Kryesore, Mapo Letrare

Kolec Topalli: Një vepër që i ka munguar gjuhës shqipe

Gjuhëtari Kolec Topalli është vlerësuar nga Akademia e Shkencave me çmimin më të rëndësishëm “Çabej”, për veprën “Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe”; në këtë botim krahas elementit të trashëguar dhe formimeve të brendshme, në fjalor janë pasqyruar edhe disa krijime që i gjejmë edhe në gjuhë të tjera…

Nga prof. dr. David Luka



Etimologjia, si një degë e historisë së gjuhës, është me vlera të veçanta në kulturën e një kombi. Ajo na lidh me gjuhën e brezave më të hershëm të stërgjyshërve tanë, duke na treguar rrënjët e gjuhës. Por nëse studimet etimologjike për gjuhën shqipe kanë nisur që herët me punën e gjuhëtarëve të huaj e vendës, ka munguar një fjalor etimologjik në gjuhën shqipe. Prandaj botimi i një fjalori të tillë është i mirëpritur, pasi ai plotëson një zbrazëti në studimet tona albanologjike, duke i shërbyer jo vetëm gjuhëtarëve e pedagogëve, por edhe një mase më të madhe intelektualësh, që janë kureshtarë për të ditur burimin e fjalëve që flasim e shkruajmë.

Meqenëse jam marrë prej vitesh me këtë fushë studimesh, e kuptoj fare mirë ç’do të thotë hartimi i një fjalori të tillë, që kërkon objektivisht njohjen e shumë gjuhëve, të reja e të vjetra, me të cilat ka pasur kontakt shqipja, kërkon kohë të zgjatur dhe hulumtime të thella në materiale të grumbulluara në vite; subjektivisht kërkon vullnet për punë dhe këmbëngulje për ta çuar atë deri në fund.

Hartimi i një fjalori të tillë nis me bibliografinë, që në fjalor zë 30 faqe. Në të janë përfshirë bibliografitë e mëparshme duke u plotësuar dhe përditësuar me materiale të reja dhe autorë të rinj. Etimologu duhet ta dijë mirë ç’është shkruar për një fjalë nga të tjerët para tij, me qëllim që të mbajë qëndrim ndaj opinioneve të shfaqura ose të japë një mendim të ri. Kjo punë nuk mund të arrihet për një kohë të shkurtër dhe as nga një person i vetëm. Përkundrazi, ajo kërkon një kohë të gjatë gjurmimesh në biblioteka dhe arkiva, në libra dhe revista dhe në botime artikujsh në këtë fushë. Vështirësia e kësaj pune qëndron më tepër në faktin se etimologjitë e fjalëve të caktuara nuk gjenden gjithnjë të gatshme; por janë të shpërndara në libra ose artikuj për historinë e gjuhës shqipe, si rrjedhim, duhen kryer hulumtime të thella e të vazhdueshme, pas të cilave është i domosdoshëm hartimi i skedarëve të posaçëm për këtë qëllim. Kjo është një punë që autori e ka kryer me një grup filologësh, siç del nga parathënia e librit. Veç kësaj, autori ka bashkëpunuar me shumë gjuhëtarë, vendës e të huaj, për të siguruar një bibliografi sa më të plotë, gjithëpërfshirëse. Duke ruajtur etikën shkencore ai përmend shumë prej tyre në parathënie.

Nëse hartimi i bibliografisë është hapi i parë i kësaj pune, hapi i dytë është grumbullimi i materialeve nga gjuha shqipe për të hartuar fjalësin. Për këtë autori është mbështetur kryesisht në fjalorët e botuar duke filluar nga viti 1980 e me radhë fjalorët e gjuhës shqipe pas tij. Por ai e ka plotësuar me materiale të marra edhe nga fjalorë të tjerë të botuar para atij viti duke filluar me fjalorin e Bardhit dhe sidomos me fjalorin e Kristoforidhit, Bashkimit, Godinit, Gazullit. Krahas hulumtimeve nëpër fjalorë, janë shqyrtuar edhe materiale të tjera, sidomos nga folklori, si edhe botimet e veçanta të mbledhjeve krahinore. Me këtë punë fjalori do të jetë një bazë e mirë për hartimin e një fjalori më të madh të gjuhës shqipe.

Pas kësaj faze përgatitore, puna kryesore është hartimi i fjalorit nga shkronja A deri në shkronjën ZH. Këtu duhen dalluar disa shtresa fjalësh. Shtresa më e rëndësishme dhe me peshë specifike të veçantë është ajo që përmban fjalët e trashëguara nga gjuha indoevropiane. Megjithëse kjo mund të mos jetë numerikisht pjesa më e madhe, ajo është jo vetëm pjesa më e rëndësishme, por edhe më prodhimtarja në formime të brendshme të shqipes; si rrjedhim, me të rritet shumë elementi i shqipes me materiale të trashëguara dhe të formuara prej këtij elementi në zhvillim të brendshëm. Këtij elementi, që përfaqëson tharmin e gjuhës shqipe, autori i ka kushtuar vëmendje të veçantë, jo vetëm duke dhënë shpjegime të plota, por edhe duke e pajisur me bibliografi të posaçme çdo fjalë, ku duket qartë se studimet etimologjike për këtë pjesë të shqipes kanë qenë të shumta e të hershme, meqenëse me këtë element albanologët kanë përcaktuar karakterin indoevropian të gjuhës shqipe.

Krahas elementit të trashëguar dhe formimeve të brendshme, në fjalor janë pasqyruar edhe disa krijime që i gjejmë edhe në gjuhë të tjera. Këto janë formimet me karakter onomatopeik, si edhe krijimet elementare.

Elementi tjetër, që ka gjetur pasqyrim të gjërë në fjalor, janë huazimet. Prania e tyre në gjuhë lidhet me dy faktorë të rëndësishëm: faktori historik, që ka të bëjë me historinë e kombit, dhe faktori gjeografik, që ka të bëjë me fqinjësitë e popujve në vendet ku banojnë. Për faktorin e parë, vëmë në dukje se historia e shqiptarëve është e mbushur me luftëra e pushtime, si rrjedhim, me kontakte të shumta gjuhësore ndërmjet gjuhëve të popujve që erdhën në trojet shqiptare si pushtues ose për ekspansion ekonomik. Dhe sa më të shumta kanë qenë këto kontakte, aq më të shumta kanë qenë edhe huazimet nga gjuhët e folura prej ardhacakëve në Gadishullin Ballkanik. Për faktorin e dytë, shqiptarët janë një nga kombet më të vjetra të Ballkanit, që kanë jetuar në këto troje prej mijëra vjetësh me popujt e lashtë të këtyre trevave, siç janë grekët, dhe me popuj të tjerë që erdhën më vonë, në periudhën historike në këto treva. Të tillë janë popujt sllavë dhe turqit.

Në fjalor bëhet një dallim i qartë ndërmjet huazimeve të vjetra historike dhe huazimeve të reja, që kanë hyrë pas formimit të shtetit shqiptar në shekullin e kaluar. Shumica e këtyre huazimeve, që lidhet me zhvillimin e shkencës e të teknikës dhe me mënyrën moderne të jetesës, gjendet edhe në gjuhë të tjera të Evropës, shpesh herë si ndërkombëtarizma.

Huazimet e periudhës historike kanë si karakteristikë se kanë ndjekur zhvillimet fonetike dhe gramatikore të gjuhës shqipe duke iu përshtatur elementit të trashëguar të shqipes. Megjithatë, huazimet janë një element i paqëndrueshëm në gjuhë. Sigurisht, huazimet e vjetra janë më të rrënjosura, kurse huazimet e mëvonshme, që lidhen me periudha të caktuara historike dhe me marrëdhënie social-ekonomike të një formacioni të caktuar, janë më pak të rrënjosura dhe me prirje për të dalë nga gjuha. Këtë e dëshmojnë sidomos huazimet e periudhës së fundit të mesjetës, huazimet turke, të cilat në shumicën e tyre janë vjetruar dhe kanë dalë jashtë përdorimit, meqenëse lidhen me formacione shtetërore të kaluara dhe me mënyrë jetese gjithashtu të kapërcyer.

Por prania e huazimeve në gjuhën shqipe nuk e dobëson identitetin dhe origjinalitetin e saj, që qëndron në elementin e trashëguar nga gjuha indoevropiane dhe në fuqinë krijuese të shqipes. Huazimet janë një dëshmi e qartë e bashkëjetesës së shqiptarëve me popuj të tjerë, me çka dëshmohet se ata kanë qenë në këto troje prej mijëvjeçarësh në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë popujt e tjerë të Gadishullit Ballkanik.

Të gjitha këto e bëjnë këtë vepër të domosdoshme dhe me shumë vlera për albanologjinë.

Përfundimisht, fjalori etimologjik i sapobotuar është një prurje e re e shumëpritur në studimet tona etimologjike dhe në leksikografinë shqiptare, një vepër që i mungonte shqipes. Ai jep edhe përgjigje për disa probleme themelore të historisë së gjuhës, si: në fushë të fonetikës, të morfologjisë, të burimit të përemrave dëftorë, të pronorëve etj.

Ky fjalor do t’u shërbejë në të ardhmen edhe historianëve të gjuhës shqipe si bazë nisjeje për studime e analiza më të thelluara, si p. sh. përpjesëtimi i elementit vendës ndaj atij të huazuar, duke u vështruar këtu edhe ana cilësore për të dalluar se në të cilën kategori semantike të visarit leksikor është ruajtur më mirë pasuria e vendit dhe në të cilat ka vërshuar më shumë vala e ndikimit të jashtëm etj., etj.

Për të gjitha këto vlera një vepër e tillë meriton të studiohet e të çmohet. Ndërkaq, iniciativa e mundshme e ndonjë institucioni për të botuar edhe një përmbledhje (rezyme) të këtij fjalori në ndonjë gjuhë të huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht), do t’i shërbente jo vetëm prestigjit të gjuhësisë shqiptare, por edhe gjuhëtarëve të huaj që duan të merren me studimin e shqipes.

Ndërkaq duhet përgëzuar edhe autori i kësaj vepre madhore, i cili ka punuar me një vullnet e përkushtim të jashtëzakonshëm, shpesh në kushte të vështira, gjithnjë modest, e gjithnjë i palodhur.

Tani pas kaq vitesh kemi në dorë një fjalor etimologjik të shqipes, që plotëson një boshllëk të krijuar gjatë kohëve. E këtë punë kolosale e ka bërë një njeri i vetëm, duke i ngritur vetes një monument në panteonin e gjuhësisë shqiptare. Ndërkaq nuk mund të rri pa thënë se zanafilla e këtij fjalori, ka nisur në rrugët plot baltë të katundeve, ku bashkë diskutonim atë që duhet ta bënim në auditoret e universiteteve.

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas