Op Ed

Kosova para një çasti historik…

“Është më e mirë një paqe e sigurt se një fitore e shpresuar” / TITO LIVIO (59–17 p.k.), historian i madh latin.

Nga Eugjen Merlika



Ka disa javë që në botën shqiptare, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Mërgatën shqiptare, vendin kryesor në bisedat e përsiatjet politike e ka zënë një pikëpyetje hamletiane mbi një projekt serbo – kosovaro – shqiptar në shqyrtim, të përkrahur nga institucionet zyrtare të BE e, me gjasë, edhe nga ato të SHBA.

Po ta zhveshim këtë rrahje të gjerë mendimesh, në forma vetjake nga përfaqësues të politikës dhe të mediave të shkruara e pamore, nga termat propagandistikë e etiketimet tradicionale të panevojshme, që këpusin që në lindje fillin e arsyetimit mbi thelbin e problemit, besoj se do të arrijmë në një trajtim më objektiv e të dobishëm të një situate e cila na paraqitet për herë të parë mbas 106 vitesh të mëvetësisë shqiptare.

Pikërisht para 106 vitesh Shqipëria ishte Vendi i fundit në Ballkan që kishte mbetur në kuadrin e Perandorisë Osmane e që, në vetvete, gëlonte nga një diskutim i gjerë, kryesisht në rrafshin intelektual dhe administrativ mbi kërkesat për një pavarësi të plotë apo për një autonomi të zgjeruar, të kryera nga rrethe atdhetare në drejtim të Portës së lartë. Këto kërkesa mbështeteshin edhe në përfundimet e fitoreve ushtarake të kryengritjes shqiptare, që patën kurorëzimin e tyre në marrëveshjen e Shkupit. Por ndërsa shqiptarët diskutonin për këtë përparësi të së ardhmes së tyre politike, koalicioni ballkanik, i përbërë nga ushtritë serbe, malazeze, greke e bullgare, mësyu trevat shqiptare, duke përvetësuar gati dy të tretat e Shqipërisë etnike. Ushtria turke, e dobësuar nga kryengritjet shqiptare, ndoshta e panxitur më nga interesat e perandorisë që ishte në perëndimin e fuqisë së saj shekullore, braktisi në mëshirë të fatit territoret e Shqipërisë osmane. Përballë kësaj gjendjeje katastrofale, që rrezikonte edhe vetë qenien e një Shteti të shqiptarëve, një grusht atdhetarësh të prirë nga Ismail Qemali, vendosën krijimin e të parit Shtet të bashkuar shqiptar, fatmirësisht me nxitjen dhe përkrahjen e diplomacive të Vjenës e të Romës.

Në një epokë mendësish perandorake e ndarjeje të botës në shtete koloniale e kolonizuese, me shumë vështirësi u arrit që të njihej Shteti shqiptar, në kufijtë e tij të cunguar, në konferencat e Londrës e të Versajës. Historia e këtyre më se njëqind viteve pati si fill përçues të saj çështjen kombëtare. Në një të tretën e shekullit që shkoi, deri në bashkimin e një pjese të madhe të trojeve shqiptare në vitet 1941–1945, kombi i ndarë e plagët e dhimbshme të tij ishin thelbi i gjithë shqetësimit e problematikës së jetës shoqërore, shtetërore, kulturore e shpirtërore të shqiptarëve. Më 1945, me vendimet e të mëdhenjve të botës mbi gjeopolitikën e Europës së mbas luftës dhe bashkëpunimin e komunistëve shqiptarë me kujdestarët e tyre homologë jugosllavë, çështja kombëtare pësoi një goditje vdekjeprurëse e për gjysmë shekulli, me përjashtime të rralla, doli nga orbita jo vetëm e jetës politike dhe administrative, por edhe nga ajo e jetës shpirtërore e kulturore të shqiptarëve.

Viti i parafundit i shekullit, me shfaqjen më të egër e më kriminale të shovinizmit serb, me pasoja shkatërruese mbi popullsinë kosovare dhe kundërveprimin ushtarak humanitar të NATO-s, hapi një epokë të re në jetën e kosovarëve. Pavarësia e shpallur disa vite më vonë, e njohur nga Perëndimi në të dy anët e Atlantikut, i hapi rrugën një etape tjetër të jetës kombëtare të shqiptarëve, kryesisht atyre të Kosovës. Por procesi i përparimit të Kosovës e të integrimit të saj në Europë, për shkak të shemërive e koniunkturave ndërkombëtare, aftësisë së serbëve për të lobuar e përkrahjes që gjejnë në Fuqi të mëdha si Rusia dhe Kina e, së fundi, edhe për mangësi të theksuara të klasës politike kosovare, nuk ecën me ritmet e duhura. Gjatë viteve të fundit çështja e Ballkanit perëndimor duket se ka marrë më shumë rëndësi në tryezat e diplomacisë së Bashkimit Europian, i cili ngulmon në takimet e drejtpërdrejta mes drejtuesve kryesorë të Serbisë e të Kosovës, që të arrijë në një marrëveshje të pranueshme e të kënaqshme për vetë popujt e tyre, por edhe në përputhje me parimet kryesore të Bashkësisë europiane, në të cilën dy shtetet synojnë të hyjnë në kohë relativisht të shkurtra.

Parimi i diplomacisë europiane, për sa i përket politikës së zgjerimit, duket se është i lidhur me shmangien e problemeve të grindjeve ndërmjet mëtonjësve. Në këtë kuadër synimi i tyre sot është i përqendruar në shmangien kundërshtisë serbo – shqiptare si gur themeltar i një godine harmonie për të gjithë Ballkanin. Nëse ky është synimi i Europës e i SHBA, mendoj se ne e kemi për detyrë të mundohemi me të gjitha mundësitë tona për të lehtësuar sendërtimin e tij. Ajo gjë është në radhë të parë në interesin tonë, mbasi normalizimi i marrëdhënieve të Prishtinës me Beogradin do t’i hapte rrugën normalizimit botëror të çështjes kosovare, me pasojë arritjen e synimit të pranimit të saj në të gjithë organizmat ndërkombëtare, me të drejta të plota të një shteti sovran.

Për të arritur në këtë pikë të dëshiruar për Kosovën dhe gjithë shqiptarët duhen shmangur pengesat që, me ose pa të drejtë, quhen vendimtare. Këto njëjtësohen me problemet e pakicave etnike në trevat e dy shteteve. Diplomacia bashkëkohore europiane ka bërë një kapërcim të fuqishëm mbrapa, duke pranuar përparësinë e shteteve etnike në shmangien e arsyeve të kundërshtive dhe vatrave të tensionit mes shteteve. A nuk ishte kjo teza e hershme e kombëtarizmit shqiptar? A nuk kemi një shekull që ne ngremë lart flamurin e padrejtësive historike kundrejt nesh, pikërisht sepse mësymja e fqinjëve dhe ligjësimi i saj nga diplomacitë e shteteve të mëdha ka qenë një nga fatkeqësitë më të mëdha të kombit tonë në shekullin e shkuar?

Për të sendërtuar këtë mundësi normalizimi duhet bërë një ndryshim kufijsh: Mitrovica e veriut, e banuar nga 130.000 serbë me Luginën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjes. E para duhet t’i kalohet Serbisë dhe e dyta Kosovës. Në këtë shkëmbim, nga ana ekonomike, del e fituar Serbia, pa dyshim, në saje të pasurisë nëntokësore që përfaqëson Trepça dhe Mitrovica e veriut. Logjika tregtare e arsyetimit shtyn shumicën e politikanëve dhe opinionistëve ta quajnë të papranueshme këtë mundësi, qoftë edhe në shkëmbim të një paqtimi të vërtetë mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, një paqtim që nënkupton njohjen de jure nga serbët dhe miqtë e tyre të Kosovës së pavarur dhe sovrane. Këtu shtrohet pyetja: a ia vlen ky flijim i interesit material të Kosovës sot, për të ardhmen e saj, të siguruar nga marrëveshje të firmosura në prani e mbikëqyrje të diplomacive perëndimore europiane dhe amerikane, marrëveshje që sanksionojnë zyrtarisht njohjen e ndërsjellë, hapjen e një epoke bashkëpunimi të sinqertë e të gjithanshëm në dobi të integrimit europian? E në këtë rast lind një tjetër pyetje: a mund e duhet t’iu besojmë serbëve, a mund të zëvendësojmë shprehjen e famshme të Virgjilit “Trembju grekëve dhe kur të bëjnë një dhuratë”, duke ndërruar emrin e grekëve me atë të serbëve? A duhet të mbajmë parasysh se nesër në vend të Vuçiçit, që mendoj se e don marrëveshjen mund të vijë një Sheshel, apo një tjetër dishepull i Millosheviçit, që ta hedhë atë në kosh e të kërkojë edhe një herë tjetër rishikimin e kufijve, duke mëtuar kthimin e tyre në shekullin e shkuar? Këtu hyn në veprim fuqia politike e mbikëqyrësve të asaj marrëveshjeje, që janë në gjendje të sigurojnë mos realizimin e skenarit të hamendësuar më sipër, nëse ata na e japin këtë siguri nuk kemi pse të ngurojmë. Përputhja e interesave të integrimit në Europë për të dy popujt është një tjetër motiv shumë i rëndësishëm që mund të heqë dyshimet e mundshme në lidhje me të ardhmen.

Nëse marrëveshja do të parashohë qëndrimin e popullsisë shqiptare të Mitrovicës në territorin e Kosovës dhe bashkimin e krahinave të Luginës me të, më duket se ajo mund të jetë e pranueshme. Sidoqoftë ky mbetet një problem për t’u zgjidhur nga Kosova, populli i saj dhe klasa politike e saj. E kjo bëhet nëpërmjet një bisede të shtruar në institucionet përkatëse, një lloj “Kuvendi të Arbërit”, në traditën më të mirë të tij, ku të peshohen argumentet pro dhe kundër, pa paragjykime e me gjakftohtësi, duke lënë mënjanë një pjesë të mirë të mllefit që historia na ka futur në gjak, si pasojë e një të shkuare të dhimbshme e me shumë flijime nga ana jonë. Në këtë kuvend duhet të mbizotërojë logjika e ftohtë pragmatiste, e projektuar më shumë në të ardhmen se sa e ngulitur në të shkuarën, vetëdijesimi që çdo sipërmarrje e madhe, e tillë duhet quajtur edhe kjo e paqtimit me Serbinë, kërkon flinë e vet. Legjenda e Rozafës mbetet gjithmonë aktuale e ka çfarë të na mësojë.

Krijimi i një grupi pune që do të qëndrojë përbri kryetarit të shtetit në bisedimet e Brukselit më duket një iniciativë mjaft e drejtë dhe e dobishme. Por ngulmimi i Presidentit Thaçi për të sendërtuar marrëveshjen, më duket se nuk meriton lumin e padive që i bëhen. Ai duhet të jetë një përpjekje për mirëkuptim, për shoshitje të gjithë elementëve përbërës të bisedimeve, për të përcaktuar caqet përtej të cilëve nuk mund e nuk duhet të shkohet. Në këtë drejtim duhet të japë ndihmesën e vet edhe opozita kosovare, që nuk duhet të ngujohet në bindje të parafabrikuara e të flasë jashtë kuvendit, por të marrë përgjegjësinë e saj, nëpërmjet ballafaqimit të hapur me ekipin negociues e me shumicën në parlament.

Është një provë e madhe edhe në fushën ndërkombëtare, një provim i aftësisë sonë ndërtuese që duhet të shprehim, i prirjes për t’i zgjidhur problemet tona nëpërmjet marrëveshjesh të peshuara, të shoshitura e të pranuara, jo si detyrim nga njëri apo tjetri, por si një detyrë që e ardhmja shtron sot para vullnetit tonë për të punuar për të. Kundërshtimi paragjykues i përhershëm dhe i pabazuar në logjikën historike, nuk është shprehje e kthjelltësisë së ideve, mbasi teza se “kufijtë janë vendosur me luftë” e për pasojë logjike, me luftë duhet të ndryshojnë, jo vetëm nuk ka asnjë dobi për të ardhmen tonë, jo vetëm na kthen mbrapa në mendësi të vjetra e të tejkaluara nga kohët, por nuk i përgjigjet së vërtetës historike, mbasi për ne kanë qenë produkt i vendimeve të të mëdhenjve të botës që ligjësuan pushtime të cilëve ne nuk qemë në gjendje t’u kundërviheshim e pra “të luftonim”. Nëse sot, në sajë të ndryshimeve të mëdha të Europës, na jepet mundësia t’i përcaktojmë ata nëpërmjet bisedimeve ndërtuese, nuk më duket se është rasti t’u bishtnojmë atyre e, aq më tepër, t’i hedhim poshtë.

Nuk më duket bindës edhe një qëndrim tjetër i shprehur këto ditë, i huajtur nga arsenali i diplomacisë europiane të së shkuarës, se “ndryshimi i kufijve përbën një rrezik për përballime të reja në rajon”. Në rastin e veçantë të shqiptarëve me serbët duhet të jetë e kundërta, duhet të sigurojë një periudhë harmonie e bashkëpunimi me fqinjët. Përvoja e këtyre tridhjetë viteve të fundit në Europë tregon se ndryshimet, pasojë e marrëveshjeve paqësore kanë funksionuar mirë e nuk kanë krijuar asnjë problem. Mjafton të mbajmë parasysh bashkimin e Gjermanisë dhe ndarjen e Republikës Ҫeke nga Sllovakia.

Së fundi mendoj se marrëveshja me Serbinë, në perspektivën e integrimit europian, krijon premisat edhe për hapa të mëtejshëm në drejtim të bashkimit kombëtar, mbasi një Kosovë e shkëputur nga litari serb i lidhjeve të së shkuarës, ka mundësi nëse e dëshiron, nëse iu përgjigjet aspiratave të shqiptarëve në të dy anët e Drinit, të kërkojë më me lehtësi bashkimin, aq shumë të dëshiruar me Shqipërinë.

Si përfundim i kësaj përsiatjeje kundër rrymës, desha të kujtoj një thënie të një historiani të madh anglez, Edward Gibbonit: “Shqiptarët kanë mbrojtur gjithmonë kauzën e humbur”. Ndoshta këtë herë kemi rastin të përgënjeshtrojmë historianin anglez e të tregojmë se jemi në gjendje ta rrokim çastin e volitshëm e të punojmë për interesat e vërtetë të kombit e, kryesisht, të fëmijëve e nipave tanë.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas