Ekonomi

Kripa, nga deti në…faturë!

Një faturë e zakonshme, jotatimore, e shtrenjtë, lëshuar nga një bar-restorant në jug të vendit, vuri në lëvizje strukturat e shtetit.

Me vonesë, por gjithsesi kjo lëvizje shërbeu për të nxjerrë në pah një të vërtetë të madhe: Gjysma e bizneseve të turizmit nuk i paguajnë taksat. E thënë kjo nga strukturat shtetërore përgjegjëse për të luftuar informalitetin, duket e rëndë.



Mund të jenë më shumë se gjysma, mund të jenë më pak. Por që nxori zbuluar dhe një fakt tjetër, që e rëndon edhe më tej situatën e kontrollit: Strukturat vendore janë thuajse inekzistente. Ndaj aksioni që u ndërmor pas publikimit të faturës së kripur jotatimore iu besua Hetimit Tatimor, një strukture në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Fatura e publikuar, ku binte në sy çmimi për një makiato, që ishte 180 lekë, nga 60-100 lekë që është zakonisht, pasonte një tjetër faturë, gjithashtu jotatimore, e cila u kthye dhe në objekt humori. Bëhet fjalë për çmimin “fantastik” prej 800 lekësh për një omëletë.

Personi që e kishte publikuar atë në rrjetet sociale, kishte konsumuar ndër të tjera, për mëngjesin e tij, dy omëleta që i kushtuan 1600 lekë, një çmim dukshëm më shumë se abuziv. Përtej këtyre faturave shumë të shtrenjta, si të ardhura nga deti bashkë me kripën e tij, ata që pushuan apo ende po pushojnë në bregdetin shqiptar flasin për kushte dhe kufizime të shumta që nuk përkojnë aspak me çmimet e shtrenjta që ofrojnë shërbimet; që nga “ndalohet marrja me vete e pijeve dhe ushqimeve” e deri tek “ky është plazh privat, largohuni!”.

Aksionet

Edhe pse ishin aksione të ndërmarra pas denoncimeve në seri të pushuesve për çmimet e kripura në faturat jotatimore, (të paktën aksioni i parë) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u mundua t’i “shesë” si fushata “të parashikuara”.

Në njoftimin zyrtar, kjo drejtori nënvizonte se, strukturat e Hetimit Tatimor ushtruan kontrolle në kuadër të zbatimit të planit të masave për sezonin turistik. Kështu, vetëm gjatë një nate, janë kontrolluar 185 subjekte dhe janë konstatuar shkelje të legjislacionit tatimor për 82 prej tyre, në vlerë shkelje 2,4 milionë lekë. Inspektorët e Hetimit Tatimor, të mbërritur në terren nga Tirana, bllokuan ambientet e 6 subjekteve tatimpaguese për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (rast i përsëritur).

Më tej, në njoftim listoheshin të gjithë subjektet e bllokuara, nga Durrësi në Dhërmi, nga Golemi në Gjirin e Lalëzit për të përfunduar në jug të vendit, në Vlorë e Sarandë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vijonte listën me konstatimin e 7 subjekteve të paregjistruara në organet tatimore, për të cilat tha se “janë marrë masat e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre si subjekt TVSH”; me 18 tatimpagues të konstatuar në shkelje të moslëshimit të kuponit tatimor; 3 tatimpagues pa pajisje fiskale; 5 të tjerë që nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune; si dhe 13 subjekte që kishin mallra pa dokumentacion tatimor.

E ndërsa ftonte të gjithë qytetarët “të japin kontributin e tyre duke denoncuar rastet e abuzimit, informalitetit dhe paligjshmërisë”, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe administrata tatimore ftonin edhe sipërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në sektorin e turizmit “të respektojnë detyrimet ligjore në funksion të përmbushjes së përgjegjësive tatimore, deklarimit të punonjësve dhe lëshimin e kuponit tatimor”.

Si qershia mbi tortë ishte paralajmërimi se, strukturat tatimore në terren do të vijojnë të jenë prezente në çdo biznes “për të këshilluar dhe asistuar, me etikë dhe profesionalizëm, sipërmarrjet që të korrigjojnë përgjegjësinë tatimore dhe pajtueshmërinë me ligjin”.

Në një tjetër njoftim, po nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që u referohej statistikave për dy javë aksion, flitej për kontrollin në terren të mbi 1770 biznese në fushën e turizmit, nga të cilat afro gjysma ishin kapur me shkelje fiskale.

Sipas Tatimeve, rastet më të shumta të shkeljeve janë ato të moslëshimit të kuponit tatimor për të fshehur xhiron reale, mosregjistrimit të punonjësve apo blerjeve të mallrave të pashoqëruara me faturë. Por veç këtyre parregullsive nga kontrollet janë gjetur edhe biznese që ushtronin aktivitet të paregjistruara fare në organet tatimore.

Administrata e Tatimeve raportoi se të gjithë këto subjekte janë penalizuar me gjoba që kapin një vlerë totale rreth 250 mijë euro!!!

Vetë Tatimet e konsiderojnë turizmin si një nga sektorët me informalitetin më të lartë. Sipas analizave kompjuterike të riskut që zhvillon administrata tatimore, gati gjysma e bizneseve të turizmit si hotelet, bar restorantet apo pabet verore, rezultojnë të jenë në informalitet.

Për këtë arsye, “Tatimet kanë nisur një fushatë të gjerë kontrolli për bizneset e turizmit, fushatë që synon jo vetëm të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit, por edhe të vendosë barazinë në treg për të mos dëmtuar bizneset korrekte”.

Kontrollet gjatë këtij sezoni veror pritet të përfshijnë mbi 16 mijë biznese të lidhura me turizmin, veçanërisht ato që deklarojnë xhiro të ulëta ose ende nuk kanë ndryshuar statusin e tyre në aktiv. Në të dy njoftimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të cilës në fund i bashkëngjitej edhe Ministria e Financave, nuk gjen dot asnjë fjalë për çmimet…!

Çmimet

Pas një vëzhgimi të përciptë mbi faturat e shumta të publikuara nëpër rrjete sociale, dhe jo vetëm, konstaton se çmimet gjatë këtij sezoni turistik janë dyfishuar në rastin më të mirë, ose 4-5 fishuar në rastin më të keq. Edhe sipas zonave.

Kështu, në Durrës çmimet janë shtrenjtuar më pak se në jug të vendit. Në Durrës mund të pish një kafe ose makiato me 80 lekë, dhe një ujë (me ose pa gaz) po me 80 lekë. Ndërsa në jug, për shembull në Dhërmi, një kafe apo makiato kushton 150 deri në 200 lekë, ndërsa një bidon ujë 250 mililitra duhet ta blesh 150 lekë. Në Durrës mund të drekosh më lirë, ndërsa në jug duhet të mendohesh dy herë për një drekë a darkë në restorant.

Pse jo, edhe për një mëngjes të shpejtë. Sepse një omelëtë e ke 800 lekë në Himarë dhe 900 lekë në Dhërmi, dhe një briosh kushton as më shumë e as më pak, por 650 lekë. Në kushte normale, këto çmime janë të paktën gjysmë për gjysmë. Pra, e thënë ndryshe, jemi në një situatë gjysmash: Gjysma e bizneseve të turizmit u shmangen detyrimeve tatimore; çmimet duhet të ishin të paktën gjysma e atyre që janë sot; gjysma e shqiptarëve preferojnë plazhet e huaja; vetëm gjysma e plazheve kanë rrugë, ujë dhe drita; dhe së fundi, strategjia për turizmin që ka mbetur në gjysmë të rrugës…/SCAN Magazine

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas