Kryesore, Mapo Format

Krasniqi për MAPO WEEKEND: Vettingu në politikë nuk do të vijë nga PD apo pakti me PS

Eksperti i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi flet për nismën më të fundit të PD-së lidhur me vettingun në politikë

Z.Krasniqi, procesi i vettingut, përfshirë vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, po zbatohet sot për gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e policisë. Bashkëngjitur kësaj, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha dje se zbatimi i vettingut dhe masa e kontrollit të figurës duhet të ndiqet edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë. A keni ndonjë koment për këtë nismë, sa serioze ju duket si premtim dhe si mund të realizohet ajo pa sjellë kundërshti të forta siç ndodhi me Reformën në Drejtësi?



Nisma përbën lajm dhe është sinjal i mirë i fillimit të sesionit të ri politik, por në thelb, nismë e pamjaftueshme për të sjellë ndryshime. Duke propozuar diçka të natyrshme dhe të refuzuar deri tani nga politika, – vettingun në politikë, – opozita fitoi kohën e humbur gjatë 3-5 muajve të fundit dhe e orientoi politikën drejt nismës së saj. Nisma është sinjal pozitiv, është e natyrshme pas Reformës në Drejtësi dhe me pritshmëri të madhe publike. Por vettingu i propozuar në politikë ka dallime thelbësore me vettingun që po ndodh në drejtësi, madje thuajse nuk kanë pika takimi. Në reformën në drejtësi kemi disa mekanizma kushtetues, kemi një mision ndërkombëtar dhe trupat e vettingut, – në rastin e nismës për vettingun në politikë nuk ka asnjë mekanizëm real dhe as ide rreth tyre, ka vetëm shprehje të pjesshme të vullnetit politik. Ekzistojnë shanse reale për të pasur veting në politikë, por kjo jo për shkak të nismës së fundit të opozitës ose ndonjë kompromisi politik me PS. Shanset reale mbështeten vetëm në një instrument, – krijimi i SPAK dhe gjykatës speciale. Ato do të shënojnë fillimin e një procesi katarsisi e llogaridhënieje edhe nga politika. Gjithçka tjetër është e mbetet retorikë politike, dhe e pamjaftueshme.

PD ka propozuar një ligj për vettingun në politikë, por kush mendoni se duhet ta bëjë këtë kontroll sa kohë që edhe te Reforma në Drejtësi, ka mekanizma që i lihen në dorë politikës?

Nga modelet e vendeve të tjera ku ka patur procese të ngjashme, SPAK e Byroja e Hetimit janë mekanizmat e vetëm të kontrollit dhe vettingut. Ato nuk janë produkt parlamenti, pra nuk do jenë produkt i vullnetit politik, por produkt i një procesi konkurrues brenda vetë sistemit të ri të drejtësisë dhe asistencës ndërkombëtare. Në Rumani, Kroaci e vende të tjera ku ka patur nisma reale e të suksesshme ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë, bazë e suksesit ka qenë ndërhyrja nga jashtë politikës dhe presioni mbi politikën. Propozimi i ardhur nga opozita kërkon të kundërtën, – një kompromis politik me mazhorancën në parlament, ofertë që i pëlqen edhe vetë mazhorancës, pasi derisa të kuptohet se procesi do të dështojë, fiton kohë dhe shuan etjen e opozitës për protesta dhe kontestime politike ndaj shumicës. Opozita pati sukses të pjesshëm me dekriminalizimit. Ca individë me rekorde kriminale dolën jashtë sallës së parlamentit, por në fakt ata vijojnë të jenë në partitë politike, drejtojnë në degët lokale dhe kanë rol thelbësor në çdo vendimmarrje që lidhet me zonën ku veprojnë. Dekriminalizimi bazohej në parimin se individë të tillë do të dëboheshin nga partitë, jo të zhvendoseshin nga parlamenti në selinë e partisë. Të njëjtin proces propozon edhe nisma e fundit e opozitës: ajo kërkon të ketë masa ndaj politikanëve të lidhur me krimin dhe atyre që kanë rekorde ligjore negative, por nuk premton se ata duhet të largohen edhe nga partitë politike. Për më tepër, në perceptimin qytetar shumë më tepër i papranueshëm është një politikan i korruptuar sesa një politikan që drekon me një person me të dhëna kriminale, i dyti mund të jetë edhe viktimë, kurse i pati me ndërgjegje ka viktimizuar shtetin, ligjin dhe qytetarët. Së fundi, është e pritshme se kur propozon e mbron me forcë vettingun në politikë atëherë do të thotë se ndryshon qëndrimi i deritanishëm ndaj vettingut në drejtësi dhe pranon se ai ka qenë i suksesshëm. Sepse nëse vettingu në drejtësi ka dështuar, nuk mund të kërkosh që një model të dështuar ta injektosh edhe në politikë.

Reforma në Drejtësi do të zgjasë në kohë me vite, në një situatë hipotetike kur do të ishte gati politika t’i nënshtrohej vettingut?

Zyrtarisht ngritja e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë do të kërkojë të paktën edhe 6-10 muaj, i gjithë procesi i rivlerësimit në shkallën e parë do të kërkojë 4-5 vjet dhe rivlerësimi i plotë edhe në apel dhe në strukturat fundore do të kërkojë 8-9 vjet. Numërimi do të duhej të kishte nisur më 2016, por realisht po nis më 2018, pra jemi të paktën dy vjet me vonesë dhe nëse do të ketë vonesa edhe në të ardhmen, procesi do të mund të zgjidhet përfundimisht më 2025-2028, pra jashtëzakonisht vonë. Procesi ka ecur mirë muajt e fundit, por trendi është ende i brishtë. Përqindja e lartë e shkarkimeve, ndonëse e drejtë, ka stepur ambiciet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të kandiduar për postet vakante dhe kjo tendencë do të vijojë edhe në të ardhmen. Sa më pak kandidatë në garë, aq më përcaktues do jetë vota e mazhorancave parlamentare në votimin e atyre institucioneve që kërkojnë votëbesim parlamentar. Nga ana tjetër, po shohim tri dukuri të reja negative, – e para, ka grupe interesi jashtë politikës por me kapacitete financiare të mëdha që po përdorin reformën në drejtësi për të denigruar apo promovuar klientët e tyre në gjyqësor e prokurori; dhe e dyta, pjesa më e korruptuar e gjyqësorit dhe prokurorisë nuk kandidon për poste duke pritur kështu që të kalojnë në sitën e vettingut pas 2-3 vjetësh, pra duke fituar kohë për abuzime të reja në sistem. Dukuria e tretë lidhet me thelbin e Reformës në Drejtësi, – ne duam të kemi gjyqtarë e prokurorë të pakorruptuar, por mbi të gjitha ne duam të kemi gjyqtar e prokurorë të aftë profesionalist. Vettingu i deritanishëm është bazuar në treguesit financiar të pasurisë, dhe disa prej atyre që kaluan testin janë vlerësuar me aftësi minimale profesionale. Ka individë që kanë qëndruar në cep të zhvillimeve, nuk janë përfshirë në afera korruptive, por është thelbësore që ata të kenë CV e aftësi profesionale, ndryshe zëvendësojmë një sistem të korruptuar me një sistem me të paaftë, – pra të kundërtën e thelbit të reformës për shtetin e së drejtës dhe demokracisë funksionale.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas