Politika

Ministrat nën hetim, PS akuzon Llallën

llallaPandeli Majko dhe Adriatik Llalla kanë replikuar në Kuvend për korrupsionin. Ish-kryeministri:…Apo deklaratat tuaja se do ndodhin gjëra të jashtëzakonshme nga ato që do marrim vesh në hetimet, apo se po hetoni disa ish-ministra dhe ministra. Kryeprokurori: Nëse ju shqetësoheni për deklaratat e mia mbi hetimet, ky është problemi juaj personal. Unë ato i përmend sërish. Kemi disa procese hetimi që do të sjellin rezultatet e tyre”

Nga Fejzi Braushi



 

Mazhoranca e majtë duket se është e pakënaqur nga veprimtaria e organit të akuzës në lidhje me luftën kundër korrupsionit.

Një pakënaqësi të tillë e ka shprehur dje ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili duke përfituar nga fakti se në komisionin e Ligjeve ishte ftuar të raportonte për gjetjet e progres-raportit të Komisionit Europian, kryeprokurori Adriatik Llalla i ka kujtuar se më së shumti lufta kundër korrupsionit mbetet në kuadrin e retorikës.

Majko i tërhoqi vëmendjen prokurorit se, përveç deklaratave në media për hetim ministrash, në luftën ndaj korrupsionit është bërë fare pak dhe nuk ka transparencë në emërime.

“Shqetësimi kryesor i yni, marrëdhënia me korrupsionin në shtetin tonë është e diskredituar dhe ju jeni institucioni përgjegjës. Ju lutem, na flisni në mënyrë të qartë ku janë problemet që keni dhe me institucionet e tjera dhe brenda jush. Dyshimi më i madh i yni është: ju jeni e njëjta trupë që keni funksionuar edhe më përpara dhe vazhdoni e trajtoni problemin sikur nuk ka ndodhur asgjë. Dhe do t’ua zgjidhë problemin shtesa në buxhet e disa njerëzve në personel apo IT?! Ky qenka problemi i luftës kundër korrupsionit? Apo deklaratat tuaja se do ndodhin gjëra të jashtëzakonshme nga ato që do marrim vesh në hetimet, apo ato që thoni në media se po hetoni disa ish-ministra dhe ministra? Nuk janë sekrete hetimore këto apo po bëni politikë? Ju lutem, flisni qartë, hapur para publikut. Kush janë problemet tuaja, çfarë ndihme doni nga ne? Si do t’i përgjigjemi BE-së për këto që shkruan këtu dhe jo me llafe të përgjithshme siç thuhet këtu”, – tha Majko.

Por Llalla duke mohuar së pari akuzat për emërime jotransparente, ka theksuar se mungesa e stafit të prokurorisë ndikon jo pak në rezultatet e luftës kundër korrupsionit. Sa i përket çështjes së hetimit të ministrave aktualë, ai ka rikonfirmuar edhe një herë se prokuroria po punon në këtë drejtim dhe pritet që të ketë rezultatet konkrete.

“E përsëris se, problematika e prokurorisë janë mungesat në stafin e saj. Nuk mundet që një numër kaq i vogël prokurorësh të përballet me tërë këtë sfidë të shoqërisë. Nëse ju shqetësoheni për deklaratat e mia mbi hetimet, ky është problemi juaj personal. Unë ato i përmend sërish. Kemi disa procese hetimi që do të sjellin rezultatet e tyre”, – u përgjigj nga ana e tij Llalla.

“Tani, i nderuar Prokuror i Përgjithshëm, nëse sot e keni konsideruar këtë takim, ju bëni sikur flisni dhe ne bëjmë sikur pyesim, dakord. Por kam përshtypjen se sot keni ardhur për të dhënë llogari në institucionin kryesor të Republikës së Shqipërisë. Ju lutem, frazeologjitë e përgjithshme nuk ndryshojnë asgjë në këtë histori. Dhe kolegët që pyetën dhe trajtimi juaj nuk kishte të bënte fare me trajtimin e këtyre dy lloj paragrafëve”, – tha Majko duke u shprehur i pakënaqur për raportimin e kryeprokurorit.

Edhe deputetët e tjerë socialistë kanë patur jo pak rezerva në lidhje me punën e prokurorisë, duke u nisur pikërisht nga disa konstatime që bën progres-raporti.

“Po ashtu thotë, problem shqetësues ngelet mungesa e llogaridhënies e Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe procedurat e emërimit dhe shkarkimit të personelit në këtë institucion duhet të jenë më transparente dhe të paanshme dhe duhet të rritet dhe forcohet roli i Këshillit të Prokurorisë”, – tha deputeti Ulsi Manja.

Ndërsa deputetja Vasilika Hysi ka ngritur shqetësimin lidhur me konstatimin që bën raporti sa i përket nisjes së hetimeve vetëm me kërkesë të të tretëve dhe shumë pak kryesisht. Ndaj këtij shqetësimi Llalla ka thënë se prokuroria ka reaguar, duke hetuar çdo rast të dyshimtë që është përmendur publikisht për korrupsion apo çdolloj vepre tjetër.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas