Politika

Kryediplomati gjerman viziton Tiranën: Negociatat mund të çelen duke nisur prej vitit 2019

Ministri i Jashtëm gjerman mbërrin të mërkurën (19.09.2018 ) në Tiranë, për një vizitë zyrtare në kuadër të një turi ballkanik, të nisur në fillim të kësaj jave në itinerarin Bukuresht – Shkup- Tiranë – Athinë. Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme e Gjermanise pohojnë se në krye të axhendës së vizitave në këto 4 vende është ”një Europë e Bashkuar”. Ministri Maas citohet nga Ministria e Jashtme Gjermane të ketë deklaruar para fillimit të këtij turi se “Europa nuk mund të ndahet në rajone gjeografike – për ne ka vetëm një Europë”.

I pyetur nga korrespondentja e DW në Tiranë, Ani Ruci, nëse zgjerimi i BE, perspektiva europiane e Shqipërisë dhe në përgjithësi e vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të jetë tema qendrore e bisedimeve politike, Ministri Maas, tha: “Që vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë merituar një perspektivë reale të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kjo për mua është e qartë. Është mbresëlënëse se sa entuziastë janë njerëzit e këtij rajoni për vlerat e unionit tonë. Por në fund vendimtare do të jetë, nëse qeveritë kanë arritur të përmbushin kushtet për anëtarësim dhe kjo do të jetë e mundur vetëm nëse reformat për më shumë demokraci, shtet ligjor dhe qeverisje më të mirë do të çohen përpara në mënyrë të vendosur. Gjermania është e gatshme të vazhdojë ta mbështesë më tej Shqipërinë në këtë rrugë”.



Gjermania – mbështetje politike Shqipërisë në tri drejtime kryesore

Shqipëria synon të përmbushë kushtet dhe të meritojë hapjen e negociatave të anëtarësimit vitin e ardhshshëm. I pyetur nga DW për drejtimet kryesore të mbështetjes së Gjermanisë në realizimin e këtij synimi, Ministri i Jashtëm gjerman, Maas tha: “Fakti që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të çelen duke nisur prej vitit 2019, tregon vlerësim për përpjekjet e bëra deri më tani. Veçanërisht reforma në drejtësi ishte dhe vazhdon të jetë, në vlerësimin tim, një hap domethënës. Ne presim që të vijohet më tej në këtë rrugë dhe të shohim suksese të dukshme, në mënyrë të veçantë përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjermania jep mbështetjen e saj politike në këtë drejtim përmes angazhimit të këshilltarëve të nivelit të lartë si dhe në kuadër projektesh të ndryshme”.

Mbështetja dhe promovimi nga Gjermania i perspektivës europiane të Shqipërisë motivohet edhe  nga roli i saj  pozitiv në stabilitetin e rajonit . Ministri Maas e ka quajtur Shqipërinë ” një spirancë të stabilitetit në rajon”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas