Aktualitet

Kriza në eurozonë, BB rrit financimin për Shqipërinë

Shqipëria pritet të marrë kredi shtesë nga Banka Botërore për të përballuar përkeqësimin e situatës ekonomike që po vjen nga kriza në eurozonë. Lajmin e kanë dhënë dje burimet zyrtare të Bankës Botërore, të cilat njoftuan se javën që vjen, një grup ekspertësh nga Uashingtoni do të vizitojë Shqipërinë pikërisht për këtë qëllim. “Në një mjedis të tillë të rritjes së risqeve të jashtme dhe pasigurive ekonomike, Banka Botërore po rrit financimin e disponueshëm për disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore, Ballkanit Perëndimor, Kaukazit dhe për Turqinë”, njoftoi dje zyra e Bankës në Shqipëri në një komunikatë për median. Sipas këtij njoftimi, Banka Botërore tani mund të ofrojë përgjatë dy viteve të ardhshme (2012 dhe 2013) një mbështetje më të madhe financiare për këto vende nga sa ishte parashikuar në portofolat aktualë të strategjive të partneritetit. Në rastin e Shqipërisë, Banka Botërore është angazhuar tashmë me qeverinë në përgatitjen e një kredie për mbështetjen e politikave të zhvillimit që lidhen me qeverisjen dhe konkurrueshmërinë, e cila mund të përdorë financime shtesë për të forcuar programin e reformave ekonomike. Qeveria e Shqipërisë do të jetë gjithashtu në gjendje të përdorë mbështetjen shtesë nga Banka Botërore për të reduktuar dobësitë fiskale dhe për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe makroekonomik për vijueshmërinë e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Në marrëveshjen aktuale 2011-2114 të Bankës Botërore me vendin tonë janë parashikuar 275 milionë dollarë financime, shumë e cila pritet të rritet edhe më shumë gjatë dy viteve në vazhdim. Gjithsesi, shuma e huasë për mbështetjen e buxhetit do të jetë detyrimisht mjaft e varur nga performanca makroekonomike e Shqipërisë dhe stabiliteti gjatë periudhës, ka përcaktuar BB në marrëveshjen me Shqipërinë. Për shembull, huatë mund të reduktohen dhe më pas resurset e liruara mund të rialokohen për hua në investime në rast se qeveria dështon në kryerjen e rregullimeve të nevojshme fiskale për t‘u kthyer në një trajektore më të ulët të borxhit gjatë periudhës 2011-2014. “Në mënyrë të kundërt, Banka duhet gjithashtu të jetë e përgatitur për më shumë mbështetje DPL për Shqipërinë nëse vendi goditet rëndë nga ngjarjet ekonomike të eurozonës, paçka menaxhimit të kënaqshëm makroekonomik”, thuhet në dokumentin e marrëveshjes. Rritja ekonomike globale u ngadalësua në 2011-ën dhe perspektivat ekonomike për Europën janë përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme pas thellimit të krizës në eurozonë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i ndjeshëm ndaj rritjes ekonomike të Bashkimit Europian, i cili është partneri i tij tregtar më i madh, cilëson banka Botërore. Gjithashtu, ky rajon është i rrezikuar ndaj ndryshimeve të kushteve monetare dhe financiare në vendet europiane, bankat e të cilave janë poseduesit kryesorë të aseteve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Fluksi i remitancave (dërgesave individuale) për Shqipërinë dhe Bosnjën-Hercegovinën është sa rreth 10 për qind i PBB-së dhe ai mund të ndikohet thellësisht nga një ngadalësim i rritjes ekonomike të eurozonës. “Objektivi kryesor i rritjes së portofolit të financimit me kredi për vendet e Ballkanit Perëndimor është që t’i ndihmojë ato të përgatiten dhe t’iu përgjigjen në mënyrë të efektshme goditjeve të jashtme, duke ruajtur fokusin në reformat strukturore dhe rrjetin e sigurisë sociale, të cilat janë shumë të rëndësishme për ruajtjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, njoftoi Banka Botërore dje. Aktualisht, Banka Botërore dhe Qeveria e Shqipërisë janë në fazën fillestare të diskutimit mbi përdorimin e portofolit të rritur të financimit. Një grup ekspertësh të Bankës Botërore do të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme për të diskutuar dhe identifikuar së bashku me partnerët e qeverisë fushat specifike për zgjerimin e mbështetjes për reformat ekonomike, përgatitjen për goditjet e jashtme, stabilitetin dhe rritjen ekonomike.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas