Kryesore

Komisioni Europian: Ekonomia shqiptare u ngadalësua, shkak rënia e investimeve






               Publikuar në : 09:40 - 19/01/18 |
mapo.al

Të dhënat e tregut të punës për tremujorin e tretë janë në përputhje me një ngadalësim të rritjes ekonomike. Punësimi në grupmoshat 15-64 vjeç u rrit me vetëm 1.3 për qind me bazë vjetore.


Ekonomia shqiptare u ngadalësua në tremujorin e tretë të vitit në Shqipëri, në 3.5% (nga 4.1% në tremujorin e parë dhe 4% në të dytin), për shkak të ngadalësimit të dukshëm të formimit bruto të kapitalit fiks dhe një tkurrje në eksportet e mallrave. Ky është konstatimi i Komisionit Europian në raportin e tremujorit të katërt për vendet kandidate dhe potencial kandidate. Shpenzimet konsumatore vijuan të forcohen me një rritje prej 3.3%, në linjë me forcimin e besimit dhe rritjen e pagave në sektorin shtetëror. Rritja e formimit bruto të kapitalit fiks u ngadalësua dukshëm në tremujorin e tretë, nga 14.9% në tremujorin e dytë në 3.8 %, teksa dy projektet e mëdha të energjisë kanë hyrë në fazën finale, thekson raporti.

Tregtia

Eksportet u ngadalësuan me rritje vjetore prej 11.4% nga 17.8% në tremujorin e mëparshëm. Eksportet e shërbimeve u rritën me 14.3%, të mbështetura nga turizmi, që ka qenë në rritje të vazhdueshme. Eksportet e mallrave, megjithatë, ishin zhgënjyese, me një rënie prej 1.1% duke ndjekur një performancë të fortë në tremujorët e mëparshëm. Ndërsa rritja e importeve u përshpejtua, si rrjedhojë e zgjerimit të konsumit. Prodhimi shënoi ritmin më të lartë të rritjes në tremujorin e tretë me 10.0% me bazë vjetore. Aktiviteti i ndërtimit u ngadalësua nga 22.9% në tremujorin e dytë në 7.6%, teksa aktiviteti i investimeve në sektorin e energjisë u zvogëlua.

Treguesit e tjerë

Aktivitetet financiare dhe ato të sigurimeve vazhduan të zgjeroheshin me një normë rritjeje prej 6.7%. Prodhimi i energjisë elektrike u ul me 36.1% si rezultat i thatësirës që frenoi seriozisht prodhimin në hidrocentralet. Të dhënat e tregut të punës për tremujorin e tretë janë në përputhje me një ngadalësim të rritjes ekonomike. Punësimi në grupmoshat 15-64 vjeç u rrit me vetëm 1.3% me baze vjetore, krahasuar me 3.5% në tremujorin e mëparshëm. Huaja për ekonominë vijoi të jetë e dobët, por e korrektuar nga fshirjet e kredisë ajo u përshpejtua në 3.1% në tremujorin e tretë, nga 2.6% në të dytin. Huat me probleme u ulën në 14.3% në nëntor dhe sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar.

Ballkani

Për gjithë Ballkanin Perëndimor raporti thotë se rimëkëmbja ekonomike  vazhdoi gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017 me rritje vjetore të prodhimit të brendshëm bruto me rreth 2.5% në të gjithë rajonin. Konsumi privat dhe investimet vazhduan të mbështesin rritjen dhe eksportet duket se kanë rifituar vrullin. Deficitet e llogarisë rrjedhëse vjetore u ngushtuan më tej në pothuajse të gjitha vendet, por në përgjithësi pozicionet e jashtme në shumë raste mbeten të dobëta. Zgjerimi ekonomik çoi në hapjen e mëtejshme të vendeve të punës. Shkalla e papunësisë ende mbetet e lartë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Progresi në konsolidimin fiskal duket se po ngadalësohet në disa vende, pavarësisht faktit që nivelet e larta të borxhit publik mbeten burim i cenueshmërisë në disa prej tyre, sidomos duke mos patur asnjë autonomi të politikës monetare ose të kufizuar.

 



KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas