Ekonomi

Kolegji Profesional i Tiranës, i vetmi institucion me fokus arsimin e lartë profesional

Zyrtarisht që nga data 30 gusht në vend ka nisur raundi i parë i regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë. Një fazë e cila do të vijojë deri në datën 12 shtator. Kësaj faze i parapriu aplikimi në portalin U-Albania ku maturantët kanë të drejtë të përzgjedhin deri në 10 preferenca.

Vumë re që këtë vit, në dallim nga vitet e tjera shumë universitete si publike ashtu dhe private, kanë hapur programe studimi dy vjeçare. Nga hulumtimet tona, për arsimin e lartë profesional, emri i parë që na doli, ishte Kolegji Profesional i Tiranës. Ju lutem, mund të na thoni diçka më shumë për të?



Prej mëse tre vitesh tashmë, Kolegji Profesional i Tiranës është një institucion i arsimit të lartë 2 vjeçar, jopublik, që përgatit profesionistë me aftësi praktike, teknikë të lartë, zbatues projektesh, aq të nevojshëm për ekonominë e vendit. Kolegji nuk lindi në boshllëk, por për të plotësuar një boshllëk në tregun arsimor te punës, të cilit i mungonin profesioniste të aftë në mjaft fusha të natyrës profesionale.

Kolegji Profesional i Tiranës ofron programe të studimeve të larta, jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm, me kohë të plotë, në:

Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Elektronikë, Database dhe Web design;

Elektro-mekanikë; Teknologji Automjetesh; Mekatronikë;

Teknologji e Instalimeve Elektrike; Teknologji ajrimi dhe kondicionimi; Teknologji gazi;

Teknologji ndërtimi; Gjeodezi; Administrim zyre

Kolegji Profesional i Tiranës është i vetmi institucion që ka në fokusin e tij vetëm arsimin e lartë profesional dhe do të vazhdojë si i tillë, me fokusin e qartë te arsimi i lartë dy vjeçar. Kolegji Profesional i Tiranës krijoi një model të ri në realitetin shqiptar. Unë jam i bindur se do të jetë një faktor me peshë në tregun arsimor e të punës dhe do të kontribuojë në zhvillimin e vendit.

Unë jam në fushën e arsimit të lartë prej shumë vitesh tashmë dhe e kam njohur sistemin e arsimit të lartë në vend në faza të ndryshme. Nisur nga zhvillimet e fundit, si profesor, e vlerësoj shumë nismën e qeverisë për mbështetjen dhe nxitjen e arsimit të lartë profesional. Ashtu si e them me krenari, që Kolegji Profesional i Tiranës ishte i pari në këtë fushë, që këtu e 3 vjet më parë.

Është shumë gjë e mirë, që qeveria e ka në fokus arsimin e lartë profesional, i cili është shumë i rëndësishëm, por nga ana tjetër, vetë emri dikton që raporti mes teorisë dhe praktikës në këtë arsim të jetë qartësisht i prirur nga praktika dhe laboratorët. Logjikisht, për të zhvilluar siç duhet të gjithë procesin mësimor, nevojiten shumë laboratore, shumë mjedise laboratorike dhe ofiçina, shumë staf me përgatitjen dhe përvojën e duhur. Kjo sepse punët e laboratorit dhe të praktikës zhvillohen me grupe të vogla, maksimalisht me rreth 10 – 12 studentë, në dallim nga grupet e seminarit me rreth 25. Në zhvillimin e punëve laboratorike, Studenti duhet të njihet nga afër me punën, të jetë pjesë aktive e saj. Kjo mund të arrihet vetëm kur punohet në grupe të vogla dhe në mjedise të pajisura me laboratorë dhe pajisje matëse moderne.

Ashtu si përmenda më parë, ne e vlerësojmë shumë nismën dhe dëshirën e mirë të qeverisë për zhvillimin e arsimit të lartë profesional, por nga ana tjetër, me keqardhje them se jemi pak të mërzitur me lehtësirat e liçensimit të shumë programeve dy vjeçare në disa institucione që janë të

një natyre krejt tjetër nga natyra profesionale. Etika nuk ma lejon të përmend emra konkretë, por me keqardhje vë re se ofrohen programe studimi 2 vjeçare në fusha si mekatronika, teknologji automjetesh, pa pasur infrastrukturën e duhur në dispozicion.

Shqipëria e ka një përvojë jo të mirë të institucioneve të arsimit të lartë, të hapura dhe të licensuara me nxitim, pa bazën e duhur infrastrukturore në dispozicion. Ndaj e kemi në dorë që historia të mos përsëritet. E vë theksin te rëndësia e reflektimit, sepse arsimi i lartë profesional është në hapat e parë dhe normalisht jemi ende në kohë që ta vendosim në shina, ta vendosim në standardet e cilësinë e duhur.

Dhe kjo është shumë e thjeshtë: elementët përbërës si shtylla të një institucioni që bëhen bazë për vlerësimin janë lehtësisht të matshëm: stafi dhe përvoja e tij, hapësirat akademike të kërkuara në dispozicion, laboratorët dhe oficinat për pjesën e praktikës e cila zë dhe vendin më të madh në kurrikul në raport me teorinë. Kështu mund të bëhet shumë mirë diferenca!

Tani pas 3 vitesh në tregun e arsimit shqiptar, ju si profesor, çfarë note do t’i vinit nismës “Kolegji Profesional i Tiranës”?

Nota 10 është tepër e vështirë, sidomos për ne që vijmë nga bota e shkencave ekzakte. Për të qenë objektiv në vlerësim, mendoj se nota është mes 8 dhe 9, me tendencë drejt notës 9. Pra, për të qenë sa më preciz është 8.8.

Kolegji ka ecur vrullshëm përpara në këto tre vite të jetës së tij, sepse i është kushtuar vëmendje e posaçme tri elementëve, tri komponentët kryesorë të një institucioni të arsimi të lartë:

* Së pari, programeve të studimit që ofron Kolegji Profesional i Tiranës. Këto programe nuk janë një zgjedhje rastësore, përkundrazi janë programe studimi me kurrikul të orientuar nga tregu i punës dhe nevojat e tij për profesionistë më aftësi të mira praktike. Vëmendje e posaçme i është kushtuar hartimit të kurrikula-ve, të cilat i janë nënshtruar gjykimit të një numëri të madh specialistësh të fushës dhe përfaqësues të biznesit. Për këtë arsye programet tona morën vlerësimin maksimal në procesin e akreditimit që u zhvillua nga ASCAL në bashkëpunim me Agjensinë e garantimit të cilësisë për Mbretërinë e Bashkuar, QAA.

* Së dyti, stafi akademik. Stafi është një kombinim perfekt i përvojës së shquar akademike dhe përvojës praktike, një kombinimi të mirë brezash, i orientuar nga zhvillimet e fundit në teknologji dhe në metodologjinë e mësimdhënies, të vëmendshëm në pasurimin e brendisë së leksioneve me konceptet e reja të kohës dhe me pasqyrimin e zhvillimeve teknologjike në to.

* Së treti, por jo nga rëndësia, ngritjes së një infrastrukture moderne në dispozicion: mjedise akademike, klasa, të ndara në klasa leksioni, seminari dhe laboratori, si dhe ofiçina, ku studentët i kanë të gjitha lehtësirat e nevojshme në përvetësimin e lëndëve. E gjithë infrastruktura është mbresëlënëse dhe i përgjigjet standardeve më të larta. Kam bindjen se jo më kot, Kolegji Profesional i Tiranës dhe infrastruktura e tij, morën vlerësimin duke u akredituar për 5 vjet.

Fatmirësisht themeluesit e nismës së Kolegjit Profesional të Tiranës, vinin nga bota e arsimit dhe sipërmarrjes, dhe kur m’u prezantuan, iu bashkova pa hezitim. Jo vetëm sepse qe një nismë e qartë po sepse ishte një nismë që i shërbente shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare.

Personalisht e njoh shumë mire sistemin arsimor gjerman, i cili është një shtyllë e fortë e ekonomisë së tyre, ashtu si dhe në shumë vende në BE. Gjithashtu dhe unë vetë jam shumë i orientuar nga mënyra gjermane e të bërit të gjërave. Themeluesit e Kolegjit Profesional të Tiranës ishin me ide të qarta, aq më tepër që arsimi i lartë profesional është një perspektivë e konsoliduar në vendet e rajonit. Ndaj dhe unë besova dhe besoj që Kolegji Profesional i Tiranës do të jetë një histori suksesi.

Por, më vjen keq, që pavarësisht nga gjithë kjo nismë, nga puna e madhe e bërë, Kolegji Profesional i Tiranës, nuk ka qenë aq prezent në media dhe në marrëdhënie publike. Duke qenë shumë të fokusuar te puna akademike, puna me studentët, te aftësimi i tyre, sidomos përsa i përket praktikës dhe forcimit të lidhjeve me botën e biznesit dhe industrisë, prania e Kolegjit në media, kaloi në plan të dytë. Dhe unë ndihem keq, që Kolegji Profesional i Tiranës nuk njihet nga të gjithë. Do të isha shumë i lumtur që sa herë që të përmendej arsimi i lartë profesional, të referohej menjëherë Kolegji Profesional të Tiranës. Jam i sigurt që kështu do të ndodhë së shpejti.

Profesor, pa dyshim që vlerësimi juaj është shumë i rëndësishëm, por vlerësimi real është ai që bën tregu. Në këtë aspekt, si janë pritur studentët tuaj në tregun e punës?

Për hir të së vërtetës, duhet të them, që ne nuk e kemi dorën e lehtë në vlerësim dhe mësimdhënie: pra studentët duhet të punojnë që të tregojnë veten. Duke kombinuar mësimdhënien me eksperimentime dhe simulime në laborator e ofiçina, KPT ka fizionominë e një kolegji lider, të lakmueshëm, për studentë nga të gjitha anët e Shqipërisë.

Studentët tanë, ata që duan të marrin një profesion të vërtetë dhe e kanë dëshirën dhe vullnetin për ta bërë këtë, e kanë pasur dhe e kanë punësimin e sigurt. Kështu, jam i lumtur të them që emra të njohur të biznesit si Porsche Tirana, Daikin, Elektro Servis si pjesë e Balfin Group, Start Co, Alstezo, Bosch Service etj. i kanë besuar produktit të KPT-së duke punësuar studentët tanë. Po ashtu ka dhe studentë të cilët janë vetëpunësuar duke hapur bizneset e tyre, apo duke vijuar traditën e familjes në servise të ndryshme.

Kolegji Profesional i Tiranës është i vendosur në një kompleks shumë të përshtatshëm. Kur erdha këtu te ju, krahas jush, më bëri përshtypje edhe logo e kompanisë DEKRA, që dihet është një nga shoqëritë më pestigjioze të punësimit në Gjermani. Çfarë do të thotë që jeni në një vend?

Me bindje them që të dy palët, DEKRA dhe ne, kemi zgjedhur kompleksin më të mirë në Tiranë. Dihet që gjermanët dinë të zgjedhin po dhe ne ama bëmë një zgjedhje shumë të mirë.

DEKRA përveç, që ndajmë të njëjtin kompleks, është dhe partneri ynë në ofrimin e kursit të ekspertëve të sigurisë kibernetike në kuadrin e migrimit të tyre në Gjermani nëpërmjet DEKRA -s. DEKRA ishte duke kërkuar një institucion të arsimit të lartë i cili përmbushte kriteret dhe standardet e rrepta gjermane përsa i përket infrastrukturës për ofrimin e kurrikulës së kursit. Pasi bëri shumë testime në të gjitha IAL që kanë këto profile, DEKRA gjeti te KPT partnerin e

besueshëm. Shumë shpejt do të çertifikohet brezi i parë i ekspertëve të sigurisë kibernetike i cili është gati të nisë rrugëtimin e tij në Gjermani. Ndërkohë që tashmë ka nisur trajnimin dhe brezi i dytë i ekspertëve.

Por nuk është vetëm DEKRA. KPT ishte pjesë aktive e Projektit “People first” – Rritja në Turizëm përmes Burimeve Njerëzore të Kualifikuara (një qasje e fokusuar në burimet njerëzore për të stimuluar rritjen e nivelit të kualifikimit, shtimin e vendeve të punës në sektorin e turizmit në Shqipëri), i zbatuar nga Kompania e punësimit, Headhunter, një projekt i mbështetur nga Ambasada Holandeze dhe USAID. KPT përgatiti kurrikulat dhe realizoi trajnimin e teknikëve të mirëmbajtjes së hotelit, të cilët u punësuan në hotelet kryesore në vend.

Mendoni se ekziston numri i duhur i studentëve për të gjithë këto programe dhe institucione, pra a keni një target grup tuajin?

Kolegji Profesional i Tiranës ka qenë shumë i vëmendshëm ndaj çdo ndryshimi në fushën e arsimit të lartë dhe sidomos përsa i përket arsimit të lartë profesional. Ne prisnim që krahas rritjes së vëmendjes së qeverisë ndaj arsimit të lartë profesional, të merreshin masa konkrete edhe për rritjen e notës mesatare të pranimit në universitete. Sugjerimi im, nisur nga përvoja ime e gjatë në arsimin e lartë, është që të jetë të paktën 7, sepse kjo do të bëjë që prurjet të jenë më me cilësi edhe në arsimin e lartë profesional, dhe më konkretisht edhe në shkollat e mesme.

Megjithatë kam kënaqësinë të them, që nga studentët e rinj të regjistruar këtë vit në Kolegjin Profesional të Tiranës, 70 % e tyre janë me notë mesatare mbi 6. Pra, me këtë notë mesatare, ndonëse kishin mundësi të aplikonin për programe Bachelor në universitet, ata na besuan dhe na zgjodhën ne.

Për ne, target grupi nuk është i ndarë në ata me mesatare mbi 6 dhe nën 6. Për ne target grupi është ai student i cili do të ndërtojë botën e tij, me duart e tij, ashtu si e thotë dhe slogani ynë: “Ndërto botën tënde!”

 

<
>
thumbnail_IMG-20180907-WA0015 thumbnail_kompleksi thumbnail_lab1-2 thumbnail_lab2-2 thumbnail_lab5-2 thumbnail_lab6-2 thumbnail_lab24-1 thumbnail_lab28-1
PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas