Kryesore, Mapo Format

Kryeprokurorja rikthen inspektimin e prokurorëve, e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese

Një vit pas shkrirjes së Drejtorisë së Inspektimit, kryeprokurorja e Përkohshme rikthen si risi inspektimin, duke u bazuar në dispozita ligjore, një pjesë e të cilave janë shfuqizuar me vendimin nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese. Flet konstitucionalisti Sokol Hazizaj: Kuvendi i Shqipërisë po lejon paligjshmëri në Prokurori, duhet të rregullojë me iniciativën e vetë dispozitat e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese. Kryeprokurorja e Përkohshme po sillet si Prokurori me mandat dhe i zgjedhur nga KLP sipas Kushtetutës.

Nga Leonard Bakillari



Një muaj pasi mori detyrën e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, kryeprokurorja Arta Marku prezantoi dje strukturën e re të institucionit që drejton.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm publikoi drejtoritë e reja, ku përveç atyre ekzistuese është shtuar drejtoria e Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve. Referuar emërtimit, një nga funksionet e kësaj drejtorie është edhe inspektimi i prokurorëve gjatë punës së tyre. Kjo drejtori ishte shkrirë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, por kryeprokurorja e re vendosi ta rikthejë.

Sipas njoftimit të prokurorisë thuhet se këto ndryshime janë kryer pas këshillimeve me drejtorët e Drejtorive dhe përputhshmërisht në zbatim të paketës së re të Reformës në Drejtësi.

“Gjithashtu, ndryshimet janë bërë mbështetur në rregullimin e veprimtarisë së prokurorisë nga kjo reformë, sipas dispozitave kalimtare të Ligjit 96/ 2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, citon njoftimi.

Kjo drejtori dhe veçanërisht sektori i inspektimit prezantohet si risi nga ana e prokurorisë, e cila referon edhe bazën ligjore përkatëse.

“Angazhimi tërësor dha sukses, kryesisht në ngritjen në rang drejtorie të Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve. Në këtë drejtori, sektori i hetimit disiplinor, krijohet pas thuajse një viti si risi dhe në përputhje me kërkesën e posaçme të dispozitave kalimtare të Ligjit 96/ 2016, neni 160, pika 5”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Por çfarë parashikon pika 5 e nenit 160 të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve?

“Deri në krijimin e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm heton shkeljet disiplinore nëpërmjet inspektorëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, bazuar në procedurën dhe kriteret e pjesës V dhe dispozitës kalimtare të këtij ligji”, thuhet në parashikimet e pikës 5 të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve që është përdorur si bazë ligjore nga ana e Prokurores së Përgjithshme.

Pra, procedurën dhe kriteret ligjore për hetimin e shkeljeve disiplinore i përcakton pjesa V e po të njëjtit ligj.

Kjo pjesë e ligjit përbëhet nga disa nene, të cilat shpjegojnë qartësisht procedurën që ndiqet në rastet e hetimit të shkeljeve disiplinore dhe masat që merren sipas shkeljeve të kryera nga prokurorët dhe gjyqtarët.

Por një vendim i Gjykatës Kushtetuese ka shfuqizuar disa nga nenet që pikërisht përcaktojnë procedurën e hetimit të shkeljeve disiplinore, të cilat duhet të hetohen nga drejtoria e re e inspektimit.

Bëhet fjalë për vendimin nr. 34 datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, i cili pasi mori në shqyrtim ankimin e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e tyre duke shfuqizuar disa nene të ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, pjesë e të cilave janë edhe disa prej neneve të pjesës V, ku duhet të bazohet inspektimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Gjykata Kushtetuese vendosi: Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 101; nenit 102; nenit 103; nenit 104; nenit 112, pika 1; nenit 141, pika 1, shprehja “në masën që nuk cenon” dhe shkronjat “a”, “b” dhe “c” të kësaj pike”, thuhet në dispozitivin e vendimit nr. 34 datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese.

Pra, një pjesë e neneve që normojnë procedurën e inspektimit janë të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese. Kjo situatë ligjore u sqarua për “Mapo” edhe nga konstitucionalisti Sokol Hazizaj, i cili bën përgjegjës kryesor Kuvendin e Shqipërisë për situatën e krijuar. Hazizaj rendit disa argumente të cilat tregojnë jo vetëm situatën absurde ku ndodhet sot Prokuroria dhe Kuvendi, por edhe paligjshmërinë me të cilën po vepron Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme.

Sipas tij, kryeprokurorja e zgjedhur në bazë të dispozitave kalimtare, po sillet si Prokurore e Përgjithshme me mandat të plotë, njëlloj sikur të ishte zgjedhur me propozim të KLP dhe votuar nga kuvendi sipas përcaktimeve kushtetuese.

Kjo ka të bëjë qoftë me zbatimin e ligjit, qoftë me vendimet që kryeprokurorja e Përkohshme po merr. Lidhur me strukturën e re të Prokurorisë dhe referimin ligjor në dispozita të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese, konstitucionalisti e konsideron si shkelje ligji duke e komentuar me shprehjen se “kryeprokurorja e Përkohshme po sillet si Prokuror i Përgjithshëm me mandat të plotë, por njëkohësisht po zbaton edhe ligjin e vjetër dhe atë të ri”.

Për Hazizajn përgjegjës kryesor është Kuvendi i Shqipërisë, i cili në rast të mosfunksionimit të ligjit apo në një situatë të paqartë ligjore, me iniciativën e vetë duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit të krijuar.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të jetë i përgjegjshëm për veprimtarinë e institucioneve ligjzbatuese. Ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi nuk janë vetëm produkt shqiptar, por edhe të përafruara dhe konsultuara me ekspertë ndërkombëtarë. Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë, rregullon me iniciativën e vetë çdo ngërç apo problematikë ligjore që kontestohet”, thotë për MAPO konstitucionalisti Sokol Hazizaj.

I pyetur për dispozitat e disa ligjeve tashmë të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese, Hazizaj konstatoi dy probleme kryesore. Sipas tij, problemi i parë ka të bëjë me Kuvendin, i cili duhet të marrë në shqyrtim të gjitha dispozitat e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese për ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi dhe me indikativa duhet të rregullojë të gjitha këto dispozita të cilat duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën.

Dhe problemi i dytë ka të bëjë me Qendrën e Publikimeve Zyrtare e cila nuk reflekton në botimet e saj dispozitat e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese, duke sjellë ndoshta dhe konfuzion mes atyre që duhet të zbatojnë këto ligje.

Pra, në këto kushte, zgjidhja duhet të vijë vetëm nga pushteti legjislativ, pra Kuvendi i Shqipërisë, i cili sipas Hazizajt po toleron një situatë paligjshmërie në Prokurorinë e Përgjithshme.

“Duke qenë se nuk është krijuar ende Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm i përkohshëm nuk ka tagrin të krijojë asnjë strukturë poshtë vetes”, thotë Hazizaj, i cili e mbyll prononcimin për MAPO duke thënë se Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë shkelur ligjin do të mbajnë përgjegjësi po aq sa të gjithë ish-kryeministrat që kanë bërë të njëjtën gjë.

 

Drejtoritë e Prokurorisë së Përgjithshme

  1. Drejtoria Gjyqësore
  2. Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Verifikimit të Integritetit të Personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike
  3. Drejtoria e Përgjimeve të Telekomunikimit dhe Marrëdhënieve me Shërbimet Informative
  4. Drejtoria e Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve
  5. Drejtoria e Teknologjisë, Informacionit dhe Ekspertizës Kibernetike
  6. Drejtoria e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas