Op Ed

Kosova, nëntor 1918 dhe nëntor 2018

Nga Blerim Latifi

Flamuri i Kosovës u pa të valëvitej krahas flamujve të shteteve të tjera pjesëmarrëse në ceremoni dhe për më tepër, protokolli francez ishte kujdesur që Presidentit kosovar t’i caktojë një ulëse shumë pranë liderëve të shteteve më të fuqishme të botës, derisa presidentin serb e kishte vendosur në anën tjetër të pjesëmarrësve, diçka që siç u mor vesh, serbëve nuk u pëlqeu aspak. Këta si duket kishin menduar se Vuçiçi do të pritej në Paris siç ishte pritur Pashiçi 100 vite më parë. Thënë me pak fjalë: Shteti i Kosovës u duk mirë në ceremoninë e Parisit të 11 nëntorit të vitit 2018.



Po ku ishte Kosova në të njëjtën datë, 100 vite më parë, kur po nënshkruhej armëpushimi, i cili i dha fund Luftës së Parë Botërore?

Një vend krejtësisht i shkatërruar dhe i harruar nga bota! Dhjetë vite me konflikte të njëpasnjëshme, fillimisht kryengritjet antiosmane, pastaj Luftërat ballkanike dhe pushtimi serb, pas tij vitet e Luftës së Parë Botërore nën pushtimin austro-hungarez e bullgar, Kosovën e kishin shndërruar në një vend gërmadhë, ku njerëzit përditë vdisnin si pasojë e operacioneve ushtarake të palëve ndërluftuese, prej sëmundjeve dhe urisë masive.

Në kujtesën popullore ende sot ruhen rrëfimet për zinë e bukës të shkaktuar nga lufta dhe “tre vitet e thatësisë në ditët e nemcit”. Dhe në përfundim të Luftës së Madhe këtij mjerimi total, iu shtua një tragjedi tjetër: ripushtimi serb i Kosovës me ndihmën e ushtrive franceze.

Në nëntor të vitit 1918 Serbia u gjet në kampin e atyre që kishin fituar luftën. Në ato ditë në Londër, Paris e Uashington serbët trajtoheshin si kombi më heroik i Ballkanit, i cili meritonte të shpërblehej me lavdi dhe territore për rezistencën që kishte bërë kundër armikut të përbashkët- Austro-Hungarisë. Dhe në fakt u shpërblye mirë: Pa u mbushur tre javë nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore u krijua Mbretëria Jugosllave, me një territor që edhe shovinistët më të mëdhenj të nacionalizmit ekspansionist serb nuk e kishin ëndërruar.

Ndërkaq, në diplomacinë e fuqive që kishin fituar Luftën e Madhe për fatin e Kosovës nuk kishte asnjë mëdyshje: ajo konsiderohej tokë serbe, ndërsa çështja shqiptare e Kosovës trajtohej si çështje inekzistente. Shqipëria, nga ana e saj, e shkatërruar po ashtu nga lufta, shkonte në Konferencën e Paqes në Paris me të vetmin synim: të ruante kufijtë e njohur nga fuqitë e mëdha në vitin 1913.

Austro-Hungaria, shteti që i kishte mbështetur më se shumti Shqipërinë dhe shqiptarët në kauzën e tyre nacionale, kishte humbur luftën dhe po shpërbëhej, bashkë me Perandorinë Osmane dhe atë Ruse. Kësisoj, të shkatërruar nga lufta e të etiketuar si aleatë të humbësve të saj, shqiptarët në nëntorin e vitit 1918 po jetonin ditë të këqija si komb.

Në ato ditë, në Shkodër, ishte formuar Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, e cili do të përpiqej që brenda politikës shqiptare dhe në rrafshin e diplomacisë evropiane, ta mbante gjallë çështjen shqiptare të Kosovës.

Në pranverë të vitit 1919, kur në Paris po vendoseshin kufijtë e rinj të botës, sigurisht, sipas vullnetit të fitimtarëve të luftës, Komiteti arriti të organizoj një kryengritje të armatosur në Kosovë, me qëllimin që vendimmarrësit e botës në Paris t’i sensibilizonte për çështjen shqiptare në Kosovës.

Si në shumë raste të tjera, u zgjodh Drenica për t’ia nisur kësaj pune. Azem Bejta arriti të mobilizoj afër 10 mijë kryengritës, të cilët sulmuan qendrat ushtarake serbe në Kosovën qendrore, por në mungesë të armatimit dhe të përkrahjes kryengritja u shua shpejt.

Lajmi për të nuk arriti kurrë në Paris, ndërsa letrat protestuese të Hasan Prishtinës e të tjerëve askush nuk gjeti kohë t’i lexoj. Perëndimi nuk kishte as sy as vesh për të parë e dëgjuar dikë që fliste për Kosovën, ndryshe prej asaj që fliste Serbia për të.

Të mos të të japin të drejtën as të tregosh padrejtësinë që të bëhet- kjo është gjendja më e rëndë në të cilën mund të bjerë një komb. Është më e rënda, sepse një gjendje e tillë, paralajmëron aktin final të shkatërrimit të një kombi- gjenocidin, akt të cilin estabilishmentet e ndryshme politike dhe ideologjike të Serbisë tentuan disa herë ta realizojnë në Kosovë, qoftë përmes të ashtuquajturës Reformë agrare e viteve ‘20 e ‘30 të shekullit të kaluar, qoftë përmes planeve për dëbimin kolektiv të shqiptarëve në Turqi dhe së fundmi edhe përmes planit “Patkoi” të Millosheviçit.

U deshën pothuajse 100 vite që shqiptarët e Kosovës ta fitojnë të drejtën për ta treguar të vërtetën e tyre për Kosovën, e më pas edhe për ta fituar të drejtën që të jetojnë të lirë në tokën e tyre, të kenë shtetin e tyre dhe rrjedhimisht edhe mundësinë për të marrë pjesë si shtet në përkujtimet ndërkombëtare të ngjarjeve të tilla si Lufta e Parë Botërore, të organizuara nga po ato shtete që dikur as që donin të dinin që ekzistojmë.

Kjo është një fatbardhësi e rrallë historike që pak popuj të vegjël kanë mundur ta kenë në xhunglën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këtë pikëpamje, pjesëmarrja e Kosovës ceremoninë e Parisit, do të duhej të shihej dhe përjetohej para së gjithash si satisfaksion historik dhe homazh për të gjithë ata që në këto 100 vite bënë krejt çfarë mundën për lirinë e saj. Si një simbolikë e triumfit historik mbi të ata që për 100 vjet nuk ndaluan së punuari për ta na zhdukur etnikisht nga Kosova.

Por, ja që të gjithë e harruam këtë gjë thelbësore.

E harruam, sepse aq shumë jemi ngulfatur nga logjika e luftës së brendshme politike, nga inatet kundër njëri tjetrit, saqë gjithçka që ndodhë në botë kemi filluar ta shohim nga perspektiva e kësaj lufte dhe këtyre inateve.

Ky është degjenerimi partitokratik, brenda të cilit gjithçka dhe çdo vlerë peshohet në kandarin e interesit të ngushtë partiak e grupor, madje edhe vetë shteti.

Është sindromi i para 100 viteve, kur shqiptarët nuk arrinin të ndërtonin një ekip të unitetit kombëtar, për t’u paraqitur me një zë në Konferencën e Paqes në Paris, ku vendosej edhe për fatin e tyre.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas