Kryesore, Rajoni

Korrigjimi i kufijve, Thaçi shkon në SHBA për t’u takuar me Trumpin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në fillim të javës së ardhshme, për të diskutuar – siç mësohet nga burime diplomatike të “KosovaPress”, – mbi nismën e përkrahur nga Amerika për korrigjimin e kufijve mes Prishtinës e Beogradit.

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj, në një përgjigje për mediet kosovare ka konfirmuar se kreu i shtetit të Kosovës do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë fundjavë, duke shtuar se vetëm atëherë do ta bëjnë publike edhe agjendën e takimeve të tij.

Ky zhvillim ndoshta mund të konsiderohet i pritshëm, pas deklaratave të dhëna pak ditë më parë nga këshilltari i shefit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton.



Bolton, duke folur për gazetarët në Kiev të Ukrainës, ishte shprehur se politika amerikane nuk do të përjashtonte korrigjimet territoriale, nëse të dyja palët do të punonin me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Veç çështjes së kufijve, presidenti Thaçi dhe ai amerikan Trump mësohet se do të bisedojnë edhe për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë për arritjen e marrëveshjes historike.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas