Arkiva 2

Kriza e sektorit të ndërtimit është lajm i mirë

Ky nuk është rasti shqiptar. Asnjë prej ndërtuesve shqiptarë nuk është ‘too big to fail’. Me ndonjë përjashtim të vogël, ky komunitet përbëhet nga elementë laramanë që më shumë se ndërtues janë sipërmarrës të guximshëm, me një guxim të tillë sa të fillojnë ndërtimin e një pallati me 50 mijë euro! Me ndonjë përjashtim të vogël, punët e tyre lënë për të dëshiruar. Me ndonjë përjashtim të vogël, ata kurrë nuk e kanë pasur parasysh interesin e publikut. Me ndonjë përjashtim të vogël, asnjë nuk ka respektuar hapësirat komunitare, apo t’i ketë bashkangjitur ndërtimit të tij një parking, qoftë ky nëntokësor apo mbitokësor.



Pra, ndërtuesit shqiptarë nuk janë ‘shumë të mëdhenj për të dështuar’. Pse atëherë po dështojnë? Përgjigjja, pjesërisht duhet kërkuar te sa u shkrua më sipër. Por ka edhe më. Si çdo gjë tjetër që jeton brenda një cikli të caktuar, edhe cikli i ndërtimtarisë, ai që në ShBA erdhi e u njoh si ‘real estate buble’ (fluska e të paluajtshmeve) , ka një fillim e një fund. Energjia, kërkesa, fitimet dhe nevoja për ndërtime në Shqipëri po bien. Dhe ky është një lajm i mirë. Është një lajm i mirë për publikun, por edhe për vetë ndërtuesit. Sigurisht vetëm për ata që janë ‘shumë të mëdhenj për të dështuar’, por që janë të mëdhenj edhe falë ndërtimeve cilësore që respektojnë sa klientin e sa hapësirën publike. Në fakt, për shkak se kërkesa për ndërtime ka rënë, dashur pa dashur cilësia dhe respektimi i hapësirës publike do të bëhen standarde të ndërtuesve shqiptarë. Tregu ka filluar ta diktojë këtë dhe shenja e parë është alarmi i Shoqatës së Ndërtuesve shqiptarë dhe ndihma që ata i kërkojnë shtetit.

Shteti nga ana e tij nuk duhet të shërbejë as si lopë që milet e as si lopçar që mjel, por duhet ta shfrytëzojë këtë krizë të ndërtuesve dhe mund ta bëjë këtë në disa forma. Njëra prej tyre është blerja me çmime në kosto ose pak mbi kosto të apartamenteve dhe kalimi i tyre për të pastrehët me kredi të buta ose me interes zero. Ndërtuesit do të fitonin likuiditet, ndërsa shteti do strehonte qytetarët e vet.

Kriza e sektorit të ndërtimit është një lajm i mirë. Ky sektor, sigurisht edhe me lejen e qeverive qendrore e vendore, e ka batërdisur peizazhin e qytetit shqiptar. Nëse ‘suksesi’ i ndërtuesve shqiptarë përgjatë dekadës së parë të shekullit 21 do të vazhdonte edhe në të dytën, qytetet nuk do të ishin më të tilla. Jo se aktualisht fizionomia e tyre ka shumë prej tipareve të një qyteti, por të paktën mund të kurohen. Sigurisht edhe me ndihmën e sektorit të ndërtimit.

 

 

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas