Mapo Format

‘Korrigjimi i kufijve’/ Ligjvënësi gjerman: BE nuk do ndikohet nga SHBA për Kosovën 

Në mesin e spekulimeve në rritje se SHBA mund ta pranojnë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të ngërçit me Serbinë, ligjvënësi i koalicionit qeverisës në gjermani Josip Juratoviç thotë se Bashkimi Europian nuk do të ndikohet nga Uashingtoni, por do të mbajë qëndrimin e tij.

Spekulimet janë të shumta se Shtetet e Bashkuara mund të pranojnë ndarjen si një zgjidhje për rebusin e Kosovës, por një ligjvënës i koalicionit qeverisës në Gjermani thotë se BE do të veprojë me mendjen e vet. Pozicioni i Bashkimit Europian mbi marrëdhëniet e Serbisë me ish-provincën e saj, Kosovën do të vendoset “ekskluzivisht” në përputhje me rregullat e vetë bllokut dhe jo sipas opinionit të Shteteve të Bashkuara – tha për “BIRN” një ligjvënës i koalicionit qeverisës në Gjermani.



Josip Juratovic, i lindur në Kroaci dhe anëtar i Bundestagut thotë se Bashkimi Europian nuk është më i gatshëm të importojë çështjet e pazgjidhura të kufijve, të tillë si ajo mes Sllovenisë dhe Kroacisë mbi Gjirin e Piranit, kështu që Serbia dhe Kosova nuk mund t’i bashkohen BE-së pa zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre.

I pyetur mbi spekulimet në rritje mbi mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë-si dhe faktit se administrata amerikane e Donald Trump mund të jetë e hapur ndaj një marrëveshjeje të tillë, Juratovic u përgjigj: “Një gjë duhet të jetë e qartë; marrëdhëniet Serbi-Kosovë janë një çështje e BE-së, për sa kohë që të dy vendet janë të interesuara për t’u bërë anëtare.

Në opinionin tim, pozicioni i BE-së nuk do të bazohet tek opinionet e analistëve apo te Shtetet e Bashkuara, por ekskluzivisht në standardet dhe ligjet e veta, të cilat janë të barabarta për çdo vend anëtar të BE-së”.

Këmbëngulja e Merkel

Ndarja etnike është sërish në fokus të spekulimeve të ethshme në Ballkan, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç që bën thirrje për “delimitim” me Kosovën dhe homologun e tij Kosovar, Hashim Thaçi që mbron “korrigjimet kufitare” për një marrëveshje finale të ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, me shpresën se një ditë do t’i bashkohen bllokut.

Ambasadori i Uashingtonit në Prishtinë dështoi të përjashtojë ndarjen etnike gjatë një interviste televizive, fakt ky që ndezi thashethemet se administrata e Trump kishte braktisur “vijën e kuqe” të vendosur nga fuqitë perëndimore kur ato njohën Kosovën një dekadë më parë.

Bashkimi Europian ka qenë gjithashtu më pak se këmbëngulës në shuarjen e spekulimeve. Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbajti qëndrimin më të fortë, kur tha në një konferencë shtypi më 13 gusht “ne nuk mund ta bëjmë atë”. “Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i vendosur dhe i paprekshëm”, tha Merkel. “Kjo duhet thënë prapë dhe prapë, pasi sërish ka përpjekje për të folur për kufijtë dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë”.

I njëjti rregull për të gjithë

Juratovic, Partia Socialdemokrate e të cilit është në koalicion qeveritar me CDU-në tha se Merkel nuk po fliste vetëm për Berlinin. “Nuk është vetëm opinioni i saj, por pozicioni i të gjithë BE-së”, tha ai për BIRN. “Ka rregulla të qartë për hyrjen dhe anëtarësimin si vend anëtar i BE-ata duhet të plotësojnë të 35 kapitujt.

Kapitulli 35 trajton çështjen e kufirit dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet fqinje-në këtë rast kryesisht me Kosovën, sepse BE nuk është më gati të importojë probleme kufitare, siç ishte rasti mes Kroacisë dhe Sllovenisë pas anëtarësimit, por dëshiron që ato të zgjidhen përpara”.

“Dhe kjo është e vetmja zgjidhje e pranueshme për Bashkimin Europian dhe Gjermaninë”, shtoi Juratovic. “Rregullat janë të njëjtë për të gjithë dhe i njëjti aplikohet edhe për Serbinë”. Gjermania është mes 23 vendeve të BE-së me 28 anëtarë që e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Pesë nuk e njohin dhe as Serbia, e cila ka mbështetjen e Rusisë në bllokimin përmes vetos të anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por BE thotë se Beogradi duhet t’i zgjidhë marrëdhëniet me Prishtinën, nëse dëshiron që t’i bashkohet bllokut.

E panjohura

Juratovic, i cili drejton grupin e Bundestagut për Europën Juglindore thotë se çdo shkëmbim territori-përmes së cilës Kosova do të hiqte dorë nga veriu i vet kryesisht serb dhe do të aneksonte Luginën e Preshevës, kryesisht shqiptare-do të thotë të shkosh drejt një situate “të panjohur” dhe “shumë të komplikuar”, e cila do të kërkonte referendum. “Unë nuk e di se si mund të zhvillohet kjo procedurë, pasi nuk është vetëm çështje e shkëmbimit të territorit dhe e vullnetit të qeverive, por një çështje e qytetarëve të cilët nuk e pranojnë këtë fakt”, tha ai.

“Dhe sigurisht, faktori rëndues është se BE nuk e pranon ndryshimin e kufijve”. “Duhet theksuar se BE ka një pozicion të qartë se kufijtë në Europë janë të pandryshueshëm”, tha ai. Të braktisësh këtë rregull do të thotë “kaos dhe qindra kriza rajonale në Europë”. Juratoviç paralajmëroi se vonesat e mëtejshme në zgjidhjen e mosmarrëveshjes u shërbejnë atyre elementëve në Bashkimin Europian që kundërshtojnë zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. “Kjo shtyrje e çështjes së Serbisë dhe Kosovës nuk është e dobishme për asnjërën palë, por është e mirë vetëm për qëndrime politike dhe gjithashtu për ata në BE që janë kundër zgjerimit të BE”, përfundoi ai.

Në shtator Vuçiç në Kosovë

Më 9 shtator presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të vizitojë Kosovën. Ai ka njoftuar se shkon atje për të prezantuar “udhëzimet dhe orientimet e politikës shtetërore ndaj Kosovës” duke shtuar se nuk do të japë “një plan për një zgjidhje përfundimtare” për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës “sepse ende nuk ekziston një e tillë”. Vizita e tij e planifikuar do të zhvillohet rreth të njëjtës kohë që pritet të zhvillohet një raund i ri bisedimesh në Bruksel midis tij dhe homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi, edhe pse nuk është lajmëruar ende data e caktuar.

Vuçiç ka deklaruar për RTS “ne (Serbia) kemi një territor të përcaktuar nga fuqitë perëndimore dhe një territor të përcaktuar në terren që është kundër nesh”. Ai shtoi se serbët i quajnë kufijtë në Jarinje dhe Brnjak “kalime administrative”, pasi Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se “ne serbët nuk mund të hyjmë në Kosovë, përveç përmes kanaleve sekrete, pa kaluar atë kufi”.

Ai nuk shpjegoi se cilat ishin këto kanale të fshehta. Vuçiç tha gjithashtu të enjten se është i bindur se nëse arrihet ndonjë marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, “ne (Serbia) do të kemi më shumë sesa kemi sot” dhe iu kërkoi të gjithë serbëve të tregojnë “shumë më tepër tolerancë” ndaj një marrëveshjeje të mundshme.

Lajmërimi i Vuçiçit për vizitën e tij në Kosovë vjen pothuajse tre javë pasi ai propozoi se një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre mund të jetë një lloj ndarje e Kosovës – një ide e kritikuar ashpër nga zyrtarët dhe akademikët rajonalë dhe europianë. Ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Europian Carlos Martin tha për gazetarët në Bruksel të enjten se Prishtina dhe Beogradi do të vendosin për çështjet që do të diskutohen në shtator gjatë raundit të tyre të ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që synon normalizimin e marrëdhënieve. “Një zgjidhje afatgjatë do të thotë një zgjidhje e qëndrueshme dhe realiste në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”,- është shprehur Vuçiç./Mapo.al/

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas