Kronika

Konkursi i Policisë, hetim të gjithë drejtuesve organizatorë

Të gjithë drejtuesit e Policisë që janë marrë me organizimin e testimit për gradën “Komisar”, do të hetohen nga Prokuroria e Tiranës për “shpërdorim detyre”.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesa, që me anë të përfaqësuesve si vëzhgues të këtij procesi, e firmosi si të rregullt dhe pa probleme konkursin e zhvilluar më 7 nëntor.

“Pa probleme” e konsideroi edhe misioni PAMECA dhe dy vëzhguesit Sokol Bizhga e Aida Hajnaj. E ndonëse ata që monitoruan testimin që nga momenti i shpërndarjes së tezave e deri në shpalljen e rezultateve pas korrigjimit elektronik me “Scantron” hodhën firmën për një proces të rregullt, gjithçka u përmbys 6 ditë më vonë.



Me një urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, konkursi u anulua e rezultatet nuk u njohën, me arsyetimin se ishin konstatuar mangësi që kanë cenuar integritetin e testimit me shkrim. Për konkursin e zhvilluar më datë 7 nëntor, atë për gradën “Komisar”, testi ishte me 100 pyetje me alternativë, që u korrigjuam me “Scantron”.

Konkurronin 470 oficerë për 175 vende me gradën “Komisar” dhe rreth 130 u shpallën fitues. Megjithatë, ata nuk u njohën si të tillë dhe u vendos që të ritestoheshin më datë 15 nëntor, por as në këtë datë konkursi nuk u zhvillua.

Faksimile e urdhrit të Ardi Veliut
Faksimile e urdhrit të Ardi Veliut

SHTYRJA E TESTIMIT

Përsëritja e testimit për 470 oficerë Policie që konkurruan për gradën “Komisar”, nuk u zhvillua as ditën e enjte, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar në urdhrin e Ardi Velit, që anuloi procesin për parregullsi. Ende nuk është dhënë një informacion zyrtar për datën se kur do të zhvillohet testimi, por burime nga Policia e Shtetit thanë se shkak për këtë anulim të dytë është bërë riformulimi i tezës.

Nga ana tjetër, duket se i gjithë ky proces nuk do mbetet vetëm në kuadrin e ankesave nga vetë oficerët, si ata që fituan, ashtu edhe ata që nuk arritën të merrnin gradën në konkursin e datës 7 nëntor. Tashmë me këtë çështje duket se po merret edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Burime nga Ministria e Brendshme thanë dje se SHÇBA-ja ka referuar një material për “shpërdorim detyre” në Prokurorinë e Tiranës. Ndërsa nuk saktësohet nëse materiali i referuar ka të bëjë me shkeljet e pretenduara gjatë procesit të konkurrimit, me shpërdorimin e detyrës nga ndonjë oficer, apo me vetë procedurën e ndjekur nga kreu i Policisë së Shtetit për anulimin e konkursit.

Urdhri për anulimin e mosnjohjen e rezultateve

Më datë 13 nëntor, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit firmosi një urdhër për anulimin e testimit me shkrim për fitimin e gradës “Komisar”, të zhvilluar më datë 7 nëntor dhe ripërsëritjen e këtij testimi më datë 15 nëntor. “Bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit, në Rregulloren e Policisë së Shtetit, në urdhrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nr.975 për miratimin e procedurës standarde të fitimit të gradës dhe nr.871 për hapjen e procesit të konkurrimit për fitimin e gradës policore ‘Komisar’, ‘Kryekomisar’ dhe ‘Drejtues’, si dhe në Memon e Drejtorisë së Standardeve Profesionale.

Për arsye të mangësive të konstatuara që kanë cenuar integritetin e testimit me shkrim për fitimin e gradës ‘Komisar’, zhvilluar më 7 nëntor dhe me qëllim kryerjen e procesit të konkurrimit në mënyrë të drejtë, të paanshëm, me transparencë e barazi të aplikantëve më të mirë që kanë fituar të drejtën e konkurrimit, urdhëroj: Anulimin e testimit me shkrim dhe mosnjohjen e rezultateve të tij. Testimi me shkrim të ripërsëritet më datë 15 nëntor, ora 07:30, në mjediset e Akademisë së Sigurisë”,- thuhej në urdhër./Burimi: Panorama/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas