Kryesore

Kryehetuesi Qemal Lame: Sigurimi i Shtetit përgatiste dosje për arrestimin e Kadaresë




               Publikuar në : 11:27 - 25/02/14 |
mapo.al

Qemal Lame ka qenë për 11 vjet (1981-1992) në krye të Hetuesisë së qemal lamePërgjithshme. Kujtimet e tij kryehetuesi nisi t’i shkruante në vitin 1992, kohë kur Qemal Lame u shkarkua nga detyra si Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme nga Kuvendi Popullor. Për gati 20 vjet kujtimet mbetën në dorëshkrim, deri kur Qemal Lame vendosi t’i botojë. Pikërisht dje Shtëpia Botuese “Onufri” nxori në treg librin me kujtimet e tij, titulluar  “Kur shembeshin themelet”. Në kujtimet e veta, Qemal Lame tregon prapaskenat e 11 viteve në krye të hetuesisë; demonstrata e parë në Shkodër, ku u tentua rrëzimi i bustit të Stalinit, demonstrata para Pallatit të Kulturës, tragjedia e eksodeve etj. Por një vend të veçantë në kujtimet e tij zënë takimet, bisedat dhe konfliktet me Ramiz Alinë. Në këtë pjesë të kujtimeve të Qemal Lames që botohet sot në “Mapo”, ai rrëfen se çfarë ndodhte në Komitetin e Partisë të Rrethit pas largimit nga Shqipëria drejt Francës në vitin 1990 të shkrimtarit Ismail Kadare, reagimet e udhëheqjes ndaj kërkesës së Kadaresë për azil politik në Francë, si dhe pohon se Ismail Kadare ka qenë në ndjekje nga Sigurimi i Shtetit dhe nga udhëheqja është kërkuar përfshirja e tij në grupe armiqësore. Gjithashtu, pjesë e kujtimeve të kryehetuesit është dhe një bisedë mes Ramiz Alisë dhe shkrimtarit tjetër Dritëro Agolli në mbledhjen e Aktivit të Partisë.


(Pjesë nga libri)

Telefonata me Kadarenë më 1990, ditën e largimit në Francë

Nuk jam takuar asnjëherë me shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare, me gjithë dëshirën e përbashkët. Sidomos për të diskutuar problemet e rëndësishme për ndryshimet që kishte kërkuar Kadareja në takimin me intelektualët. Sa herë vendosja për t’u takuar me të, dilnin probleme urgjente që më angazhonin për një kohë të gjatë për t’i zgjidhur.

Më datën 27 shtator 1990, e morëm në telefon së bashku me Estref Myftarin, rreth orës 9:00. Ai na tha se po përgatitej të nisej pas një ore për në Francë, së bashku me Helenën. E lamë të takoheshim kur të kthehej. Por, siç dihet, Kadare premtoi se do të kthehej në Shqipëri vetëm kur ajo të ishte demokratike…

Njoftimi zyrtar, si zakonisht ka pasur në përmbajtje formulimin zyrtar, nga udhëheqja për shtypin. Ai u dha në radiotelevizion më 25 tetor 1990, si njoftim për kërkesën e Ismail Kadaresë për strehim politik, duke e cilësuar si një vendim armiqësor. Kërkesa e Ismail Kadaresë kishte krijuar shqetësim në udhëheqje….

Në mbledhjen e shtabit, në Komitetin e Partisë së Rrethit, nëpërmjet Xhelil Gjonit dhe Hekuran Isait erdhi porosia e Ramiz Alisë: për t’u zbatuar procedura ligjore ndaj Ismail Kadaresë, si dhe për të marrë dokumentet që ai kishte në shtëpi.

Urdhri u transmetua me gojë, me anë të dy anëtarëve me rëndësi të udhëheqjes së Partisë së Punës. Nuk u ekspozua konkretisht letra, një kopje e saj ose një pjesë e letrës, me kërkesën e Ismailit për marrjen dhe ruajtjen e letrave dhe dorëshkrimeve të tij…Urdhri direkt për hetuesinë që të zbatonte ligjin, ishte një reagim i fortë konkret për të ndëshkuar politikisht një person të njohur publik.

Ismail Kadare ndiqej nga Sigurimi i Shtetit

…Lidhjet që Ismail Kadare kishte me familjen e Mehmet Shehut dhe fëmijët e tij, vlerësoheshin si një drejtim tjetër i shtrirjes së veprimtarisë armiqësore edhe në fushën e artit e të kulturës, me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara. Komploti kundër Partisë dhe shtetit, mendohej se do të dilte më i plotë po të vërtetohej edhe shtrirja në ideologji.

Për këtë u shtrua edhe detyra për studimin e të dhënave dhe provave në ngarkim të Kadaresë. Vlerësohej se kishte ardhur momenti dhe ishte e nevojshme që Ismaili, si person me ndikim të madh në opinionin shoqëror në Shqipëri dhe i njohur në botë, duhej të goditej dhe të dënohej si armik i Partisë dhe shtetit të diktaturës së proletariatit, për shkak të pikëpamjeve dhe qëndrimeve armiqësore në veprat e tij….

Ishin përgatitur më shumë se dhjetë dëshmi, ku bëhej fjalë për veprimtarinë armiqësore të Ismail Kadaresë. Rëndësinë më të madhe e kishin dëshmia e Fiqiret Shehut, Llambi Ziçishtit etj. Thëniet e Fiqiret Shehut kanë pasur rëndësi të madhe, por meqenëse ajo ishte bashkëshorte e Mehmet Shehut, për t’u bërë më e besueshme akuza kundër Kadaresë, i ishte dhënë më shumë rëndësi dëshmisë së Llambi Ziçishtit. Përmbajtja e procesverbaleve ishte pothuajse e njëjtë. Për t’u njohur dhe për t’u publikuar është me rëndësi dëshmia e Llambi Ziçishtit. Faksimilja që botohet në këtë libër është kopja origjinale e dosjes hetimore. Kjo kopje i është dërguar Ramiz Alisë…

….Në janar të vitit 1990 Ramiz Alia filloi të kthejë mbrapsht në organin që i kishte dërguar të gjitha materialet “sekrete” dhe “tepër sekrete”, duke vënë vetë firmën e tij. Në bazë të kësaj praktike, Ramiz Alia është njohur me këtë procesverbal ku ka vënë shënimin dhe ka nënshkruar. Në pjesën e sipërme të dokumentit majtas, lexohet shkrimi me shënimin dhe firmën e Ramiz Alisë: Sh. Zylyftar. Në ruajtje. Firma

-Shënimi i adresohet zëvendësministrit Zylyftar Ramizi, i cili kishte në drejtim Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit. Kjo nënkupton masat e mëtejshme që duhet të merreshin nga Sigurimi i Shtetit, për të gjetur dhe administruar të dhëna dhe prova të tjera, për realizimin e goditjes së planifikuar në masat operative agjenturore.

-Fjala “Në ruajtje”, nënkupton depozitimin dhe përdorimin në kohën e përshtatshme të kësaj prove ligjore.

Debati mes Ramiz Alisë, Dritëro Agollit

Më datën 26 dhjetor 1990, u bë mbledhja e Aktivit Kombëtar të Partisë së Punës. U diskutua për programin e Partisë së Punës gjatë fushatës elektorale në kushtet e pluralizmit politik. Mbështetësit e njohur konservatorë dhe me shumë pushtet të ruajtjes së rolit udhëheqës të Partisë, për të garantuar vazhdimësinë komuniste me sistemin politik të partisë-shtet dolën kundër ndryshimit të vijës politike nga Byroja Politike…

Dritëro Agolli u ngrit dhe diskutoi me guxim. Lexoi diskutimin e tij të përgatitur më parë, për ndryshimet në sistemin politik. U bënë ndërhyrje nga salla duke e kritikuar rëndë.

Ndërhyri edhe Ramiz Alia, duke i ndërprerë diskutimin, duke iu drejtuar në mënyrë ironike dhe iu referua një letre që i ishte dërguar vetë Ramizit më parë nga një person tjetër. Me këtë gjest, Ramizi donte të poshtëronte Dritëroin dhe të nënvlerësonte diskutimin e tij, si kopjim i mendimeve të një personi tjetër dhe jo mendime të tijat.

-Dritëro, -i tha Ramizi. -Të jemi të ndërgjegjshëm. Mendimet e tua janë këto?

-Po. Të miat, – iu përgjigj Dritëroi.

-Ti nuk thua të vërtetën. Këto mendime janë të një personi tjetër, i cili m’i ka dërguar mua më parë me një letër.

-Ma ka dërguar edhe mua, – sqaroi Dritëroi.

-Pra nuk janë mendimet e tua…- theksoi Ramizi.

-Po edhe unë këto mendime kam.

-Flasim për letrën konkretisht, – vazhdoi Ramizi.

-Ç’të keqe ka që unë kam të njëjtat mendime dhe besoj përmbajtjen e kësaj letre?

-Letra nuk është e jotja dhe ti bën mirë të thuash mendimet e tua dhe jo të lexosh letrat e të tjerëve.

Mënyra sesi ndërhyri dhe këmbënguli Ramizi, e vuri Dritëroin në pozitë të vështirë. Kësaj i shtohej edhe qëndrimi kundërshtues i shumicës në sallë që mbronin Ramizin dhe ishin kundër ndryshimeve në vijën e Partisë. Pjesa më e madhe e të pranishmëve qeshte për çdo ndërhyrje të Ramizit, duke mbështetur me servilizëm në kritikën që i bënte Dritëroit për leximin e letrës së një personi tjetër, duke e paraqitur si diskutim të tij. Në këto rrethana, në një ambient mbytës e diskriminues, Dritëroi ndërpreu diskutimin dhe shkoi u ul në vendin e tij në sallë. Pas Dritëroit u ngrit dhe Marash Hajati. Edhe ky e pësoi po në të njëjtën mënyrë.  Marash Hajati diskutoi me kurajë, dha mendimet për ndryshimin e sistemit politik. Por iu kundërvunë nga salla duke ia ndërprerë diskutimin dhe nuk e linin të fliste. Edhe Ramizi e ndërpriste dhe e kritikonte duke i thënë se “ku ke qenë më parë ti Marash, që nuk ke dhënë mendime të tilla kundër Partisë?!” Enver Halili u ngrit nga vendi duke iu bashkuar Ramizit dhe të tjerëve dhe e cilësoi Marashin si ‘tradhtar’.

Të gjithë e dinin se Marashi ka pasur shoqëri të ngushtë me Ramiz Alinë dhe Enver Halilin, Në pushim erdhi dhe më takoi Marashi dhe më tha se “kam dyzet vjet shoqëri me Enver Halilin dhe më kritikoi me paturpësi, padrejtësisht”.



loading...

loading...
KOMENTO (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

  1. Kush ka nevoje tani per gjithe keto gjera pa vlere. Fjala pas kuvendit dhe trimeri pas lufte.. Kane filluar te kendojne te gjithe larot komuniste. Ju ka ardhur zeri se e pane qe asnje nuk u akuzua ligjerisht per krime kunder njerezimit. Na lini rehat me gjithe bemat tuaja, perrallat per Driteroin, Ismailin dhe fantazma te tjera te se kaluares. Ndaj duhej denuar gjithe klani i PPSh, se eshte shume i paturpshem dhe nuk e vret fare ndergjegjja per sa kane bere. Se s’kane mundesi te bejne perseri ate qe bene per 50 vjet , na tregojne perralla per bemat e tyre ne vend qe te heshtin si fajtore te ndyre. Turp i madh qe ju s’e njihni . Mallkimi shqiptar ju zente ju brez pas brezi

    Përgjigju ↓
  2. Si shkoi kjo histori keshtu!
    Nxjerrin Kryetarin e Hetuesise se Diktatures
    per te deshmuar se Ismail kadarea ka qene i pergjuar nga diktatura, pikerisht se kishte miqesine dhe mbrojtjen e Mehmet Shehut dhe te Enver Hoxhes!!!

    Lat nam or burra!

    Dhe shkon nipi i Hekuran Hisait, hap shtepi botuese private dhe behet botues edhe i Kadarese, edhe i Qemal Lames, se fundi!

    Libra interesante…

    Përgjigju ↓
Pas