të linte vendin nga pushtimi italian duke u arratisur. Ndërkaq, italianët e mbaruan ndërtimin për mbretin e tyre Viktor Emanuel, i cili gjithashtu nuk e përdori as edhe një ditë të vetme, për të rënë më pas në duart e komunistëve të cilët nuk e prishën, por e vunë në përdorim duke i vënë dhe emrin të cilin ka edhe sot.

Por pavarësisht emërtimit të lidhur me realizmin socialist, ky pallat ka hije mbretërore. Shkallët që të mundësonin ngjitjen për në dhomat e mbretit dhe mbretëreshës ishin pa dyshim madhështore, por muret anash tyre kishin disa vende me suva të rënë, për të mbërritur më pas në një gjendje gati të mjeruar të dhomave të gjumit dhe hapësirave të tjera të banimit, të cilat siç na tha një punonjës i vjetër i Pallatit të Brigadave, prej 10 vitesh nuk përdoren më. Gjithsesi, për kuriozët e shumtë këto hapësira nuk zhgënjyen pritshmëritë që mund të ketë një vizitor kur i thuhet “pallat mbretëror”, pasi veçanërisht hapësirat e banimit të siguruara për mbretëreshën ishin shumë të mëdha dhe me mobilim të stilit italian.

Dhoma e mbretëreshës tërhoqi kryesisht vëmendjen e kuriozëve, ku nuk munguan vajzat modele që të bënin foto-selfie për t’i hedhur në facebook, pavarësisht kërkesës së pareshtur të punonjësve të Pallatit që të mos bënin fotografi. Në dhomën e projektuar për mbretëreshën pati dhe plot humor e batuta nga të pranishmit për ata liderë botërorë që kishin fjetur gjatë 75 viteve aty, që nga mëkëmbësi Jakomoni dhe deri tek lideri rus, Hrushovi.

Henri Çili: Pallati i Brigadave të marrë emrin Pallati i Mbretit

Pallati i Brigadave duhet të marrë emrin që i takon, emrin për të cilin u ngrit, “Pallati i Mbretit”. Propozimi erdhi nga botuesi i UET Press dhe administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili. “Më së fundmi ky pallat duhet të quhet Pallati i Mbretit në emrin e tij të vërtetë, sepse historia e pallatit është lidhur me mbretin dhe familjen mbretërore”, – tha ai. Në fjalën e hapjes së ceremonisë Çili tha gjithashtu se “Promovimi i biografisë së gazetarit Blendi Fevziu në këtë mjedis duket si një lloj kthimi i mbretit në shtëpi. Biografitë e Fevziut për figurat e historisë hapin një dritare të re, nga ku mund të shohim pa paragjykime dhe jashtë klisheve figurat historike që nga Enver Hoxha, Mbreti Zog, e të tjerë që do të vijnë në botim”. Sipas Çilit, për Zogun deri më tani ka shkruajtur vetëm historiografia komuniste, ndërsa autori Fevziu me stil e sjell larg klisheve këtë figurë për t’ia prezantuar publikut.

PasPara

2 komente

  1. Vetëm injorantët që shijojnë muzikën tallava mund të shkojnë pas “librave” të Fevzos.
    Turp.

  2. shko bon shurren mor lapanjos i jugut fezo eshte 1shi ne shqiperi merni te kuqt si balla apo krye shalqini mut nano a harrova keni dhe skraparlliun hoxha te gjithe debatikasit e edver rames

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas