Kryesore, Politika

“Kotzias tha se Greqia zgjeron detin!” Bushati: Se di se ç’ka dashur të thotë!

-Procesi i bisedimeve të Shqipërisë me Greqinë udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare, nga konventa mbi të drejtën e detit, nga parimet e të drejtës kushtetuese dhe legjislacionet respektive. Këtë përgjigje ka dhënë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë një intervistë për “Zërin e Amerikës”, në lidhje me deklaratën e homologut të tij grek, se “shumë shpejt Greqia do të zgjerojë ujërat territoriale”.

“Unë nuk e di se çfarë ka dashur të thotë ministri i jashtëm grek, por di që i gjithë procesi i bisedimeve me Greqinë udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare, nga konventa mbi të drejtën e detit, nga parimet e të drejtës kushtetuese dhe legjislacionet respektive”, u përgjigj kreu i diplomacisë shqiptare.



Sakaq, ministri Bushati ka theksuar se negociatat me Greqinë vijojnë, dhe tashmë dy vendet janë në një fazë dialogu intensiv për të gjitha çështjet, qoftë ato me karakter dhe me peshë historike apo çështjet e aktualitetit politik.
Ai tha se janë hedhur disa hapa të rëndësishëm përpara edhe për ato çështje të cilat deri para pak vitesh konsideroheshin tabu, si kufizimi i zonave detare, ekzistenca e ligjit të luftës nga ana e Greqisë përkundrejt Shqipërisë, etj.

Këto deklarata ministri Bushati i bëri nga Uashingtoni, ku mori pjesë për 3 ditë me radhë, prej datës 24 deri në 26 korrik, në Ministerialin mbi Lirinë Fetare, i pari i këtij lloji, i cili organizohet nga sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

Takimi u përqendrua tek angazhimi ndërkombëtar për të nxitur lirinë fetare dhe për të patur ndryshime të prekshme. Ministeriali mblodhi një gamë të gjerë aktorësh, përfshirë ministra të jashtëm, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, udhëheqës fetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar rreth sfidave dhe identifikimin e mënyrave konkrete për të luftuar persekutimin dhe diskriminimin fetar.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas